Kapitulli III Marrëveshja
Nëse më lejon, unë do të jem pranë teje, për aq kohë sa të kesh nevojë,- tha ajo dhe më shihte ngultas, si të donte të lexonte mendimet e mia para se ato të lindnin. Nuk ndihesha e bezdisur, kisha aq shumë nevojë për vëmendje nga dikush, sa dëshpërimisht jo vetëm do ta pranoja, por ndoshta edhe
do ta kërkoja nga kushdo me përgjërim.
Por ç’do kërkonte në këmbim të gjithë kësaj? Nëse besojmë tek engjëjt, pa dyshim që besojmë edhe te qielli, ndaj nuk mund të mendojmë se ndonjë prej tyre ka zbritur
në tokë për të bërë infermieren. Ndoshta duhej ta dëgjoja deri në fund. Nuk mund të merrja asnjë vendim pa e dëgjuar më parë. Nisi të flasë sërish.
- Si këmbim të kërkoj asgjë dhe gjithçka. Nuk kërkoj asgjë që s’ke dhe gjithçka ke. Domethënë vullnetin tënd, këmbënguljen tënde, atë forcë të madhe karakteri që ke dhe patjetër do të të ndihmojë të ecësh çdo ditë përpara.
Kaq tha teksa vijonte zhbirimin e saj, i cili njëkohësisht më pëlqente, por edhe jo. Më pëlqente, se rrezatonte vëmendje ndaj asaj që ndieja dhe mendoja. S’më pëlqente,
pasi më zhbironte thellë, aq thellë, sa e ndieja si një turjelë tek depërtonte në thellësitë e qenies sime. Ishte si të mos mundesha të merrja frymë lirisht.
- Nëse ke besim tek unë, ai duhet të jetë i plotë. Gjithçka do ta mësosh në kohën e duhur, as më përpara e as më pas. Kjo duhet të pranohet qysh në fillim, si një kusht, apo më saktë, si një marrëveshje mes nesh. Si një kontratë e pashkruar dhe e pafirmosur, por që me të rënë dakord, duhet të funksionojë si të qe e tillë. E lartpërmendura do ishte thjesht një klauzolë në raport me gjithë të tjerat, por kërkoj të zbatohet me rigorozitetin e një neni, a pike çfarëdo të tij në kushtetutë. Vendimi është e drejta jote. Do kohë të mendohesh?- më pyeti ajo, duke i shkëputur më pas sytë prej meje dhe duke më lënë një çast vetëm për vetëm me veten. Pa e peshuar më gjatë, mbylla sytë në shenjë pohimi.
- Edhe nëse pranon që tani, mendoj se do të të duhet më tepër kohë,- tha ajo dhe sakaq doli nga dhoma.
Ishte koha e të menduarit. Nisa të arsyetoja. Ç’kisha pë të fituar? S’e dija. Për të humbur ama asgjë. E përse mund të më duhej ta peshoja më gjatë? Nuk kisha nevojë për kohë të mendohesha. Por ajo nuk ishte më aty. Isha tepër e lodhur për ta ndjekur nga pas. Madje isha aq e pafuqishme, sa as nuk mund të thërrisja. Edhe nëse do të mundja, me siguri, nuk do thosha: Infermiere, eja këtu! Ajo do të vinte. Ndërkohë, nuk mund të bëja asgjë tjetër, veçse të kujtoja e të analizoja fjalët e saj. Kjo ishte hera e parë, por jo e fundit. Me apo pa dëshirën time, do ta bëja këtë për një kohë relativisht të gjatë.
Përse duhej të isha aq e varur prej saj? Kjo i jepte një goditje nga themelet mbajtëse krenarisë sime. Por nëse do isha të paktën pjesërisht e sinqertë, përgjigjja do të ishte: Nuk mund të isha e pavarur. Kjo po që ishte një çështje fund e krye serioze.
Për mua, paragjykimi nuk është aspak një pikë referimi, por në ato çaste e kisha të domosdoshme të mos e pranoja me zë të lartë realitetin objektiv të gjendjes sime. Mendoja se po të isha krejt e sinqertë me veten, do ishte si të merrja shuplaka aq të forta fytyrës, sa as do gjeja më forcë për të
ecur përpara. Fjalët e duhura për të përshkruar gjendjen time fizike e mendore i gremisa në atë pak vend të mbeturnë bodrumin e të pathënave. E dija, se herët a vonë do përballesha me gjithë të vërtetat, sado të hidhura apo të zhytura thellë të ishin. Nisur nga mënyra sesi isha duke
vepruar, shumë shpejt ai do të mbushej plotësisht. Por, kjo përballje do ndodhte në një tjetër kohë. Sado e madhe të ishte trysnia e të pathënave, unë do isha mjaftueshëm e fortë, sa për të parë në sy çdonjërën prej tyre, duke qenë e sigurt, se
nuk do të mund të ma zbehnin aspak forcën e guximin.
Më parë duhej të mund t’i shpërfillja të gjitha, të flija mbi to, si princesha e përrallës mbi bizele. Si edhe ajo, nuk do mund të bëja gjumë të qetë, por të paktën do isha e mbrojtur nga e keqja më e madhe,- si nga era, shiu, nata r errët,- shtangësia e përhershme, të cilën do ma sillte pashmangshmërisht bashkëjetesa me to.
Koha në pritje të saj ishte ashtu siç kishte qenë përherë, e pamatshme, por kësaj radhe jorënduese. Në pritje të marrëveshjes me të, kisha nënshkruar një tjetër me veten, ndoshta shumë herë më të rëndësishëm. Nëse doja të bëja përpara, qoftë edhe një hap të vetëm, duhej patjetër ta zbatoja me rigorozitetin më të madh. Në këtë mënyrë formulova atëherë moton time: “Përpara, vetëm përpara”.
Ajo hyri në dhomë me po atë rrezatim dhe nur hyjnor me të cilin më kishte mbetur ndër mend. Eklipsonte bindshëm çdokënd, që kishte hyrë ndonjëherë aty. Ata përfshiheshin nën një përcaktim: të tjerët, ndërsa ajo ishte e tjetërllojtë, e veçantë, aspak e ngjashme dhe krejt e ndryshme nga ata. E meritonte me të drejtë besimin tim. E kishte fituar me kohë.
- Atëherë, je gati të vulosim paktin tonë?
Mbylla sytë për disa sekonda, ishte bërë tashmë shenja jonë pohuese. Në aq pak kohë, ne kishim mundur të krijonim një mënyrë komunikimi tonën, joverbale, e cila më pas do të kishte ulje e ngritje, por që gjithmonë do të mbetej krejt e veçantë. Me sa duket, lidhja kishte krijuar menjëherë
një imunitet, i cili do të ishte aq i fortë, sa për të neutralizuar çfarëdolloj mosmarrëveshjeje mes nesh.
-Je e sigurt apo ke nevojë të mendohesh më gjatë?- më pyeti me një thjeshtësi aq të madhe, pa dashur aspak të ndikonte, por unë e kisha marrë atë vendim që në çastin e
parë të propozimit, s’ishte nevoja t’i rikthehesha.
- Nëse je e sigurt, atëherë a mund të më pohosh me sy?- pyeti ajo, ndërsa unë isha gati të mos reshtja së pohuari derisa të dilja nga ai spital. Brenda tij përjetoja frikërat e një fëmije, jo thjesht bezdisje nga aroma karakteristike, por më tepër nga ajo prani e ankthshme e vdekjes, të cilën vazhdoja ta thithja së bashku me ajrin, i cili rëndohej prej saj. Me gjithë strategjitë larguese që krijoja dhe përpjekjet e mia për të krijuar një tjetër realitet, ishte e pashmangshme zhdukja plotësisht ndjesinë e pranisë së saj, atë vetëm mund ta zbehja. Ajo ishte thjesht më e fortë se unë. Më e fortë se kushdo tjetër. Të gjithë jemi aq të vegjël para saj.
- A je gati të nisemi, të lëmë pas spitalin, mjekët dhe gjithçka tjetër mbytëse të këtij vendi?- më pyeti ajo si të ishte duke promovuar diçka të re.
Në të vërtetë të bindte mjaft lehtë, pasi idetë i kishte të qarta. Kishte edhe një veçori tjetër: zbulonte haptas mendimet e mia dhe kjo s’më pëlqente aspak. Duhej t’i ruaja më me fanatizëm, pasi kisha nevojë për diçka private, krejt timen.
Pohova me sy. Kisha kohë që e prisja largimin nga spitali. Ato pak çaste i kisha përjetuar si të kishin qenë përjetësia vetë. Atëherë as që e mendova se ku do të më shpinte. Për mua, kudo do të ishte njëlloj, mjaft të largohesha prej aty. Instinkti im është përherë i duhuri - gaboj vetëm kur nuk i besoj - dhe ai më thoshte se duhej t’i besoja plotësisht asaj infermiereje.
- Do të të bëj një injeksion, me qëllim që gjatë gjithë rrugës të mund të flesh e qetë,- më tha dhe as që priti të pohoja.
Siç dukej, në atë kontratën që kisha përmbyllur, do kisha lënë jo pak klauzola pa lexuar. Shpresoja që të tjerat të mos ishin të kalibrit më të rëndë. Nuk doja të flija. Kisha pothuajse një ditë-natë që isha zgjuar dhe i trembesha gjumit. Nën gjendjen e komës kisha humbur shumë kohë. S’doja të ndodhte më. Por kisha edhe një arsye tjetër. Tashmë s’më trembte më realiteti, por ëndrrat. Ato që kisha parë, më kishin mbushur të tërën me frikë e ankth. Diçka kishte ndryshuar, ndoshta-ndoshta gjithçka. S’doja më t’i ikja realitetit, por të
përballesha me të. Isha aq e qetë dhe thuajse optimiste në atë çast,- megjithëse mund të tingëllojë tepër absurde.
S'munda të rezistoja më gjatë, qepallat po rëndoheshin, ndonëse lehtas. Një pjesë e trurit tim mbeti zgjuar, për të përzënë ëndrrat e këqija. Ishte ajo pjesë e pavetëdijes, e cila vigjilonte dhe në çaste të tilla. Ndonëse ishte tërësisht e pavullnetshme, dukej sikur ishte planifikuar me mendjekthjelltësinë më të madhe. Më tepër se gjumë, ishte një mpirje, një shkëputje nga të jetuarit dhe futje në botën e gjasmes. S’mund të ndaja dy realitete aq të ndryshme nga njëra-tjetra. Për mua, ëndrra ishte aq e rëndë dhe e frikshme. Tashmë e gjithë ajo që kuptova, ishte se nuk ekzistonin kufijtë. Ëndrra dhe zhgjëndrra ishin më pranë se kurrë,- ishin bërë bashkudhëtare,- ndërsa unë, më e shpërqendruar se asnjëherë tjetër.
Qerpikët i ndieja më të lehtë, por isha ende mes ëndrrave. Zëra të bukur zogjsh, një fllad i ëmbël e fëshfëritje fletësh më përkundnin llastueshëm. Kjo dukshëm i afrohej më tepër parajsës qiellore sesa tokësores. Çfarë të kisha bërë për ta merituar gjithë këtë? Me sa mbaja mend, asgjë.
Sikur realiteti të ishte i tillë! Po përkundja veten në ëndërrime, po merrja të paktën një dozë ëmbëlsie prej tyre. Në një mënyrë a në një tjetër, kisha aq shumë nevojë të ngushëllohesha. Hapa sytë, peizazhi ishte magjik. Një bukuri të tillë është e vështirë ta ndërtosh edhe në ëndrra. Duhet të lodhesh shumë duke përsosur detajet. Përgjatë gjithë rrezes së vështrimit tim përhapej një liqen, i veshur me të njëjtën lule: zambak. Siç mbante liqeni lulet në gjirin e tij, një pyll i dendur e kishte përqafuar atë me bredha të lartë e krenar. Një kat më sipër bredhave lartësoheshin majat e maleve, të cilët ishin aq pranë, sa të dukej sikur i kishe vendosur pas një lupe zmadhuese. Ata, pa hequr dorë nga krenaria e tyre, përqafonin pyllin me hijen e kreshtave të larta.
Sa mirë bëra që i besova! Më kishte sjellë në një vend, ku mund të mbushesha vetëm me energji pozitive. Patjetër duhej të kisha bërë diçka të mirë për ta merituar gjithë këtë. Sërish nuk po më vinte ndër mend asgjë. Ende s’isha ngopur me peizazhin, kur pas meje ndjeva një frymëmarrje të rregullt, ishte ajo. Pashë të më vendoste dorën mbi sup. Një gjest njerëzor, i cili ishte po aq i ngrohtë sa edhe peizazhi. Sa mirë
që isha aty! Duhej patjetër të ikja nga ai spital, i cili kishte një atmosferë mbytëse, një forcë mbytëse. Mora frymë thellë.
Detaji i fundit që më ra në sy ishte karrigia me rrota në të cilën ndodhesha. S’mbaj mend të ndieja trishtim për gjendjen time. Kisha kaq dhurata të çmuara: e para ishte jeta. Unë jetoja. Infermieria rrëshqiti lehtë karrigen me rrota mbi barin e gjelbër. Në ecje, flladi ishte më i ndjeshëm. Mushkëritë më mbusheshin me ajër të freskët. Ishte aq i lehtë, sa më bënte të mos ngopesha me të. Ato çaste i shijova gjatë dhe thellë. U çlodha, u mbusha me energji pozitive. Doja të fotografoja gjithçka në mendje dhe në shpirt. E parandieja se s’do jetoja përjetësisht aty, por imazhin mund ta shfrytëzoja përherë, të cilin pashmangshmërisht do ta mbartja me vete, ashtu si Drakula dheun e vendlindjes së tij. Do të më shtoheshin forcat, siç ndodhte edhe me të. Do isha mandej aq e fortë, sa të mund të përballesha me gjithçka. Ai vend kishte nisur të më shëronte ato plagë, të cilat askush veç meje nuk mund t’i shquante.
Më dhembte në shpirt, që s’njihja të djeshmen time, por në gjirin e asaj natyre të mrekullueshme çdokush do të ishte në gjendje të riniste jetën nga e para; këtë do të bëja edhe unë. I premtova vetes të mos trishtohesha për të shkuarën, as për të ardhmen. Do doja të merrja sa të mundja nga e tashmja, e shkuara le të mbetej pas, ndërsa e ardhmja edhe pa kujdesin
tim të veçantë, do të vinte. Ishte e pashmangshme.
Ditët kalonin. Ishin të ngjashme me njëra-tjetrën e megjithatë
s’e ndieja rutinën. Infermierja përkujdesej në gjithçka që më nevojitej, që për shkak të gjendjes fiziko-mjerane s’mund ta bëja vetë. Ajo që mund dhe më pëlqente të bëja, ishte të sodisja peizazhin, të humbja në të dhe të mos mendoja për asgjë. Përfytyroja sikur nuk dija not, askush nuk ishte përqark të më ndihmonte, mbetesha e zhytur në të përjetësisht.
Më pëlqente perëndimi i diellit, tek e shihja të përskuqte liqenin, por edhe lindja e tij, e cila ndriçonte kreshtat e maleve, mandej bredhat e më vonë, relativisht vonë sipërfaqen e ujit. Ai vend kishte një forcë të jashtëzakonshme përtëritëse. Isha e sigurt që aty s’kisha qenë asnjëherë më parë. Këtë vend s’do kisha mundur ta harroja kurrë, siç më kishte ndodhur me gjithçka tjetër.
Këto ishin ditë pushimesh, s’mund të ishin përgjithmonë të tilla ditët e jetës sime, por do doja të zgjasnin sa më tepër. Në atë kohë s’e kisha vrarë aspak mendjen, se përse ajo infermiere e re, e cila dukej sikur kishte dalë nga ndonjë ekran televizioni, më qëndronte pranë njëzet e katër orë në njëzet e katër. Më trajtonte si një fëmijë të sapoardhur në jetë. Megjithatë, mund ta pranoj se më pëlqente, madje shumë. S’dija a më kishin llastuar në jetën e mëparshme,por sidoqoftë ndieja se kisha nevojë për një dozë më të madhe përkujdesjeje. S’dija lidhjen time me këtë vend, përse isha aty, por të them të drejtën, u kisha shpallur luftë
gjitha përseve. Tani që e mendoj më kthjellët, arrij të kuptoj se janë pikërisht të gjitha përsetë e kësaj bote, të cilat s’na lënë pranë asnjë grimcë qetësie e mandej as lumturi. Për sa kohë jetojmë, mund të jemi të lumtur. Për sa kohë pyesim, jemi kureshtare, ndoshta edhe inteligjente, por asnjë nga të dyja këto s’ka asgjë të përbashkët me lumturinë.

No comments:
Post a Comment