Zbulimi Kapitulli X
Ishim në muajin gusht. Ditët jashtë dukeshin të
nxehta, ndërsa aty brenda kondicioneri të bënte të
shkëputeshe nga realiteti i jashtëm. Bota ishte aq
e madhe, sa edhe e vogël. Për mua, nuk kishte më aspak
rëndësi se ç’ndodhte atje jashtë, në botën e madhe të të
tjerëve, atë natyralen. Bota ime ishte e gjitha aty, përreth
dhe brenda meje. E veçuar, tërësisht e izoluar, megjithëse
përfshihej tek e madhja. E kushtëzuar prej meje dhe e
ndërtuar pothuajse aq artificicialisht, sa edhe freskia
pranverore në dhomë. Aty shkriheshin ditët e mia.
E kisha bërë zakon të shkruaja mbrëmjeve deri vonë,
ndërsa kohën nuk e ndieja më, ajo kishte javë që fluturonte.
Doja të shfrytëzoja maksimalisht ndjesitë në këtë periudhë të
jetës. Romane vërtet kisha shkruar me qindra,- ndoshta në të
ardhmen do të shkruaja po aq,- por sigurisht nuk do kisha
më rastin të përjetoja aq lumturisht të qenurit shtatzënë, të
pasurit e një jete brenda jetës sime, brenda trupit tim. E
pathënë ndoshta kurrë mjaftueshëm me fjalë, krahasuar
me intensitetin me të cilin përjetoja, sidoqoftë përpiqesha të
paraqisja sa më hollësisht atë që ndieja dhe mendoja. Nuk
isha duke shkruar ndonjë libër, as që kisha ndër mend ta
botoja. Lexues i atyre faqeve do të ishte vetëm fëmija im, ishin
për të, atij i takonte të vendoste se çfarë do të bënte me to.
Duke punuar një mbrëmje vonë, vura re se kishte
kaluar prej kohësh mesnata. Në kompjuter dallova të
shfaqej shenja, e cila tregonte se kishte wireless. Menjëherë
mendova të kërkoja për incidentin tim. Duhej të kishte
ndodhur në muajin maj, kjo ishte e para e dhënë që kisha, ndaj dhe duhej të kërkoja përgjatë kësaj periudhe; e dyta,
ishte një incident, një zjarr, shkakun e të cilit nuk e dija me
saktësi. Nisa të hap faqe të tëra njëra pas tjetrës.
Ja tek ia dola: njëzet e dy maj. Titujt ishin tronditës: Era
Tefi karbonizohet së bashku me bashkëshortin e saj, Aleksandër
Tefin dhe vajzën katërvjeçare; Tragjedi pa skenar. Në një tjetër
artikull: Flakët gllabërojnë një familje të tërë. Së bashku me
familjarët edhe dhjetëra dorëshkrime të Era Tefit i përpijnë flakët.
Aty ishte fotoja ime. Po, isha unë ajo shkrimtarja, e cila
ishte bërë e njohur: Era Tefi. Në faqen tjetër ishte fotoja
me familjen. Ndjeva një sëmbim të beftë në kraharor, nuk
mundja të mbushesha më me oksigjen. Burri në fotos,
ishte Ai, të cilin dikur e kisha quajtur Dikushi dhe e kisha
pandehur ëndërr. Megjithëse e kisha parë të mjegulluar,
teksa dilte nga dhoma e spitalit, silueta e tij më kishte mbetur
dhe do të vazhdonte të mbetej e vulosur brenda qenies sime.
Ja pra, ai ishte po aq real, sa edhe unë. Nuk ishte ëndërr,
as fantazi. Dhe unë që kisha menduar se mund të më ishte
prishur ekuilibri mendor. Sa herë i kisha thënë vetes nën zë
se po shihja të paqena. Sa shumë kisha vuajtur prej asaj që
kisha quajtur sajesë, por ja që nuk paskësh qenë aspak e tillë.
Menjëherë sikur u çlirova nga një peshë e tejrëndë.
Po ajo fytyrë engjëllore mes nesh? A ishte e mundur që ajo
krijesë të mos jetonte më? E shihja dhe nuk mund ta kujtoja.
As pas vëzhgimit të fotos. Sforcohesha të kujtoja diçka,
por kishte vetëm boshllëk, boshllëk të paanë e të pafund.
A mund të quhesha në ato çaste nënë apo përbindësh? A
mundet një grua të harrojë se ka një fëmijë? Mos ishte kjo një
metamorfozë, e cila kishte transformuar gjithçka të bukur e
të mirë brenda meje në një gërmadhë? Nuk ishte e mundur
jo. Unë kisha ndjenja njerëzore, unë e doja aq shumë fëmijën
tim, megjithëse ende nuk kishte ardhur në jetë. Nuk kisha si
të mos e doja edhe time bijë. Nëse diçka kishte ndodhur në
jetët tona, diçka e tmerrshme, kjo me siguri nuk ishte as për
fajin e as si pasojë e vullnetit tim.
Atëherë nisa të bëja lidhjen logjike të të gjitha të dhënave
që kisha. Në artikull thuhej se unë kisha vdekur, por realisht
isha gjallë. Për burrin në foto thuhej gjithashtu se ishte
karbonizuar në incidentin e njëzet e dy majit, ndërkohë që
unë e kisha parë për herë të fundit në qershor. Nëse për të
tre thuhej se kishim gjetur vdekjen në atë incident dhe për
dy prej nesh kjo nuk kishte ndodhur, pra ishte e pavërtetë.
Atëherë, edhe vogëlushja jonë do të ishte gjallë. Ajo patjetër
duhej të jetonte. Megjithëse nuk kujtoja asgjë për të, s’di se
çfarë, ndoshta instinkti i nënës, i cili ishte i gjithëlulëzuar tek
unë, më bënte të tërhiqesha aq shumë prej saj. Estrela quhej.
Ndoshta ishte tepër absurde, por unë u përkula dhe e putha
foton e asaj vogëlusheje. Vogëlushja ime! Ishte si të ndieja
ngrohtësinë në fytyrën e saj. Pata përshtypjen se putha faqen
e vërtetë dhe jo thjesht një foto. I jam rikthyer disa herë këtij
çasti. Ndoshta kompjuteri ishte ngrohur nga orët e gjata të
punës, ose ndoshta isha unë që isha ngrohur nga të menduarit
veten me bashkëshortin dhe dy fëmijët e mi. A mund të ketë
në botë një ngrohtësi më të madhe e më të natyrshme se kjo?
Artikulli kishte shumë të dhëna për të gjithë familjarët.
Po ai, bashkëshorti im, Aleksandri, si shpjegohej që nuk
kishte ardhur asnjëherë të më takonte? Po mallkimi im i
tmerrshëm? Më kujtohej çdo natë, më shtrëngonte në fyt
dhe nuk më linte të mbushesha me frymë. Kaq i fortë të
kishte qenë? Me siguri, përderisa doli nga fundi i shpirtit.
Po ai si e kishte kuptuar? Mos ishte njeriu, i cili dinte të
dëgjonte zërin e shpirtit tim? Marrëzira, kjo nuk mund të
ishte e vërtetë, madje-madje mistike. Më duket se kisha
nisur të mendoja me tërë mend të paqena. Duhej të hiqja
dorë sa më parë prej tyre. Ato kanë një forcë aq të madhe,
sa ta marrosin plotësisht një njeri. Por ishte e vështirë të
mos kthehesha sërish aty ku isha më parë. Sikur ai të ishte
lexues kaq i mirë i shpirtit njerëzor, do kishte kuptuar me
siguri nevojën aq të madhe që kisha për të. E mandej, për
asnjë çast nuk do ishte shkëputur prej meje.
A më kishte dashur vërtet? A vazhdonte të më donte?
Në mendje, rrufeshëm më erdhi një ide, e cila më sterrosi
arsyen dhe logjikën e shëndoshë. Nëse në artikull thuhej
se unë kisha vdekur, por nuk ishte e vërtetë, përse nuk
ekzistonte një tjetër, ku të përgënjeshtrohej i pari? Por edhe
shkrimin tim, reportazhi i botuar në atë revistën turistike,
asgjëkundi nuk vendosën emër. Përse?
Me zë të lartë mendova: Mos vallë kanë një qëllim të
fshehtë dhe duan të më varrosin të gjallë? A ishte vërtet
kjo një vdekje për së gjalli? Po ç’ishte ky mort që nuk
më shqitej qoftë edhe një herë të vetmia nga mendja?
Një vend i bukur alpin në veri apo një apartament i
këndshëm në qendër të Tiranës ngjasonin vetëm në një
pikë: izolimin tim. Dukej se kisha të bëja me profesionistë.
Çfarë kërkonin prej meje? Dhjetëra pyetje vërtiteshin tek
unë, por për sa kohë zgjati kjo, as unë nuk e di. E kisha
humbur sërish nocionin kohë, kjo ishte tipike imja.
Ende pa hapur sytë ndjeva një aromë të fortë alkooli,
e cila kishte mbushur të gjithë dhomën. Me hapjen e
tyre, verifikova se gjithçka në dhomë lëkundej si një njeri
i alkoolizuar. Mos dhoma e kishte thithur aq shumë atë
aromë, sa të qe dehur? Ishte mëngjes, rrezet e diellit hynin
me forcë, deri në skutat periferike të dhomës, ndërsa
dyshimet zinin rrënjë mitake cepave të mendjes sime.
Ajo ishte aty, pranë shtratit tim. Nuk kishte si të ndodhte
ndryshe. Ishte mjekja ime, infermierja, kuzhinierja,
udhërrëfyesja, asistentja, lexuesja e vetme, kritikja, shoqja
e vetme, roja, truproja, sensi i masës dhe, së fundmi, edhe
xhelatja personale. Sipas saj, në çastin e duhur do të mësoja
gjithçka, as më parë dhe as më pas: Dakord, nën urdhrat
tuaja shkëlqesi, por a do të vijë ndonjëherë çasti i duhur
për të më prezantuar me veten? Mos po ju kërkoj shumë?
S’di nga vij, as ku shkoj. Kush jam dhe kë kam ende në këtë
jetë? Nëse një fëmijë e kam në bark dhe e di mirë këtë, ku
do të ma shpini, kur të mos mundet të rrijë më aty? Ku e kam vajzën? A kujdeset ndonjë për të? A është mirë? A e
ka marrë malli për mamanë e saj?
Sot unë jam një nënë-pemë, por premtoj se do të shndërrohem,
do të kthehem në një mama të vërtetë për fëmijët e mi.
Kjo është po aq e sigurt, sa edhe vdekja në jetën e gjithkujt.
Ajo u përkul mbi shtratin tim dhe më buzëqeshi. Dukej
e sinqertë. A mund të ishte një mashtruese ajo apo ishte
e mashtruar sikurse unë? Sidoqoftë, diçka ishte e sigurt:
ajo as ishte e as mund të bëhej aleatja ime. Pra, nuk kishte
asnjë aleancë të vendosur dhe asnjë shpresë se diçka e tillë
mund të ndodhte ndonjëherë mes nesh. Nëse kisha pasur
si objektiv parësor të ecurin përpara, ndoshta më parë
duhej të shihja edhe supet, madje edhe pas shpine. Nuk
duhej t’i besoja askujt, as asaj, sidomos asaj.
- Humbe ndjenjat dhe kjo zgjati për disa orë,- foli infermierja,
por unë, brenda atyre çasteve, në të cilët ajo kujtonte
se kisha humbur ndjenjat dhe i kisha gjetur ato. As
më kujtohej, nëse e kisha fikur kompjuterin apo jo, as në e
kisha vendosur mbi komodinën ku gjendej. Mbaja mend
mjaft mirë se kur jetonim në vilëz, ajo ishte kujdesur aq
shumë që ta hiqte nga kompjuteri, madje edhe nga dhoma,
kabullin e internetit, qysh para se të futesha unë. I
vetmi rast, në të cilin e kisha shfrytëzuar funksionin tij,
ishte kur më tregoi për botimin e artikullit.
Ia kisha hedhur censurës, të paktën për një herë të
vetme. Kisha thyer rregullat dhe rrjedhimisht, si gjithkush
që mund të bëjë diçka të tillë isha ndjerë mjaft mirë.
A e kishte kuptuar ajo? Pak rëndësi kishte për mua. Më
interesonte çka dija, por kisha nevojë për më tepër. Nëse
do isha me fat, ndonjë natë tjetër mund të shfaqej sërish
wireless në kompjuter, por duhej të mos e përjetoja më aq
fort. Fëmijës nuk i bënin aspak mirë emocione të tilla.
- Duhet të shmangësh çfarëdolloj mendimi apo
shqetësimi që mund të dëmtojë fëmijën dhe kjo duhet të jetë
absolute, dëgjove, absolute,- tha infermierja, duke marrë sërish atë pamjen e kapitenes, të cilën gabimisht kujtoja se
e kishte braktisur. Ishte si të ma përplaste në fytyrë se isha
një nënë e keqe. Kjo ishte e padurueshme. Por unë nuk isha
vetëm nëna e djalit të vogël, isha edhe e vajzës, të cilën një
Zot e dinte se ku ishte dhe me kë. Pyesja veten, nëse kishte kuptuar gjësend për ato që kisha
mësuar. Ajo nuk bashkëpunonte aspak në këtë pikë. Nga
pamja e saj nuk mund të kuptoja asgjë, sillej mjaft normalisht,
megjithatë më kishte folur për emocionet e forta të përjetuara,
të cilat mund të ishin fatale. Vazhdonte të kujdesej për mua.
Më mati presionin e gjakut, pulsin, temperaturën.
- Më në fund parametrat i janë kthyer normalitetit. Tani
duhet të hash diçka e mandej të çlodhesh sërish. Po shkoj të
të përgatis mëngjesin,- tha dhe doli nga dhoma. Pa më lënë
kohë as të mendoja a të bluaja diçka në mendje, ishte kthyer
me tabakanë e zakonshme në duar. Ose ajo ishte treguar më
e shkathët se herët e tjera, ose truri im punonte me ritme
shumë më të ngadalta. Për të mirën e të dyjave na leverdiste
të pranonim si të vërtetë alternativën e parë.
Nuk lëvizte nga karrigia, qëndronte e mbështetur plotësisht
në shpinoren e saj, aq sa më dukej se ishte bërë njësh me të.
Kujdesej për mua si një dallëndyshe për zogjtë e saj të vegjël.
Ajo as kuptonte se po më merrte frymën me atë kujdesin e saj
të tepruar. Më bënte të ndihesha njeriu më i paaftë në botë.
Po më vrisnin dyshimet, çfarë do të bënin me mua? Po
ai, lexuesi im ideal, ç’plane kishte bërë për të ardhmen time?
Nuk besoja më as te mirëdashja, as te humanizmi i tij. Do
të besoja vetëm në fakte. Më mundonin shumë pyetje dhe
më duheshin urgjentisht përgjigje. Ajo e kuptoi. Ndezi
laptopin dhe ma vuri mbi krevat. Menjëherë dallova disa të
gërvishtura në të. Gjendeshin në pjesën anësore të tastierës
dhe të monitorit, në të djathtë. Fare të lehta, por qartësisht të
dallueshme për syrin tim. Miku im më i mirë do të më binte
menjëherë në sy edhe me ndryshimin më mikroskopik.
Mos ai kishte rënë nga shtrati poshtë në dysheme? Ishte fat që nuk ishte dëmtuar më tepër. Çuditërisht, seç kisha
krijuar sërish një lidhje shpirtërore me të, ashtu siç kishte
ndodhur më parë me kompjuterin tjetër në vilëz. E pra, nuk
besoja se përgjithësisht isha aq e ndjeshme ndaj gjithçkaje,
megjithatë, nuk ishte ndonjë argument që ia vlente të
ndalesha më tepër. Kisha nisur të kuptoja si rrodhën ngjarjet
një natë më parë. Isha duke i rindërtuar në mendje: Fillimisht
kisha humbur ndjenjat, kompjuteri kishte rënë përtokë,
zhurma e tij e kishte sjellë atë pranë meje. Nga ai çast, ajo
kishte bërë gjithçka për shëndetin tim. E dija se duhej t’i isha
mirënjohëse për gjithçka kishte bërë për mua, pavarësisht
dyshimeve, të cilat më turbullonin, ajo mbetej ndihma ime e
shpejtë, engjëlli im mbrojtës. Kjo s’do të thoshte se duhej të
isha e verbër karshi saj. Këtë nuk e meritonte askush.
- Çfarë të shqetëson kaq shumë, a mund të ma thuash?
Ndoshta unë mund të bëj diçka për të të ndihmuar,- foli ajo,
ndërsa unë po nguroja për t’i kthyer përgjigje. Ajo po priste
me stoicizëm. Nisa të shkruaja ngadalë dhe me përtesë. Në
të vërtetë, ndihesha ca e lodhur. Por më mungonte edhe
dëshira më e vogël për të komunikuar. - Të falënderoj me zemër për gjithçka ke bërë për mua.
Por ajo që më shqetëson është gjendja ime, për ndryshimin
e së cilës nuk mundesh as ti të bësh diçka,- i thashë, por në
ato çaste më dukej se po merresha në pyetje, po trajtohesha
si e dyshuar në ndonjë krim.
Diçka duhej bërë për ta shmangur atë situatë, të
ndryshoja rrjedhën e vendosur prej saj. Ajo më shihte
ngultas në sy. As që kisha forcë të duroja rrëmimin e saj!
Por, mund ta shfrytëzoja disi atë çast.
- Dua të di më tepër, madje gjithçka, për gjendjen time të
tanishëm, por edhe të mëparshmen, kjo do të më bënte të
ndihesha më në fund e qetë,- i shkrova si përgjigje, ndërsa
më digjte përbrenda ajo që kisha mësuar një natë më parë. Sa
do kisha dashur t’ia përplasja në fytyrë çka dija, por do ishte
një lëvizje tërësisht e gabuar. Ende nuk ishte çasti i duhur.
- Ndoshta ndihesh keq, ngaqë di më tepër nga sa duhet
dhe jo më pak. Kjo nuk është kohë për të mësuar, por për
t’u qetësuar,- tha ajo, ndërsa unë kuptova se ishte në dijeni
ose, të paktën, dyshonte tek ajo që unë kisha mësuar. Nuk
do ta lejoja të konfirmonte dyshimet e saj.
- Sipas teje, ajo kohë nuk do vijë kurrë,- i thashë, duke
nxjerrë të paktën një pjesë të dufit të mbledhur prej kohësh,
por për çudinë time, nuk më bëri të ndihesha aspak më
mirë,- dhe unë do mbetem po këtu, e zbrazur nga gjithçka.
- Sa më shumë të kujdesesh për shëndetin tënd dhe të
fëmijës, të jesh e sigurt se e ke sjellë shumë pranë atë kohë,
më pranë nga se mendon,- tha ajo, dhe në të vërtetë ia
arriti qëllimit. Ia doli të më tundonte me efektin e fjalëve të
saj. Nëse një nëne, sidomos një nëne shtatzënë i përmend
fëmijën e saj si një karrem për të kapur qëllimin, për të
realizuar diçka, suksesi do të jetë i sigurt.
- Pranoj të përmirësohem me çfarëdolloj kushti. Nëse
mundesh, do jem gati të nisim fizioterapinë,- i thashë,
duke pasur parasysh, se ajo më kishte folur më parë për
këtë. Atëherë përfytyrova veten sërish duke ecur. Do të
isha patjetër në këmbë për fëmijët e mi. Ata më shumë se
gjithkush tjetër e meritonin këtë.
Nga ai çast, tashmë ajo u kthye edhe në fizioterapisten
time. Ia filluam me këmbët. Nisi me disa lëvizje të ngadalta
dhe ritmike të tyre. Më pas i masazhoi. Kaloi disa herë nga
njëri proces në tjetrin. I bëja shenjë të ndalej, por ajo vijonte
e palodhur, derisa erdhi koha për të ngrënë mëngjesin.
Ndërkohë që ajo sillte ushqimin, ndieja sikur më ishin
zmadhuar mushkëritë dhe kërkonin më tepër oksigjen.
Kjo më bënte të ndihesha mirë, ndoshta edhe ngaqë kisha
nisur thuajse menjëherë të ushqeja shpresa të shumta.
Kur më mbante në këmbë dhe përpiqesha sa të mundja
të drejtohesha, kisha përshtypjen që trupi im nuk ishte më
i veçuar. Kjo më bëri të besoja plotësisht se koha që do të
ecja nuk do të ishte shumë e largët.
Tashmë barnat dhe injeksionet që merrja, ma kishin larguar
atë ndjesinë e mëparshme sfiliste. Pas ngrënies së mëngjesit,
nisa të imagjinoja çastin, kur mund të ndieja të gjithë trupin.
Bebja ime do të fillonte shumë shpejt të lëvizte brenda meje
dhe doja të shijoja çdo çast me të, çdo çast për të. Edhe vetë
duhej të bëja diçka, po çfarë? Mund të masazhoja pjesën
abdominale, kështu edhe bebushi do të ndihej i përkëdhelur
dhe i llastuar. Ndoshta në këtë mënyrë mund të merrte të
paktën një pjesëz nga dashuria e madhe që kisha për të.
Në atë kohë preka shenjën e një operacioni, e cila ndodhej
në fund të pjesës abdominale. Si nuk më kishte shkuar ndër
mend më parë, se kjo ishte një prerje cezariane? Lidhjen
e bëja nga sa kisha dëgjuar mjekun, por edhe nga artikujt
e lexuar. Estrela. Të kisha qenë aq e verbër më parë sa të
mos shihja diçka të tillë? Lumturia e shtatzënisë më kishte
bërë ta harroja këtë detaj. Si nuk më kishte shkuar më parë
ndër mend? Unë e kisha dëgjuar mjaft qartë mjekun kur
e kishte vënë në dukje një detaj të tillë. Duhej të isha më e
kujdesshme ndaj çdo detaji. Absurde ishte që për një kohë
aq të gjatë, nuk kisha ditur as emrin tim. Duhej ta mësoja
përmes titujve në gazeta. Po si nuk isha bërë një herë të
vetme kureshtare për këtë? Duke analizuar të dhënat që
kisha dhe s’kisha, mendova për fletën e EKG-së. Ajo duhej
të ishte mbi komodinë, së bashku me emrin. Në rastin më të
parë që do të komunikoja me infermieren, sigurisht me anë
të të shkruarit,- sepse me shenja nuk mund t’ia thosha dot,-
do t’ia kërkoja patjetër. Por ajo dukej sikur i kishte lexuar
mendimet e mia. Ishte përherë një hap para meje. Kjo nuk
më pëlqente, do të thoshte se unë isha të paktën një hap pas.
Më solli atë fletë të cilën prisja, duke më thënë se fëmija
ishte i vogël,- pra nën peshë,- por me të gjithë parametrat
normalë. Mora fletën në duar dhe për disa minuta u
emocionova aq shumë, sa dukesha e hipnotizuar. Ishte si
të mbaja në duar fëmijën tim dhe jo një copëz letër. Më
pas, kur emocionet e mëdha u fashitën, munda të shoh në të detajet. Në fund të fletës nuk ishte emri im. Atëherë
mendova: Udhëtuam natën, kryem të gjitha vizitat dhe
analizat vetëm me një mjek, të shoqëruar nga një infermiere
e vetme; në fletë ishte një emër tjetër, jo imi. Cili do të ishte
përfundimi logjik, në të cilin do të arrinte çdokush?
Kur ajo hyri më pas në dhomë, i tregova fletën dhe vura
gishtin mbi emrin, i cili ndodhej në pjesën e poshtme të saj.
Ajo e kishte të gatshme përgjigjen. Në fund të fundit, nuk
duhej të habitesha aspak. Kjo ishte fusha e saj. Asnjëherë të
vetme nuk kisha mundur ta zija gafil.
- Po, Jetmira Gjoni, është emri im. Kur caktova vizitën,
dhashë emrin tim. Rëndësi ka fëmija dhe jo emri në fund të
fletës apo jo?- tha ajo, duke dashur sërish të ndikonte tek unë
duke përmendur fëmijën. Një strategji, të cilën kishte nisur
dhe do të vijonte ta përdorte edhe më tej, por që nga ai çast i
kishte dalë boja krejt. Unë nuk kisha ndër mend të bindesha
verbërisht, por as të rebelohesha. Kuptoja mirë se isha në
dorën e saj. Duhej të bëja gjithçka që të dilja nga ajo situatë. E
para që duhej të siguroja, ishte mosmbyllja. Kisha nevojë për
të menduar shumë më gjatë e më thellë. Mendimet e rrafshëta
as më kishin sjellë e as do të më sillnin ndonjëherë dobi.
E pamundur të jetosh brenda një qerthulli e të mos ndihesh
pa rrugëdalje. Duhej patjetër të mendoja, këtë e bëja më së
miri kur shkruaja, por nuk doja që dikush të lexonte. Atëherë
mendova, se ajo herë pas here,- për të mos thënë përherë,- do
të vinte për të kontrolluar progresin tim në të shkruar, ndaj
vendosa të shkruaj në dy variante. Njëri do të ishte varianti
publik, ndërsa tjetri ai privat. Për këtë të fundit mendova të
përdor një kod dhe do të ishte i paprekshëm nga censura. Por
duhej të ecja paralelisht me të dy, që të mos ngjallja ndonjë
dyshim. Gjithashtu mendova se duhej të shtoja kohën e
punës, por edhe rendimentin e saj. E ndieja të nevojshme të
botoja, ndaj vendosa befasisht të shkruaja një tregim. Ia nisa
punës me urgjencë, thuajse nga ai varej jeta ime.
Pas tri orësh pune të vërtetë, tregimi kishte mbaruar dhe kishte nevojë vetëm për redaktim, apo lustër. Kur infermierja
hyri në dhomë për të më sjellë drekën, isha duke redaktuar.
- Kam nevojë të botoj diçka, Jetmira,- iu drejtova. Ishte
hera e parë që përdorja emrin e saj, por edhe pas kësaj, do ta
përdorja shumë rrallë. Isha mësuar ta quaja infermierja ime
ose thjesht ajo, sepse nuk mund të ngatërrohej me askënd.
Për mua, ishte e vetmja që shihja e njihja, ndoshta kjo ishte
edhe arsyeja që as e kisha pyetur si quhej, por as ajo nuk
ma kishte bërë të ditur.
- Më parë dreka e më pas botimi,- tha ajo dhe unë kuptova
se tani për tani ishte e vetmja alternativë. Kisha kohë që
haja vetë dhe ajo nuk më ushqente më si fëmijë, por kyçet e
duarve më ishin lodhur aq shumë, sa luga dridhej në dorën
time duke tringëllirë ritmikisht pas porcelanit të pjatës.
Dukej sheshazi se kisha abuzuar me to për orë me radhë.
Ajo s’mund të mos e vinte re, por nuk më qortoi siç e prisja,
hoqi mënjanë tabakanë me drekën dhe u bëri një masazh të
mirë duarve të mia, duke u përqendruar kryesisht te kyçet.
Me plot të drejtë mund ta quaja çudibërës.
Me duart e çlodhura munda të haja shpejt, sepse po prisja
me padurim të komunikoja me të. Ajo lexoi tregimin përgjatë
asaj kohe. Asnjë koment apo pyetje nuk bëri gjatë leximit.
Ndërsa unë prisja përgjigje për atë që më shqetësonte më
shumë: A ia vlente ky shkrim për t’u botuar?
- Ky tregim nuk mund të botohet në asnjë mënyrë. Do
të ndërmerrnim një rrezik tejet të madh. Botimi i tij mund
të rezultojë fatal,- tha ajo, ndërsa unë mbeta pa mendime.
A ishim duke folur e menduar për të njëjtin tregim? Ishte
thjesht një histori dashurie, madje një episod i saj mes dy të
dashuruarve, të cilët për çudinë e të gjithëve dhe kundrejt të
gjithëve, arrinin ta mbronin dashurinë. Fjalët e saj më lanë
gojëhapur. Asnjë element i tij s’ishte fatal, niveli artistik më
dukej i kënaqshëm. Përse ta quante të tillë? Asgjë nuk ishte e
shtirur pas luftës së asaj vajze për të mbrojtur dashurinë me
çfarëdolloj çmimi. Në të fshiheshin të gjitha pikëpamjet e mia për të mbrojtur me cilindo çmim familjen dhe dashurinë time.
Ajo shërbente si zëdhënësja e përkryer e luftës së shpirtit tim.
Mos ndoshta ngjante me ato historitë e rëndomta që hasen
shpesh në telenovela? Të paktën, unë nuk e besoja diçka të
tillë. Nuk kishte asgjë të rëndomtë brenda atij tregimi.
- Mund të përdorim çfarëdolloj pseudonimi, por kushdo
që do ta lexonte dhe që më parë ka lexuar të paktën një
libër tëndin, do ta kuptonte se autorja je ti, pikërisht këtu
do qëndronte fataliteti,- tha ajo, ndërsa unë mendova, se ky
ishte absurditeti më i madh që kisha dëgjuar ndonjëherë.-
Për sa kohë askush nuk di asgjë për ty, nuk do të botojmë,
por ti vijo të shkruash, të lexoj shkrimet e tua për mua
është një kënaqësi e veçantë. Kjo situatë nuk do të zgjasë
edhe për shumë kohë, atëherë ne do mund ta botojmë. Mos
harro, kjo është vetëm një masë për sigurinë tënde, nuk ka
asgjë për të të frikësuar,- foli ajo.
Unë s’ kënaqesha me një lexuese të vetme. Nëse
askush nuk mund të komunikonte me mua,- pasi ishte e
pamundur,- atëherë duhet të isha unë ajo, e cila përpiqej
të komunikonte me ta dhe këtë e arrija më së miri me anë
të veprës sime. Vetëm kështu jetoja plotësisht. Nuk e di sa
të nevojshëm e kanë shkrimtarët e tjerë komunikimin me
lexuesin, por për mua ishte dhe është jetik.
Nuk më dukej më i frikshëm numri i madh i romaneve
të botuara, por më e ankthshme ishte nevoja për të botuar.
Kisha të njëjtën domosdoshmëri për të, si frymëmarrja për
oksigjen. Përgjigjja e saj vrau sedrën time, për të cilën isha
kujdesur me aq mund ta shpija në gjendje që ndodhej.
Në realitet kisha humbur busullën e orientimit normal,
ndaj nuk mund të thosha asgjë në lidhje me të, por sipas
infermieres sime, Jetmirës, shkrimet e mia do të njiheshin
nga lexuesi, megjithëse dinin për vdekjen time. Sipas saj,
shkruaja njësoj si edhe më parë. Ishte krejt e pabesueshme
të mendoje, se edhe pse kisha humbur kujtesën, absolutisht
asgjë nuk kishte ndryshuar në stilin tim të të shkruarit. Sikur të shkruarit të ishte për mua një sëmundje gjenetike,
të cilën kisha arritur ta mbartja me vete. Sëmundje nga e
cila, për fatin tim të mirë a të keq, nuk do shërohesha kurrë.
Pra, megjithëse pa kujtime, unë mendoja në po atë
mënyrë, përjetoja në po atë mënyrë. A ishte absurde apo
përjetim i përsëritur fakti që unë u dashurova me të njëjtin
njeri, me të cilin isha e martuar? Ende pa e parë, ndieja
praninë e tij, nevojën për të, domosdoshmërinë për një
përjetim të ndërsjellë. Po përse e mallkova atë njeri me
gjithë shpirt? Nëse do ishte në karakterin tim të mallkoja,
do ta kisha bërë patjetër në çastet që isha ndierë e marrë
peng, e burgosur, e privuar nga kontaktet me botën e
madhe. Isha bërë sërish pre e dilemave vrastare. Isha
kthyer në një tabelë qitjeje për to.
Atëherë nuk arrija ta shpjegoja përse, por ai krijonte një
fushë të tillë përreth meje, e cila më bënte ta ndiqja pas ngado.
Po ta mendoja, ishte Aleksandri që ishte larguar prej meje,
duke shkatërruar atë fushë, që më bënte të varur prej tij.
Kishte pasur një ndikim hipnotizues tek unë. Me të pranë,
askurrë nuk do ta kuptoja, ku përfundonte ai e ku nisja unë.
Ndihesha e pushtuar nga ndikimi i tij dhe kjo më bënte
tejet të varur, të plogët, pa iniciativë. Në këto kushte isha
lehtësisht dhe tërësisht e manovrueshme prej tij. E megjithatë,
kishte hequr dorë prej meje, duke më lënë të lirë. A mund ta
shpjegonte dashuria gjithë këtë? Por edhe sikur, askush nuk
do t’i pranonte si të mirëqena teoritë dhe arsyet e saj.
Sa herë sjell ndër mend ato episode, përjetoj po atë freski
dehëse dhe ftohtësi të tejtshme. Tundohem dhe tmerrohem
njëkohësisht. Diçka nuk kishte ndryshuar: dëshira për të
jetuar dhe ecur përpara. Më dhembte në shpirt tek shihja
pas dhe kujtoja ato grima çastesh, në të cilat ai kishte qenë
pranë meje. Edhe pse me shpirtin tërësisht të copëtuar,
sërish plotësisht e vendosur për të ecur përpara, sipas
motos sime: Përpara, vetëm përpara.
Në mbrëmje punova sërish, përfundova deri në detaje tregimin tim. Ajo mbeti e mrekulluar,- ose të paktën kështu
u shpreh,- tha se do njihte mënyrën se si përshkruaja shpirtin
njerëzor dhe mes mijëra tregimeve të autorëve të tjerë. Më
dha forcë në atë mënyrën e vet. Sikur të mos ishte ajo që më
kishte dekurajuar më parë! Më pas nisi masazhin e fundit të
asaj dite, i cili duhej të ishte gjumëndjellës. Por ja që gjumi
nuk bënte pjesë aspak në planet e mia. Për më tepër, çastet
e shkurtra, kur trupi im qëndronte vertikalisht,- të paktën
nga mesi e lart,- më bënin të ndihesha mirë jo vetëm fizikisht.
Edhe truri sikur ndiente lehtësim. Më dukej se ai mund të
ishte më produktiv. Punova deri vonë, me shpresën se do
kishte wireless, por nuk ndodhi. Megjithatë, eca shumë në të
dyja variantet e shkrimit të jetës sime,- për aq sa munda të
kujtoja. Në njërin variant, publikun, ishte ç’ka mendoja me zë,
varianti i dytë, personali, përmbante më tepër mendimet nën
zë. Në çdo karakter të jetëshkrimit të dytë dallohej qartazi në
një lexim të distancuar,- prej disa ditësh apo javësh,- dëshira
e madhe për të njohur thellë vetveten. Nëse secila do të kishte
një titull, njëri prej tyre do të ishte: Në kërkim të vetvetes, ndërsa
për variantin e parë nuk isha ende e sigurt, ndoshta: Në kërkim
të botës apo: Në kërkim të lexuesit të munguar.
Kujtoja, se ajo që më dha më tepër forcë, kur gjendja ime
fizike ishte shumë më e mjerueshme, ishte të menduarit
pozitivisht. Kisha një domosdoshmëri për të ushtruar gjithë
pozitivitetin e mundshëm. Nuk isha pa lexues. Kisha një
lexuese nga më të zellshmet dhe nga më besniket, madje
mund ta quaja edhe kritike letrare. Pa ditur se çfarë kishte
studiuar ajo veç mjekësisë, por me dijet e paraqitura në çdo
fushë ngjasonte më tepër me një erudite, sesa me një mjeke,-
pavarësisht se ishte modeste në çfarëdolloj drejtimi.
Ishte aq e re dhe me aq shumë njohuri. Si kishte pranuar
atëherë të kujdesej për mua, duke ditur se nuk do të kishte
kohë të studionte apo të punonte diku tjetër përgjatë asaj
periudhe? Apo mos isha një kavie për të, mbi të cilën kryente
studime dhe eksperimente? E kisha parë sesi më vëzhgonte, në çdo lëvizje, në çdo mendim. A s’e kisha parë sa herë hapja
sytë pas një humbjeje ndjenjash pranë shtratit tim duke
më mbërthyer sytë? A nuk më kishte dendur përherë me
medikamente, të cilat një zot e dinte se ç’ishin e nga vinin?
Atëherë duhej të përdorja takt, shumë madje, për të mësuar
çfarë kishte studiuar dhe a kishte ambicie për të vijuar më
tej. Gjithashtu duhet të dija, a ishte ajo që gatuante, lante,
hekuroste, megjithëse unë s’kisha parë asnjëherë askënd, as
në vilëz më parë dhe as tani në apartament. I vetmi njeri,
të cilin kisha parë veç saj ishte ai, shoferi i çuditshëm, pa
llogaritur mjekun. Më parë, kur jetonim në vilëz, na vizitoi
një herë të vetme një grup mjekësh.
Nëse ishte duke bërë ndonjë studim mbi mua, me siguri
nuk do t’i mjaftonte koha për të bërë gjithçka vetë. Atëherë,
dikush tjetër duhej të hynte në shtëpi nga ndonjë derë
tjetër, pasi hyrjen kryesore e mbaja nën vëzhgim thuajse
njëzet e katër orë. Kishte edhe një tjetër element, të cilin
kurrë nuk e kisha menduar me zë të lartë dhe e kisha
degdisur me mijra herë në bodrumin e mendimeve të
padenja. Unë nuk ndihesha plotësisht normale. Diçka nuk
shkonte në mendjen time dhe nuk ishte diçka joserioze.
Madje çuditesha sesi mjekët nuk e kishin nuhatur ende.
Po ku e dija unë këtë? Se mos ata kishin folur ndonjëherë
seriozisht,- madje as joseriozisht,- me mua! Përse të mos
shihja sërish pozitiven e gjithçkaje? Truri jonormal është
shumë më i vështirë për t’u mbikëqyrur në dallim nga të
tjerët, normalët, madje më pjellor në ide. Mund të arrija të
nxirrja më tepër dobi në të tilla kushte.
Nuk isha e sigurt në do mundja të arrija diçka. Përvoja
më tregonte se Jetmira ishte përherë një hap përpara. Ajo më
njihte, ndërsa unë jo. Kishte lexuar të gjitha botimet e mia
dhe mund të ligjëronte për probleme të përgjithshme apo të
veçanta lidhur me to. Ajo kishte hartën e plotë të shpirtit,-
nga leximi i shkrimeve,- dhe të trupit tim,- nga rezultatet e
ekzaminimeve. Nëse kishte aq shumë informacion mbi mua,
Të njihte tashmë mënyrën sesi unë mendoja, ndieja, arsyetoja,
nevojën e madhe për të shkruar e botuar.
Patjetër që njihte edhe anët e veçanta të karakterit
tim: nevojën e madhe për të pasur dikë pranë,
domosdoshmërinë për t’i besuar dikujt me gjithë shpirt e
madje për t’u kapur fort pas tij, që ta përballoja më lehtë
rrjedhën e pamëshirshme të jetës. E pra, nuk ishte vetëm
një hap para, por disa. Mend harrova, ishte edhe vëzhgimi
me kamera në vilëz. Ja pra, kavia eksperimentale ishte
lehtësisht e vëzhgueshme, e studiueshme dhe si rrjedhojë,
tejet e parashikueshme. Duhet të bëja diçka, duhej të dilja
nga kornizat, të cilat më kishin vendosur. Duhej t’u tregoja
se ata nuk kishin të drejtë për gjithçka. Ata, sepse e vetme
ajo nuk mund as ta ndërmerrte dhe as ta zbatonte një nismë
të tillë. Duhej patjetër të kisha një strategji timen.

No comments:
Post a Comment