ENGJËLLI IM
U rrite nën hijen time, duke ecur në po atë shteg, duke luajtur me po ato lodra, veshe po ato fustane me lulka, dhe ja... sot s'je më miturake.
Dhe erdhi dita kur s'qave më nga dora ime, kur asnjëra nuk i bën hije tjetrës, kur asnjë s'e di cila është më e madhja. E nëse dikur protestoja për të mos patur të njëjtën veshje, sot më pëlqen. Dua të të trajtoj si moshatare, si shoqe, por ti je shumë më shumë. Ti je një engjëll. Mbron gjithkënd me shpirtin tënd të bukur e bujar.
Për mua je po ajo vajzë e vogël që trembej kur ngrija dorën të rregulloja flokët, por me të njëjtën dorë të ledhatoj flokët teksa flë. Më dukesh sërish vogëlushe, një vogëlushe me fytyrën dhe shpirtin e një engjëlli.
Drita është e bukur, dielli është i ngrohtë, por flutura i djeg flatrat lehtë, qoftë edhe në flakëzën e një qiriri. Kujdes motërz! Kujdes! Ka shkëndijëza që të djegin flatrat, ka shkëndija që të djegin shpirtin, por... ka edhe nga ato që të djegin të tërën.
Ruaju motërz! Bota është e bukur në dukje, por mizore në thelb.
Mua do të më kesh gjithmonë pranë, të të ruaj ëndrrat, të të qetësoj gjumin, të të përkëdhel flokët, të të lehtësoj brengat. Motërza ime, e shtrenjta ime, engjëlli im!
Elda Koço
1997

No comments:
Post a Comment