Thursday, August 30, 2018

BESTYTNITË



    Martesa e vajzës së vogël të familjes paraqitej e ngutshme nga ana e të fejuarit të saj. Duhej të martoheshin brenda muajit gusht.
    Mamaja ishte e para që e kundërshtoi martesën në gusht. Në asnjë mënyrë! Sipas saj muaji gusht dhe muaji dhjetor sillnin ters. Jo më kot populli i quante muaj të zinj.
    Pasi kishte marrë miratimin e tri motrave, vogëlushja e familjes mori vendimin të fliste veçmas me babain. Nëse do arrinte ta bindte, të pestë së bashku do ia mbushnin mendjen edhe mamasë. Askush veç saj në atë familje nuk u besonte bestytnive.
    Babai u gjend befas përballë katër vajzave të tij, përballë tetë syve lutës. A do arrinin ta bindnin? Sa ndikonin të bijat dhe sa ndikonte e shoqja në vendimet e tij?!
    -Të lutem babi, prano që martesa ime të bëhet në gusht, të lutem ba!
    -Në asnjë mënyrë vogëlushe!
    -Po ti babi sikur nuk u beson bestytnive!
    -Jo, nuk u besoj!
    -Po, ja babi... edhe ti me mamin në gusht jeni martuar. Asgjë e keqe nuk ju ka ndodhur...
    -Asgjë e keqe! Po ne mbetëm pa djalë. A mund të kishte më keq se kaq?!
    -Dakort babi... do të të le të qetë, nuk të lutem më, le të mbetet dasma për në shtator,- i tha vogëlushja duke e përqafuar fort. Pastaj u shkëput shpejt prej tij, duke fshehur sytë e përlotur.
    Tri motrat e tjera dolën në heshtje pas saj, po me sy të përlotur. Pa fjalë, u morën vesh me njëra-tjetrën për të qëndruar në ambjente të ndryshme.
    Për secilën nga vajzat ishte hera e parë që dëgjonte diçka të tillë, por kishte po atë ndikim në zemrat e tyre sikur ta kishin dëgjuar çdo ditë të jetës së tyre. Babai gjithmonë ishte krenuar me to dhe u kishte thënë se ishte mirënjohës ndaj jetës që i kishte dhënë katër vajza. Po tani?
    Mamaja kishte të drejtë. Ndoshta duhej t'u besonin bestytnive. Gushti ishte me të vërtetë muaj i zi. Gjithë atë muaj të katërta motrat mbetën me shpirt të ligështuar dhe sy të përlotur.

Elda Gjini
2018

No comments:

Post a Comment