RRITU!
Sa e sa herë kam bërë ironi me ty, të kam treguar historira të vërteta e të stisura, jo pa qëllim... Dhe çdo herë që kujtoja se do më kuptoje, zhgënjehesha... Zhgënjehesha, por nuk dorëzohesha. Nuk e humbisja asnjëherë besimin në ty, së paku jo plotësisht.
Do ta provoj sërish, i thosha vetes. Do ia dal që kur ta shoh në sy, të shoh veç atë. Por, asnjëherë nuk ia dola. Nuk ia dola, sepse aty ishte ai, aty ishte ajo, aty ishin ata... Dhe të gjithë tok vigjëlonin që mos të të shkëlqenin sytë nën dritën e qartë të mendimeve të tua.
Ti kurrë s'e kuptove që gjithë ata njerëz-shkurre të zënë dritën, dritën e gjykimit me kokën tënde. Kurrë nuk i ngrite sytë lart, për të parë përtej atyre shkurreve, për të parë një copëz qiell, për të marrë një rreze dielli. S'i pe lisat që lartësohen krenar.
A e di? Nuk është e lehtë të lartësohesh, të rritesh, të jesh lis. Por, nuk është as e pamundur. Unë e di që mund t'ia dalësh. Mos më pyet ku e bazoj besimin tim. Por, edhe sikur të më pyesësh, unë e kam një përgjigje, madje më shumë se një. Kam njohur mjaftueshëm shkurre në jetën time dhe ti nuk je, jo jo nuk je prej atij soji. Nuk je as një fidan i dështuar, i cili duhet zëvendësuar sezonin e ardhshëm.
Kjo është hera e fundit që po të drejtohem. Hera e fundit, sepse nuk ka më kohë. Koha ka filluar numërimin mbrapsht. Jo koha ime. Gjithmonë do ta gjej kohën për të ndihmuar dikë të rritet.
Ajo që po mbaron është koha jote. Njerëzit-shkurre po ta errësojnë plotësisht dritën e gjykimit, po bëjnë fole në shpirtin tënd, po bëhen perde në sytë e tu. Dhe nuk ka më kohë të të tregoj historira të vërteta e të stisura që të kuptosh. Nuk ka më...
Rritu, të lutem! Rritu! Mos u frikëso kur një lis rrëzon një gjethe, sepse do lëshojë shumë të tjera. Mos u dorëzo! Mund të bëhesh si ai.
Rritu!
Elda Gjini
2018

No comments:
Post a Comment