Wednesday, August 8, 2018

PUSHTET



Gjithmonë e më dendur fantazon,
që të kesh një ditë pushtet...
Të vendosësh gjindjen në rresht,
veç urdhëra dhe komanda të kesh.

Veç të kesh një herë pushtet,
por e di vet ti se ç'bën.
Kokat krenare do përulen,
të drejtin servil do ta bësh.

Së paku një herë të vetme pushtet,
të këndellet edhe egoja sakaq...
T'i realizosh gjithë hakmarrjet e vogla,
që të gjitha me karakter personal.

Sepse veç kur të kesh pushtet në duar,
do të të nderojë edhe kush ka vet pushtet...
Fantazon dhe nga lumturia dehesh...
Kur do vijë dita që të të sjellë pushtet?!

Të shoh krejt të endorfinizohesh,
shpirtin e fëlliq edhe unë sakaq...
I lutem Zotit e gjunjëzuar,
njerëzve si ti kurrë pushtet të mos i jap.

Elda Gjini

No comments:

Post a Comment