TE ZGJEDHESH
Para se të ngjitej në makinë, duhej të hidhte lulet. Cila do ishte vajza fatlume që do t'i priste?! Sapo i hodhi ktheu kokën pas. As që vuri re ç'u bë me to. Pa edhe një herë shtëpinë ku ishte rritur, e pa me sytë e zemrës.
Dikush e kishte porositur të mos e kthente kokën pas kur të dilte nga shtëpia, përndryshe mendjen dhe zemrën do t'i linte aty. Marrëzi. S'u zinte besë bestytnive. Çfardo të bënte, sado larg të shkonte, mendimet dhe zemra e saj do rendnin aty.
U përpoq të shmangte lotët, por ishte e pamundur. E ëma që i bënte gjithmonë vërejtje se ishte qaramane dhe kjo e shëmtonte, i kishte thënë që lotët sot i jepnin nur hyjnor.
Sapo zunë vend në makinën e bardhë ai e pa drejt e në sy, me gjithë dashurinë e zemrës së tij.
-E mbajta premtimin!
Edhe ajo e pa drejt e në sy, jo vetëm me gjithë dashurinë e zemrës së saj, por edhe me gjithë mirënjohjen e shpirtit.
-Po. E mbajte premtimi dhe më bëre femrën më të lumtur në botë, - sytë iu mbushën me lot mallëngjimi.
U përhumb sakaq në të shkuarën. Kishte ditë të tëra që përpiqej të bindte prindërit, se njeriu që kishte zgjedhur të kalonte jetën ishte i duhuri për të. Ata kundërshtonin prerazi. Jo. Ishte duke gabuar.
Por, si mund të arrinin në përfundime pa e njohur? Dhe më e keqja ishte se nuk pranonin ta njihnin. Sipas tyre meritonte më shumë.
Ajo e dinte mirë ç'ishte më e rëndësishme se gjithçka për të. Dashuria. Kështu e kishin edukuar ata. As paratë, as hierarkia shoqërore s'ishin asgjë përpara dashurisë, mbi të cilën ngrihej një familje e lumtur, si e tyrja.
Përse tani shkelnin mbi gjithçka që i kishin mësuar? Për ditë me radhë shpresonte se ata do thyeshin në rezistencën e tyre. Por edhe prindërit shpresonin të njëjtën gjë për të bijën.
Sonte i kishin vendosur ultimatum. Ose do ndahej përfundimisht nga i dashuri, ose në mëngjes të merrte valixhet dhe të ikte tek ai përgjithmonë. Duhej të bënte zgjedhjen e saj.
Përse duhej të ndodhte kështu? Ajo donte të ishte e lumtur. E meritonte lumturinë, si çdo vajzë tjetër. Por, a mund të ishte e lumtur nëse do ndahej një herë e përgjithmonë nga prindërit?!
Ndarjen nga i dashuri as që e çoi ndër mend. Ndarje prej tij do ishte një vdekjeje për së gjalli për të dy.
I telefonoi. Mes lotësh përpiqej t'i shpjegonte gjithçka. A do vinte ai në mëngjes ta merrte?
Me qetësi e maturi, ai i shpjegoi se kishte marrë një vendim të nxituar. Nëse ai do ta merrte në këtë mënyrë, sytë e saj s'do reshtnin së lotuari dhe s'do ishte asnjëherë e lumtur. Krenaria e burrit nuk do ta lejonte të miratonte kthimin e së shoqes në shtëpinë e prindërve, kur zemra e tyre të thyhej nga malli dhe të pranonin zgjedhjen e saj.
-Unë do të marr, por jo sot. Jo kështu. Jo mes lotëve të hidhërimit. Do të të marr me fustan të bardhë dhe prindërit e tu do jenë po aq të lumtur sa ne atë ditë.
E shihte teksa përpiqej të nxirrte makinën prej turmës së dasmorëve që s'denjonin të lëviznin. S'do reshtte kurrë së falënderuari Zotin që e kishte sjellë në jetën e saj.
Zgjedhjet shpesh janë të vështira, por kur bëhen me zemër, të bëjnë të lumtur.
Elda Gjini
2018

No comments:
Post a Comment