EJA TE GATUAJME SE BASHKU!
-Po dal se më presin shokët. Na gatuaj ndonjë gjë të mirë për drekë!
-Mos e ki merak! Do bëj ç'të mundem.
Ai zbriti shkallët me aq nxitim sa i lejonte mosha dhe shëndeti. Shokët e prisnin në vendin dhe orarin e zakonshëm për të luajtur domino.
Ndonjëherë mendonte ç'do të ndodhte me të kur të mos mundej më. Bashkëshortja e tij i zbriste dhe ngjiste shkallët vetëm me raste të veçanta, kur i duhej të bënte vizitë mjekësore, apo kur u duhej të shkonin gjëkundi për raste gëzimesh, a hidhërimesh.
Jetonin në katin e katërt dhe pallati nuk kishte ashensor. Aq më mirë që s'kishte. Ata s'do ia dilnin ta paguanin.
Sapo përfundoi larjen e filxhanëve të kafesë, i kaloi një fshesë të shpejtë kuzhinës. Aq shpejt sa mundet një pensioniste që mbart mbi vete disa diagnoza të kurueshme, por të pashërueshme.
Sapo përfundoi, u ul përballë televizorit me telekomandë në dorë. Programi i preferuar "Eja të gatuajmë së bashku!" donte edhe disa minuta të fillonte. Vendosi syzat, mori stilolapsin dhe mbështeti mbi tryezë dy kupona tatimor, që kishin secili nga një artikull të vetëm të regjistruar. Bukë.
Ktheu kuponat në anën e pashkruar dhe ishte gati. Si gjithmonë.
Në kuponin e parë shkruante përbërësit. E peshonte shpejt e shpejt me mend nëse do ia dilte ndonjëherë në raste të veçanta ta realizonte recetën. Rastet e veçanta ishin Viti i Ri, ose ardhja e djalit nga jashtë shtetit. Nëse përbërësit s'ishin shumë të kushtueshëm për buxhetin e tyre familjar, merte kuponin tjetër tatimor dhe shkruante mënyrën e përgatitjes.
Por, në të shumtën e rasteve s'ishte nevoja për kuponin e dytë tatimor. Madje edhe të parin e zhubraviste me gjithë forcën e trishtimit dhe e hidhte në kosh.
I rikthehej shpejt realitetit të saj. S'mund të gatuante me askënd tjetër përveçse me veten.
Deri në ditën e fundit të vitit përbërësit e saj ushqimor ishin: thesi i miellit, trasta me trahana, trasta me fasule, thesi me qepë, thesi me patate, bidoni me vaj luledielli, shishet plastike me turshi, kafja, sheqeri dhe kripa.
I shoqi ndihej krenar që arrinte t'i menaxhonte aq mirë pensionet e tyre, saqë në shtëpi s'u mungonte kurrë asgjë dhe faturat paguheshin rregullisht çdo muaj.
Me nisjen e siglës së programit, ajo nisi të ëndërronte si fëmijë: Ç'do gatuanin së bashku sot?! Në sa kupona tatimor do shkruante?
Elda Gjini
No comments:
Post a Comment