Tuesday, July 31, 2018

SHITESI I VOGEL I MANAFERRAVE



    Duke qëndruar symbyllur në krevatin e plazhit përpiqem të dëgjoj vetëm tingullin e dallgëve, të cilat përplasen zhurmshëm në breg këtë mëngjes. I premtoj vetes se do shlodhem. Përpiqem t'i premtoj gjithashtu se të paktën sot nuk do shkruaj. Por... nuk e bëj. E di që ky është një premtim që do ta thyej herët a vonë.
    -Mënaferra!
    I hapa sytë menjëherë, hoqa edhe syzat e errëta. Fjala më goditi veshin. S'kishte lidhje që nuk u tha në gjuhën letrare. S'po dëgjoja si mësuese gjuhe. Ishte zë fëmije që më ktheu pas në fëmijëri.
    Atëherë nuk kultivonim manaferra hibride kokërrmëdha dhe pa gjemba në kopshtet tona.
   Një zotëri i bëri me shenjë shitësit ambulant dhe ai u afrua në çadrën e tij. Duhej të kishte moshën e tim biri që ishte duke luajtur në breg, por ishte shumë më i shkathët se ai.
    -Me sa gota?
    -Me njëmijë xhaxhi!
    -Me pesëqind po deshe!
    -Me pesëqind?! Po këto janë të egra xhaxhi! Kanë vitaminë C-ë.
    -Po deshe me pesëqind...
    -Ti nuk e di sa jam grricur dhe shqyer në ferra për t'i mbledhur! Me njëmijë po deshe.
    Ndoqa me sy djalin derisa humbi mes çadrave. Si rrallëherë doja të hyja në mendjen e dikujt, në mendjen e atij fëmije. Çfarë planifikonte të bënte me paratë nga shitja e manaferrave? I lexohej në sy, në fytyrë dhe në lëvizjet e shkathëta që kishte plane të lumtura. Por ç'plane vallë?!
    Pas më shumë se gjysmë ore, djali u kthye sërish. Kishte ecur deri në fund të plazhit me arkën e tij, ku kishte vendosur gotat me manaferra. U përkul në çadrën e zotërisë.
    -Xhaxhi! Me pesëqind gota!
    -Nuk dua, - tha burri, duke i kthyer shpinën.
    S'kishte shitur asnjë gotë. Pikëllimi dhe zhgënjimi i lexohej në sy, në fytyrë. Por mbi të gjitha në gjuhën e trupit të tij. Ecte ngadalë, duke i tërhequr këmbët zvarrë.  Kurrizi i qe kërrusur nga tejlodhja. Dukej si një pikëpyetje e gjallë.
    Vendosa syzat e errëta. S'doja që dikush t'më shihte sytë e përlotur.  Im bir po notonte...

Elda Gjini

No comments:

Post a Comment