Me zë të ulët dhe mirësjellje i thashë se
nuk kisha ardhur për t’u stërvitur, por për të takuar shefin. Ai më pa nga koka
te këmbët për të përcaktuar sa vleja. Ime vjerrë i hapi punë me sa duket. Po të
kishte qenë para ndryshimit të pamjes dhe veshjes, do llogariste vetëm koston e
hekurosjes.
-Më vjen keq,- më tha me zë të prerë dhe të
ulët që të mos dëgjonin të tjerët. Palestra ishte plot,- shefi nuk pranon të
takojë njerëz të zakonshëm.
-Unë nuk jam njeri i zakonshëm. I thuaj se
kam ardhur t’i flas për atë që do bëhet
sonte.
Ai më pa me sy të habitur.
-Mos je police?
-Jo, jam kasiere.
-Ka... çfarë?
Nuk prita që të mbaronte fjalën, me siguri që
më pas do të më merrte prej krahu dhe do të më nxirrte jashtë dhe mua do të më
duhej të përdorja armën e tim eti për t’u hakmarrë. Iu afrova një gire, e kapa
me të dyja duart dhe me të godita xhamin me sa forcë kisha. Të gjithë sa ishin
në palestër kthyen kokat të tmerruar.
-Më falni, por jam fillestare. Ndoshta e ka
fajin veshja ime e papërshtatshme. Më falni ju lutem!
Drejt meje po vinin dy prej atyre që deri
atëherë po bënin stërvitje. Kokat i kishin të rruara, ndërsa vështrimin të
egërsuar. Nuk dija ku të futesha. Me siguri ishin roje sigurie. Shtërngova fort
pistoletën në çantë, pa e hapur atë. Nuk kisha guxim, ose ndoshta as që ishte
nevoja për të.
Por, kur e mendova pak më thellë, ishte koha
më e përshtatshme për ta bërë këtë. Nuk mund të lejoja që të gjithë të
talleshin me mua dhe të më vinin në lojë. Vërtet im shoq më kishte nxjerrë në
mënyrën më të shëmtuar nga jeta e tij, por ky ishte vetëm prologu. Ngjarja e
vërtetë duhej të niste.
Në mendjen time erdhi vetëm një fjalë:
Tani. Ia bëra me shenjë istruktorit të
më afrohej. U mundova të merrja një pamje të qetë të një njeriu krejt të
pafajshëm, megjithëse e pata ca të vështirë. Unë doja ta braktisja një herë e
përgjithmonë atë pamje. Ia bëra me shenjë ta shihte pistoletën time dhe me një
lëvizje të shpejtë ia vendosa pas shpine. Ai ua bëri me shenjë të fortëve. Ata
nuk na u afruan më, por as nuk u kthyen pas. Qëndruan të palëvizshëm, si dy statuja të stërfryra.
-Më ço te shefi, ose jam gati ta përdor! Më
the se shefi nuk pret njerëz çfardo, apo jo? A i plotësova kushtet për t’u
takuar me të?
Instruktori po dridhej. Ndërkohë, njëri nga
të fortët, pasi foli me dikë në telefon më ftoi të shkoja pas tij, shefi
kërkonte të më takonte. Me një lëvizje
të shpejtë dhe të kujdesshme e futa sërish pistoletën në çantë. Ajo e bëri
punën e vet.
Shkova pas tij, por zemra po më dridhej
si të isha një zog pushverdhë. Sapo u gjenda përballë shefit u shtanga nga
fytyra e tij e egërsuar. Pothuajse ishte tjetër njeri, jo ai që më miklonte në
marketin tim. I bëri me shenjë të fortit të largohej. Sa hap e mbyll sytë ai u
afrua pranë meje, më pas nuk e kuptova si ndodhi, por unë u përplasa në
dysheme. Faqja e majtë më dukej se ishte vendosur në sobën me gas.
-Si guxon të bësh një veprim të tillë në
palestrën time?
-Po ti si guxon të më gjuash me grusht? Apo
me shuplakë? As që e mora vesh se ç’dreqin ishte.
-Mos duhet të kem frikë nga ty?
-E përse jo?- i thashë duke u mbështetur në
dysheme me të dyja duart. Duhej të
ngrihesha.
Ai qeshi. A mund të kishte të paktën një
njeri të vetëm të mos tallej me mua asaj dite?
Nuk
durova dot. Mjaft më kishin poshtëruar, unë mund t’i dilja vetes për zot. U
përkula mbi çantën që kishte mbetur mbi dysheme dhe nxora pistoletën. Ia
drejtova pa m’u dridhur dora. Kushti i tim eti plotësohej, ishte për
vetmbrojtje. Ose së paku mund edhe të ishte. Ndryshe nga ç’e prisja atij nuk iu
drodh qerpiku. Formuloi fjalët që tregonin llojin e armës dhe vitin e
prodhimit. Nuk arrijë t’i kujtoj tani ato fjalë, por isha e sigurt se i kisha
dëgjuar po aq qartë prej tim eti.
-E njeh mirë zanatin tënd!- i thashë pa e
ulur armën.
-Ne kemi një shprehje mes meshkujsh, po e
nxore armën ose qëllo, ose fute gjëkundi...
Kujtova fjalët e tim vëllai. Nuk mund t’ia
hidhja fajin askujt. Unë nuk mund të dilja gjallë prej aty. Ndërsa burgu në ato
çaste m’u duk luks. Kush e di se ç’ishin në gjendje të më bënin rojat e
sigurisë? Tani duhej të ishin pas dere.
-Ne mes femrash kemi të tjera shprehje. Nëse
një mashkull nuk na dëgjon me të mirë, do të na dëgjojë me të keq.- sapo
përfundova frazën nisa ta ulja dorën ngadalë. Ai m’u afrua dhe ma hoqi me
lehtësinë më të madhe pistoletën nga dora. I hoqi fishekët dhe i vendosi mbi
tryezë.
-Kjo nuk është lodër, nuk duhej të ishte në
duart e tua.
Më afroi karriken të ulesha. Vetë u ul në
kolltukun që ishte në anën tjetër të tryezës.
-Atëherë, mund ta di përse dreqin erdhe në
këtë mënyrë? Çfarë kishe kaq me rëndësi për të më thënë?
-Nëse unë nuk do flisja sot me ty dhe nuk do
të paralajmëroja për kurthin që të kanë ngritur, nesër do futeshe në burg për
të mos dalë prej andej. Kurrë më.
-Ou! Si kështu?
-Po ti çfarë di për mua?
-Di që je kasiere në marketin që unë vij herë
pas here për të psonisur.
-Jo, jo, jo! Mund të jem kasiere, por jo e
mangët. Unë ndërtoj profilin e njerëzve nga mallrat që ata blejnë. Ti sa herë
vjen në market blen marka të ndryshme cigaresh...
-Dhe ti ke arritur në përfundimin se unë kam
personalitet të lëkundur, të paformuar mirë?
-Jo. Ti nuk e pi fare duhanin. Nuk mban erë
si gjithë duhanpirësit e tjerë dhe në tryezën tënde nuk ka tavëll duhani. Jam e
sigurt se gjithë mallrat e tjerë që i zgjidhje krejt rastësisht në rafte i
hidhje në kosh. Besoj se tani është radha jote për të folur.
-Ti nuk arrin ta kuptosh nderin e madh që më
ke bërë duke ndjekur këshillat e mia për pamjen e jashtme. Besoj se yt shoq do
ngelet pa fjalë nga pamja jote e re. Flokët e tu kanë akoma aromën e bojës
,brenda veshëve të kanë mbetur disa fije flokësh të prera, ndërsa fustanit ende
nuk ia ke hequr etiketën e vogël.
-Ja pra që ti më njeh, ku e di se jam e
martuar?
-Nga unaza rreth. Beqaret nuk mbajnë unaza të
tilla. Edhe për gratë e martuara ky lloj modeli shihet prej kohësh si demode.
-Nëse nuk i hapim letrat mbi tryezë, nuk do
kemi asgjë në vijë. Ndezur e ke kompjuterin?
Kur më pa me USB-në dorë, në sytë e tij u
bëra më e besueshme. Doli nga zyra dhe pas dy minutash erdhi me një qese me
akull. Më këshilloi ta mbaja në faqe. Ndërkohë nisi të shihte me radhë gjithë
dosjet e tim shoqi, por që tashmë i përkisnin
atij.
-Sa para pret të të jap për informacionin?-
më tha duke më parë ngultas në sy, sikur të ishte duke vendosur sa vleja.
-Nuk kam nevojë për paratë e tua! U ngrita
dhe mora çantën nga dyshemeja. E hapa sa më shumë që munda, në mënyrë që ai të
shihte paratë brenda saj. Në fakt kisha nevojë t’i shihja edhe vetë. Kurrë s’e
kisha menduar veten me aq shumë para. Por, ja që në jetën time nisën të më ndodhnin
edhe ngjarje që s’i kisha imagjinuar
ndonjëherë.
-Dakort atëherë, nëse nuk ke nevojë për para
mund të largohesh. Doje të flisje me mua dhe fole.- Mori pistoletën e tim eti
dhe e futi në çantën time. Fishekët i hodhi në kosh.
-Unë kam nevojë për ndihmën tënde!
-Kur të duash jam në dispozicionin tënd
shpirt. Disponoj të gjitha llojet e armëve dhe të gjitha llojet e drogave.
Çfarë preferon për momentin?
Fragment i shkëputur nga dorëshkrimi i romanit "SI NË FILM"
Elda Gjini
2018

No comments:
Post a Comment