Thursday, August 2, 2018

SA STINË?!

    Zilja e derës e zgjoi. Hapi sytë dhe pa vërdallë. Nuk po u besonte syve. Ishte përgjumur në divanin e kuzhinës. S'i kishte ndodhur ndonjëherë më parë. S'i kishte ndodhur më parë as ta përzinin prej ndonjë shtëpie. 
    -Erdhën picat bir! Eja se ftohen!
    Kështu ndodhte sa herë ajo ishte sëmurë dhe s'kishte mundësi të gatuante. I shoqi porosiste pica. Kështu shmangte edhe pirgun me enë të palara. 
    Por... sot ajo nuk ishte sëmurë. Vetëm ishte mërzitur, kishte qarë dhe pa e kuptuar e kishte zënë gjumi në kuzhinë.
   At e bir u ulën secili në kolltuk, vendosën kutinë e picës në prehër dhe nisën ta kollofisnin gjithë shije duke ndjekur edicionin informativ që sapo kishte nisur.
   Ajo i shihte dhe mendonte se deri pak muaj më parë edhe djali i saj i madh ishte kështu. Sot, e përmalluar kishte shkuar në apartamentin ku ai bashkëjetonte prej pak muajsh me të dashurën e tij. Ishte koha kur ata ktheheshin nga puna.
    I ra ziles dhe në derë u shfaq i biri. Pamja që kishte para syve e la pa fjalë. Ai që në tridhjetë vitet e tij s'kishte ndihmuar kurrë të shtrohej, apo ngrihej tryeza iu fanit para syve me përparëse gatimi dhe kapuç. 
    Pasthirrma që lëshoi trembi të dashurën e të birit, e cila doli nga tualeti me dorezat e gomës që i arrinin deri në bërryla. 
    -Jo! Ti s'mund të jesh im bir! Ç'të ka bërë kështu ajo?! Hiqi shpejt sepse nuk të shoh dot kështu!
    Dhe sakaq iu afrua të birit, ia hoqi kapuçin e gatimit nga koka dhe ia vërviti në dysheme. Bëri t'i zgjidhte edhe përparësen me po atë vrull, por duart me dorezat e gomës që mbanin era klor ia gozhduan krahët.
    -As mos guxo ta bësh! - i tha ajo me sytë që i lëshonin xixa nga tërbimi, - sikur tani të vinte ime më dhe t'më vërviste këto doreza që qelbin erë, çdo të ndodhte me apartamentin tonë? Çdo të ndodhte me ne?
    -Kush je ti që guxon të ndërhysh në marrëdhënien tonë? Ti je një e huaj. Ti je askushi. Hiqmu sysh!
    Duart që sapo ia lëshoi "e huaja" ia mbërtheu i biri. E pa drejt e në sy. Në ata sy kishte një qetësi të jashtëzakonshme.
    -Mami! Kjo vajzë  që ti quan askushi është gjithçka për mua. Nëse ti nuk arrin ta respektosh nuk je e mirëpritur këtu. Vendos ti! 
    Mori kapuçin nga dyshemeja, e vendosi në kokë dhe u drejtua për në kuzhinë.
    -Eja brenda! Ke nevojë të qetësohesh, - i tha vajza duke hequr dorezat e gomës dhe duke i buzëqeshur çlirët. Ajo s'dinte të shtirej. 
     Hodhi sytë nga tryeza dhe pa që kutia e picës së saj "4 Stinët" nuk ishte më aty. I shoqi dhe djali e kishin ndarë mes tyre dhe po e kollofisnin gjithë shije. Mos ndoshta e kishin pyetur nëse do hante dhe ajo e përhumbur në mendime kishte thënë jo? Ndoshta...
    Kush mund të thotë nga sa stinë kishte ngrënë secili prej tyre?!

Elda Gjini
    

No comments:

Post a Comment