Sunday, August 19, 2018
PA JETË
Ndjeva një dhembje therëse në këmbën e majtë. Përsëri?! Mjaft më! Ata kuba që përhapeshin gjithandej ma kishin sjellë në majë të hundës. E kapa kubin që kisha shkelur dhe e vërvita tutje me gjithë inatin që kisha grumbulluar. As që e vrava mendjen ku shkoi. Dhe më vinte të plasja nga inati. Ia kisha sugjeruar vet sime motre këtë dhuratë si më të përshtatshmen për tim bir, me qëllim zhvillimin e fantazisë.
Por, as ajo nuk ishte pa faj. Kishte zgjedhur kubat më cilësor. Edhe pse u rëndoja me gjithë peshën e trupit kur i shkelja me apo pa dashje, kurrë ndonjë nuk ishte thyer, madje as krisur.
Mamaja më pa në sy me qortim. Kështu më shihte sa herë i dukesha e nevrikosur. Këshilla e saj ishte që në raste të tilla t'i qëndroja larg djalit. Do kujdesej ajo, derisa të isha e qetë.
Vetëm kur rikthehesha, më pyeste a isha qetësuar dhe ç'faj kishte pasur djali. Unë pohoja që isha qetësuar, por pothuajse kurrë nuk gjeja ndonjë faj që të kishte bërë im bir. Zakonisht ishte faji i lodhjes dhe tensionimit në punë.
E adhuroja mamanë për qetësinë dhe durimin që e karakterizonte. Ulej në kolltuk dhe e ndiqte pa fjalë lojën e nipit që zakonisht ulej në dysheme. Kurrë nuk përpiqej të ndryshonte rrjedhën e fantazisë së tij. Ai ishte në botën e vet. Kur djali përfundonte nuk duartrokiste, sepse kështu do ta shqetësonte. Kryqëzonte duart mbi kraharor sikur ishte duke e përqafuar. Asnjëherë s'kërkoi prej tij puthje, apo përqafime. Ajo i jepte pafund dashuri dhe priste në heshtje dhe me durim përqafimet, apo puthjet e tij.
Kur pas lojës djalin e merrte gjumi, ngutesha të mblidhja lodrat e shpërndara gjithandej në kuzhinë, të hiqja pallatin e ndërtuar me kuba në mes tapetit dhe të fshija e laja dhomën.
Por... mamaja ishte përherë aty, për të legalizuar ndërtimin e nipit. Do fshija përreth pallatit, pa e lëvizur atë, fundja aty pastër ishte. Kur të zgjohej djali duhej ta gjente siç e kishte lënë.
Bëja siç thoshte mamaja, duke u ankuar që s'kisha parë ndonjë shtëpi më rrëmujë se e jona. Kundroja profilin e mamasë, ishte i lodhur e i menduar, megjithëse s'u ankua kurrë. Nuk e kishte nga ato që dërdëllisja unë. Ishte mjaftueshëm e fortë për të mbrojtur pozitën e nipit dhe lodrave të tij në shtëpi duke na dalë përballë të gjithëve.
Një mbrëmje, së bashku me tim shoq duhej të bënim një vizitë te të afërmit tanë. Ata kishin tre fëmijë. Po përpiqesha të imagjinoja si duhej ta kishin mbuluar apartementin gjithandej me lodrat e tyre.
Kuzhina s'kishte as shenjën më të vogël që të tregonte se aty jetonin fëmijë. Mbizotëronte pastërti dhe rregull i adhurueshëm. Sikur ta shihja kuzhinën time kështu së paku një ditë të vetme!
Përgëzova zonjën e shtëpisë, ia kishte dalë të edukonte fëmijët që t'i mbanin lodrat vetëm në dhomën e tyre. Unë s'ia kisha dalë mbanë, megjithëse isha përpjekur pafund.
Zonja vetëm buzëqeshi. Fjalën e mori i zoti i shtëpisë. Nga lodrat kishin shpëtuar një herë e mirë. I kishte futur në thasë dhe i kishte çuar në garazh.
-Po fëmijët me çfarë luajnë?!
-Fëmijët kanë njëri-tjetrin!
Nuk i besoja asaj që po dëgjoja. Ajo shtëpi që deri atëherë më qe dukur e përsosur, tani shfaqej në sytë e mi pa jetë.
Kur u ktheva në shtëpi, sapo hyra në kuzhinë shkela një kub që më bëri të më dhembte këmba dhe koka njëkohësisht. Buzëqesha dhe pa u ankuar e mora kubin dhe ia afrova tim biri që po ndërtonte sërish pallat. Mamaja më pyeti me shenja. Si ishte e mundur që nuk kisha bërrtitur si zakonisht, se shtëpia jonë ishte tmerr, më rrëmujë se çdo shtëpi tjetër?
Nuk i ktheva përgjigje, përndryshe do shpërqendroja djalin nga loja. Iu afrova mamasë dhe e përqafova fort dhe gjatë.
Me anë të atij përqafimi e falënderova. Falë saj, vetëm falë saj shtëpia jonë kishte jetë.
Elda Gjini
Subscribe to:
Post Comments (Atom)

No comments:
Post a Comment