Monday, January 8, 2018

Te jetosh pergjysme

Reportazhi           Kapitulli V


    Një ditë, ajo erdhi pranë meje. Unë shkrova në kompjuter:- Kam nevojë të di diçka. Me atë mënyrën e saj delikate e të ëmbël, ajo e priti situatën natyrshëm. Dinte herë pas here të kishte një sjellje tërësisht diplomatike. Vetëm të menduarit, se do mësoja diçka më tepër për jetën time të mëparshme më bënte të përfytyroja se do takohesha me dikë, ndoshta me diçka krejt të panjohur. Por e panjohura e parë në të shkuarën time isha vetë unë. Ngjante me një prezantim, si takimi i parë. Po ajo kureshtje, po ai ankth, po ajo domosdoshmëri për përsosmëri. Si kisha qenë në të vërtetë? Ajo do të më ndihmonte patjetër të shuaja sadopak etjen e kureshtjes sime. Megjithatë, nuk isha aspak e sigurt, se pas kësaj do ndihesha më mirë. Ndoshta nuk do të më pëlqente fare ajo që do mësoja. Ndoshta.
    - Çfarë do të dish? Për çfarë ke kureshtje?- më pyeti ajo, duke më habitur me gatishmërinë, që ishte duke treguar. Shprehjen e saj se do të mësoja gjithçka në çastin e duhur, as më përpara e as më pas, nuk e kisha harruar. Jehona e mekur ende më përplasej në veshin e brendshëm. Kisha vendosur të bëja të shurdhëtën kundrejt saj, s’doja ta dëgjoja më. Shpesh, kur e kisha sjellë ndër mend, më kishte bërë të vuaja jo pak. Mos ndoshta edhe për të ishte ky çasti i duhur?
     - A jemi njohur më parë ne të dyja?- e pyeta, sepse për të vetmin njeri që kisha pranë, duhej të dija diçka, kisha të drejtën të mësoja ç’na lidhte apo ç’na ndante. Tanimë - ndryshe nga fillimi - kisha nisur ta mendoja shumë më seriozisht këtë çështje. Kjo ishte vetëm një pyetje, por na përfshinte të dyjave, ishte si të vrisje me një gur të vetëm dy zogj.
    - Nuk mund të them se njiheshim, pasi s’ishim takuar asnjëherë, megjithatë për mua, nuk ishe e huaj, përkundrazi.
    S’ishin pikërisht kështu përgjigjet për të cilat kisha nevojë: kaq të paqarta, megjithatë ishin më mirë se asgjë. Ngjasonte pak me një lexim të pavarur të profecive të Nastrodamusit. Mund t’i krenohesh dikujt se i ke lexuar, njëkohësisht të zbulosh me sinqeritet para vetes se nuk ke kuptuar asgjë.
    Kohë më pas kuptova se ajo kishte shfaqur të vërtetën ashtu siç qe, pa përpjekje për t’u bërë enigmatike. Vetëm se mua m’u deshën ditë për ta kuptuar dhe ç’ka është më e rëndësishmja, jo pak mund. Ja që në jetë asgjë nuk jepet falas. Duhet të luftosh shumë për të arritur diçka. Kjo të paktën të bën që edhe nëse nuk arrin diçka, të ndjesh së paku krenarinë se ia ke dalë mbanë.
    - Kë telefonon sa herë më ndodh diçka? Nëse ekziston ndonjë që interesohet për mua, përse atëherë nuk vjen të më takojë?- e pyeta më në fund. Kisha ndierë përgjatë gjithë kohës, jo vetëm vetminë, por edhe braktisjen. Kjo ishte fjala e duhur për të shfaqur një pjesë të zbrazëtisë, që vazhdonte të më rëndonte. Nuk mund të isha një njeri aq i parëndësishëm dhe i pavlerë! Nëse supozoja se isha thjesht një njeri i zakonshëm, mund të pretendoja të paktën të kisha pranë një rreth të vogël njerëzish fare të zakonshëm, pothuajse si gjithkush.
     - Është dikush, i cili ka marrë përsipër dhe ka bërë gjithçka për shërimin tënd. S’do të tërhiqet, derisa të jesh në po atë gjendje shëndetësore si edhe më parë. Atij i përket edhe vilëza në të cilën po banojmë. Më ka punësuar mua, si dhe mjekët e spitalit,- përfundoi ajo, ndërsa unë thuajse menjëherë dyshova tek ato fjalë. Vëreja se ajo s’kishte më atë natyrshmërinë e kahershme teksa fliste. Sforcohej dukshëm për t’u bërë bindëse. Ose ishte duke më gënjyer, ose duke fshehur një pjesë të së vërtetës. Kjo nuk po më pëlqente aspak. Por në ato kohë nuk mund të bëja asgjë, nuk mund të pretendoja të dija më tepër.
    Kuptoja fare mirë situatën time dhe nuk ishte aspak nevoja të ma rikujtonte dikush. Në të njëjtën kohë, kuptoja plotësisht edhe pozicionimin që kishte ajo kundrejt meje. Nuk më leverdiste të dilja hapur, ta kundërshtoja, të shfaqja dyshimet e mia apo mosbesimet. Situata i përkiste një niveli të tillë, saqë kërkonte sjellje diplomatike,- të cilat thuajse nuk zinin vend tek unë. Por nuk mund t’i lejoja vetes as të isha plotësisht e drejtpërdrejtë. Pa dashur mund të prishja gjithçka.
     - Nëse je ende gjallë dhe me shpresa bindëse për t’u bërë çdo ditë e më mirë, për gjithçka i detyrohesh atij,- vazhdoi ajo, ndërsa mua menjëherë në mendje më erdhi ëndrra ime e mëparshme, kur s’kisha dalë nga gjendja e komës. Mos vallë ishte Ai? Detyrimisht duhej të ishte Ai. Kisha luftuar shumë me atë kujtim, doja ta zhdukja, por asnjëherë nuk ia kisha dalë mbanë. Më ndalej fryma sa herë më vinte ndër mend apo e sillja unë aty me forcën e dëshirës sime. Ishte kthyer tanimë në një ëndërr brenda ëndrrës. Sa më shumë përpiqesha të kuptoja, më shumë pështjellohesha. Ai sërishmi flatronte vetmitar horizontet e mia, ashtu si shpirtin tim.
    Dhe vetëm kujtimi më sillte emocione aq të forta, sa ndonjëherë mendoja se zemra do të më ndalej. A ishte i vërtetë ai kujtim? A e kisha përjetuar si të njëmendtë atë situatë? Ndoshta s’do ta mësoja asnjëherë. Mendoj se pavarësisht dhimbjes që të sjell, është shumë më mirë të përjetosh dashurinë në ëndërr dhe të vuash në realitet, krahasuar me mundësinë e mostakimit asnjëherë me të. Të kalosh gjithë jetën pa provuar asnjëherë dashuri përgjatë saj, është si ta kesh çuar dëm të gjithën.
    E nëse s’ishte Ai? Ç’isha unë për të? Më absurdja ishte se doja të kuptoja të tjerët, kur s’kuptoja veten. Nëse ishte i njëjti person, atëherë diçka kishte kuptim. Madje, gjithçka. I interesoja unë, shërimi im. Gjithçka e re, çdo përmirësim që bëja ai ishte i interesuar ta mësonte në kohë reale. E nëse jo? Kjo ishte ende fund e krye për t’u zbuluar. Nuk ishte aspak kalim kohe, madje as mbushje zbrazëtirash. Kjo çështje po më përthithte tërë vëmendjen dhe energjitë. Më kishte dhënë kaq shumë. Përse? Në kompjuter duhej të formuloja pyetje të tjera, kisha shumë nevojë të dija më tepër. Për mua ishte koha më e përshtatshme për të mësuar.
    - Ç’lidhje ka mes meje dhe këtij personi?
    - Ju s’jeni takuar asnjëherë, askush nuk ju ka prezantuar,- përfundoi ajo shpejt e shpejt përgjigjen, duke më futur në mendime të gjata e të thella. Dhe për këtë nuk më duhej shumë. Unë as e njihja, mungonte çfarëdolloj lidhjeje me të dhe sërish ai bënte gjithçka që të bëhesha si më parë. Edhe jetën ia detyroja atij, sidoqoftë nuk pluskoja në mirënjohje, por pyesja: Përse? Çfarë mund të priste ai si këmbim prej meje? Më e shumta që mund të kisha ishte një pension invaliditeti.
    Një mendim më feksi sakaq. Ndoshta mund të kisha zotëruar ndonjë pasuri të madhe dhe ai donte të përfitonte prej meje. Sikur kjo të ishte e vërtetë, përreth meje duhej të kisha shumë-shumë hiena. Njerëzit zotërojnë vetinë e të nuhaturit të parave, ashtu si grabitqarët e uritur prenë. Edhe kjo hipotezë ishte rrëzuar sakaq. As që mendoja të dorëzohesha, i kisha aq aftësi, sa të mund të zgjidhja edhe enigma më të mëdha, mjaft ta doja vërtet një përgjigje.
    Nëse zotëroja një pasuri të atillë, atëherë mund të paguaja vetë për kurimin tim. Mos vallë isha e varfër, e pastrehë, pa njeri dhe ai më kishte ndihmuar? Ai duhej të ishte pasanik mirëbërës, i cili donte të qetësonte shpirtin me bamirësira. Kështu, ndërgjegjja e tij do të ishte e qetë. Megjithatë, mendova se ai do të kërkonte diçka si këmbim. Në këtë botë, askush s’jep gjë falas. Pasi e peshova mirë në mendjen time erdha në përfundimin se ky ishte një argument i rëndësishëm. Duhej të pyesja sërish për të.
     - Çfarë pret ai njeri nga unë?
     Me sa dukej, ajo s’e priste këtë pyetje. E pashë si i ndryshoi fytyra. Çuditërisht, përgjigjen e kishte gati. Kjo ndoshta lidhej, veç të tjerash, edhe me natyrën e saj. Përherë ishte e parapërgatitur për gjithçka.
    - Ai kërkon që ti të shkruash diçka për këtë vend.ti ajo që mund të zgjedhësh se çfarë: një tregim apo një reportazh. Kjo është në dorën tënde,- saktësoi.
     Pra, menjëherë duhej të bluaja në mendje gjithçka.  Ai kërkonte vetëm që të shkruaja për atë vend. Një tregim ose një reportazh. Përse vallë?
     - Ky vend i mrekullueshëm është gjithçka për të,- tha ajo dhe dukej se i mungonte dëshira për të folur më shumë. Për të tjerat mund të vendosesha sërish në pritje të kohës së duhur.
     E sigurt ishte diçka, unë do të vijoja më tej edhe pa të. Niste koha e reflektimit, analizës dhe sintezës. Ishte fusha në të cilën kryeja specializimet e mia të përhershme. Ndoshta e shtyrë nga situatat, të cilat nuk më linin asnjë rrugëdalje tjetër, apo ndoshta edhe nga natyra e karakterit tim, të cilin ende nuk isha e bindur nëse e njihja plotësisht, por që herë pas here më bënte të vuaja fare pa shkak.
    Për mua ishte e pamundur të pranoja lehtë diçka. Mendoja e rimendoja, rrëmoja edhe aty ku nuk kishte asgjë. Por nuk ishte kjo më e keqja. Zhgënjimi nga përpjekjet e dështuara, në kërkim të diçkaje, që as ekzistonte, më lëndonte thellësisht. Vuaja, si pasojë e lodhjes së kotë, e dështimeve të herëpashershme, por më tepër nga sfilitjet e orvatjet e çuara dëm. Isha e pazonja për të ndryshuar diçka në karakter tim. Kjo ishte lufta që do të më sfiliste për një kohë të gjatë. Madje, për një kohë po kaq të gjatë do mendoja, se mund t’ia dilja mbanë. As që më shkonte ndër mend ndonjëherë se përpjekjet e mia donin të krijonin një njeri të mrekullueshëm, ndoshta të përkryer, por që nuk isha unë. Unë nuk jam aspak pa të meta. Fundja, kush mund të jetë?
    Nuk arrija të kuptoja përse duhej ta shkruaja unë reportazhin, kur mund të paguante një shkrimtar apo një gazetar profesionist. Një përrua me përse po vërshonte drejt saj, por ajo ia ndali hovin sakaq, duke ndërtuar digat e heshtjes. Koha e pyetjeve kishte mbaruar, e kisha kuptuar qysh më parë. Kisha nevojë vetëm për pak kohë, e cila do të më bënte ta pranoja se nuk mund të ishte ndryshe.
    Bëmë një shëtitje të ngadaltë buzë liqenit. Zambakët flakëroheshin nën diellin që perëndonte. Pishat errësoheshin ngadalë dhe stërzgjatnin hijet e tyre duke u përvjedhur të na afroheshin në heshtje. Ky vend ishte poezia vetë! Një vend i tillë kishte aftësinë për të kthyer këdo në poet. Përse unë? Përse të shkruaja? Nëse do xhirohej ndonjë klip, pamjet s’do kishin nevojë për koment. Nga kushdo fjalët me siguri do përcaktoheshin të tepërta. Aty gjithçka ishte e ëmbël. Shpesh pyesja veten: Ashtu si gjithçka, a mund të ketë edhe vdekja tjetër shije në këtë vend? Nuk i mbetej kohë përgjigjes. Fërfëllohesha në dridhje dhe shuplakoja mendimet e errëta: Mos guxoni të ngrini krye! Edhe për to duhet të ishte i njohur vendi më i përshtatshëm. Bodrumi i të padenjave i priste derëhapur. E megjithatë, prania e vdekjes ende nuk zhdukej, më ndiqte pas duke u bërë njësh me gjithçka përreth. Më mbetej vetëm ta shpërfillja ose, të paktën, të bëja sikur.
    Megjithëse gjendjen time gjithkush do ta quante të mjeruar, krenaria vazhdonte të gjallonte në karakterin tim. S’më pëlqente të nxitesha për të bërë një shkrim, si të isha një zdrukthëtar, që punon mobilie me porosi. Masa ishte marrë. Askush nuk mund të krijonte diçka origjinale, kur kallëpet i ka gati. Krenaria ishte fajtore, që përleshesha me veten. Nëse do ta lija mënjanë, sigurisht do pranoja haptazi se atë që më kërkohej, e kisha shkruar në mendjen time çdo mëngjes, çdo mesditë, çdo perëndim dielli e çdo natë me hënë. Për hir të së vërtetës, duhet të them se më mbetej vetëm ta printoja. Gjithçka ishte ruajtur në kujtesën time, sigurisht me alfabetin e mendimit. Po krenarinë ç’ta bëja? Mund ta neutralizoja duke e vendosur në balancë me mirënjohjen. Ishte më e pakta që i detyrohesha mirëbërësit, sido që më rëndonte kur e sillja ndër mend.
     E pra, në fund të fundit, askush s’po më kërkonte shpirtin, por vetëm një produkt të tijin, që s’mundej kurrsesi ta varfëronte atë. Do ishte krejt e kundërta.
    Atë mbrëmje e mandej përgjatë gjithë natës, asnjë medikament s’mund të më vinte në gjumë. Isha e emocionuar, si një adoleshente në prag të takimit të parë. Ç’do të shkruaja? A do të isha në lartësinë e duhur? Ajo natë ishte kthyer në një natë polare. Kur do të mbaronte? Me zor po prisja agun.
    Në mëngjes doja të hiqja dorë nga rutina e përditshme, por nuk u çlirova dot nga kthetrat e pamëshirshme të kujdesit. Sapo ia dola mbanë, u gjenda fill te kompjuteri. Nuk ishte i ndezur. Për herë të parë, fytyra ime u përball me shëmbëlltyrën e vet, të paktën për aq sa mbaja mend. U dashurova menjëherë me të. S’ishte narcizëm, isha e lumtur dhe një njeriu të lumtur jo vetëm shëmbëlltyra e tij, por e gjithë bota i pëlqen. Nevojiteshin vetëm pak fjalë për ta përshkruar atë pasqyrim fytyre. Nuk të bënte ta veçoje mes shumë të tjerave: vezake, me tipare të rregullta, ku asnjë prej tyre nuk mbizotëronte. Ishin në harmoni mes tyre, jo vetëm proporcionalisht, por edhe ngjyrash: flokët, vetullat, qerpikët, të gjitha të kafenjta. Madje edhe ngjyra e fytyrës, pak ezmere, plotësonte kuadrin e harmonisë së plotë ose, të paktën, kjo ishte përshtypja e sapokrijuar. Por nëse e shihje më me vëmendje, të lindte dëshira të zhbiroje edhe më thellë. Do duhej shumë pak kohë, ngjasonte me një libër të hapur. Lexoje në të dhimbje, hezitim, shpresë, e mbi të gjitha, një dëshirë të madhe për të jetuar, për të ecur përpara, vetëm përpara. E dija që këto mendime mbushnin të gjithë qenien time, por as që e kisha idenë se më ishin ravijëzuar një tipar më tepër në fytyrë.
    Gjatë ndezjes, kur në ekran u shfaq Wellcome, e perceptova si një metaforë. Në atë çast, kalova nga të vegjetuari, te të jetuarit. Sytë i ndjeva tek përloteshin. I lashë të rigonin, ashtu siç iu shkonte për shtat vetëm atyre. Do vijoja rrugën time, siç më shkonte për shtat vetëm mua.
    Si fillim po përpiqesha të kujtoja ç’kisha shkruar në mendje përgjatë natës, por ato u fshinë sakaq, në një çast të vetëm, sikur pa dashje të kisha shtypur tastin delete. Emocioni më bënte të dridhesha lehtë. Prekja e tastierës më krijonte përshtypjen se po hyja në kontakt me një krijesë me shpirt. Secili nga tastet qe një krijesë më vete, që priste të merrte jetë. Nëse deri atëherë kisha bërë shumë zbulime, me siguri ky ishte më magjepsësi,- megjithëse më duhet ta pranoj se këtë përcaktim e kam bërë ca si shpesh.
    Kur shkruaja, asgjë e menduar më parë s’kishte më vlerë, ishte si të mos kishte ekzistuar kurrë. Madje mund të të duket e pabesueshme, por mollëzat ende të ngathëta të gishtave përcillnin ndjesitë, pa qenë nevoja që ato të kalonin përmes procesit të të menduarit. Sa keq, që mpiheshin aq shpejt! Aq shumë shkronja prisnin brenda tyre për t’u kthyer në fjalë! Pas çlodhjes, filloja sërish. Në të vërtetë, kohën më të madhe e harxhoja duke rilexuar e rishkruar. Kjo ishte disi bezdisëse për mua. Doja dhe duhej që gjithçka të ishte e arrirë.
    S’do mund të shkëputesha për asnjë arsye nga të shkruarit, por ajo ndjesi në stomak ishte rikthyer sërish, madje në një formë më të egër. Për fat të mirë, infermierja s’kishte kuptuar asgjë. Duhej të shtiresha sikur gjithçka shkonte mirë me shëndetin, nëse s’doja të isha sërish në spital, mjediset e të cilit mund t’u shkonte për shtat vetëm një përcaktim: të neveritshëm. Kjo nuk kishte të bënte thjesht me vendin, por me atmosferën e pakëndshme që perceptoja. Ankthi më mundonte më tepër, nuk më lejonte të merrja frymë. Përpiqesha me mish e me shpirt për të siguruar ekzistencën. Vdekja gjallonte gjithandej, si të ishte përcaktuar territori i saj.
    Për fat të mirë, tashmë serumet nuk ishin aq të pranishme dhe mavijosja në krahë po përhumbej. S’doja të bombardohesha më me barna, në asnjë lloj mënyre. Le të mbetej çdo shqetësim brenda meje. Isha bërë aq e fortë sa për të mbytur disa prej tyre pa shumë mundim, madje pa rënë në sy. U largova pa dëshirë nga reportazhi im. Drekova, pa uri dhe pa shije. Fatmirësisht, munda të zhduk ndjesinë e dhembjes dhe të boshllëkut brenda meje. Një proces i gjatë dhe bezdisës. Mendova se do të kishte qenë më mirë ta merrja një serum teksa shkruaja. Fundja, krahun e majtë s’e vija që s’e vija në punë për asgjë. Do pranoja çfarëdolloj mjeti apo pësimi, mjaft të vijoja me atë rehatinë e ëmbël, të cilën krijoja përreth dhe brenda meje kur shkruaja. Më në fund kisha gjetur diçka, që më krijonte mure mbrojtëse ngado. Për sa kohë të isha në mbretërinë e trillimit, as vdekja nuk do të mund të më afrohej.
    U desh pak kohë të kthehesha në vendin e mëparshëm, por shumë më tepër për t’u vënë në sinkron me atë që po shkruaja. Kjo është e vetmja bezdi dhe lodhje e gjithë procesit. Sapo sinkronizohesha, s’doja të shkëputesha më për asnjë arsye. Nuk kisha as lodhje, as mërzi, asgjë nuk më shqetësonte, gjithçka zvogëlohej para këtij procesi, madje kthehesha në një instrument. Sigurisht që ai,- kompjuteri,- gëzonte të drejtën ekskluzive të përdorimit. Edhe asaj bezdisjes, shumë shpejt besoja se do t’i gjendej kura. Isha pothuajse e sigurt.
    Në mbrëmje ndenja deri vonë. Të nesërmen duhej t’i jepja një dorë tjetër, kështu më pëlqente ta quaja redaktimin. Gjatë asaj nate, në ëndërr ose jashtë saj, lustroja dhe zbukuroja reportazhin. Në mëngjes duhej të ishte gati. Sikur të mund të ngrihesha vetë nga shtrati, do ta kisha mbaruar deri në agim. Kufizimet ishin të shumta, por mund të jetoja edhe me to. Më e rëndësishme ishte se po jetoja, kjo vërtet që po më jepte jetë.
    Të nesërmen, me përfundimin e ritualit të përhershëm, pasi zbatova me përpikëri regjimin ditor, iu riktheva punës. Më e shëmtuara hallkë e mëngjesit ishte pikërisht e ngrëna. Duhej të haja patjetër diçka, megjithëse s’doja as ta shihja pranë meje ushqimin. Tani kisha çështje të rëndësishme me të cilat duhej dhe mund të merresha. Më bënte mirë të mos e prekja zbrazëtinë, të mos kisha aspak kohë për të humbur duke menduar për praninë konstante të vdekjes gjithkund shkoja. Madje e merrja edhe me sportivitet: Ky vend është aq i bukur, sa edhe në sytë e vdekjes mund të duket i tillë.
    Ajo ishte sa mirëkuptuese në disa raste, aq edhe e rreptë në të tjera, një shartesë e mirëkuptimit pa kushte dhe kujdesit pa rrugëdalje. Nëse nuk haja, dhoma s’do të hapej. Ndaj duhej të konsumoja edhe gatimin më të pashijshëm, megjithëse  s’ishte aspak faji i tij, por i oreksit. Kjo kishte ndodhur që ditën, kur i isha afruar kompjuterit për herë të parë. Qysh atëherë gjithçka ishte venitur, duke e humbur plotësisht shkëlqimin dhe vlerën e mëparshme. Ndoshta kështu ndodh, kur bie vërtet në dashuri. Dhe mes nesh, kjo kishte ndodhur vërtet. Nuk më pëlqente aspak ta shihja veten teksa llastohesha për të ngrënën si një fëmijë tekanjoz. Vendosa ta shihja si detyrë apo detyrim, pa qenë nevoja jo të diskutoja, por as të lodhesha së menduari për të. Kisha humbur mjaft kohë, nuk do të ndodhte më. Ajo ishte tepër e çmuar për ta shpenzuar në mënyrë të tillë: për hiç mos gjë. Ishte hera e parë që më erdhi ndër mend, por sinqerisht them se më pëlqeu pa masë, si të isha ngjitur qysh atë çast më lart në shkallaren e kulturës gjithënjerëzore. Kjo e rriste vetëvlerësimin tim. Më bënte të kacavirresha më fort pas jetës.
    Rikthimi te reportazhi ishte mjaft frytdhënës. Në pjesën e intervistave bëra një autointervistë, një intervistë me infermieren apo, më saktë, me mjeken time dhe një tjetër intervistë surprizë me njeriun misterioz.
    Për të dija vetëm se këtë vend e konsideronte të shenjtë, ndaj e shfrytëzova këtë të dhënë: Ky vend është shpirti im, është vetë jeta ime. Ky vend është i bekuar me gjithçka të bukur e të magjishme.
    Te fjalët e mjekes shkrova: Këtu puna nuk mund të quhet e tillë, ajo kthehet në kënaqësi të vërtetë, në çlodhje.
    Te fjalët e mia: Ky është vendi ideal për të shëruar plagët e trupit dhe të shpirtit. Gjenden forcat për të rilindur, për të zhdukur lodhjen e për t’ia nisur sërish nga e para.
    Pak a shumë, këtë kisha shkruar, pasi sigurisht, pjesa e intervistave ishte më e gjatë.
    Përfundimi i reportazhit më bëri të isha e lumtur dhe krenare. Njëkohësisht, po më bënte të ndihesha e zbrazur nga qëllimi. Tashmë s’do të kisha më lajtmotivin për t’u zgjuar në mëngjes. E vështirë të gjeja një tjetër për të ecur përpara. Ndjesia e zbrazjes së përditshmërisë kthehej në shpirtërore, madje gati-gati edhe fizike. Ç’duhej të bëja? Hë për hë, të shijoja arritjen, më pas diçka do të më vinte ndër mend.
    Ajo u habit pa masë, kur pa se reportazhi ishte gati. E lexoi me një frymë. Prisja me padurim përshtypjet e lexueses së parë. Çfarë emocioni! Ndieja zemrën tek rrihte me vrull, si atëherë... Eh, nuk ishte çasti për kujtime të tilla. I kisha premtuar vetes t’i lija pas. Duhej, përndryshe as që kisha për të bërë një hap përpara.
     - Ky shkrim më ka lënë pa fjalë, je ti ajo që më ke lënë pa fjalë. Është thjesht... i përkryer,- tha e ngazëllyer, por sigurisht nuk ishte as publiciste, as kritike letrare. Nga ana tjetër, edhe unë s’isha duke pritur më tepër se një çmim inkurajues. Mjaftueshëm për ta ndjerë fluturimin mes resh gjithë atë natë. Ishte hera e parë që nuk u tremba nga ëndrrat, atë natë ato nuk ishin aspak të frikshme.
    Pyesja veten: Për çfarë do të shërbejë reportazhi im? Përsërisja pyetjen kush e di se për të satën herë, kur ajo hyri me vrull në dhomë. Nisur nga zbehtësia e dritës, qe shumë më herët se zakonisht. Ishte hera e parë dhe e fundit që e pashë me flokë të shprishur dhe me pizhame. Pamja e saj ishte përherë vetëm një hap larg përsosmërisë. Po të qe e lumtur, e linte përsosmërinë disa hapa pas. Me pizhame, me flokë të shprishur, por çuditërisht edhe tejet e lumtur. Patjetër, diçka jo e zakontë duhej të kishte ngjarë. Çfarë?
     - Duhet të zgjohesh menjëherë! Do shohësh diçka shumë, po shumë të rëndësishme. Më rrëmbeu bashkë me rrobat e gjumit, më vuri në karrocë dhe më hodhi një velenxë të hollë mbi supe e mbi gjunjë, siç vendoset e puthitet mbulesa mbi kolltuk. Por unë isha më shumë se aq, isha e lëvizshme, le të themi një kolltuk me rrota. Me urgjencën e një ambulance më zhvendosi në dhomën e kompjuterit. Sigurisht nuk ishte ndonjë festë me pizhame, ato bëhen zakonisht mbrëmjeve dhe jo ende pa zbardhur mirë. Bëhej fjalë për diçka tjetër, por s’dija se çfarë.
     Kabulli ishte sërish përgjatë dyshemesë. Kompjuteri ishte i ndezur, por ndryshe nga herët e tjera: i lidhur me internetin. Vetëm duke kaluar mbi kabull, arrita në vendin tim të parapëlqyer. Vetëm atëherë kuptova ç’ishte ai që gjarpëronte sa herë vjedhurazi meje e, më në fund, turpi i qe fashitur. Pra, ajo e konceptonte si një mollë të ndaluar për mua. Nuk ishte koha e duhur për të lodhur veten me arsyet që mund ta kishin çuar në marrjen e atij vendimi. Më vonë, do të kisha mjaft kohë të merresha me të gjitha çikërrimat e rastit. Ishte rituali i përhershëm. Në fund të fundit, edhe e papunë nuk mund të qëndroja.
    Pashmangshmërisht mendova për ndrojtjen e zhdukur. Ai qëndronte i shtrirë dhe pa drojë. Po përse sa herë punoja unë në kompjuter, ai kabull duhej të zhdukej nga dhoma? Megjithëse doja ta largoja tërësisht nga vëmendja, me sa duket, rezultonte e pamundur. Si nuk mundja të paktën një herë të harroja rrethinat e çështjes e të shkoja e çlirët drejt thelbit të saj? Të isha gatuar në një mënyrë kaq të pandreqshme?
    Në faqen e hapur lexova titullin e një reviste turistike “Horizonte shqiptare”. Kryeartikull ishte reportazhi im. I hodha një sy shpejt e shpejt dhe konstatova thuajse menjëherë, se mbi të nuk ishte përdorur aspak gërshëra e ndonjë redaktori të pamëshirshëm, madje edhe presjet ishin në vendet e tyre. Ndryshim kishte pësuar vetëm titulli, ishte pagëzuar: perla e fundit; nëntitull: një mrekulli në sytë e kujtdo. Po shijoja fotot ilustruese. Kuptova se gjithçka kishte qenë gati, pritej vetëm shkrimi.                  Përse dikush duhej të besonte kaq shumë në punën time, kur e para që nuk besoja, isha pikërisht unë? Detaji, i cili më ra në sy i fundi,t ishte mungesa e emrit të shkruesit. Në vend të tij ishte emri i një shoqate, e cila promovonte turizmin në zonat veriore të Shqipërisë. Vetëm në atë çaste kuptova, që nuk dija as emrin tim. Në fund të fundit, edhe sikur të mund të zgjidhja emrin më bukurtingëllues në botë, për mua nuk do ndryshonte asgjë. Sërish do mbetesha po unë.
    Ishte botuar shkrimi im i parë. Më shkaktonte një ndjesi të patregueshme me fjalë. Shkruaja për të përmbushur një detyrim, por edhe një dëshirë. Për asnjë çast nuk më kishte fluturuar mendja tek botimi, aq më pak të ishte kryeartikull. Kjo i përkiste së shkuarës. Botimi kishte sjellë një erë të re në jetën time dhe së bashku me të edhe dëshirën e madhe për të jetuar. Duhej të shkruaja, të ndieja kënaqësinë e botimit. Për emër as që më shkonte ndër mend, le të shkruanin çfarëdolloj shoqate, fondacioni, madje edhe çfarëdolloj emri tjetër.. Kisha nevojë vetëm të drejtohesha përpara, emri im vetëm më kthente pas.
    Këtë radhë, reagimi ynë ishte shumë më i përmbajtur se herët e tjera. Suksesi duhej shijuar qetësisht. Ajo theu heshtjen, e cila kishte ca që ishte bërë mbretëruese e atyre çasteve.
    - Ia dolëm mbanë! A nuk jemi një skuadër e madhe?- më tha me sytë që i shkreptinin. Kjo më bëri të ndihesha mjaft mirë. Ishte vetmia, ajo që më sfiliste më tepër, m’i bënte netët të pagjuma. Për mua, të bëhesha pjesë e skuadrës, do të thoshte të shihja të ndezur dritën jeshile drejt braktisjes së saj. Ja pra, në fund të tunelit po dukej një rreze drite, një rreze shprese. Sytë thuajse u përlotën. Nuk kisha gjetur kohën e përshtatshme për sentimentalizma. Si skuadër mund të ndërmerrnim sfida të tjera. Isha sërish e aftë për të marrë mbi vete përgjegjësira.
    - Cila do të jetë sfida e radhës?
    - Kjo do të jetë me rëndësi jetike,- tha ajo, ndërkohë unë isha bërë tërë sy e vesh.
    - Sfida e radhës do jetë ngrënia e mëngjesit,- shtoi ajo.
    Ishte vetëm një shaka, e cila më kishte bërë më kot të krijoja iluzione. Nuk kundërshtova, më duhej patjetër të ushqehesha. Ajo ndjesi e shëmtuar, që lindte nga uria, sapo kishte nxjerrë krye dhe i duhej prerë sa më shpejt dhe me vendosmëri, sepse zotëronte aq forcë, sa të më shkatërronte. Por nuk mund të them se më pëlqeu edhe humori i saj. Kishte tek unë po atë ndikim si edhe barnat, me përparësinë e padiskutueshme që nuk kishte asnjë efekt anësor.
    Ngrënia e mëngjesit nuk kishte qenë asnjëherë aq e këndshme, derisa ajo, për herë të parë, në praninë time mori një telefonatë. U përflak si e zënë në faj dhe u ngrit nga tryeza. Telefonata zgjati disa minuta, por unë s’u mërzita aspak. Po dehesha nga lumturia e suksesit tim. Mund ta shijoja fare mirë edhe vetëm. Nuk doja ta pija me fund, me gllënjka të vogla do të zgjaste më tepër, do të më shijonte më shumë.
    Dukej sheshazi, që hezitonte të niste bisedën. Më në fund tha se mirëbërësi ishte tejet i kënaqur me reportazhin, më falënderonte shumë dhe tani s’isha më e detyruar të shkruaja për të, as për atë vend. Më falënderonte dhe më përgëzonte përzemërsisht për punën e mirë që kisha bërë dhe përkushtimin e treguar.
    Ishin aq të përzgjedhura ato fjalë - ndaj të cilave unë po tregohem e kujdesshme për të mos i riprodhuar si në origjinal - sepse nuk më pëlqen aspak të kaloj tej kufirit të modestisë,- saqë më dukej se ishte fjalimi i Presidentit të Republikës në ndonjë ceremoni dekorimi, apo dhënie çmimi të rëndësishëm ndonjë shkrimtari pas vdekjes.

No comments:

Post a Comment