Monday, September 10, 2018

DUHET DIELL



    E njihte mirë veten. Ishte mjaftueshëm e fortë për të mos vdekur nga mungesa e tij. Njëherësh, ishte e dobët sa të mos kishte një jetë të vërtetë pa të.
    I kishte premtuar vetes se do ta harronte dhe s'do ta takonte kurrë më, se do ecte drejt së ardhmes pa e kthyer kokën pas. E thyente këtë premtim. Kthehej pas në kohë, por... ishin vetëm kujtime.
    Në asnjë prej kthimeve s'gjente lumturi. S'gjente sepse kurrë s'kishte patur. Ajo s'mundi të ishte e veçantë në jetën e tij, në zemrën e tij. Për të s'kishte kurrfarë dallimi prej të tjerave. Dhe të tjerat ishin aq shumë!
   As të ardhmes nuk i buzëqeshte, as kujtimeve. Vetëm tani kuptonte që ai nuk ishte dashuria. Ai i ngjante një objekti pas të cilit ishte kacavjerrë.  Vetmia ishte e frikshme. Ai kishte qenë e vetmja zgjidhje. Jeta nuk i kishte ofruar zgjedhje.
    Sa shumë kishte pritur prej tij! Së pari t'i fashitej vetmia. Por, vetmia kishte mbetur aty, bashkë me të. E shihte në sy, e dëgjonte, e ndjente... përpiqej ta ndjente...
    Ndonjëherë e gënjente veten se ishte dashuri. Ndonjëherë... Shpresonte ende se ai do ndryshonte, se gjërat do ndryshonin. Dhe vërtet ndryshonin, por vetëm në dukje. Në thelb asnjë ndryshim. Thjesht vetmi.
     Erdhi një kohë dhe kuptoi se ai ishte kohë e humbur. Sa kohë kishte humbur me të. Sa kohë e humbur për të.
    Por a mund të largohej prej tij? Ai ishte bërë njësh me të, njësh me vetminë e saj. Ishte kacavjerrë aq shumë pas tij, saqë nuk dinte nëse do mund të shkëputej.
    Por, duhej të shkëputej... mundej... Ishte mbështetur pas tij me lastarët e shpresës, por jo me rrënjët  e përjetësisë.
    Sa lastarë shpresash u shkëputën dhe ranë përtokë kur u shkëput prej tij! Lastarët e mbetur i zvarriteshin nga pas kur mori udhën e pakthimtë të lamtumirës.
    Nuk do ta kthente kurrë më kokën pas, as në kujtime. E njihte mirë veten. Ishte mjaftueshëm e fortë për të mos vdekur nga mungesa e tij.
    Kishte ende një shpresë, një shpresë të fundit. Në jetën e saj do vinte dikush që do ta bënte vetminë të zhdukej njëherë e përgjithmonë.
    Derisa të vinte kjo ditë, do kujdesej për veten. Mundej. Lastarëve të saj u bënte dëm hija. Nuk do qëndronte nën strehën e askujt, kurrë më.
    Duhet diell! Kështu mendoi, për fuqizimin e lastarëve të zverdhur prej hijes së vetmisë. Duhet diell! 🌞
Elda Gjini

2 comments: