Monday, January 8, 2018

Te jetosh pergjysme

Hapat e parë                 Kapitulli IV



     S'di sa herë lindi, sa herë u përflak e sa herë perëndoi dielli, derisa iu desh të ngrohte dorën time të djathtë. Në fillim mollëzat e gishtave e më pas ndjesia, së bashku me ngrohtësinë, u ngjit më lart,
ngadalë-ngadalë deri te kyçi i dorës. Isha aq e lumtur, sa doja edhe më. Doja të mund të flisja, madje të thërrisja fort. Le të dëgjonin kreshtat e maleve e deri te milingonat thuajse të padukshme, që endeshin pa u ndalur nën karrocën time. Të paktën, ajo duhej të ishte aty për të më parë.
     Forca e mendimit e solli info-gazetaren time pikërisht atëherë kur duhej. E nuhati menjëherë gjendjen time emocionale jo të zakontë. Më pyeti nëse ndihesha mirë. U Habit, kur s’i bëra shenjën pohuese të zakonshme. I tregova me sy dorën e djathtë. Ajo diçka kuptoi, më preku me duart e saj dhe unë i ndjeva ato të lehta e të buta mbi dorën time.
     Dora ime çlodhej nga masazhet e gishtërinjve të saj. Sa herë e kishte bërë këtë veprim, i cili ishte kthyer në ritual që përsëritej brenda të njëjtës ditë! Por ishte hera e parë që e ndieja. Ç’ndryshim i madh në perceptimin mes shqisave të ndryshme! Jo më kot natyra i kishte krijuar që të gjitha. Sytë më riguan lot, të sajtë ndoqën menjëherë shembullin e të mive. Munda t’i lëviz gishtat lehtë, të cilët mrekullisht s’i ndieja më të mpirë.
      Ajo s’dinte ç’të bënte më parë. Kërcente në ajër, më përqafonte, klithte, thërriste, bënte çdo veprim që do doja ta bëja unë në ato çaste, por s’mundja. Dëshirat e mia i pashë të sublimoheshin plotësisht. Pikat e lotëve, që kishin rënë, shkëlqenin si gurë të çmuar mbi prehrin tim të pajetë. Ajo vazhdonte të mos ndryshonte festimet e saj, vetëm se i kombinonte në mënyrë të çrregullt. Mund të ushtronte cilindo profesion, ishte tejet e talentuar në mjaft fusha, ama si koreografe ishte një dështim i vërtetë.
     Kushdo që ta shihte, do të mendonte se kishte fituar ndonjë lotari. Kur filloi të zotëronte disi veten, m’u afrua dhe nuk po fliste, derisa frymëmarrja u qetësua sa për të filluar bisedën. Nuk u ndjeva mirë vetëm nga përmirësimi fizik, me sa dukej, marrëdhënia jonë ishte forcuar edhe më tepër.
     - Ky është një nga çastet më të lumtura të jetës sime profesionale, por jo vetëm. Tashmë lidhja jonë nuk është thjesht mjeke-paciente, por një lidhje njerëzore, së cilës s'kam dashur kurrë t’i vë etiketë.
     As unë s’isha përpjekur ndonjëherë ta etiketoja lidhjen tonë, ama nga ana ime, mund të shihej si varësi, megjithëse ajo zotëronte mjeshtërinë që më bënte të besoja, se isha krejt e pavarur. Po përse e kishte quajtur veten mjeke? Të ishte me vërtetë? S’isha orvatur ta përfytyroja në një pozicion tjetër veç atij të infermieres. Në të vërtetë, as që kisha menduar ndonjëherë për të veçmas, të shkëputur prej nevojave të mia. E gjithë marrëdhënia jonë ishte përqendruar në këtë pikë. Për herë të parë- ndoshta edhe të fundit- më ishte dukur vetja tejet egoiste. Të vetmin njeri që kisha pranë, as që kisha marrë guximin të përpiqesha ta kuptoja më shumë apo të paktën, ta njihja ca më tepër. Sërish, nuk m’u duk një arsye e fortë për të prishur humorin, pasi kisha kohë të ndreqja gjithçka. Si gjithnjë, koha nuk më mungonte, edhe më mirë, nëse e mbushja me gjësend. Keqardhja nuk mund të ma zotëronte shpirtin, nuk kisha për ta lejuar.
     Ishin nga çastet më të lumtura të jetës sime, duhej t’i shijoja plotësisht. Ajo u shkëput prej meje dhe shpejtoi të fliste në celular, sikur të kishte ndonjë urgjencë. Po ajo shprehje fytyre, po ajo ngutje, po ajo vendosmëri. S’gabohesha jo, gjithçka ngjante me atë ditë, me ditën që u zgjova. Përse ajo kishte ngut të telefononte, posa më ndodhte diçka e rëndësishme? Mandej më lindi një tjetër pyetje: Kë telefononte ajo? Sapo kishin lindur dy përse binjake në mendjen time. Me lindjen e tyre kishte vdekur edhe qetësia, mundësia për të qenë në mos e lumtur, të paktën e qetë.
     Sapo kisha djegur mundësinë e parë të shkëlqyer që kisha për të festuar hapat e parë të përmirësimit tim të ngadaltë, por të sigurt. Me sa dukej, gëzimi dhe lumturia ishin të detyruar të vdisnin të sapongjizur në jetën time. Para së gjithash, ishte më e vështirë të pranoja, se shkaktarja e vetme për këtë isha unë, vetëm unë. Këtë herë të paktën pata guximin. Ajo që do të bëja në ditët më pas, nuk më bën të ndihem edhe aq krenare. T’ia hedhësh fajet dikujt tjetër - pa folur në është apo jo etike - herët a vonë, të bën ta ndiesh disafish peshën e tij. Sidoqoftë, mund të them se më se një herë kjo më bëri të shkundesha nga ndjesitë torturuese të vetakuzimit dhe më lehtësoi,- megjithëse kohë më pas do të kisha mbi supe peshën e gjithçkaje, por sidoqoftë, u përpoqa ta kaloja sa më lehtë.
     Ja ku isha sërish e detyruar të krijoja lidhje mes realitetit të njëmendtë dhe atij të supozuar, por s’dija në ç’raport  vendoseshin ata në të vërtetë. Gjatë gjithë asaj kohe s’kisha parë asnjë të vinte për ta takuar. Duke menduar, po kujtoja se si çdo mëngjes gjithçka prehej paqësisht në vendin e vet. Çdo ditë në shtëpi mbizotëronte një rregullsi e arrirë. E megjithatë, kisha qenë tërësisht e gremisur në grackat e magjishme të peizazhit. Ky ishte një detaj, të cilin s’e kisha analizuar asnjëherë. Si nuk e kisha menduar më parë? Duhej patjetër të zbuloja diçka. Ç’më kishte fshehur tjetër? Vetëm atëherë nisa të grishesha përbrenda. Doja të mos flija gjithë natën për të zbuluar ç’po ndodhte aty, por misioni qe i pamundur, mjekimet më vinin në gjumë të thellë, saqë s'mund të shihja as ëndrra, jo më të zbuloja diçka. Sa për ëndrrat, isha e lumtur që s’shihja më apo, të paktën, e qetë. Isha tepër e lodhur për t’i përballuar, për të tjerat…
     Peizazhi qe po ai, por s’po e shijoja më. Koka më ishte mbushur me pikëpyetje dhe përse. Sikur të mundja edhe një herë të shijoja po atë peizazh! Të mundja të paktën të ledhatoja ndjesitë me aromën e zambakut. Përmirësimi i vetëm ishte ai fizik. Çdo ditë dora fitonte betejën e
saj. Tani e ndieja ngrohtësinë e diellit deri në bërryl dhe gishtat i lëvizja më tepër.
     Asgjë s’kisha zbuluar. Mendimet më ishin pështjelluar. S’mund të qëndroja më askund paqësisht. I kisha vënë vetes detyrë se diçka duhej të bëja. Por çfarë? Nuk kishte rëndësi çfarë, thjesht duhej të merresha me diçka. Unë mundesha!
     S'e kisha matur kurrë kohën e s’mund të them sa zgjati. E vetmja gjë që di është se u lodha duke menduar si hetuese. U lodha së ndenjuri vetëm, pa komunikuar asgjë. Ajo që më çuditi më tepër, ishte se përpos një liste të madhe mërzie e bezdisjeje, në kryeradhë qëndronte uria. Po, po, uria, me të cilën kujtoja se isha divorcuar përfundimisht. Përgjatë gjithë asaj kohe, mendova se ajo ishte panevojshme. Serumet e shumta ishin kthyer në ushqimin tim. Jeta sedimentare kishte gjithashtu ndikimin e vet. Nëse isha duke bërë jetën e një peme, atëherë edhe nevojat për t’u ushqyer, do të ishin të limituara. Urinë s’e kisha parë asnjëherë dhe askund, mendova se ishte arratisur prej meje, së bashku me kujtesën. Duke qenë e zbrazët, brenda meje s’kishte më asgjë që të mundej të më sillte dhimbje. Zotëroja virtytin e të mos menduarit për asnjërën prej të dyjave.
     Këto arsyetime s’e luftonin dot urinë, e cila sa vinte e kthehej në një shqetësim fizik, që rritej në mënyrë të vazhdueshme. Pozitivja ishte se mund të shuhej thuajse plotësisht, pasi të haja, si ta shumëzoja me zero. Pra, nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar në gjithë këtë. Mund të ishaduke e parë me largpamësi, por problemi qëndronte fare pranë. Eliminimi i shpejtë i tij ishte zgjidhja e vetme.
     Duhej patjetër të bëja diçka, por s’dija çfarë. Mbi të gjitha, s’mundja. Kështu kishte qenë përherë. I vetmi veprim që mundja dhe e bëja vazhdimisht, ishte pritja.
Duke kujtuar përditshmërinë, zbulova diçka, e cila, në të vërtetë, s’kishte qenë kurrë e fshehur. Ajo s’më kishte lënë asnjëherë të mërzitesha në pritje të saj. Zbulimi dytë ishte edhe më i rëndë për ndërgjegjen time: s’kisha bërë kurrë përpjekje për t’u përmirësuar e për t’u bërë e pavarur. Përmirësimi i vetëm fizik kishte ardhur natyrshëm, s’kisha absolutisht asnjë meritë në atë mes. Përherë i pëshpëritja
vetes, se mundesha, por mbetej me aq, asnjë veprim konkret s’kisha ndërmarrë. Ishte koha! Gishtat tani i ndieja më të fortë, ndoshta ishte vërtet koha t’i hidhja në sulm.
     Me vështirësi munda të heq siguresën e karrocës. Sa herë e kisha ndjekur me sy këtë veprim! Ajo nisi të zbriste lehtë përgjatë ultësisë së liqenit. Ndjeva të më rrihte zemra aq fort, sa mend po dilte nga kraharori.
      Sa herë i kthehem atij çasti, mendoj se ishte vendimtar në jetën time. Ai çast më bëri të lidhesha edhe më fort me jetën, të kacavirresha më shumë pas shpresave, të mbështetesha më shumë në energjitë e mia. Nga ky çast vendosa, që çdo ditë duhej të luftoja për terrene të reja. Kjo më pëlqente, por më shumë më intrigonte. Do kisha më në fund një qëllim për të arritur, më pas një arsye për t’u krenuar. Duhet të pranoj
se krenaria në karakterin tim është në doza relativisht të larta dhe më bën të ndihem mjaftueshëm krenare.
     S’di ku e gjeta atë forcë. Me siguri, ajo ishte mbledhur prej kohësh, iu desh veç një rast për t’u shfaqur në gjithë plotërinë e saj. U përpoqa, por as më erdhi ndër mend ndonjë aparaturë që mat energjinë potenciale në trupin e njeriut, as ndonjë formulë për llogaritjen e saj nuk munda të kujtoj. Për diçka binda veten atëherë dhe vijoj të qëndroj në po të njëjtën linjë mendimi. Ajo është përherë një hap përpara çfarëdolloj parashikimi, qoftë edhe më optimistit. Duhet vetëm të dish ta zgjosh, ngadalë, si të qe një krijesë delikate dhe ta shohësh teksa merr jetë, ndërsa vetë ajo të të shohë teksa ti merr krahë.
     Fillimisht, munda ta ndal karrocën me vendosmëri. Beteja e parë tashmë ishte fituar. Mbetej e dyta, të zhvendosesha pas. Ndjenjat ishin pështjelluar aq shumë. Përjetoja njëherësh krenari, lumturi dhe, për herë të parë, kuptova se kisha fituar një farë pavarësie. S’u lumturova aq shumë nga kjo fitore, lakmueshëm nisa të ëndërroja të radhës. Betejë pas beteje, qëllimi final ishte të fitoja luftën. Kjo do ishte pavarësia ime e plotë. Do t’ia dilja të ecja përpara… vetëm përpara.
      Duke e zhvendosur karrocën me shpejtësinë e një kërmilli, ëndërroja ta prekja finishin si breshka, e cila vetëm në saje të vendosmërisë sfidoi lepurin e shpejtë, por fodull. Ngjitjen e karrocës deri në lartësinë e vilëzës e shihja si fluturim mes resh. Ëndrrat me sy përgjysmë, as hapur e njëkohësisht as mbyllur, s’kishin qenë kurrë aq dehëse.
     Kur kalova pragun e derës, u ndjeva sikur kisha hyrë në një kështjellë. Pashë një derë të hapur dhe u drejtova për atje. Ajo ishte aty, përpara një kompjuteri. Në të vërtetë, kushdo që do ta kishte parë, siç e pashë unë, do të thoshte se ishte bërë njësh me të, madje kishte hyrë brenda tij.
     Sapo më pa, fiku kompjuterin shkujdesshëm, siç fiket një televizor, kur telekomanda është zhdukur nga horizonti. Të linte përshtypjen se aty ishte paraqitur ndonjë urgjencë. Karroca ime ngeci në grackën e një kabulli të gjatë, i cili gjarpëronte përgjatë dyshemesë. Ajo mbeti pa fjalë. S’arrinte të materializonte asnjë mendim të plotë. S’hidhej më në ajër si herën e shkuar, por qëndronte e mpirë. Lëviza lehtë karrocën para-mbrapa dhe i buzëqesha. Më në fund ajo zotëroi veten dhe u përkul pranë meje. Më tha një lumë me fjalë të ëmbla, por s’mbaj mend asnjërën prej tyre, pasi s’dëgjova absolutisht asnjë. Shihja vetëm kompjuterin, i cili, si për çudi, kishte një forcë magnetike për sytë e mi. Ëmbëlsinë e fjalëve ma përcillte zëri melodioz. Pasoi një valë e tërë përqafimesh, e cila u ndal për t’i lënë radhën të folurës në celular. Ky ritual, që herë- herë e kujtoja dhe lodhesha për ta kuptuar, këtë radhë më la krejt indiferente. Tanimë, pikëpyetjet kishin marrë një tjetër drejtim. Isha unë, që tashmë kisha hyrë përtej.
     Kompjuteri! Ç’lidhje kisha pasur me të? Më dukej se diçka kisha nisur të kujtoja. Duhej të kishte qenë mjaft i rëndësishëm në jetën time. Ndjesitë ishin si të më ishte kthyer kujtesa. Shihja gishtat të më rrëshqisnin mbi tastierë. Mbeta e hutuar për një kohë të gjatë. Vegimi ishte si një film me metrazh të shkurtër. Përpiqesha, sforcohesha të kujtoja më tepër, por fatkeqësisht i vetmi imazh ishte ky.
     Sa të shkathët ata gishta! S’kishin asgjë të përbashkët me gishtat e mi. Duhej të përpiqesha t’i shkathtësoja patjetër. Po si? Hoqa dorë nga përsetë. Domosdosmërisht, gishtat e mi do të bëheshin si në imazhin magjepsës, që më qe fanitur më parë. Gjithë ajo energji e fjetur prej kohësh brenda meje, ngutej në pritje të zgjimit.
     I ngrohja gishtat nën rrezet e diellit dhe i lëvizja ritmikisht. Mbyllja sytë dhe i shihja të rrëshqitnin lehtë mbi tastierë. S’mund të ishin dot të dhjetë si në imazhin e parë, ama edhe pesë apo një i vetëm mund të formonte fjalë, të krijonte fjali, të ndërtonte fraza. Kur të realizoja këtë ëndërr, mund të kumtoja mendimet e mia, por dhe të shprehesha, ashtu siç s’mbaja mend të kisha bërë ndonjëherë, ama siç e kisha ndier të nevojshme përherë. Gjithçka që më vinte ndër mend ishte tërësisht ndjellëse, dehëse dhe lehtësisht e
madje plotësisht e realizueshme. Më në fund kisha shpresë për të kaluar nga komunikimi joverbal, në atë verbal. Asnjë evolucion nuk ndodh menjëherë e as rastësisht. Mua s’më mungonte as koha, as   dëshira e këmbëngulja.
     Një ditë, me një buzëqeshje në fytyrë, ajo më ftoi ta ndiqja pas. Më drejtoi për nga dhoma, e cila përherë qëndronte e mbyllur. Ishte pikërisht aty, ku herën e shkuar kisha parë kompjuterin. Sapo hyra, vura re një ndryshim: kabulli s’ishte më. Ku të ishte? Përse ta kishte hequr? S’kisha kohë
për përgjigje, por as për të shtruar pyetje të tjera, kisha hyrë në fushën magnetike të kompjuterit. Ai s’kishte vetëm forcë tërheqëse për të më ndjellë pranë, por edhe shtytëse. Të gjitha mendimet e tjera ikën, sa hap e mbyll sytë. Ajo e ndezi, duke mos fikur as buzëqeshjen e saj të përhershme. Mori tastierën dhe ma vendosi mbi gjunjë. M’u krijua ndjesia e ndjeshmërisë edhe në këtë pjesë të trupit. Ishte ndoshta po ajo ndjesi që provon një mama, kur merr në prehër fëmijën e saj për herë të parë. Magjike në të përjetuar, me shumë firo në të rrëfyer.
     Në fillim lëviza me kujdes e ngadalë parakrahun, duke vënë dorën mbi të. Sakaq, ajo ishte larguar. Na kishte lënë vetëm. Ishte si të takoja një mik të vjetër, nga prania e të cilit isha privuar prej kohësh. Madje, lidhja mes nesh ishte edhe më e thellë se aq. Besova, se po më kthehej një pjesë e vetvetes, nga e cila isha ndarë jo me dëshirë. Nuk e kuptoja përse vinte,  por as që u përpoqa më. Tashmë nuk isha më vetëm.
     Në këtë takim, koha u bë sërish e pamatshme. Më fekste ideja se jo rrallë kisha qenë pranë takimit me amshimin, ndërsa tani e kisha prekur vërtet, kjo ama kuptohet, vetëm në lidhje me kohën. S’kishte ingranazh në botë, që t’i bënte akrepat të ecnin në ato çaste. Shkëputa lidhjet me gjithçka tjetër, për t’i mbajtur të përqendruara vetëm me të. Atëherë s’kërkoja asnjë përse, ishte koha të drejtohesha nga ndjesitë. Sa e çlirët isha, kur bëhesha preja e tyre! Vetëm se kjo nuk mund të zgjaste për shumë kohë. Nisja sërish të vendosja ngado ato muret ndaluese, të cilat jo vetëm që herë-herë më tmerronin me praninë dhe madhështinë e tyre, por më bënin edhe të pendohesha, nëse ndonjëherë kisha shkuar përtej, qoftë edhe pa dashje.
    Nisa të shkruaja dhe zbulimi qe befasues. S’kisha nevojë ta shihja tastierën. Gjithçka ishte ruajtur në mendjen time. Pyetjet, të cilat s’lindën në atë kohë, për faj të magjepsjes së çastit, më vijnë tani vrullshëm. Si mund të mos kujtoja asnjë fytyrë, asnjë zë apo pamje nga jeta ime e parë, kur në të njëjtën kohë kisha të arkivuar edhe karakteret e dyta, madje edhe të tretat për secilin tast të tastierës? Lidhja me kompjuterin të kishte qenë aq e madhe, aq e fortë, sa kapërcente kufijtë e të nevojshmes, të fizikes dhe të kishte mundur të kthehej në shpirtërore? Për këtë nuk kisha asnjë përgjigje të plotë, madje as ndonjë sakate të pajisur me shpjegim pjesërisht logjik. 

    S’isha duke shkruar me ndonjë kuptim, as me ndonjë qëllim të veçantë. Autocensura ishte zhdukur, kishte
vdekur. Ndihesha aq e lirë! Më në fund, mund të shprehja diçka me fjalë. Duhet të më kuptosh. Sa e vështirë kishte qenë për mua! Në librin e mendjes, faqet e boshatisura prej kujtimeve i kisha mbushur me fjalë të pathëna,- s’mund t’i artikuloja,- të cilat i kisha gdhendur jo pa mund. Ato i ngjanin një palimpsesti, në të cilin nëse doja të shkruaja, më parë duhej të fshija diçka tjetër. Përpiqesha për t’i mbajtur
mend të gjitha, ose të paktën një pjesë të mirë të tyre, por ishte e pamundur për t’u realizuar. E shkuara - e kam fjalën p
ër atë të afërmen - shpesh më rikthehej në mendje sekuenca - sekuenca. Jo në pak raste, ngushëllohesha në strehën e atij mendimi, i cili më thoshte se kjo ishte e përkohshme.
     S’më mungonte vetëm fjala, por edhe shenjat ishin mjaft të reduktuara. Në komunikimin me sy a dorë vetëm mund të pohoja ose mohoja. Kisha aq shumë kohë pa shprehur së jashtmi ndonjë lloj ndjesie, apo emocioni. Perceptoja se isha bërë pjesë e evolucionit, ndërsa ai, shkaktari për humbjen e nocionit kohë. U ndjeva sërish si ditën kur lëviza karrocën për herë të parë. Çuditërisht kisha uri. Ishte aq e fortë, sa më bëri të ndahesha nga gjysma tjetër e imja. Ndarjet janë përherë të trishtueshme.
     Sapo ia kisha dalë të shuaja urinë e tërbuar, u ktheva sërish. Ajo u tregua e matur, si gjithmonë. Atë çast, ishte aty dhe s’ishte në çastin pasardhës. Sikur të gjithë njerëzit ë ndiqnin shembullin e saj! Kjo botë do të kishte shumë më tepër qetësi shpirtërore e lumturi.
     Për disa ditë kisha të njëjtin regjim ditor. Shijoja ëmbëlsinë e arritjes së vogël që kisha bërë. Kjo më bënte të ndihesha më e madhe se më parë. Në mungesë të ndonjë
qëllimi madhor, të paktën kisha me se të mbushja ditët e mia të zgavruara plotësisht nga zbrazëtia.

No comments:

Post a Comment