Tuesday, January 9, 2018

Te jetosh pergjysme

Agu         Kapitulli IX


    Jo shumë pas mesnatës u gjendëm para një spitali madhështor dhe luksoz: Spitali Mesdhetar i Tiranës. Gjatë ngjitjes në ashensor ndieja zemrën të më përpëlitej në kraharor, si një zog mendova, si një zog i plagosur. Ai spital ngjante me një ekspozitë pajisjesh nga më të ndërlikuarat. Sapo i shihja, më dukej se hyja në fushën e tyre magnetike. Ishte tejet e vështirë të mos i përfillje. Më kaluan mornica në trup, sikur dikush po më shprehte një vendim ogurzi: Je e dënuar me ekzaminimin e secilës prej tyre. Ato më thërrisnin të gjitha njëherësh me atë tingullin e tyre metalik.
     Në krye të listës qëndronin analizat. Nuk arrija të kuptoja përse mjekët e kishin parë të nevojshme një numër aq të madh ekzaminimesh, por mund të them, se më dukej vetja si një qenie jashtëtokësore. Ata do të masnin çdo parametër të matshëm në trupin tim, do ekzaminonin gjithçka të ekzaminueshme. Mjekja ime më kishte thënë se ishin habitur me ecurinë pozitive të shëndetin tim. Nëse do të shqetësoheshin për mosshërimin, do mund t’i kuptoja, ama ky lloj shqetësimi ishte diçka e pakapshme për mua.
     E shtrirë në shtrat, e lodhur nga gjakthithjet e pafundme me shiringa në mollëzat e gishtave dhe në damarë, mes marramendjes që i shkonte për shtat situatës, një detaj i vogël më tërhoqi menjëherë vëmendjen. Ndriçuesi. Ishte i njëjtë me atë që kisha vërejtur pothuajse sapo kisha dalë nga gjendja e komës. Atëherë më qe dukur luksoz; i tillë ishte vërtet. Lidhja nuk ishte e vështirë për t’u bërë. Ishim sërish në të njëjtin spital,- nuk ka shumë shanse që spitale të ndryshme të kenë zgjedhur të njëjtin model ndriçuesi. Sa për mjekët, nuk mund të kujtoja askënd, vetëm bluzat e bardha i lidhnin me të shkuarën time. Më e pakta që i uroja vetes ishte të mos rikthehesha më aty, sigurisht as në ndonjë spital tjetër.
     Pas analizave gjithëpërfshirëse, ishte radha e tomografisë, ku do të ekzaminoheshin indet, muskujt dhe të gjithë eshtrat e trupit tim. Injeksioni i frikshëm venoz, ndjesia e izolimit nga e gjithë bota brenda asaj pajisjeje të çuditshme, minutat e gjata, të cilat ia kalonin edhe orëve, ankthi, ndjesia e të përzierit të vazhdueshëm në stomak dhe më pas mjegullimi i vështrimit. Zëri që përplasej ngado dhe më thoshte ç’duhej të bëja. Megjithatë, për mua, nuk ishin arsye e fortë për shqetësim, e dija se të gjitha ishin pasojë e ndjenjës së pashmangshme të ankthit.
     Pas tij ekzaminimet imazherike CT-skaneri dhe rezonanca magnetike e kokës. Më mirë të mos përshkruaj aspak ndjesitë e shkaktuara gjatë ekzaminimit. Në këtë mënyrë, në mos i harrofsha, të paktën le të mbeten të fjetura.
    Elektrocefalografia, e cila mat aktivitetin elektrik të kores së trurit. Bezdia e elektrodave të puthitura pas lëkurës së kokës. Sinjalet grafike mbi monitor dhe ankthi në pritje të fundit. Sytë i shëtitja nga monitori në orën e murit. I numërova me dhjetëra herë ato tridhjetë e shtatë minuta. Nëse do të kishte zgjatur më shumë ai ekzaminim, me siguri grafikët do të çmendeshin nga sinjalet që do t’ju përçonte truri im i tejlodhur, i tejacaruar dhe pothuajse jashtë funksionit normal.
     Nga një ekzaminim në tjetrin kishte disa minuta pushim, por jo paqe. I ngjanin më tepër orëve mësimore dhe pushimeve të shkurtra mes tyre. Nëse atje mësuesve e nxënësve iu duhet kohë për të ndërruar regjistrat dhe librat, ne thjesht duhej të ndërronim pajisjen ekzaminuese. Mjeku ishte i gjithëdijshëm, na shoqëronte ngado. Thua se ato pajisje ishin thjesht stilolapsa, që shkruanin me ngjyra të ndryshme.
     Më në fund EKG-ja. Ishte fundi i kalvarit të gjatë të ekzaminimeve sfilitëse, për kryerjen e të cilave u desh më  tepër kohë se ajo e rrugëtimit tonë. Në përfundim nuk prisja asgjë të veçantë. Doja të dilja sa më shpejt nga ai vend dhe të fashitej gjithçka. Po prisja thjesht zilen e fundit. Sikur të harroja edhe qëndrimet në spital, ashtu si kisha vepruar me gjithçka tjetër! Kujtimi i ekzaminimeve dhe i qëndrimit aty më gërryente përbrenda, thuajse më brente. Ishte e padurueshme. Fatkeqësisht, nuk mundesha, megjithëse dëshira dhe vullneti për të harruar nuk më mungonte aspak.
     Në vend të fundit të pritur, takova agun. Nëpërmjet monitorit të pajisjes dëgjohej e rrahura e një zemre, por ajo s’ishte imja. Të ndieja tik-takun e zemrës së vogël, e cila kërkonte të rritej brenda meje, ishte magjepsja më e madhe që mund të më ndodhte ndonjëherë. Mrekullia dukej e tëhuajtur nga ndonjë përrallë. Mos ishte diçka e stisur? Sa kohë kishte që kishte ndodhur aksidenti? A ishte e mundur, a ishte e vërtetë që isha shtatzënë apo ndoshta ishte sajuar e gjitha për të më vënë në lojë? Në një çast të mëpasshëm, ky lajm m’u duk apokaliptik. Trupi dhe shpirti im ishin të copëtuar.
    A mundej trupi im të rigjeneronte, të krijonte jetë brenda cenimit, brenda privimit prej saj? Trupi im ngjante më tepër me një trung, me një kërcu, sesa me një nënë. Duhej të ishte patjetër një ëndërr, nga e cila sa më shpejt të zgjohesha, aq më pak do vuaja prej zhgënjimit.
    Kur pashë edhe një herë rreth e qark, nuk mund të thosha se ishte ëndërr. Mjeku ishte aty dhe unë dëgjoja rrahjet e zemrës së bebes sime. Ishte zhgjëndërr. Si do të veproja më tej? Çfarë mund t’i ofroja unë këtij fëmije? Jetën. Jetën po, por më pas... Mos do ta privoja më tepër me ato që s’mund t’i jepja, krahasuar me ç’mundesha? A do isha aq e fortë, sa ta përballoja sfidën? Do të mund të shprehja atë dashuri për të, e cila po më mbushte shpirtin? Ankthi po bëhej mbretërues në qenien time. Më në fund ishte kurorëzuar. Kjo po që ishte një sfidë e vërtetë për t’u kaluar. Ndërsa unë, unë isha ende tepër e dobët, e pazonja edhe për nevojat e mia bazë. Një sëmbim i thellë më shpoi zemrën tej për tej, thuajse e ndau më dysh.
     Ajo rrinte përkrah mjekut, vëzhgonte në monitor dhe qëndronte si e mpirë. As ajo e as mjeku s’kishin thënë asnjë fjalë, por nuk ishin të nevojshme, kisha kuptuar gjithçka vetë. Ata komunikonin vetëm me vështrime, të cilat herë kryqëzoheshin e herë mbivendoseshin në monitor. Ndërsa unë, herë lexoja vështrimin e njërit e herë të tjetrit.
    - Është plotësisht i shëndetshëm! Kjo është vërtet e pabesueshme!- foli mjeku, por i drejtohej asaj dhe jo mua. U ndjeva si të isha thjesht objekt, jo një qenie njerëzore. Në të vërtetë, isha një nënë e ardhshme, së cilës duhej t’ia jepnin lajmin e mirë me mjaft kënaqësi.
     - Ai ka qenë aq i fortë, sa ka përballuar gjithçka i ndodhi të ëmës. Kjo nuk është vetëm e pabesueshme, por edhe e mrekullueshme,- tha ajo, ndërsa unë vazhdoja të isha e shpërfillur, si të mos ndodhesha aty. Por çuditërisht nuk ndjeva as zemërim, as mëri. Që prej atij çasti, s’kisha asnjë arsye për t’u ndier e vetmuar. Nuk isha më vetëm dhe veta e parë shumës, kurrë më parë nuk më ishte dukur aq e ëmbël. Ne do ishim gjithmonë bashkë, të dy, të pandarë.
    Ai fëmijë kishte qenë aq i fortë, sa kishte mundur të sfidonte incidentin, kishte mundur të ishte shumë më i fortë se unë. Atëherë kuptova, se ai do të ishte jo vetëm forca, por edhe motivi i jetës sime. Do isha më e vendosur për të ecur përpara, vetëm përpara.
     - Duhet shmangur lodhja, sforcimi, stresi, ngarkesa e madhe emocionale. Çfarëdolloj teprimi mund të jetë fatal. Fëmija është i shëndetshëm, por ecuria e kësaj shtatzënie duhet vëzhguar; ju jeni mjeke vetë dhe nuk është nevoja të flas më tepër. Mund të shihni pak me kujdes në këtë zonën më të errët,- tregoi, ndërsa unë nisa të dridhesha, por as që kisha ndër mend të shihja andej nga drejtohej dora e tij apo anët e errëta. Kisha një mirësi aq të madhe nga jeta, sa më mjaftonte për të larguar gjithë retë e zeza nga horizonti. Duhej ta bëja patjetër. Ai, fare i vogël dhe i pafajshëm, nuk meritonte asnjë prej tyre. Ishte drita që më ndillte të shihja e të ecja përpara, vetëm përpara.
    - Pra, me sa kuptova, do të na duhet të rrimë në Tiranë deri në fund, apo jo?- e pyeti ajo, ndërsa unë kuptova përmbushjen e asaj që kisha parandier. Instinkti dhe parandjenjat e mia më kishin paralajmëruar më se një herë se ishin të pagabueshme,- megjithëse nuk gëzonin aq shumë besim nga ana ime. S’mund të imagjinoja, se ajo krijesë, e cila gjallonte brenda meje mund të rrezikonte jetën. Dhimbjet s’kishin ardhur thjesht nga shtatzënia, por nga disa ciste që ndodheshin në mitër. Këtë e kuptova vetëm disa muaj më vonë. Mjeku rekomandoi regjim shtrati absolut, madje edhe lëvizjet me karrocë duhej të ishin tejet të kufizuara. Tani po që do të jetoja si një trung, por jo si një kërcu, siç kisha menduar më parë. Isha një trung i prerë, nga i cili ishte duke bulëzuar një filiz i ri, i cili po më jepte jetë.
    Infermierja më vendosi me atë kujdesin e saj të zakonshëm në karrocë dhe më nxori nga dhoma në korridorin e spitalit. Për këtë e ndihmoi edhe një tjetër infermiere, e cila vazhdoi të qëndronte me mua, ndërsa ajo u fut sërish brenda për të folur me mjekun. Nuk arrija të kuptoja përse duhej të dilja prej aty, kur isha trajtuar gjithë kohës jo vetëm me indiferentizëm të plotë, por si inekzistente. U betova se nuk do prishja gjakun për çikërrima të atilla. Të paktën që nga ai çast nuk duhej të lejoja të ndodhte më, tashmë kisha përgjegjësi të tjera.
    Edhe sikur ajo infermierja-roje të mos ishte aty, sërish nuk do isha vetëm. Ende nuk e kisha përkëdhelur fëmijën tim për herë të parë, duhej edhe ta llastoja disi, duhej edhe...
    Cili ishte babai i tij? Si përgjigje të kësaj pyetjeje mora mornicat, që më mbuluan thuajse menjëherë të gjithë trupin. Nëse ai më donte, do kishte ardhur pranë meje përgjatë kësaj kohe, në të cilën unë kisha nevojë të pathënë për të. Në të vërtetë kisha ende, më shumë se kurrë. Do ishte vështirë, që fëmija im të mos kishte baba, Ndoshta edhe më e padurueshme të rritej me një baba, i cili nuk e donte nënën e tij dhe që atë, birin e vet, ta shihte si një barrë të rëndë. Do  mund të bëja përpara me të, për të, për krijesën engjëllore, e cila rritej brenda meje. Nga ai çast, nuk arrita të mendoja më për vete. Ishte ai kryeqendra e mendimeve, e ndjenjave, e planeve, e ëndrrave, e dëshirave, e shpresave të mia.
     U rehatuam në një apartament të vogël, ku hapësira mungonte, muret dukeshin të trashë e të padepërtueshëm. Dhomat ishin të vockla, kurse korridoret të ngushta. Në atë kohë, as që më bëri përshtypje mobilimi luksoz. Isha mësuar me hapësirat e gjera në vilëz, ku mjaftonte vetëm t’i shihja për të ndierë mushkëritë të më mbusheshin me ajër. Ndoshta kishte të bënte thjesht me anën psikologjike, këtë nuk mund ta thosha me siguri. Nuk arrija ta besoja, se mund të jetoja në një ambient të tillë, madje relativisht gjatë. Por nëse njeriu nuk mundet të jetojë ashtu siç do apo duhet, përherë mund të mbijetojë dhe unë nuk mund të isha rasti i vetëm i përjashtimit në këtë ligj gjithënjerëzor.
    Sa ndryshonte ky apartament nga vilëza mes gjelbërimit dhe ajrit të pastër! I vetmi emërues i përbashkët ishte ajo, shoqëruesja besnike. Engjëlli im mbrojtës. Ç’do të kisha bërë pa të? Por ajo duhej të më sqaronte diçka. Përse mjeku kishte përmendur një tjetër fëmijë dhe një prerje çezariane, për çfarë po fliste ai? Në të vërtetë, ajo nuk më la as mundësinë më të vogël për ta pyetur. Jo vetëm kaq, por edhe më nxori jashtë si të isha duke i bezdisur me praninë time. Mos iu kisha prishur rehatinë?
    - Dëgjo, jam shumë e zemëruar me ty! Mjeku më tha se dhimbjet kanë qenë periodike dhe herë-herë duhej të kesh pasur edhe kriza shumë të forta. A mund të më thuash, përse nuk di asgjë për këtë? A e kupton se duke më fshehur gjendjen në të cilën ndodheshe, ke rrezikuar seriozisht jetën tënde dhe të fëmijës? Unë edhe të mendohesha për ditë të tëra për të bërë një përcaktim mbi sjelljen tënde, do arrija po në të njëjtin mendim që kam tani: je plotësisht e papërgjegjshme,- foli ajo, dhe dukej se i kishte vënë pikën asaj bisede. Por edhe sikur për të qe e kundërta, çfarë mund të thosha?
     Më quajti të papërgjegjshme dhe në fakt ia doli mbanë të më bënte të ndihesha një nënë e keqe. Mund të isha një shoqe e keqe, një grua e keqe, një shkrimtare e keqe, por nuk mund të pranoja të isha një mama e keqe. S’do ta lejoja më kurrë të ndodhte, jo të quhesha, por të ndihesha e tillë. Për fëmijën tim duhej të isha nëna më e mirë në botë.
    Pendohesha për atë që kisha fshehur. Duke mos u kujdesur për shëndetin tim, kisha rrezikuar seriozisht shëndetin e krijesëzës së brishtë, që ndodhej brenda meje. Po ku ta dija unë? Si nuk më kishte thirrur fort instinkti i nënës? Apo ndoshta thirrja kishte qenë tepër e fortë, aq sa për të më mbajtur në jetë. Më kishte falur dëshirën për të parë dhe ecur përpara. Forcën për ta parë çdo ditë vetëm me dhimbjen e saj, duke mos i shtuar të mëparshmet, as të mëpasmet. A nuk ishte e gjithë kjo një mrekulli? Premtova se për të do isha gati të flijoja edhe jetën. Ky nuk ishte një premtim i thjeshtë, si gjithë të tjerët. Një premtim me dorën në zemrën e një nëne, është po aq i sigurt sa ai me dorën mbi librin e shenjtë.
    Prita gjatë për ndonjë përgjigje rreth pyetjeve të shumta që kisha, por ajo më këshilloi të qetësohesha dhe të çlodhesha. Dukej se gjithçka do të gjente mirëkuptim, siç ndodhte rëndom mes nesh. Gabimi i njërës sillte, veç tensionit, gabimin thuajse të pashmangshëm të tjetrës. Diçka, e cila me gjithë kalimin e kohës dhe shtimin e rasteve të tilla, sërish nuk mundi asnjëherë të dukej normale në sytë e mi. Po ashtu më ka bërë thuajse përherë të vuaj, asnjëherë nuk munda ta kapërdij lehtë.
     Gjilpërat prej asaj dite më shponin rregullisht, madje tri herë në ditë. Unë nga të tria ato nuk ndieja asnjë. Përzierja mes papaverinës dhe progresteronit do të linte gjurmët e saj për vite me radhë brenda trupit, si për të më kujtuar gjithë ato çaste të hidhura e të dhimbshme që kisha kaluar. Atë që doja me gjithë shpirt ta ndieja atëherë, më bezdiste paq kur e përjetoja më vonë. Vitaminat që pija, ishin të panumërta: hekur, kalcium e ku di se çfarë. Një ditë, të gjitha si për mrekulli, kishin hyrë në një tabletë të vetme. Më bëri të qetësohesha mjaft. Nuk bezdisesha aspak teksa i kapërdija të gjitha më parë, por thjesht më rëndonin anën psikologjike, më bënin të mendoja se isha jashtë çdo lloj parametri normal. Nuk shqetësohesha më për veten, por për fëmijën. Nëse unë nuk isha mirë, si mund të ishte ai ndryshe?
     Një natë e pashë në ëndërr. E ndjeva të dendësohej më tepër se zakonisht prania e tij. Ai zë... aq ndjellës dhe i largët, i pashoqëruar me fytyrë. Më porositi të kujdesesha për fëmijën tonë. U zgjova. Rrahjet e zemrës ishin shpeshtuar mjaft, me zor merrja frymë. Kraharori ulej e ngrihej me një ritëm tërësisht të çrregullt. Përse ndieja të ftohtë? Trupi m’u mbulua nga mornicat. Isha zgjuar. Megjithatë më dukej se gjendesha ende brenda një ëndrre të madhe. Isha aq e vogël në raport me të! Madje edhe e pafuqishme. Aq e pafuqishme, sa nuk mund të ndryshoja apo të pengoja asnjëherë rrjedhën e ngjarjeve. Përkundrazi, ishte ajo rrjedhë, e cila me apo pa dashjen time, më kishte marrë përpara, dhe do të vijonte sërish në po atë mënyrë të pamëshirshme.
    Për një kohë të gjatë nuk munda të mendoj për asgjë tjetër. Ai kujtim dukej aq i frikshëm dhe i largët, sikur vinte nga përtejbota. Forca e tij mistike mundte të më magjepste dhe të më tmerronte njëkohësisht. Sikur më ndillte të shkoja pas tij... Në shpirtin tim u lëndua një plagë, e cila më kot mendoja se ishte mbyllur. Në të vërtetë, jo vetëm që nuk ishte mbyllur, por ishte gangrenizuar. Ai ishte tepër i fortë brenda qenies sime, si të ishte zot i saj. Më bënte të ndihesha krejt e pafuqishme. Fjala e tij ishte jo thjesht një porosi, por urdhër a ligj që më digjte në shpirt, nëse nuk e realizoja. Çdo porosi e tij kishte forcën e një amaneti. Përse? Duhej të dilja nga ato dilema vrastare, po si? Sa më shumë mundohesha t’i shmangia, aq më tepër zhytesha në të thella.
     Shpëtimin tim nuk duhej ta kërkoja larg dhe jashtë, por pranë e madje-madje brenda meje. Bebja ime do të më jepte forcë për t’iu larguar gjithçkaje që do të na bënte të vuanim.  Përgjigjet do të më vinin më vonë, patjetër. Në çastet, kur forcoja vetëbesimin tim, infermierja më solli dhuratën më të nevojshme të ditës, por edhe të mëvonshme. Ishte një minilaptop, të cilin mund ta lija mbi komodinë dhe ta merrja pa ndihmën e askujt. Ishte jo më i madh se një libër dhe po kaq i lehtë; do të punoja duke vrarë kohën, por edhe do ta kaloja në mënyrë të dobishme. Nuk ishte i ri dhe i papërdorur si gjithçka tjetër në vilëzën më parë apo aty në apartament. Megjithatë, në secilin rast, funksioni i tij do të kishte qenë i njëjtë. As vetë nuk e kuptoj përse menjëherë i dhashë aq shumë rëndësi këtij detaji. Ndoshta ngaqë menjëherë më krijoi përshtypjen se mund t’i kishte përmbushur orët e tij të punës. Tastet ishin katandisur aq keq, sa dukeshin sikur ishin përdorur me këmbë dhe jo me mollëzat e gishtave.
    Vijova të shkruaja aty ku kisha mbetur më parë. Infermierja ishte kujdesur që gjithçka të ishte kopjuar në të. Aty flinin përshkrimet e atyre pak muajve jetë, të cilët mund t’i kujtoja mjaft mirë. Kuptova se diçka nuk shkonte. Nuk isha më e gatshme të vijoja të shkruaja në po atë linjë. Mund të mendoja veç për foshnjën, ndaj vendosa të shkruaja pikërisht për të. Fillimisht isha në dilemë nga t’ia nisja, nga instinkti i lindur i nënës, i cili jetonte tek unë si tek cilado femër, nga lajmi për shtatzëninë apo nga plani për të pasur një fëmijë? Ah! Te kjo e fundit nuk mund të ecja dot. Këtu vetëm mund të ngecja.
    Sa bukur duhej të ishte për një çift të planifikoje ardhjen e një fëmije në jetë! Kjo do ta bënte më të ëmbël pritjen e tij. Do ta forconte më tepër lidhjen, do sillte më tepër harmoni. Sa keq, që unë nuk mbaja mend asnjë nga ato plane, madje s’dija as cili ishte babai i fëmijës. Nëse ai do të më donte vërtet, siç e kisha menduar edhe më parë, do të ishte patjetër pranë meje. Përpiqesha të kujtoja diçka prej tij, por ishte e kotë. Kisha vetëm parandjenja. Ishin aq të frikshme, sa menjëherë i degdisja në atë bodrumin e vjetër e të errët, të të pathënave, por edhe të gjithçkaje me të cilën nuk guxoja të përballesha. Ende nuk isha aq e fortë, sa për t’i përballuar të gjitha. Po Ai? A nuk më kishte thënë aq qartë se duhej të kujdesesha për fëmijën tonë? Sa e lumtur do të isha sikur të ishte Ai babai, por orvatjet në përpjekje për t’u bindur, ishin të kota. Parandjenjat angështuese ishin më të forta se unë. Mundesha vetëm t’i neutralizoja për ca kohë, por jo t’i luftoja plotësisht.
     S’ishte mirë të mendoja as për të, thjesht më bënte të vuaja. Ai nuk mund të donte fëmijën që rritej brenda meje, nëse s’më donte mua. Të duash krijesën, por jo krijuesin, është absurde. Nuk doja të ndiqja më tej këtë linjë arsyetimi, sepse do të vinte më pas radha ime. E ndieja timen atë krijesëz, vetëm timen, nuk do lejoja asgjë dhe askënd të futej mes nesh. Xhelozia në çift është një hiç përpara kësaj lloj xhelozie, e cila veç në mendime është tejet e fuqishme, ndërsa në jetë... nuk kisha as dëshirën më të vogël për ta provuar.                   Vendosa të shkruaja, pa ndonjë skemë të veçantë, në atë mënyrë dhe formë që do ta ndieja. Tek e fundit, do imagjinoja sërish, sikur isha duke goditur një thes plot e përplot me rërë. Për shumëkënd mund të duket një idiotësi e vërtetë, por as që doja të dija mendimin e tjetërkujt rreth kësaj. Ishte diçka që më përkiste vetëm mua. Përderisa kishte funksionuar më parë, përse nuk duhej të ndodhte sërish?
    Për disa ditë me radhë, infermierja më ndihmoi për të krijuar një regjim të ri ditor. Nuk mundja të lëvizja më me karrocë, por nuk ia ndieja shumë mungesën asaj lloj kënaqësie. Regjimin absolut në shtrat nuk e përjetova aspak si regres. Lumturia që më buronte nga mëmësia mjaftonte për të eklipsuar çfarëdolloj kënaqësie të mëparshme. Nuk isha më vetëm. Ky po që ishte me të vërtetë përparim.
    Në këtë mënyrë kaluan rreth dy javë.

    Mjeku, i cili më vizitoi në spital, erdhi në apartament. Ishte i heshtur gjatë vizitës, nuk foli asnjë fjalë, nuk bëri  asnjë koment a konstatim. Nga mimika apo nga sytë e tij nuk munda të kuptoj asgjë. Zakonisht ia dal mbanë të lexoj fytyrat e njerëzve, është sa zbavitëse, aq edhe e nevojshme, por fytyra e mjekut ishte si një libër i shkruar në latinisht. Me apo pa keqardhje them se në këtë gjuhë të vdekur vërtet nuk di asnjë fjalë. Ai vijonte vizitën dhe heshtjen e ruante edhe kundrejt infermieres-roje. Dukej se e kishte për natyrë të qenurin fjalëpak.
     - Gjendja është e përmirësuar, madje do thosha, thuajse e stabilizuar. Është një shtatzëni dymbëdhjetëjavëshe dhe risku i abortit ende është i pranishëm. Nëse ka dhimbje të forta, të cilat mund të gjenerojnë kriza, atëherë duhet sjellë urgjentisht në spital. Në të kundërt, kura do të vijojë si më parë. Kjo është receta,- tha mjeku, ndërsa ajo ishte bërë tërë sy e veshë. Dukej se ishte duke i përpirë fjalët e tij. Ndoshta ai ishte nga ata njerëz, të cilët flasin vetëm një herë. Askurrë nuk kam mundur të kuptoj ndonjë prej tyre. Ndoshta duan që fjala t’iu ketë më tepër peshë. Ose bëhen të tillë në çastin, kur e kuptojnë me të vërtetë jo vetëm peshën, por edhe vlerën e saj.
    - Ditën e mirë!- përshëndeti ai, duke më folur, për herë të parë, thua se vetëm atëherë kisha hyrë brenda trupit tim dhe ai mundi të më shohë. Ndoshta më kishte folur pa dashje, qe hutuar ose ndoshta për mëshirë, por as që më hynin në punë arsyet. Madje as ai vetë. Ndenji edhe për ca kohë në korridor, i dëgjoja tek mërmërisnin fjalë, të cilat humbnin kuptimin rrugës për tek unë. As që u përpoqa të përqendrohesha më tepër. Kisha mësuar prej tij gjithçka duhej të dija. Ishte radha e saj. Më në fund, dera e jashtme u hap. Kishte dalë.
    Infermierja hyri në dhomë dhe u ul në vendin e saj tashmë të zakonshëm, pranë shtratit tim. Më pa në sy dhe buzëqeshi. Edhe unë e ndoqa pas, ishte vërtet e këndshme. Po prisja të thoshte diçka, megjithëse ai vështrim kishte rikonfirmuar edhe më qartë fjalët e mjekut.
    - Pra, je më mirë, kjo na intereson më shumë të dyjave. Të jetosh përgjysmë 85 E dëgjove mjekun, nëse ndien diçka jo të zakontë, duhet të ma thuash menjëherë. Dakord?- foli ajo, por mua më dukej e tepërt që dikush, madje edhe ajo, të më kujtonte sërish detyrën time. Në fund të fundit, ishte duke bërë punën e saj. Mirëbërësi nuk besoj se kënaqej me amatorizma. Urdhrat duhej t’i kishte dhënë të prera.

No comments:

Post a Comment