Qysh nga fëminia më janë skalitur në mendje dy lloj njerëzish, të vegjlit dhe të mëdhenjtë. Të vegjlit ishin zemërngushtë, xheloz, inatçor, zemërak, keqdashës, fjalëhidhur. Sa herë kthehesha në shtëpi e mërzitur nga fjalët dhe veprimet e tyre, gjyshja më qetësonte, duke më mbajtur në prehër e duke më përkëdhelur flokët. Sipas saj ishin çiliminj. Do rriteshin një ditë.
Unë zhysja kokën në gjirin e saj dhe strukja fytyrën të mos më shihte sytë e përlotur. Kështu isha unë. Ajo e dinte. Më njihte më mirë se kushdo. Ndaj nuk më lëshonte pa m'u tharë plotësisht qepallat. I fshihja lotët gjyshes, por ajo ndjente ngashërimet. Fytyra e saj pikëllohej e tëra, ndërsa sytë e menduar i mbusheshin me trishtim.
Të tjera ditë vija e buzëqeshur. Efekti i njerëzve të mëdhenj. Dhe gjyshja s'kishte nevojë të më bënte pyetje për ta kuptuar. Kthehesha duke kënduar, apo duke buzëqeshur vesh më vesh. Pastaj e përqafoja fort, aq fort sa i ndieja kockat t'i kërcisnin. Shihja sytë e saj... të lumtur, plotësisht të lumtur.
Mgjithëse e vogël, nuk dehesha në lumturi. Mendoja... Po sikur edhe këta njerëz të mëdhenj, mirëdashës, mendjehapur, të çiltër, gojëmbël, ndonëse fëmijë, të shndërroheshin një ditë në njerëz të vegjël?
Ata njerëz që nuk ishin as të mëdhenj as të vegjël më janë fshirë nga kujtesa. Ndihem keq kur rastësisht pas shumë vitesh takoj ndonjë prej tyre. Kur dëgjoj të thirret emri im buzëqesh e hutuar, sa për të dalë nga situata.
E kur ndesh ndonjë nga çiliminjtë e dikurshëm, konstatoj me dhembje se këtë kategori vitet nuk e përmirësojnë, përkundrazi. Vitet vetëm rrisin në përmasa të frikshme veset dhe ligësinë e tyre, të cilat si farërat e këqija i kanë mbjellë edhe në shpirtrat e fëmijëve të tyre.
Sërish pyes veten si dikur. Po me njerëzit e mëdhenj ç'bën koha?! Dhe marr përgjigje sapo takojë ndonjë shoqen time të dikurshme, që kam vite pa e parë. Koha i rrit njerëzit e mëdhenj, madje edhe mirësinë.
Kur sheh sytë e fëmijëve të tyre, kur rrëzëllin buzëqeshja... kuptoj se deti i mirësisë nuk shteron. Ai bëhet oqean.
Elda Gjini
Sërish pyes veten si dikur. Po me njerëzit e mëdhenj ç'bën koha?! Dhe marr përgjigje sapo takojë ndonjë shoqen time të dikurshme, që kam vite pa e parë. Koha i rrit njerëzit e mëdhenj, madje edhe mirësinë.
Kur sheh sytë e fëmijëve të tyre, kur rrëzëllin buzëqeshja... kuptoj se deti i mirësisë nuk shteron. Ai bëhet oqean.
Elda Gjini
No comments:
Post a Comment