Monday, June 25, 2018

SYTE


Lodhur nga pritja.
Hirnosur prej trishtimit.
Akullsuar nga vetmia.
Mavijosur prej dhimbjes.
Buhavitur nga lotët.
I përshkëndit gëzimi.
I rrëzëllen lumturia.

Elda Gjini
2018

Sunday, June 24, 2018

DASHURIA


Mrekulli e gjallë është dashuria!
Të shoh e më sheh thellë në sy.
Pavarësisht dhjetvjeçarëve që jetuam,
ka mbetur e njëjtë, si në fillim.

Mrekulli e gjallë është dashuria!
Lexojmë sytë e s'na duhen fjalë.
Brenda tyre zhytem e gjitha
dhe ndiej që e gjitha të përkas.

Mrekulli e gjallë është dashuria!
Tejkalon edhe premtimet në Altar.
Dashuri që jeton përtej jetës,
sepse ajo është mrekulli e gjallë.

Elda Gjini
2018

GUGATJE

Mos ki frikë! Nuk shkruaj marrëzira!
As gjëra pa lidhje, pa kuptim.
Në dritaren time kam një mike,
ndërkohë që unë shkruaj, më ndjek me sy.

Në mëngjes më zgjon me gugatje,
në çdo krijim timin flatron si dëshirë.
S'lë të thahen as lulet dimërake,
të pakujdesshëm s'mund të jenë miqtë!

Elda Gjini
2018

Friday, June 22, 2018

AFORIZËM


Kur jeta të ofron një shans, nëse s'mundesh ta shfrytëzosh maksimalisht, së paku mos e ço tërësisht dëm.

Elda Gjini
AFORIZEM



Kur dashuron dhe dashurohesh marrëzisht, je plotësisht i sigurt që s'mund të bëje një zgjedhje më të mirë, për faktin e thjeshtë, se nuk ekziston.

Elda Gjini
AFORIZEM


Edhe nëse s'të ka ndritur ylli në shumë fusha, s'ndjen aspak keqardhje kur në fushën tënde je yll.

Elda Gjini
AFORIZEM



Kur humbet dashurinë dhe lumturinë, kacavirresh fort pas shpresës, shpresës për t'i rikthyer sërish në jetën tënde.

Elda Gjini
AFORIZEM


Dhimbja fizike të kërrus.
Dhimbja shpirtërore të thyen.

Elda Gjini
DREJT LARTESIVE


Asnjë efekt buzëqeshjet, as përqafimet.
Pa efekt, kur s'ndjen, s'ndjen më asgjë.
Kur besimi është thyer, tërësisht thyer,
mirësia  kokëulur, mohuar e tërë.
Dora është mpirë, mpirë deri në shpatull,
nga të ndenjurit shtrirë në drejtimin tënd.
E vërteta e vrarë. Kush e vrau të vërtetën?
E vrave ti... Kur s'të interesonte më.
Lëndimet vragë lënë pas, veç vragë,
por ti s'e ktheve kurrë kokën pas...
të impenjon shumë rendja drejt lartësive,
s'ka rëndësi nëse njeriu  t'u bë shkallë...
Asnjë efekt ndjesa, madje as përqafimet,
kur lëndimet nga pas lënë vragë...
Ngjitje të mbarë drejt lartësive!
Por, a do mund të ngjitesh pa shkallë?!

Elda Gjini
2018
AFORIZEM

Dashuria është gjithçka, ndaj:
Lufto për ta marrë!
Sulmo për ta mbrojtur!
Sakrifiko  për ta mbajtur!

Elda Gjini

Thursday, June 21, 2018

AFORIZEM

   Ka gjithmonë prapaskena pas shpinës sonë. S'mund të imagjinojmë Çfarë dhe Përse.
   Por, kemi kapacitetin e nevojshëm për të mësuar gjithçka deri në detaje.
   Përse mund të na shërbejnë!?

Elda Gjini

Wednesday, June 20, 2018


AFORIZEM


Unë u gëzohem arritjeve të tua motra ime dashur, po aq sa u gëzohem arritjeve të mia. Por, me humbjen e Nënës, ne humbëm të vetmin njeri në botë që lumturohej prej arritjeve tona më shumë se vet ne.

Elda Gjini
AFORIZEM

Mendohu mirë para se të vendosësh për ta falur! Nëse e fal një herë, të duhet të bësh të njëjtën gjë deri në fund të jetës tënde.

Elda Gjini

Tuesday, June 19, 2018

AFORIZEM

      Jeta është e mbushur me kaq shumë pengje të vogla, por që kur bëhen së bashku formojnë një peng të madh.

Elda Gjini



   

AFORIZËM

 Fëmijët tanë janë mish nga mishi ynë, gjak nga gjaku ynë, shpirt nga shpirti ynë. Por, Ata nuk janë Ne.

Elda Gjini



 

Monday, June 18, 2018



   Martesa është diçka e madhe...
Njerëzit e vegjël tremben prej gjërave të
mëdha.


Elda Gjini

Sunday, June 17, 2018

KOMPROMIS

Me jetën time s'di të bëj kompromis,
as kam ndër mend të mësoj.
Jo mbi kurriz të njerëzve që dua,
jo në dëm të gjërave që çmoj.

Elda Gjini
2018

Saturday, June 16, 2018


METASTAZAT


Me kokën zhytur mes duarsh,
nën zë pyet veten, i zënë në faj:
Ku vallë, ku gabova?
Të keqes i dola përballë...

U përpoqa ta luftoja me të mirë,
por e mira as vret, as lufton.
Provova ta shfarrosë me të keq,
e keqja të keqen veç e shton.

I vendosur të keqes i zura pritë,
por e keqja frikë kurrë nuk ka.
Isha tepër vonë kur u pamë ndër sy,
metastazat kudo kish shpërndarë.

Elda Gjini
2018

Friday, June 15, 2018

KUR DASHURON


Kur dashurohesh ke frikë,
frikë se të humb dashuria.
Kur dashurohesh ke ankth,
ankth se të shter e gjitha.

Me ngulm i kërkon Fatit tënd,
gjithë jetën Ai të të dojë e ta duash.
Mandej s'ka gjë në Botë që të tremb,
forc'e dashurisë është e pashteruar.

Elda Gjini
2018

Thursday, June 14, 2018

KJO QENKA DASHURIA?!


Kur zemra e marrë marroset,
kur mendja dehet nga marrëzia,
kur syve pamja krejt u mjegullohet,
kur në vesh kumbon mosarsyeja,
kur veç ai të ngrohë e djeg si diell,
ti e sapo  rënë në grackë, psherëtin:
Kjo qenka dashuria?!

Elda Gjini
2018

Tuesday, June 12, 2018

E MIRA DHE E KEQJA

    Një luftë e përjetshme mes të mirës dhe së keqes. Një luftë e pamëshirshme brenda njeriut dhe ndërmjet njerëzve. Përse?!
    Ndoshta njerëzit nuk duhet t'i kategorizojmë në të mirë dhe të ligj. Kështu vetëm i gjykojmë, pa u përpjekur të gjejmë arsyen.
    Njerëzit duan të jenë të lumtur, por shpesh nuk ia dalin. S'luftojnë mjaftueshëm për t'ia arritur. Lodhja që i kaplon prej disfatës,  i bën të mos e vërejnë se nuk janë përpjekur mjaftueshëm.  Mungesa e vëmendjes, mungesa e vetbesimit i zë pritë motivimit.
     Andaj ngjizen ndjenja të liga ndaj njerëzve të lumtur. Xhelozi gjithpërfshirëse, sjellje antisociale, agresivitet, intriga, impulsivitet...
    Zbrazëtitë shpirtërore s'mund të mbushen asnjëherë duke u përpjekur të sabotosh lumturinë e tjetrit.
   Zbrazëtitë shpirtërore në këtë mënyrë vetëm zgavërohen.

Elda Gjini
2018

Monday, June 11, 2018

KUR BEHESH NENE



Kur bëhesh nënë, je aq e lumtur!
Bota të vjen krejt ndryshe ndër sy.
Kur bëhesh nënë, je aq e lumtur!
Një lumturi, që s'ka të dytë!

Ti admiron krijesën tënde,
bir të tëndit trup, të tëndit shpirt
dhe gjumi ndërkaq krejt përhumbet,
s'ia ke nevojën, kurrësesi.

Dhe ndjen sakaq gjithë qenien tënde,
të mbushur plot, plot dashuri...
Prej saj shpirti zgjerohet, zemra zmadhohet,
ku gjendej vallë gjithë kjo zbrazëti?!

E mer ndër duar, e pushton,
të deh aroma-njomështi
dhe s'harron kurrë të falënderosh,
falënderon Zotin për këtë bekim.

Të sheh në sy... doçkat ndër faqe
dhe fati yt po rishkruhet tani...
Për të, për të do jetosh sot e tutje.
Rilinde, si një njeri shumë më i mirë.

Elda Gjini
2018

VETEM PER NJE SHTEPI



Punon e rropatesh gjithë jetën,
vetëm për të ndërtuar një shtëpi.
Në fund e sodit i vetkënaqur,
Folenë e fëmijëve, plot dashuri.

Ndërkaq jeta të kalonte para syve,
por ishe shumë i zënë për ta vënë re.
Qëllimi yt ishte një dhe i vetëm,
askush s'mundi të të ndalë, asnjëherë.

Dhe pret t'i shohësh fëmijët të lumtur,
të cicërojnë nëpër tënden shtëpi.
Ndërkaq si zogjtë ata kanë flururuar,
fluturuan si dhe vitet e tua, pa kthim...

Elda Gjini
2018

Friday, June 8, 2018

SHOQET E FEMINISE


Mjaft t'u thërrasë:
Tasha! Bona! Kloda!
Dhe jeni aty, gjithmonë aty.

Për ne s'ka kufij,
S'na ndajnë shtetet.
Vitet? S'kanë rëndësi!

Te asnjëra prej jush s'gjeta veten!
Të tria të ndryshme nga karakteri im.
Por kisha mbështetje, gjithmonë mbështetje
mandej dashuri, pafund dashuri!

Eh, si mund ta harrojë kur u dashurova
dhe s'doja t'ia pranoja as vetes, kurrësesi!
Ju të tria të bindura se ishte fati im,
prisnit të merrja një vendim, pa kompromis

Dhe morën rrugë ''tradhëtitë e vogla'',
aleancat e njëpasnjëshme mbi kurrizin tim,
mërzitë e mia të mëdha, pafund,
kur ju përpiqeshit për timen lumturi.

E lumtur kujtoj sot atë kohë të bukur,
pa mëri, pa qefmbetje, vetëm dashuri.
Dhe jam krenare për ju shoqet e mia,
sa me fat jam që ju kam përgjithnji.

Elda Gjini
2018

Sunday, June 3, 2018

YLBERI





   Më shumë se magjepsës!  S'kisha parë kurrë një ylber të tillë! Ishte shumë pranë, aq pranë sa nuk po u besoja syve. Të jepte përshtypjen se niste dhe përfundonte në shtëpinë time. Ndieja se ishte imi, vetëm imi.
    Vjollcën në harkun e brendshëm e perceptoja aq pranë, saqë kisha përshtypjen se po të zgjasja dorën mund ta prekja. Nuk e bëra. S'doja të prishja magjinë, duke e kthyer në reale. S'i druhesha bestytnisë se ngjyra vjollcë sjell ters. Është ngjyra ime e preferuar. Më magjeps si qëndron aq bukur mes blusë dhe së kuqes, duke mos u përngjarë aspak.
   Renda si e marrë nga një kënd i kopështit në tjetrin. E di që ylberi është një  dukuri meterologjike dhe optike që krijohet nga pikat e ujit në re, por ky ylber ishte ndryshe. Krijohej nga piklat e ujit të saposhkëputura prej  reve, të cilat qëndronin pezull mbi kopështin tim. Kulmonte në majën e bredhit, si ai ylli për të cilin stërmundohesha për t'u ngjitur mbi  shkallë, derisa e vendosja aty për Krishtlindje.
    Niste prej ligustrave të larta dhe përfundonte në ballkonin e shtëpisë. Buzëqesha  mallëngjyer prej pamjes dhe zhytjes në mitologji: Aty ku mbaron ylberi, gjendet një enë plot me ar.
     Vërtet! Aty ku mbaronte ylberi gjendej pasuria më e madhe në botë për mua, familja ime. Por, s'duhej të bija preh e mallëngjimit për familjen. Ylberin s'do ta kisha shumë gjatë mysafir.
   M'u kujtua marrëzia më e madhe e fëmijërisë: Po të kaloja ylberin bëhesha djalë. Ose, mund ta kalonte ime motër dhe lumturisht do bëhesha me vëlla.
     Sa herë dilte ylberi, trishtohesha. Kushdo që gjendej pranë meje më nxiste ta kaloja, ose të dërgoja time motër. Vetëm im atë s'u bë kurrë preh e kësaj marrëzie. Ne ishim vajzat e tij të dashura. Nëse do donte të ndërronim gjini, s'do na donte.
    Trishtohesha, sepse kuptoja që njerëzit nuk i donin vajzat, s'na donin ne. Ç'do ndodhte sikur çdo femre t'i tekej të kalonte ylberin?! As që doja ta mendoja... Thjesht përhumbesha në ngjyrat e tij. Dhe kur gjithë spektakli qiellor merte fund, përqafoja time motër.
     Në heshtje falënderoja Zotin që e kisha. E ndieja që dhe ajo ishte duke bërë të njëjtën gjë. Kurrë nuk shprehu dëshirën për të kaluar atë hark ngjyrash dhe as më kërkoi ndonjëherë ta bëja unë.
    Më pas, kuptoheshim vetëm duke u parë sy ndër sy dhe vraponim të përqafonim babain. Ne ishim për të ena me flori, aty ku përfundonte ylberi.
   Sa me fat ndihesha për këtë mysafir të veçantë! S'trembesha prej mitit se pas tij fshihej Irida, përcjellësja e lajmeve të këqija. S'kisha marrë kurrë një lajm të tillë pas shpërbërjes së ngjyrave.
    Ylberi këtë herë nuk ishte vetëm magjepsës, por edhe magjik. Të shtata ngjyrat e tij i ndjeva brenda qenies sime dhe u zbraza prej të zezës trishtuese dhe së bardhës së pangjyrë. U mbusha me dritë dhe ngjyra si  asnjëherë më parë.
    Kërkova me ngut celularin ndër xhepa. Nxitova të fotografoja ylberin, për të mos e bërë një herë e mirë pjesë e së shkuarës së pakthyeshme. Objektivi i lagur prej piklave të shiut s'fotografoi aspak qartë. Pamja ishte zhgënjyese.
    Por, ndoshta s'ishte aspak faji i celularit jo shumë cilësor, i objektivit të lagur, i dorës joprofesioniste, i mungesës së ndriçimit në buzëmbrëmje...
     Iu riktheva mitologjisë: Ylberi përçon një mesazh prej qiellit drejt tokës. Dhe ky ylber ishte në kopshtin tim, në shtëpinë time. Aty s'gjendej askush veç meje. Ky ylber ishte vetëm për mua. Nuk isha vetëm...


Saturday, June 2, 2018


LUFTO!


    Përsëri po përlotesh, madje po qan. Këtë bën vazhdimisht. Shpesh mendoj se është gjëja që di të bësh më mirë.
    U lodha së ngushëlluari! U lodha së thëni se me lot asgjë s'do arrish. Mos duhet të ta them sërish?!
    Psherëtin...  Ankohesh... Ankohesh pambarimisht. Sa shumë kohë dhe energji më duhet të shpenzojë për ty kotësisht!
   Gjithë ç'të sjell jeta s'e cilëson kurrë fat, por ters. Gjithë tersi i botës bie veç mbi ty.
    Dhe s'reagon... s'përpiqesh... kryqëzon duart dhe rri. Rri dhe vajton. Vajton dhe rri. Mandej pret... pret të rend drejt teje për të të ngushëlluar si zakonisht.
    Sa herë të shoh më kujton bebat. Ata qajnë, qajnë se gjë tjetër s'dinë. Gjithë sa kërkojnë është vëmendje dhe e duan patjetër, e duan vazhdimisht.
    Por ti s'je bebush në kërkim të vëmendjes, ke një jetë për të jetuar, për ta mbushur me dritë.
    Lufto çdo ditë! Fito çdo sfidë! Kështu bëjnë mbretërit dhe ngrenë mbretëri.