Tuesday, January 9, 2018

Te jetosh pergjysme

Sulmi kapitulli XII


    Nëse duhej të sulmoja, ky ishte rasti i artë. Ajo nuk ishte shfaqur kurrë në sytë e mi aq e dobët,- apo ndoshta asnjëherë nuk isha ndier aq e fortë,- ndaj dhe ishte një rast për të mos u humbur. Por, a do isha aq e fortë për të sulmuar dhe të arrija patjetër një fitore dhe jo thjesht një zhgënjim si herën e shkuar? Nuk isha vetëm dhe pikërisht te kjo duhej të mbështetesha, plotësisht. Të dy mund të ishim mjaftueshëm të fortë. Ai ishte jo vetëm qëllimi i jetës sime, por edhe shtysa, forca, e cila do më çonte me siguri vetëm përpara, ashtu siç vërtet e meritonte.
     Prita përfundimin e masazhit dhe mora laptopin, duke e vendosur mbi gjunjë, njëkohësisht po e shihja edhe atë në sy. Ishte koha më e përshtatshme, ku uria për të mësuar më shumë ishte tepër e fortë dhe preja tejet e dobët.
    - Jeta, ku ndodhet fëmija im?- e pyeta, duke shmangur çdo lloj hyrjeje. Në ato çaste duheshin shmangur ujërat e tepërta. Ishte koha për të prekur drejtpërdrejtë thelbin.
     - Për cilin fëmijë po më pyet?- u përgjigj ajo, duke u dukur sa e çuditur aq edhe e bezdisur.
    Nuk do tërhiqesha jo. Do ecja drejt, deri në fund, për të paktën një herë të vetme në jetë mund të isha e guximshme, duhej të isha patjetër.
    - Fëmijën tënd e ke pasur me vete, qysh nga momenti që jemi takuar për herë të parë. Mund ta prekësh e ta ndiesh pa ndërmjetësinë time. Nuk po kuptoj logjikën e kësaj pyetjeje, ndoshta ngaqë i mungon krejtësisht,- shpejtoi ajo ta mbyllte bisedën.
    - Jeta, nuk mendon se ka ardhur çasti i të vërtetës? Unë  ndoshta nuk meritoj aspak të jem idhulli yt apo i dikujt tjetër, por të vërtetën e meritoj. Hidhi një sy kësaj,- i thashë pasi ngrita bluzën dhe zbulova shenjën e lënë nga një operacion, e cila ndodhej në fund të barkut,- e dimë fare mirë të dyja se çfarë është: një prerje çezariane. Megjithatë, unë të kuptoj, ti nuk mund të marrësh asnjë vendim pa marrë leje me shkrim nga shefi ose të paktën në telefon.
    E shihja teksa i zmadhohej irisi i syrit, tek i zgjeroheshin flegrat e hundës, frymëmarrja i dëgjohej e çrregullt. Lëvizjet e duarve, po ashtu tregonin nervozizmin e saj. Po përparoja në drejtim të qëllimit tim. Duhej të thosha edhe diçka tjetër që të reagonte. Ky çast duhej shfrytëzuar deri në fund.
     - Ti nuk ke aspak faj. Në fund të fundit, është puna për të cilën paguhesh, në një mënyrë a në një tjetër edhe ti, si gjithë të tjerët, duhet të sigurosh ekzistencën tënde. Po të mjaftohesh thjesht me një pagë, do të thotë vetëm të ekzistosh e të mos kesh asfare ambicie për të ecur përpara. Me siguri, kjo është tepër e vogël për ty. Në fund të fundit, të plotësosh dëshirat e një mashkulli për para nuk është asgjë e re në këtë botë. Sigurisht, profesioni i mjekes nuk ka qenë shpikur i pari. Të tjera femra në vendin tënd do të kishin bërë gjithçka për të përfituar shumë më tepër.
    Sytë e saj lëshuan xixa. Nuk ngjasonte më aspak me një pre, ishe një bishë e egërsuar. Por nuk kisha frikë nga ndonjë sulm i mundshëm.
    - Mos guxo të thuash qoftë edhe një fjalë më tepër! Duke e parë të nxehur, mendova se ishte rasti ideal. Në sulm. Vetëm një herë mund të të vijë zogu në dorë, ndaj edhe nuk duhej lënë të ikte. Thjesht duhej ngacmuar ca më tepër, që të niste të cicëronte.
     - Unë nuk po them asnjë fjalë, thjesht po shkruaj, e dashur,- iu përgjigja, duke vërejtur sesi i ndizeshin sytë zjarr. Sërish nuk mjaftonte.- Të kërkoj sinqerisht të falur për atë që të shkrova, ishte një goditje e ulët nga ana ime, duke ditur se ai është pika jote e dobët dhe lidhja juaj nuk është thjesht  profesionale, por shkon edhe më tej, deri aty ku unë nuk dua të shkoj me fantazinë time. Në fund të fundit, kush jam unë që të fus hundët në jetën tënde? Çdokush mund ta jetojë jetën si të dojë apo si t’i vijë për mbarë. Megjithëse ti je një femër e rritur dhe ke të drejta të plota për të shkuar më tej...
    Në këtë çast, zemërimi i saj shpërtheu. Ishte ajo çka kisha pritur prej kohësh. Më kishte bërë të nxirrja në pah gjithë ligësinë, që për fat të mirë, më vonë nuk gjeti më vend brenda meje. Ishte sikur atë çast të qe kthyer e gjitha me fund.
    - Po, ke të drejtë, lidhja jonë nuk është thjesht profesionale,- më tha dhe dukej se e kishte të domosdoshme nxjerrjen e dufit të mbledhur brenda saj.
    - Është e drejta jote të bësh çfarë të duash me jetën tënde, të kesh një lidhje thjesht profesionale apo të shkosh më tej. Madje të kërkoj sinqerisht të falur për fjalët që shkrova, me gjithë mend ta them, ishte një gabim trashanik. Edhe sikur ti të shkosh më tej, kjo është një e drejtë vetëm jotja.
    - Nuk ka sesi të shkojë më tej... Ai është babai im.
    - Babai yt?- Ja ku na doli se kisha bërë një goditje të ulët pas shpine.
    - Po, pavarësisht rrjedhës së ngjarjeve, nuk duhet të harrosh asnjëherë, se ai ka rrezikuar jetën për ty. Më e pakta që i detyrohesh, është respekti dhe mirënjohja.
     Mos vallë kishte rrezikuar për mua duke shpenzuar shumë para? Në këtë mënyrë kishte rrezikuar jetën ai? Durimi i saj dukej se kishte prekur fundin, por sërish nuk do ndalesha. E dija se nuk do më vinte më kurrë ndonjë mundësi e tillë.
    - Paratë janë kaq të rëndësishme për të, sa të shpenzojë për dikë do të thotë të rrezikojë jetën?
     - Kush kujton se të shpëtoi paq nga flakët?
    - Ai?
    - Duke të të ndihmuar ty, pësoi djegie të shkallës së tretë.
     - Çfarë?
     - Pavarësisht kësaj, nuk më lejoi të rrija pranë tij. Për të, zgjimi yt ishte më i rëndësishëm se shërimi i plagëve të veta. E pra, i vetmi urdhër, të cilin zbatova, ishte dëshira e tij. Të kujdesesha me çdo kusht për ty.
    Me faqet e përskuqura dhe sytë e përlotur doli nga dhoma. Më erdhi keq teksa e pashë të përlotur, po edhe shpirti im ishte i lodhur e madje i drobitur nga errësira e mosdijes. Duhej t’i gëzohesha asaj që kisha mësuar, sepse nuk do të ma lejonte më një betejë të tillë. Për herën e ardhshme,- gjithmonë nëse do kishte një të tillë,- duhej të bëja gati një tjetër strategji. E dija se kjo nuk do të funksiononte më. Megjithëse nuk eci siç e kisha planifikuar, sërish kisha mundur të nxirrja diçka në dritë.
     Nëse ata ishin atë e bijë, kjo do të thoshte se lidhja e tyre ishte më e fortë nga se e kisha menduar. Lidhjet që krijon gjaku janë ku e ku më të forta se ato që krijon shtrati. Por, kishte edhe një tjetër shpjegim. Ndoshta ajo nuk ishte dakord me strategjinë e hartuar nga i ati. Duhej ta zbuloja. Nëse po, në cilën pikë dhe të mund ta shfrytëzoja. Të paktën isha duke menduar për të ecur përpara dhe jo për t’u kthyer pas. Si fillim, kjo ishte më e mira që mund të bëja.
     Ai, ai kishte rrezikuar jetën e tij për mua? Sikur të mund të kujtoja! Mbyllja sytë, por më kishte mbetur në mendje vetëm një ëndërr, veç një imazh: Një zjarr i madh, i frikshëm dhe ajri tejet i rëndë e i ndotur, i cili patjetër vinte nga mungesa e oksigjenit. Ndjesia e mbytjes, mungesa e çdo shprese shpëtimi dhe pritja e vdekjes së sigurt. Ja, vetëm këto mund të shihja, pavarësisht se i thosha vetes vazhdimisht se isha duke bërë përpjekjet maksimale për të kujtuar në mos gjithçka, të paktën diçka. Përpjekjet rezultonin të kota. Madje edhe ajo që mundja të sillja ndër mend nuk ishte e qartë sa një kujtim, ishte e mjegulluar, dukej edhe e largët, si një ëndërr. Asnjë fytyrë, asnjë emër, asnjë hero nuk kishte në mendjen time. Besoj, se askush nuk e di, por as mund ta përfytyrojë sesa i lodhshëm dhe torturues ishte i gjithë ky proces. Trupi ndihej si të qe kthyer nga ndonjë maratonë. Ndërsa mendja... për mendjen është Të jetosh përgjysmë e kotë të bëj ndonjë krahasim. Asnjëri prej tyre nuk do t’i afrohej duke u përpjekur ta përfshinte brenda tij. Ishte tmerrësisht sfilitëse të jetoja në një trup të tillë e aq më tepër, të mund të mbaja frenat e një mendjeje të tillë. Nëse nuk e drejtoja siç duhej, kush e di se ç’mund të ndodhte!
    Heronjtë mendoja se duhej t’i përkisnin një epoke të shkuar. Askënd nuk kam përfytyruar ndonjëherë si hero, duke më shpëtuar, duke më mbajtur në krahët e tij të fuqishëm. Por... jo. Nuk kisha nevojë për romantizma apo sentimentalizma në jetën time. Më duhej thjesht realizëm dhe pak historizëm, për të arritur deri atje ku isha. Nuk mund të ndërtoja të ardhmen, pa e vendosur në themelet e së shkuarës. Për hir të së vërtetës, mund të mos e konsideroja ndonjë hero legjendar, por duhej të paktën t’i isha mirënjohëse dhe ta falënderoja, nëse më kishte shpëtuar jetën.
    Kisha nevojë të kujtoja,- të paktën në këtë mënyrë e kisha bindur veten në ato çaste,- kështu do të merrte gjithçka vlerën e saj reale. Nuk do pyesja më askënd: Kush jam? Nuk do ishte më e nevojshme të shihja veten me sytë e të tjerëve. Kjo lloj njohjeje,- me sytë e të tjerëve,- ndoshta gjithkujt mund t’i dukej absurde, por kur nuk ke alternativa, as që e ke luksin të zgjedhësh. Kulmi i gjithë këtij absurditeti ishte të hartoja edhe strategji për të rrëmbyer ndonjë informacion njohës. Më pas, me siguri do ta përpunoja, duke e bluar në mendjen time me ditë të tëra. As në të vepruar nuk kisha alternativa. Për të mos u vrarë nga koha duhej ta vrisja me diçka. Ç’të bëja? Mund të shkruaja. Të paktën mund të bëja diçka. Këtu mund të zgjidhja: mes të shkruarit për fëmijën tim,- por nuk bëra këtë zgjidhje, pasi isha e ngarkuar me shumë energji negative,- më pas mund të zgjidhja sërish mes dy varianteve të ndodhive, të përjetimit të jetës sime ( ndodhitë nuk është se ishin të shumta). Vendosa të shkruaj në variantin e personalizuar, privatin, aty ku lindnin dhe merrnin hov përjetimet, por edhe flatrimet imagjinare. Ndoshta ato ishin qesharake për këdo tjetër që do t’i dëgjonte a lexonte, por për mua ato ishin shpëtimtaret e vetme.
     Duhej të bëja figurën e plotë të tij. Pra, ai ishte një lexues i rregullt i veprës sime,-ashtu si edhe e bija,- këtë ajo vetë ma kishte thënë. Dëshironte që unë të shkruaja për vendin e tij të zemrës. Këtë e kisha përmbushur me sukses ose të paktën kështu mendoja. Ne as ishim takuar ndonjëherë. Ai më kishte nxjerrë nga flakët, kur kishte rënë zjarri në shtëpinë time,- nuk dija në kishte nxjerrë ai edhe vajzën, së bashku me bashkëshortin tim,- dhe kishte të drejta të plota të paraqitej para meje si një hero. Më pas kishte ngarkuar të bijën të kujdesej për mua, ndërkohë edhe ai vetë ishte në spital. Qe lumturuar, kur botoi reportazhin për vendin e tij të zemrës, por nuk donte, që unë të mësoja për të shkuarën time. Njoftohej nga e bija për gjithë sa ndodhte. Ishte ai që projektonte gjithçka, që vendoste objektiva, të cilët duhej të rezultonin të zbatueshëm. Kështu, ata funksiononin si një trup i vetëm, në të cilin ai ishte sistemi qendror dhe ajo periferiku.
    Deri këtu shkonin kufijtë e dijes po këtu zinin fill kufijtë e hamendësimit. Ndoshta do ta quanit fushën time të parapëlqyer, por vetë realiteti im ishte i gjithi format i një hamendësimi të madh. Përse ai duhej të ndodhej pranë shtëpisë sime, kur ra zjarri? Dhe çuditërisht, kthehet në një hero. Mos ndoshta, ky hero ishte thjesht në vendin e duhur në çastin e duhur? Apo ishte një hero, i cili dinte të kujdesej për vetveten, të krijonte me qëllim situata të tilla, më pas të shtronte rrugën me dafina për t’u bërë i tillë, kur të ecte mbi to? Ja ku kisha lënë pas hamendësimin dhe kisha nisur akuzat. Ishte shumë më e rëndë se hamendësimet, megjithëse mbështeteshin tërësisht mbi to.
    Ndoshta ai mendonte se me para mund të kishte gjithçka, mund të paguante për kurimin dhe, sipas tij, edhe për sigurinë time. Në këtë mënyrë ndihesha si një e burgosur nën masën: arrest shtëpie. Në këto kushte kishte vendosur edhe të bijën e madje ajo ishte në kushte edhe më të rënda se të miat: ishte edhe pastruesja, kuzhinierja, kishte edhe një sërë titujsh dhe gradash të tjera, të cilat njihen mirë tashmë edhe pa u listuar të gjitha me radhë.
    Në apartament nuk isha vetëm unë e burgosur, por ishim dy e megjithatë, luftën time duhej ta bëja vetë. Për mua, ajo do të ishte e fituar, kur të arrija të isha e zonja e vetes, kur të mund të mbaja foshnjën tim në krahë dhe vajzën përdore. Në këtë mënyrë, edhe Aleksandri do të ishte përkrah meje. E gjithë lufta ime duhej të ishte kjo dhe vetëm kjo. Duhej të isha e aftë të bashkoja dhe të mbaja të tillë familjen time, si në përralla, përgjithmonë. Ky do ishte një fund i lumtur për romanet e mi. Ajo që mund të quhej ndryshe finalja e shumëpritur. Ndërsa me jetën ishte krejt ndryshe. Për familjen time ky mund të quhej fillim. Finalja në jetën e gjithkujt nuk mund të shkruhet nga ai vetë. Por as mund të kundrohet. Unë doja t’i largohesha sa më shumë asaj dhe parandjenjave të tmerrshme që më tregonin, se shumë pranë do ishte një finale e trishtë. Me mish e me shpirt mundohesha ta flakja tej. Sfilitesha më kot. Nuk ia dilja që nuk ia dilja mbanë.
    Pasi përfundova të gjitha analizat e hamendësimeve dhe vendosa objektiva të qartë për të ardhmen, kalova në variantin publik të të shkruarit. Këtu vijova të shkruaja për gjithçka që mbaja mend të më kishte ndodhur dhe që isha gati ta mendoja me zë të lartë. Nuk e kuptoj sesi edhe në situatën më absurde e mjerane të ndodhet një njeri, pa asnjë ndodhi në jetën e tij, mund të ketë aq shumë për të shkruar, rrëfyer, dhe njëkohësisht për të fshehur. Një arsye më se e mjaftueshme kjo për të mos qenë e lumtur. Prirje e natyrshme ndoshta për të pasur diçka timen, pa qenë nevoja ta ndaja me të tjerët, me askënd.

No comments:

Post a Comment