Udhëtimi Kapitulli VIII
Ditët mbartnin të njëjtën ngjyrë, ku ëmbëlsinë e
kursyer ia jepte vetëm peizazhi. Parandieja se
nuk do kishte kthim pas. Udhëtimi drejt Tiranës
më dukej një udhëtim vetëm vajtje. Sa do doja të mbytesha
në magjinë e peizazhit, për të mos u shpëtuar nga askush!
Mes mjegullinës së të shkuarës kishte diçka që më bënte
kureshtare edhe më shumë: Ku e kisha gjetur gjithë atë
material për të shkruar qindra romane? Mjekja ime më tha
se kisha shkruar kryesisht romane rozë. Nëse pranojmë se
çdo autor ka botën e tij krijuese, për ç’individualitet mund të
flitej në ato romane? Nuk isha më e sigurt, nëse doja apo jo të
botoja, por të shkruaja më bënte të ndihesha mirë. Mendoja
për rozën e librave që kisha botuar, kush e di sesa personazhe
të përsëritur, po ato situata të shtirura romantike, aventura
të stisura, fjalë të fryra. Edhe vetë imagjinatën ta lodhnin.
Mendoja se duhej t’u kërkoja patjetër ndjesë të gjithë
lexuesve të rregullt, të cilët ishin përhumbur mes mijëra e
mijëra faqesh, duke kërkuar s’di se çfarë.
Erdhi dita të iknim në Tiranë. Më saktë, nata, pasi udhëtimi
ynë nuk nisi në mëngjes, si moria e udhëtimeve të kësaj
bote, por ndajnatë. Nuhata se kishte diçka për të kuptuar në
këtë mes, por ende nuk po arrija atje ku duhej. Vullneti po
shpenzohej më kot, përhumbej në orvatje për të gjetur arsye.
Ajo si përherë ndiente në ajër përsetë dhe shqetësimet e mia.
Për të, ky rast nuk përbënte ndonjë përjashtim.
- Do nisemi tani, pasi mund të udhëtojmë në të freskët
dhe më qetë. Trafiku në mëngjes është mjaft i rënduar
dhe hyrja në Tiranë mund të na mbajë të bllokuar për më shumë se një orë,- tha ajo, ndërsa unë pata përshtypjen, se
ishte duke e fryrë apo dramatizuar ca situatën, por tek e
fundit, sa e rëndësishme mund të ishte kjo? Unë nuk mund
të bëja absolutisht asgjë për të ndryshuar diçka.
Duhej t’i jepja lamtumirën atij vendi të mrekullueshëm.
U përlota, si të isha duke u ndarë nga një njeri i shtrenjtë.
Ishte si të lija aty një pjesë të shpirtit, të cilin do ta humbja
përgjithmonë. Kjo nuk ishte një pjesë çfarëdo e tij, por
pikërisht ajo që gjeti paqe dhe qetësi, të cilat ndoshta isha
duke i lënë pas përgjithmonë.
Po ndahesha nga një pjesë e së shkuarës dhe ndieja një
zbrazëtirë në lidhje me të ardhmen. Me sa mbaj mend,
ajo gjithmonë më ka trembur. Përherë i druhem asaj që
do të sjellë e nesërmja. Aq shumë i druhem dhe e bluaj në
mendje, sa shpesh harroj të jetoj të tashmen.
Nga ndryshimet në jetën time kam ndierë përherë një
pasiguri të madhe. Të jetuarit në të njëjtin vend, me të njëjtët
njerëz, me po ato rituale jetësore, më duket se më bëjnë të ndiej
një qetësi të patrazuar, një monotoni, nga e cila shpesh as që
përpiqem të shkëputem. Ato ishin koraca ime mbrojtëse, jo
vetëm atëherë, por në vazhdimësi, madje edhe tani që jam
duke shkruar. Duhej që të paktën një herë të provoja ta hiqja.
S’mundesha, ishte si të pranoja të mos isha unë.
Nisjen drejt Tiranës e përjetova si udhëtimin e parë në
jetën time. Ky ishte i pari që mbaja mend. Çuditërisht, më bëri
të ndihesha po aq e lumtur sa një fëmijë. Ajo ishte me mua,
ishte garanci për vetëbesimin tim, megjithëse të kushtëzuar.
Ishte shndërruar edhe në koracën time. Me të ndihesha e
mbrojtur dhe e sigurt. Mjaft të ishte pranë meje, që të fashitej
një pjesë e mirë e ankthit, të cilin mbaja përbrenda dhe që
më bënte të dridhesha. Ç’më priste në të vërtetë?
Sikur nuk po ngopesha me ajrin e pastër. U futëm
në makinë, aty gjithçka ishte krejt ndryshe nga jashtë.
Udhëtimi kishte një shije aq të këndshme për mua! Ishte
duke u vërtetuar e kundërta e asaj që mendonin mjekët. Isha plotësisht e shëndetshme. Përpiqesha të vetëbindesha
në lidhje me këtë argument dhe po ia dilja mbanë mjaft
mirë. Ndoshta ata kishin pasur dyshime të kota. Edhe
mjekët njerëz janë, si të tillë, mund të gabojnë.
Pata sërish atë ndjesi të çuditshme në stomak. Me sa
dukej, organizmi im këmbëngulte të bënte edhe më të afërt
me njëri-tjetrin vaktet. Mendova se kjo mund të zgjidhej
duke shtuar edhe vaktet e ndërmjetme. Të ushqyerit ishte
etapa më e bezdisshme e jetës sime, e konsideroja si humbje
kohe. Kjo i detyrohej pjesërisht apo tërësisht llojit të jetës
që bëja, ku aktiviteti fizik ishte thuajse zero.
Po më mungonte ajri, nuk ndihesha dhe aq mirë. Papritur,
në kraharor ndjeva një peshë të madhe, thuajse
një dhimbje. Pamja nisi të më mjegullohej, megjithëse
nga pak. Ajo po më vështronte ngulazi, si të ishte një
aparaturë, e cila mund të maste të gjithë parametrat e
trupit. Diçka u kap nga radari i saj.
- Të lutem, mund të ndalosh!- i foli shoferit, por më
tepër sesa lutje, dukej urdhër. Ishte si të kishte vendosur të
demonstronte me një frazë të vetme e fare të zakonshme, se
kush komandonte mes nesh. Ndoqa nga pasqyra qendrore
e makinës fytyrën e tij dhe prita më kot ndonjë irritim
nga urdhri. Ai vijoi të kishte po atë pamje të qetë. Mos
ndoshta ishte vetëm një përshtypje e gabuar nga ana ime?
Për çdo rast do isha edhe më e vëmendshme, nuk mund të
shpërfillja atë që ndodhte përreth meje.
- Sigurisht, duhet vetëm të hap krahun,- tha ai, dhe frenoi
makinën ëmbëlsisht në anë të rrugës, duke hapur krahun.
Sërish asnjë ndryshim në fytyrën e tij, asnjë fjalë. Kur ndizej
sinjali i bllokazhit, dukej e përflakur, por asgjë më tepër.
Infermierja hapi derën e makinës. Brenda një çasti kishte
zbritur dhe gjendej në anën tjetër të saj. Hapi derën nga ana
ime dhe unë mora ledhatimin e parë nga flladi i freskët.
Ishte i ëmbël, krahasuar me ajrin e kondicionuar në makinë.
Nëna natyrë kurdo dhe gjithkund mund të bëjë mrekullira. Të bëheshe njësh me të, kjo ishte mrekullia vetë.
- Pi pak ujë, me siguri do të të bëjë mirë,- tha ajo dhe
mundohej të më qetësonte. Më tepër se me fjalët, ishte duke
më qetësuar,- ndoshta pa e kuptuar as vetë,- me qetësinë dhe
vetëkontrollin e saj. Nëse nuk paraqiste shqetësim, gjendja
ime ishte aq e lehtë, sa nuk duhej të trembesha aspak. Kështu
ndodhi në të vërtetë, asfare shqetësim edhe nga ana ime.
- A je më mirë tani?- më pyeti, por sikurse edhe lutja e
pak çasteve më parë, që ishte urdhër dhe kjo ishte më tepër
një konstatim, i cili me çdo kusht duhej të më imponohej.
Nuk më shkoi ndër mend të rebelohesha, por as e pata aq
të lehtë ta kapërdija ashtu në heshtje.
Sa herë i kisha thënë vetes se e njihja atë vajzë, po aq
herë duhej të thosha se kisha shumë për të zbuluar tek
ajo. Këtë anën e saj mbizotëruese dhe në pozita të qarta
drejtuese, as që e kishte shfaqur deri atëherë apo ndoshta
duhej ta kisha vëzhguar më me vëmendje. Po çfarë kisha
bërë për javë të tëra? Të vetmin njeri të cilin e kisha pasur
pranë nuk kisha mundur me të vërtetë ta njihja, megjithëse
kohë më parë e kisha vendosur si një objektiv me përparësi
maksimale për t’u përmbushur sa më shpejt. Si mund të
pretendoja se kisha qenë apo synoja të isha një shkrimtare?
Me siguri i përkisja asaj kategorie, e cila nuk i merrte fare
personazhet nga jeta, por zgjidhte rrugën më të shkurtër:
trillimin. Ja pra, me siguri duhej të kisha qenë veçse një
kalemxhie. Sa shumë prekesha, kur më vinin ndër mend
ide të tilla! Thua se jetës sime nuk i mjaftonte e tashmja për
t’u lodhur, duhej të orvatesha ngaherë, për t’i shtuar edhe
lodhjen e së shkuarës. E gjithë kjo ishte plotësisht sfilitëse.
- Nisemi?- pyeti ajo, por më ngjante më tepër me urdhrin
e një kapiteneje, sesa me një pyetje të thjeshtë. Ama, për hir
të së vërtetës, mund të them se kur hyri në makinë, bëri
gjithçka që të ndihesha mirë. Ishte e, njëkohësisht edhe
s’ishte, personi që njihja. Ndoshta ishte ajo që kishte dëshirë
të ndryshonte apo ndoshta sjellja e saj ishte tërësisht e diktuar nga situata. Duhej patjetër t’i dilte për zot asaj. Në
këtë pikë kishe vërtet ç’të adhuroje. Ishte mjaft e zonja për
të ecur përpara, madje pa ndihmën e askujt.
Shoferi ishte po aty, i qetë dhe i kujdesshëm, me po atë
vëmendje me të cilën shihte rrugën përpara kontrollonte
edhe nëpërmjet pasqyrës se çfarë ndodhte pas. Epo një
djalë të tillë nuk besoja të ishte i pranishëm në romanet e
mia. Çudi, si mund të gjendej ende ndonjë personazh i ri?
Në malin e librave që kisha shkruar, në fakt, nuk duhej të
kishte asnjë mangësi. Por ja që ato nuk kishin brenda asgjë
jetësore,- të pakën kështu besoja.
Udhëtimi vazhdoi, por s’isha në gjendje ta shijoja më
tej, mundja vetëm të përpiqesha ta përballoja me pak më
tepër dinjitet. Në nisje uroja të zgjaste sa më shumë, por
më pas shpresoja të mbaronte sa më parë. Sa për fajësimin
e vetes, se nuk kisha qenë mjaftueshëm e vëmendshme
në përcaktimin e plotë të natyrës së saj, tashmë e kam
shfajësuar plotësisht. Nuk mjaftojnë disa javë për të njohur
me detaje dikë, ashtu si nuk mjafton një jetë e tërë në njohjen
dhe kërkimin e vetvetes. Ende sot e kësaj dite befasohem
nga të njohurit më mirë e më thellë me njerëzit, madje edhe
me vetveten, por këtë e mundëson vetëm kalimi i një kohe
të gjatë me ta. Situatat laramane në të cilat i sheh, vlejnë
shpesh shumë më tepër se një kohë e shtrirë në vite. Ndaj
e kuptoj mjaft mirë faktin se përse njerëzit nuk janë lodhur
përgjatë mijëra viteve nga letërsia; s’është e tjetërsojtë nga
jeta, as nga njerëzit. Ajo mbart me vete jetë të tëra, të cilat
s’bëjnë gjë tjetër veçse i japin më tepër jetë jetës së gjithkujt.

No comments:
Post a Comment