Erdhi fundi... Tani është e kotë të iki, t'ia mbath, të strukem. Nuk mund të shkoj askund, as në shtëpinë time, sidomos atje. Nuk mund t'u dal përballë fëmijëve. S'mund të jetoj me time shoqe. Ne s'mund të jemi më burrë e grua. Ne s'mund të jemi më asgjë.
Unë e kuptoj ç'bëra. Megjithëse s'gjej dot një arsye për të bindur veten përse e bëra. Kam orë të tëra që përpiqem të gjej përsenë, por nuk mundem. Ndoshta nuk ka.
Si është jeta në burg? Si është jeta kur dashuria ndaj teje kthehet në urrejtje? Si është të ndjesh deri në palcë neverinë e të tjerëve? Si është të refuzosh mëshirën e të tjerëve dhe të lypësh tënden?
Jam në pritje... Policët që po marrin dëshminë e sime shoqeje në dhomën e reanimacionit shumë shpejt do vijnë tek unë. Do më vendosin prangat. E meritoj. Unë e grushtova, unë i theva hundën gruas time. Unë meritoj të dënohem. Fytyra e saj është e gjitha në allçi. Si arrita deri këtu? Nuk gjeta as guximin ta shoh nga koha që e solla në spital.
Më kujtohet kur u dashuruam. Vrapova në argjendari dhe i bleva një varëse të kushtueshme me një zemër. Ajo dhuratë simbolizonte dorëzimin e zemrës time në duart e saj.
Doreza e derës po lëviz. Çohem në këmbë. Bashkoj duart dhe i zgjas përpara. Jam gati për prangat. Njëri nga policët është miku im. Si do ta shoh në sy?
Policët më shprehin keqardhje dhe më premtojnë se do ta gjejnë me çdo kusht fajtorin. Shenja që i kanë shkaktuar në qafë sime shoqeje nga tërheqja e varses me zemër gjatë rrëmbimit është e tmerrshme. Për të mos folur për hundën... Më rrahin supet dhe largohem.
Me një frymë hyj në dhomën e sime shoqeje. A është grua, apo ëngjëll? Po unë jam burrë, apo...
Sapo hyj në dhomë, ajo më bën shenjë të mos flasë. Me sa duket s'do të dëgjojë as falënderimet dhe as ndjesën time. Më kërkon që të ikim sa më parë në shtëpi.
Ne do të jemi në shtëpinë tonë, me fëmijët tanë. Po zemra e saj? S' di ku ka përfunduar pasi ajo e ka tërhequr barbarisht nga qafa e vet. Ne do kthehemi së bashku në shtëpinë tonë, te fëmijët tanë, por pa zemrën.
Elda Gjini
Elda Gjini

No comments:
Post a Comment