FUSTANI
Kanë kaluar plot katërmbëdhjetë vjet motrush, por unë emocionohem po njësoj kur e kujtoj. Kur kujtoj se në ditën më të bukur dhe të rëndësishme të jetës sime (deri atëherë, sepse në absolut është dita kur u bëra nënë), njeriu që kisha zgjedhur të kaloja jetën dhe motra që zgjodhi Zoti për mua menduan për mua njësoj.
Ti e di sa të vështirë e kam të zgjedh një veshje. Mund të dal me dhjetra herë, të vërdallisem e të mos blej asgjë. Por, nëse më pëlqen diçka, e marr menjëherë edhe po të mos e kem në listën e gjërave që më duhen.
Kishim javë që endeshim për të zgjedhur fustanin e nusërisë. S'gjeja asgjë që të më hynte në sy. Këmbënguljet pafund të shitëseve për të më bindur që prova ishte falas më bënin me dhimbje koke. Kisha tri kushte për fustanin e nusërisë. Të më pëlqente posa ta shihja, të mos e kishte veshur askush para meje dhe t'i pëlqente njeriut të zemrës sime. Unë nuk u besoja dhe nuk u besoj bestytnive. S'kisha frikë se po të më shihte para dasme me fustan nusërie do na ecte ters. Dhe s'e ndjeja të nevojshme të kisha dikë tjetër me vete, një sy femëror që të më trazonte idetë. Dy sytë për të cilin doja të dukesha bukur ishin aty...
U lodha nga endjet, jo vetëm dyqan më dyqan, por edhe nga njëri qytet në tjetrin dhe i humba shpresat. Fustani im i ëndrrave do mbetej vetëm një ëndërr.
Pikërisht atëherë, hym në një dyqan që kishim qenë edhe herë tjetër. Kishte furnizim të ri. Fustanet ishin të gjitha në qese, siç i doja.
Si për ironi të fatit më pëlqyen menjëherë dy fustane. Papritur ëndrra ime ishte ndarë më dysh. Problemi ishte që njëri prej tyre ishte porositur dhe nusja tjetër e kishte dasmën një javë para meje. Nuk pranova të merrja fustanin që do vishte ajo, pavarësisht premtimeve të shitëses se do më bënte ulje çmimi. Ishte çështje parimi, jo çështje çmimi.
U përpoqa të mos e jepja veten, por ëndrra ime ishte realizuar vetëm përgjysmë. I kërkova shitëses të merrte një fustan tjetër për mua, por ajo sapo kishte ardhur nga Stambolli dhe nuk do shkonte deri në ditën e dasmës.
Njeriu i zemrës të kupton kur e ke zemrën e thyer. Edhe kur i duket marrëzi ëndrra jote, lumturia jote nuk i duket kurrë marrëzi. Më bleu një fustan nusërie bojqielli. Një mrekulli ai fustan! Do ta ruaja në dollapin tim pas dasmës. Kjo ishte një ëndërr më e bukur se ajo që kisha thurur.
Ti ishe me provime dhe mësoje aq shumë për të marrë nota të mira. Stomatologjia është e vështirë, shtoji edhe faktin që studioje në një gjuhë jo tënden dhe ndonjëherë hasje në rracizëm. Por ti kishe vullnet të pathyeshëm. Do ta merrje patjetër bursën edhe atë vit. E kishe vendosur se me ato para do më bëje dhuratën e dasmës.
E kam ende para syve çastin kur hape valixhen dhe nxorre prej andej dhuratën për mua. Fustanin e nusërisë. Ishte identik me fustanin që nuk munda ta merrja. E kishe blerë në të njëjtin dyqan në Stamboll.
Të flas për realizim të ëndrrës sime?! E çfarë rëndësie mund të ketë një fustan krahasuar me telepatinë që ekziston mes motrave?! Të përqafova fort... Mes lotësh të tregova historinë e fustanit. Nuk ishte hera e parë që kishte telepati mes nesh. As e fundit.
Atë fustan nuk e mbaj në shtëpinë time, por në shtëpinë e babait tonë, në atë shtëpi ku u rritëm dhe thurëm ëndrra nusërie. Fustanin bojëqielli e mbaj në shtëpinë time, në shtëpinë ku realizohen ëndrrat e një gruaje dhe një nëne të lumtur.
A e di motrush? Asnjë prej atyre fustaneve nuk është thjesht dhe vetëm fustan. Secili prej tyre është për mua ëndërr e realizuar. Ëndërr edhe dashuri. Dashuri e pafund nga njeriu që zgjodha të kaloj jetën dhe njeriu që zgjodhi Zoti të ishte motra ime. Nuk mund të më zgjidhte një motër më të mirë, për faktin e thjeshtë se nuk ekziston.
Në çdo ditë të jetës sime falenderoj Zotin që ju kam.
Elda Gjini
2018

No comments:
Post a Comment