PJASTRA
Më në fund pushime! Secili prej të katërtve po përgatit valixhen e vet. Kjo është mënyra më e mirë, sepse marrim vetëm veshjet dhe sendet që na duhen.
Unë jam e para që bëj gati valixhen. E marr dhe zbres në katin e parë. Ulem në dhomën e ndenjies. Përballë televizorit. As më shkon ndër mend ta ndez. Në dy javët që nisin nga sot do shijoj pushimin dhe familjen. Edhe celularin po e lë në shtëpi.
Kush nuk e ka provuar s'mund as ta imagjinojë ç'do të thotë të kesh punuar për njëmbëdhjetë muaj të vitit edhe të shtunave, madje edhe të djelave. Pa asnjë ditë pushim, as për festa zyrtare. Çdo ditë dymbëdhjetë orë punë.
Kam nevojë të shtrihem në krevatin e plazhit dhe të sodis qiellin, diellin, detin rërën. Të provoj një herë të vetme të mos mendoj asgjë, megjithëse s'kam besim në do ia dal.
Por, kam gjithashtu nevojë urgjente t'i mendoj të gjitha. Në qetësi: Ç'po i bëj vetes sime? Ç'po i bëj familjes?
Jam kthyer në një makineri që fabrikon para, me synimin e madh që dy djemtë e mi të studiojnë në universitetet më të mira dhe më të kushtueshme të Europës. Çdo nënë bën sakrifica pafund për fëmijët e vet. Por unë s'po bëj sakrifica çfarëdo. Po sakrifikoj gjithçka: kohën, veten. Im shoq s'më ka kërkuar kurrë ta ngadalësoj këtë vrapim të marrë, as djemtë. Pikërisht kjo më vret. Mos vallë ata kanë nevojë të marrin prej meje vetëm para?! Unë kam aq shumë nevojë të kaloj kohë me ta! Shpesh hyj tinëz në dhomat e djemve të mi dhe i sodis teksa flen të qetë. Sa shumë janë rritur! Janë zot të vetes. Por, për mua do mbeten gjithmonë vogëlush. Nëse ata çdo ditë e më tepër bëhen të pavarur dhe s'kanë nevojë për mua, unë po.
Mendimet më shkëputen prej zhurmave dhe ankesave për valixhet e rënda gjatë zbritjes së shkallëve. Kur të katërta valixhet janë bashkë, valixhia ime ngjan si liliput përkrah valixheve gjigande të tim shoqi dhe djemve.
Djali i vogël arrin shpejt në konkluzione: Valixhia e mamit është e vogël, sepse nuk ka marrë pjastrën😅!
Është hera e parë për këtë vit që po shohin kaçurrelat e mi natyral. Lufta njëmbëdhjetë mujore me pjastër nuk i ka thyer, mjaft të bëj një dush dhe shkojnë në vend.
Ndërsa unë jam thyer. S'di nëse të ndërrojë punë mund të rikem familjen time si më parë. Më duket sikur puna që bëj ka qenë një piastër e pamëshirshme për familjen time.
Elda Gjini
No comments:
Post a Comment