TJETËRSIM
Flladi më përkëdhel flokët e më ngjan me një dorë të ngrohtë, të dashur. Kërkon një buzëqeshje të ngrohtë nga unë, por edhe pse sforcohem, s'mund të buzëqesh dot.
Është diçka që më trazon shpirtin, që më bën të vuaj. Burimet e lotëve nuk kanë shterur, por janë kthyer në një pus. Në një pus që kërkon të mbysë padrejtësinë, por më kot. Padrejtësia i ngjan një përbindëshi që të kall datën. Shpirtin e brishtë kërkon t'ma helmojë.
Kam frikë! Por, jo sepse mund të ndiej dhimbje. Druaj se ky përbindësh i mësyer drejt meje, mund të më bëjë të tillë. Kam frikë si një vajzë e pafajshme prej dhëmbëve të vampirit. Ndihem si dëbora përballë diellit. Më duket sikur jam brenda një rrethi vicioz, i cili sa vjen e ngushtohet. Ç'tmerr! Brenda këtij rrethi jam unë, që mbaj mbi supe kryqin tim, por që është tepër i rëndë për supet e mi. Mbi këtë kryq rëndojnë gjithë padrejtësitë.
Më vjen ndër mend shprehja: "Kush pranon se ka humbur, është ai që ka fituar në të vërtetë".
Sigurisht, ai që ka krijuar këtë shprehje s'është ndier kurrë si unë. Më duket se jam një liliput në duart e një gjigandi. Do të më shtyp? Do të më hedhë tutje? S'dua t'ia di. Unë kurrë s'do kërkoj mëshirë. Kurrë s'do ulem në këmbët e tij. Këtë s'do ta bëj kurrë. Më mirë të ndihem e lirë dhe me shpirtin e pastër e të pres të më shtyp si bubuzhel.
Lotët le të mbeten aty, në pusin e dhimbjeve, më mirë kështu. Ndihem e lehtë si një ëndërr, e bardhë si dëbora, e pastër si uji i një burimi.
Por... dikujt i dhembën sytë nga gjithë kjo. Sikur në jetë gjërat të ndaheshin bardhë e zi! Por, shpesh e zeza hedh supeve një mantel të bardhë dhe rreth së bardhës hedh një një mjergull të zezë.
Ndihesh e humbur, e zhgënjyer, e braktisur. Sa shumë fjalë sulen drejt nesh si shigjeta! Kërkojnë të na nxijnë fytyrën, të na marrin frymën. Por... nuk arrijnë t'na tjetërsojnë.
Elda Koço
12.05.1999
No comments:
Post a Comment