DUKE LEXUAR LEXUESIT
I dashur lexues! Sa kohë do të lexosh një roman me rreth treqind e pesëdhjetë faqe? Nuk mund ta matësh kohën në ditë e në javë, sepse s'do ishte matje e saktë. Mjaft të matësh kohën që të duhet të lexosh një faqe, ta shumëzosh me numrin e faqeve që përmenda më sipër dhe... dhe është koha që të duhet për të lexuar një roman timin.
A je kurioz të dish sa kohë më duhet mua të lexoj romanin tim të botuar? Një pafundësi... A e di përse? Sepse sapo nis të lexoj, marr lapsin ne dorë dhe nis të shtoj e të heq fjalë nga frazat. Ashtu siç veproja pasi kisha përfunduar së shkruari romanin dhe më duhej ta lexoja edhe një herë të fundit. Dhe ky lexim i fundit u përsërit plot njëzet herë. Nuk është hiperbolë. Dhe nëse nuk do e kisha çuar për botim një Zot e di edhe sa herë do ta lexoja.
S'po të them nga sa gjëra kam hequr dorë për t'i përkushtuar kohën time romanit, do përmend vetëm një episod që përsëritej çdo herë që gishtat e mi preknin tastierën. Im bir më afrohej dhe më pyeste cili ishte më i rëndësishëm, ai apo romani!? Cilin doja më shumë, atë apo romanin!?
Kur mer librin e botuar në dorë është krenari dhe lumturi pafund. Dehur nga lumturia i dhuron librin tënd dikujt që do kishte preferuar një sufllaqe të nxehtë, apo një birrë të ftohtë. Ç'trishtim...
Ndesh pastaj njerëz që të njohin vetëm përmes librave të tu. Njerëz që të vlerësojnë ty, ndjeshmërinë dhe botën tënde. Njerëz që do donin të ishin miqtë e tu.
Refuzon menjëherë. Refuzon në emër të sufllaqexhinjve dhe birraxhinjve. Dikur u thye zemra jote prej tyre, sot u thyen zemra të tjera, megjithëse prej teje, sërish për faj të tyre.
Dhe pastaj mesazhi: Kam besim te ty. Dua të shkruash historinë time.
Lexuesi lexonte autorin. Autori po lexon lexuesin. Si përfundon kjo histori!?
Elda Gjini
No comments:
Post a Comment