Ditët tashmë kanë ritëm dhe dinamikë të
jashtëzakonshme. Atelieja gumëzhin nga zërat gazmor të nxënësve të mi.
Klientela shtohet me ritëm të shpejtë. Ndaj vendosa të zgjeroj stafin tim.
Ngarkesa e punës është ҫdo ditë e më e madhe.
Pesëshja e nxënësve, e cila meret tashmë me
marketingun dhe më pëlqen t’i quaj këshilltarët e mi, më sugjeron të mos marr
punonjës të tjerë, por të angazhoj nxënësit që mendoj se janë më të aftë. Kështu,
do kenë mundësinë për të mësuar më tepër. Do marin eksperiencë, të cilën s’mund
ta gjejnë tjetërkund. Si fillim të pestë ata
vetofrohen për ndihmë.
Më bëjnë të ndihem shfrytëzuese. Ata janë
pothuajse fëmijë dhe po bëjnë marketingun e punës sime, sikur të mos mjaftonte, duhet t’i shfrytëzoj sërish.
Sikur të zgjedh mes nxënësve të mi më
kreativët dhe më të përkushtuarit në punë, janë pikërisht ata, këshilltarët. Për
herë të parë i jap të drejtë të plotë sime motre Xhoanës, kur thotë se njerëzit
që janë vërtet të zotë, janë në gjithҫka.
Ia dalin të më bindin. Më
kujtojnë sa shumë kohë dhe materiale shpenzoj për të aftësuar profesionalisht nxënësit
e mi. As jam ulur, madje as kam ndër mend të ulem ndonjëherë për të bërë këtë
llogari. Është gjëja më e bukur që kam bërë në jetën time pa kurrfarë interesi.
Kjo më bën të ndihem një njeri më i mirë. Më qetëson disi ndërgjegjen.
Ҫfardolloj mirësie të bëj në këtë
jetë, nuk mund ta shlyej mëkatin që sterros të shkuarën time. Gjithmonë do më
rëndojë në ndërgjegje që kam marrë një jetë. I mohova foshnjës sime të drejtën
për të parë dritën e diellit. S’mund të ҫ’bëj
të shkuarën, ama mund të ndërtojë të ardhmen duke bërë më të mirën e mundshme.
Unë e dëshiroj këtë. I kam mundësitë për ta realizuar. Dhe vetëm mendimi më
lumturon.
Ndihem e rilindur në ҫfardolloj
aspekti. Shpirtërisht dhe
profesionalisht ndihem tjetër njeri. Nuk e lë pa shfrytëzuar këtë rast. Nga
mbrëmja deri në mëngjes jam me Fatjonin. I harroj vitet që mbaj mbi supe. Pranë
tij jam një ҫupëlinë e dashuruar. Dhe jam e lumtur. E lumtur siҫ nuk e kam
menduar ndonjëherë se mund të jem, e lumtur siҫ nuk e kam ëndërruar kurrë.
Duke pasur nevojë për më pak orë
gjumë se Fatjoni, më mbeten disa orë të lira deri në mëngjes. Ndonjëherë e humb
sensin e kohës duke parë tek fle qetë. Qesh me vete kur kujtoj periudhën që
ishte në spital dhe gërhiste rëndë. Qetësia në fytyrën e Fatjonin më jep një
qetësi shpirtërore të pafund. S’do resht së falënderuar Zotin që e solli në
jetën time. Ai është imi, vetëm imi.
Përsëri përlotem kur sjell
ndërmend të shkuarën, por vetëm kaq. Prej kohësh lotët nuk përshkojnë tej për
tej jastëkun, si dikur në netët e pagjuma.
Ndiej që shpirti më është mbushur
tej kapacitetit normal. E di ҫ’do të thotë kjo? Do të thotë që kam nevojë për
një pako me letra në format A4 dhe ngjyra. Nuk më duhet të kërkoj askund. Vesh
robdishambrin e mëndafshtë ngjyrë vishnje, dhuratë nga ime motër Silvi dhe
pantoflat rozë. Dikur do më ishte dukur
vetja qesharake me këto ngjyra! Tani e perceptoj si diҫka normale. Sa shumë kam
ndryshuar brenda një kohe të shkutër! Ndonjëherë më duket sikur jam kthyer në
tjetër njeri.
Drejtohem për në këndin e dhomës,
të cilin Fatjoni e ka arreduar posaҫërisht për mua. Një tryezë pune antike prej
dru arre, mbi të një abazhur në formën e një fustani mbrëmjeje në ngjyrë të
artë. Në qendër të tryezës, pakoja me
letra në format A4 dhe mbi të ngjyrat. Ulem në karriken lëkundëse. Kthej sytë
nga Fatjoni. Ai fle qetë. Duhet të falënderoj sërish Zotin për gjithë sa kam
dhe pastaj t’ia nis me skicat.
Gati për të t’ia nisur punës për
koleksionin e ri pranverë-verë. Duke hapur pakon e letrave ndiej mbi lëkurë
efektin e mrekullueshëm të mëndafshit. Jo vetëm ky robdishambër, por gjithë
dhuratat që vijnë nga Silvi janë unike. Asnjë
material tjetër s’e ka dhuntinë të më jap këtë ndjesi.
Menjëherë mar vendimin e prerë
mbi materialet që do përdor për këtë koleksion. Kryefjala do jetë mëndafshi
natyral. Me të mund të realizoj vetëm kryevepra. Për të vijuar me satenin, i
cili ka shkëlqim dhe pamje solemne. Është unik për të realizuar fustane, funde,
këmisha, bluza dhe kanotiere. Disa stilistë e përdorin edhe në pantallona, por
personalisht nuk e përqafoj këtë ide. Ose së paku jo në këtë koleksion. Kam diҫka
tjetër ndër med.
Një material tjetër që do përdor është
lureksi, një pëlhurë me penj metalik. Ka një shkëlqim të këndshëm dhe s’krijon
teprime. Përshtatet më së miri në fustanet solemne. Kam realizuar shumë të tillë
më parë, por këtë herë do t’i sjell ndryshe. Tërësisht ndryshe.
Brokat, është një tjetër material
që mendoj ta përdor. Është pëlhurë e rëndë, me penj të artë. Duke qenë se pëlhura
ka gjithҫa që i duhet një femre për t’u dukur unike, s’është nevoja për aksesorë
shtesë dhe modeli duhet të jetë sa më i thjeshtë. Për një trup me lakime të
bukura mund të krijoj kryevepra.
Taft është një material që edhe
sikur të përpiqem s’e shmang dot. Ime më e quante tafta. Ishte materiali që
punonte më me dëshirë. Ajo më bëri ta dua pafund këtë material. Të dua shkëlqimin
e tij të ëmbël, shushërimën e këndshme që krijon edhe në lëvizjet më të vogla,
por mbi të gjitha, vëllimshmërinë që ai kërkon dhe që unë e skicoj dhe e
realizoj me mjaft dëshirë. Një femër e veshur me këtë material ju bën të ktheni
kokën drejt saj edhe sikur të jeni me shpinë. Shushërima e taftit ndjell ëmbël.
Materiali që përdor sot është i
mrekullueshëm. Sikur ime më të kishte pasur fatin të punonte gjithmonë me
materiale të tilla! E mbaj mend që pjesën më të madhe të kohës i duhej të përdorte
basmën dhe dokun. I pari shoqërohej gjithmonë me flutura e rrudha të dala boje,
ndërsa i dyti rrinte i ngrirë dhe s’të linte dorë për të punuar me fantazi.
Të gjitha veshjet që do
realizohen me materialet që përzgjodha do të kenë një kosto relativisht të lartë.
Materiale nga më cilësoret, duke u shtuar tek-tuk edhe dantella nga më të mirat,
nuk mund të përballohen me buxhetin e ҫdo femre. Dhe unë nuk e dua këtë.
Menjëherë i ofroj vetes një
alternativë si rrugëdalje. Mund të përdor materialet shifon, voal dhe muslin,
jo vetëm në variantin mëndafsh natyral, por edhe në variantin poliestër, me një
kosto shumë më të vogël.
Sa për ngjyrat më duhet ende të
vendos. Hap kutinë e ngjyrave dhe mbushem gjithë energji pozitive. Shoh Fationin
të përhumbur në gjumin e tij të qetë. Përmbaj veten që të mos vrapoj për ta
pushtuar me përqafime dhe puthje. Ai lexon shpirtin tim si askush tjetër.
Në pakon me lapsa që më ka
dhuruar mungon ngjyra e zezë, kafja, grija dhe të tjera nuanca të trishta të
disa ngjyrave. Këto ishin ngjyrat e mia të preferuara deri pak kohë më parë. Jo
më kot them tashmë se më dhimbset garderoba e atyre femrave që më kanë besuar
ndër vite.
Ato ngjyra të mrekullueshme të
gjitha së bashku në pakon e tyre, më krijojnë përshtypjen sikur jam duke parë
garderobën e mbretëreshës Elisabeth. Dhe menjëherë i them vetes: Përse jo?!
Unë kam mundësinë të vesh secilën
femër me ngjyrat e një mbretëreshe. Gama e ngjyrave paraqitet e gjerë, si një
ylber dhe ka mundësi zgjedhjeje. Mjaft të jem e kujdesshme. Ҫdo ngjyrë duhet të
jetë aq e theksuar sa për të rënë në sy menjëherë. Ky është sekreti i mbretëreshës
Elisabeth.
Dhe për t’ia arritur plotësisht qëllimit
tim, mungon vetëm një element i fundit. Pjesën më të madhe të veshjeve mendoj
ta skicoj duke krijuar lëvizjen me efektin “Marilyn”.
S’është nevoja të mendohem gjatë
për titullimin e koleksionit. “FASHION QUEEN” mishëron gjithë idetë e mia.
Mund ta kisha quajtur edhe “Tradhëtia”,
sepse me këtë koleksion do tradhëtoj plotësisht stilin tim të deritanishëm. Linjën
time hijerëndë dhe klasike me ngjyra të trishta. Dhe s’më vjen aspak keq, përkundrazi.
Duke qeshur me vete provoj shijen e ëmbël dhe adrenalinën që më jep kjo tradhëti.
Me këtë koleksion dua ta bëj një femër të
ndihet femër. Larg punëve të rëndomta të përditshmërisë, larg detyrimeve
familjare, larg detyrimeve në rrugën drejt emancipimit dhe karrierës që shumë
herë e detyrojnë të marr cilësi mashkullore në veshje dhe portret.
Në koleksioin tim femra do jetë
vetëm femër. E ëmbël, sensuale, magjepëse, ndjellëse. Mbi të gjitha, e sigurt në
vetvetë për gjithë sa është dhe shfaq. Një mbretëreshë.
Nuk do jetë vetëm një sfilatë, por
një galeri arti, një ekspozitë. Secila femër do ekspozojë pasion, pushtet dhe
forcë. Dhe jo forcën e një femre që i duhet të mbajë mbi shpinë gjithë
detyrimet familjare, apo gjithë ngarkesën e punës në zyrë. Do jetë një femër me
forcën për të ushtruar pushtet dhe ndezur pasion.
Ҫdo natë i kushtoja së paku disa
orë skicave të koleksionit tim. Dhe asnjëherë nuk ndodhi që gjatë kohës që
punoja Fatjoni të zgjohej. Si ishte e mundur kjo?!
Një mëngjës, pasi kisha përfunduar
të gjitha skicat e koleksionit, që të jem më e qartë, të gjithë formatët A4 të
pakos, u riktheva e lumtur në shtrat. Në atë ҫast, Fatjoni hapi sytë dhe u
kthye nga unë.
Ҫfarë mund të mendoja kur më
quajti “Mbretëresha ime”?

No comments:
Post a Comment