Monday, August 20, 2018


TË VAR TE LLAMPA!


    Gjyshja ecte me hapa të lehtë për në dhomën ku flinte mbesa. Ishte koha ta zgjonte dhe më pas duhej t'i jepte të hante.     -Eh! Këto nuset e sotme!- tha me vete,- çdo gjë me orar dhe gramaturë. Si mund të zgjosh nga gjumi një ëngjëll? Si mund t'i japësh të hajë çfarë duhet dhe jo çfarë i hahet!
    E thirri disa herë, por vogëlushja flinte e qetë. Po e ledhatonte ngadalë, duke i masazhuar shpinën dhe këmbët. Vogëlushja flinte gjithmonë e qetë përmbys.
    S'kishte ndodhur ndonjëherë të mos zgjohej kështu. Gjyshja e puthi në të ndenjura. Vogëlushja u zgjua e trembur. Siç dukej gjyshja s'i kishte rezistuar dot dhe në vend të puthjes i kishte dhënë një kafshim të vockël. Këtë e bënte shpesh me fëmijët e saj kur ishin të vegjël. Por, si gjyshe ishte hera e parë.
   -Të lutem nëna, mos e bëj atë se kam frikë!
    -Mos u tremb të keqen nëna!
    -Kam shumë frikë nëna!
    -Mos ki frikë të keqen nëna! Nuk e bëj më!
     Vajza filloi të qante me ngashërim dhe i përsëriste gjyshes të njëjtat fjalë. Kishte frikë.
    Kur e pa që mbesa nuk qetësohej, por vetëm dridhej e ulërinte dhe përsëriste që kishte frikë, telefonoi mamanë e vogëlushes, që për fat të mirë punonte pranë shtëpisë.
    Ajo vrapoi gjithë rrugës. Ç'ti kishte ndodhur vajzës? Asnjëherë e vjerra nuk e kishte telefonuar në orar pune.
    Sapo hyri në dhomën e vajzës dëgjoi ulërimat e saj të shtuara. E përqafoi fort. Kjo ishte mënyra më e mirë që arrinte ta qetësonte. Në atë përqafim nëne i pëshpëriste së bijës se mamaja ishte aty, për ta mbrojtur nga gjithçka dhe gjithkush.
    Vajza ju shkëput prej krahëve dhe duke qarë me ngashërim iu përgjërua së ëmës.
    -Të lutem mami, mos e var nënën te llampa!
    -Të më vari jot ëmë te llampa? Ç'po thua moj bijë?!
    Gruaja e re ruajti gjakftohtësinë dhe duke i përkëdhelur flokët pyeti të bijën ç'i kishte bërë gjyshja.
    -Më kaçi byçën! Mos e var ma! Unë e dua shumë nënën!
    Gruaja e re pa të vjerrën me qortim.
    -Do të të pyes vetëm një herë çfarë ndodhi!
    Gjyshja nisi të qeshte me këtë situatë që i dukej absurde.
    -Asgjë nuk ndodhi!
    Gruaja e re u çua në këmbë. Mbajti vajzën në krahë me dorën e majtë dhe me gishtin tregues të dorës së djathtë ju kërcënua së vjerrës me sytë që i lëshonin xixa.
    -Herën tjetër që do ndodhë prap asgjë, do të të var te llampa! Dëgjove?!
    Nuk priti të merrte përgjigje prej saj. Doli nga dhoma duke përqafuar vajzën që i strukej në krahë, duke i premtuar solemnisht vetes, se nuk do lejonte që së bijës t'i ndodhte ç'i kishte ndodhur asaj. Këdo që do guxonte ta prekte atë, do ta varte te llampa, siç do kishte dashur të vepronin edhe prindërit e saj dikur...

Elda Gjini
2018

No comments:

Post a Comment