Nisma Kapitulli VI
Kisha kryer gjithçka më ishte kërkuar. Ishte koha
të bëja pyetjet më ekzistenciale. Ç’do të bënin me
mua tani që nuk u nevojitesha më? Mos do të më
flaknin tutje? Duhej një ide mjaft e shpejtë nga ana ime, në
mos për ta përmirësuar, të paktën për të mos përkeqësuar
situatën. Duhej të bëhesha e dobishme, por vetëm shkrimi
mund të ishte një i tillë. Atëherë, në sulm!
Vendosmërisht do të ndërmerrja një nismë tjetër
letrare, pa pyetur për llojin a nënllojin e tij, thjesht duhet
të shpëtoja veten nga mbytja, e cila më rezultonte e
pashmangshme. Shpenzova orë të tëra në kërkim të një
ideje ngacmuese, por truri ishte kthyer në një limon të
shtrydhur, ku asnjë bulëz nuk pikonte.
Koha u bë e çuditshme, rënduese, e pashpirt. Gjithkush
mund të përdorë fjalët: mat kohën, por këtë e bën shumë mirë
ora, ndërsa të peshosh kohën, të ndiesh rëndesën e saj është
një përjetim i tmerrshëm. Kurrkush nuk mund ta bëjë, pa i
rënduar keqas në shpirt. Të të rëndojë koha, do të thotë të të
rëndojë jeta, sepse ajo përbëhet prej kohës. Ndihesha e mbytur,
fundosesha gjithnjë e më tepër. Përqark nuk shihja asnjë
dorë të zgjatur drejt meje. Sytë nuk mund t’i mbyllja, ende u
frikësohesha ëndrrave. Ajo ditë qe sfilitëse, as që denjonte të
mbaronte. Kishte diçka krejt të panatyrshme të përfshirë në
këtë atmosferë, teksa pyesja veten më kot: Çfarë? Përse?
Dielli me perëndimin e tij e kishte përflakur liqenin. Për
një çast, para syve të mi u shfaq një flakë çoroditëse. Ajo
e përpinte me fund ujin në liqen, çuditërisht ishte ende e
pangopur, gllabëronte edhe basenin e tij. Ngado shihje gjak, sikur liqeni të qe një gjallesë. Papritur, vendin e tij e zuri
mosgjëja. Ishte aq e uritur ajo qenie e padukshme dhe e
paemër, saqë do të merrte edhe shpirtra njerëzorë. Por a do
të mundte vallë ta shuante plotësisht urinë? Kjo ishte pamja
më e egër për sytë, më ekstremja për cilëndo imagjinatë.
Zgjati vetëm pak sekonda, por mjaftonte për t’u sistemuar
në mënyrë të përhershme dhe vrastare brenda meje.
Ende më mundon ai imazh, megjithëse e di që nuk është
i vërtetë. Sorollatet në skutat e kujtesës sime, pa mundur të
më kthejë pas, por herë-herë duke më penguar për të ecur
përpara. Të paktën nuk jam e detyruar të mbart me vete një
shumësi imazhesh të tilla, do të ishte krejt e pamundur të
duroja peshën e tyre.
Ajo natë kaloi pa vënë gjumë në sy. Në mëngjes isha e
lodhur, por jo e përgjumur. Pasi i dhashë fund detyrimeve
të përditshme, nisa të shkruaj. Pa menduar shumë çfarë,
thjesht materializoja mendimet e mia në fjalë. A nuk është
ky funksioni i gjuhës? Faqet mbusheshin njëra pas tjetrës,
gjithçka rridhte natyrshëm dhe unë shkarkoja mbi fletë
gjithë tensionin tim, ankthin, frikën, fobinë, makthet. As që
guxoja të lexoja atë që sapo kisha shkruar. Ndoshta ato radhë
nuk duhej të lexoheshin prej askujt. Ndihesha plotësisht e
përfshirë, e mbytur në atë që bëja, por ajo ndjesi e përhershme
më shkëputi prej saj, duhej patjetër të haja diçka. Po si vinte
pikërisht në çastin që i hyja punës në të thella? Sikur të ishte
krijuar enkas për mos të më lënë të punoja e qetë. Pa dyshim
që mekanizmi psikologjik është shumë i vështirë për t’u
kuptuar nga ne. Si mund të arrijmë në thelbin e tij? Isha e
bindur se kishte të bënte me ndonjë faktor të këtij mekanizmi,
por nuk isha në gjendje ta përcaktoja me saktësi. Sidoqoftë,
e shpërfillja me aq sa mundja. Kur bëhej më e fortë se unë,
shkoja ta shuaja me ndihmën e ushqimit.
Infermierja kishte përgatitur tryezën jashtë, buzë liqenit.
Ishte aq bukur, aq qetësi, por sërish nuk mund të bëhesha
njësh me të. Sido që të ishte, mund të çlodhesha, sadopak. Ajo sajonte biseda të ndryshme, në përpjekje për t’i bërë
sa më të këndshme ato çaste. Por unë thuajse nuk isha
aty. Mezi prisja t’i rikthehesha të shkruarit. Për të, kisha
të njëjtën domosdoshmëri urgjente, si edhe për të ngrënët
kohë më parë. Me sa dukej, po bëhesha tekanjoze vërtet.
Rinisa shkrimin. Kisha shndërruar ato faqe në një thes
me rërë, ku shfryja gjithë mllefin tim për jetën. Koha ecte,
por tashmë më kalonte tangjent. Nuk interesohesha më aq
shumë për të, tashmë kisha përvetësuar artin e shpërfilljes.
Gjendesha jashtë saj. Po, po, kështu ndihesha në ato çaste,
jashtë kohe, jashtë gjithçkaje tjetër, madje isha izoluar
tërësisht nga e gjithë bota. Ironike! Të thuash se je jashtë
kësaj bote, por të shkruash pikërisht për të. Edhe atëherë,
kur bën përpjekje të dëshpëruara për t’u përvjedhur e
arratisur, je brenda saj. Të duket se je thjesht një peng, që
i përket. Nuk duhet të bësh gjë tjetër, veçse të bindesh,
nëse jo, atëherë thjesht do të rëndosh edhe më keq situatën
në të cilën ndodhesh. Pavarësisht të gjithave, në çastet që
shkruaja, isha aq mirë, sa më dukej se shkëpusja çdo lloj
lidhjeje me realitetin, por jo vetëm me të, edhe me planetin
tokë. Ishte si të ndodhesha përkohësisht mes resh. Një
ndjesi thjesht dhe tërësisht magjike.
Deri në mbrëmje shkrova pa u ndalur dhe në fund
ndihesha shumë më mirë. Atë natë ëndërrova gjatë. Por ajo
që më ndodhi, ishte më e bukur se cilado ëndërr. Ndjeva
gishtat e dorës së majtë. Ishte një ndjesi e patraskriptueshme
në fjalë. Kjo më mbushi me optimizëm. Po fitoja ndjesinë
e një vendi tjetër në hartën e trupit tim. Ishte vija në të
cilën do vendosej starti i ri. Të kishin provuar po ato ndjesi
konkuistatorët për shekuj me radhë? Për herë të parë iu
dhashë të drejtë të plotë. Po shihja një rreze shprese. Isha
ende tepër larg, ama e vendosur të ecja drejt saj, deri në
hapin e fundit, deri në frymën e fundit.
Sa herë kisha ëndërruar, më kishte dhënë forcë! Kur
realiteti bëhej mbytës, strukesha tek ëndrrat. Kur këto të fundit më trembnin për vdekje, përplasesha me forcë pas
realitetit, duke arsyetuar se ëndrrat nuk kishin asgjë të
përbashkët me të, thjesht përfaqësonin diçka të kotë e të
pavlerë. Emëruesi i përbashkët ishte kapja pas gjithçkaje
pozitive dhe shpresëdhënëse. Kur ajo mungonte, nuk
mund të bëja gjë tjetër, veçse ta krijoja. Çdo njeri, i cili do
vërtet të jetojë, patjetër duhet të kapet fort pas diçkaje,
përndryshe s’do të shkonte askund, mundet vetëm të
mbytet, të fundoset. E nëse do ta quanin të marrë, do bënte
mirë të mos dëgjonte. Për të qenë në jetë, duhet të pranosh
çdo lloj kompromisi, me të dhe për të.
Në këtë mënyrë, unë munda të mbijetoja përgjatë asaj
kohe. Nuk e kam fjalën për mbijetesë fizike, ajo është ku e
ku më e lehtë dhe e parëndësishme.
Të nesërmen në mëngjes dorën e ndjeva edhe më tepër,
por vendosa që infermieres, mjekes, të mos i thosha asgjë.
Edhe ajo më kishte premtuar të më tregonte më tepër për
jetën time të mëparshme, por unë, as për këtë erën e re të
cilën po jetoja nuk isha e qartë. I pëlqente tek më shihte
mes mugëtirës, përse duhej të isha unë që të veproja
ndryshe? Tek e fundit, megjithëse mund të duket absurde,
ishte jeta ime, kështu që ndonjë vendim, qoftë edhe fare të
parëndësishëm, mund ta merrja edhe e vetme.

No comments:
Post a Comment