THJESHT SHOKË
I vinte të qeshte me veten kur kujtonte situatën e tij vetëm disa muaj më parë. Ishte përpjekur t'i vendoste një emër, por kishte gjetur emrin e gabuar.
Prej vitesh punonte si agjent kredie në një bankë tregëtare të nivelit të dytë, e cila bashkëpunonte në projekte mbështetëse mbi agrikulturën.
Ambjenti i bankës ishte i vogël dhe punonjësve u duhej të qëndronin pranë njëri-tjetrit, ndërsa tryezat e tyre të punës nuk kuptohej ku nisnin e ku mbaronin. Kjo as që e kishte shqetësuar ndonjëherë. Mjaft të punonte, të merrte pagën e tij në fund të muajit dhe kaq.
Ishte i vetmi mashkull që punonte në atë bankë. Për këtë arsye, në çdo rast që bëheshin verifikimet e pasurisë së deklaruar prej fermerëve në fshatra të ndryshëm, ai do të ishte patjetër në grupin e inspektimit.
Puna ishte e lodhshme, e lodhshme dhe e mërzitshme. Me zor priste përfundimin e orarit dhe kthimin në shtëpi. Shumë rrallë i ndodhte të punonte jashtë orarit.
Përgjithësisht pasditeve nxirrte djemtë shëtitje, apo i çonte në këndin e lojrave, ndërkohë që bashkëshortja e tij bënte punët e shtëpisë. Mbrëmja ishte gjithmonë e qetë në gjirin e familjes.
Një ditë në bankë erdhi një punonjëse e re. Prej ditës së parë të punës, të dy së bashku u nisën për në fshatra të ndryshëm.
Rrugës për në shtëpi nuk arrinte ta hiqte nga mendja. Kjo nuk i kishte ndodhur kurrë më parë. Shpresoi se do kalonte sapo të përqafonte fëmijët, sapo të puthte të shoqen. Por, nuk ndodhi kështu.
Atë natë pothuajse nuk vuri gjumë në sy. Gjithë qenia e tij donte që koha të vraponte dhe ai të mbërrinte sa më parë në punë. I erdhi ndot nga vetja. Si mundej të mendonte për një femër tjetër kur ishte në shtrat me të shoqen?
Gjatë punës ora fluturoi. Ai ishte gjithë ditën me të. Për dy ditë së bashku kishin shëtitur aq fshatra dhe kishin dhënë aq kredi që më parë do duhej një muaj i tërë.
Nga koha kur u ndanë atë pasdite, deri të nesërmen kur e takoi nuk reshti së menduari për të.
Sërish bashkë... çdo ditë suksese në punë... çdo javë suksese në punë... pagesë ekstra për arritjet dhe orët jashtë orarit.
Por, për të familja vinte e para. Nuk mund të jetonte më kështu, duke u torturuar për ndjenjat e fajit. Nuk mund të mendonte gjithë kohës për atë femër. Çdo ditë e më shumë i vinte ndot nga vetja.
Nisi të kërkonte një punë tjetër. Gjeti shpejt një vend pune në një agjensi udhëtimesh turistike. Paga ishte më e vogël, megjithëse orari ishte më i gjatë dhe i duhej të punonte edhe të shtunave.
Pagesa ishte gjëja e fundit që i vinte ndërmend. Duhej ta bënte këtë lëvizje sa nuk ishte vonë. Nuk mund të rrezikonte martesën dhe familjen e tij.
E dinte se do ishte e vështirë ta harronte, por me shumë vullnet herët a vonë do ta arrinte. Askujt nuk i tha për vendimin e tij. Pas përfundimit të orarit të punës ditën e premte u fut në zyrën e drejtoreshës dhe vendosi mbi tryezën e saj të punës dorëheqjen e parevokueshme, të cilën ajo e grisi në çast dhe e këshilloi ta mendonte me qetësi gjatë fundjavës. Do flisnin të hënën në mëngjes.
Doli prej zyrës së saj pa u lëkundur nga vendimi i tij. U ul për herë të fundit në karriken e vet. Po i vinte tmerrësisht keq të largohej nga ai vend. Ç'i kishte ndodhur kështu muajt e fundit? Nuk po e njihte veten. Gjithçka për faj të saj. Ndaj zgjodhi të largohej tinëz, kur ajo nuk ishte aty, kur askush nuk ishte aty veç drejtoreshës.
Me duart që i dridheshin nisi të mblidhte sendet personale mbi tryezë. Figura e saj iu fanit para syve. Nuk ishte e mundur! Të kishte arritur deri këtu sa të përfytyronte të paqena?!
Mbylli sytë me duar, duke u përpjekur të largonte imazhin nga mendja... Ishte i vendosur për ta bërë. Do ia arrinte...
Ndjeu duart e saj mbi duart e tij. Ajo ishte vërtet aty. Ishte kthyer, sepse kishte harruar diçka. Largoi duart prej syve dhe e pa drejt e në sy. S'e kishte parë kurrë më parë kështu. Ishte gati t'i lutej, madje t'i përgjërohej që ajo të vendoste sërish duart mbi duart e tij. Sikur të kishte dëgjuar mendimet e tij, ajo e zuri për duarsh dhe duke e parë drejt e në sy i foli qetë.
-Përse nuk më thua çfarë ke? Ne jemi shokë, apo jo?! Nga dita e parë që punuam bashkë unë e ndjeva se do bëheshim shokë të mirë dhe kështu ndodhi.
Shokë? A mund të jenë shokë një femër dhe një mashkull? Jo, ai s'kishte pasur kurrë ndonjë shoqe të vërtetë në jetën e tij.
Po ajo prekje e duarve prej saj? Në një situatë të tillë, me një kolege tjetër do kishte nuhatur parfumin e saj, do kishte hedhur sytë përtej kopsës së mbyllur, do kishte hetuar a i dridheshin buzët kur ishin aq pranë. Dhe ai nuk ndjeu asgjë të tillë.
Kaloi nëpër mend udhëtimet për muaj të tërë fshatrave. Ajo mbante gjithmonë uniformën e bankës, me fund. Asnjëherë s'i kishte hedhur sytë për t'i parë këmbët. Mandej kafet, kurrë s'ishin ulur lokaleve, por e kishin marrë me gota plastike dhe e kishin pirë në makinë. Po në makinë kishin ngrënë paninet, duke u ngutur të udhëtonin sa në një fshat në një tjetër. Ai ishte sjellë njësoj sikur të punonte me një shok tijin. Me një shok të mirë e të vjetër.
Po përse e kishte menduar aq shumë? Përse me zor priste orarin e punës? Duheshin përgjigje.
Dhe përgjigjet i gjeti. Në çast. Me një shoqe të tillë ishte kënaqësi të punonte. Ajo e kishte motivuar. Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj ata kishin arritur sukses të jashtëzakonshëm. Së bashku, gjithmonë së bashku. Ata ishin shokë të mirë, thjesht shokë.
-Po, ne jemi shokë, ne jemi shokë të mirë,- i tha ai duke ndjerë një çlirim të jashtëzakonshëm në shpirt,- nuk kam asgjë. Dalim? U bë vonë!
Elda Gjini
No comments:
Post a Comment