NE EMER TE PERSOSMERISE
Ndihej e sfilitur. Dhe për dreq as gjumi s'e merrte, megjithëse mesnata kishte kaluar prej orësh dhe mëngjesi po afrohej.
I shoqi flinte i qetë. E kur s'kishte fjetur i qetë ai? Sapo vendoste kokën në jastëk e merrte gjumi. S'kishte si të ndodhte ndryshe. Ai s'merrte kurrë asnjë shqetësim a brengë në dhomën e gjumit. Ndërsa ajo, ndihej përherë si një sfungjer që thithte dhe mbartte me vete gjithçka: shqetësime, brenga, zhgënjime, vërejtje, superkëshilla, paralajmërime...
Që të gjitha këto në emër të përsosmërisë. Jo, ajo s'ishte e përsosur, s'kishte qenë ndonjëherë dhe as besonte te përsosmëria. Ndërsa ai po. Sapo hynte në shtëpi ia niste me ç'të mundej më parë, herë këshilla, herë sugjerime dhe vërejtje e qortime pafund. Të gjitha në të mirë të saj. Kishte kapacitetin e duhur për t'ia arritur.
Ajo i dëgjonte dhe i thithte të gjitha, i mbartte me vete si një sfungjer i lagur. Përpiqej me mish e me shpirt t'i zbatonte të gjitha, por ishte e pamundur.
Ëndrra e saj nuk ishte të bëhej e përsosur, por të dëgjonte një fjalë të mirë prej tij, të merrte një lavd, të ndjente një herë vlerësim. Së paku një herë të mos e sulmonte në emër të përsosmërisë.
Gjithçka... gjithçka në emër të përsosmërisë. Në emër të saj sfilitej. Në emër të saj shpenzonte çdo ditë të jetës së vet.
Elda Gjini
No comments:
Post a Comment