Tuesday, January 9, 2018

Te jetosh pergjysme

Qetësia          Kapitulli XIII


     Vendosa kompjuterin mbi komodinë dhe mbylla sytë për t’u çlodhur. Doja që truri të më zbrazej nga gjithë ato mendime e të mos ndihesha e rënduar. Për aq sa ishin kufijtë e atij, të cilin e quaja të mosmenduarit, pothuajse po ia dilja mbanë. Nuk mund të them se pas sa kohësh thitha një fllad të freskët e të lehtë, i cili mbushi dhomën dhe madje gjithë qenien time. Të hapja sytë dhe të shihja ç’kishte ndodhur ishte e kotë. Në atë muzg të qetë, dritaren me siguri nuk kishte mundur ta hapte askush. Ndieja në shpirt praninë e tij. Ishte Aleksandri, i cili zhdukte hapësirat boshe në shpirtin tim. Sa ishte vonuar! E kisha pritur gjatë. Ia kisha ndier aq shumë mungesën sa...
      Shkëmbyem vështrimet tona. Nuk di sa zgjati ai çast. Për mua edhe përjetësia do dukej si të qe vetëm një sekondë. Çdokush që do të na kishte parë, do thoshte me siguri të plotë, se ne ishim bërë për njëri-tjetrin. Ishim gjysma e së tërës, ku askush nga të dy nuk kishte kuptim pa tjetrin. Më preku flokët lehtë, më dehu, si atëherë. Ndoshta ishte pasojë e endorfinës, të cilën trupi im po e prodhonte me shumicë.
    Me sytë e mbyllur, doja vetëm ta ndieja atë çast, por kishte edhe një arsye tjetër, ata nuk mund të hapeshin më si më parë. Qepallat ishin rënduar aq shumë dhe ishin bashkuar aq fort, sa nuk mund të largoheshin nga njëratjetra. Por nuk ishte ëndërr. Jo, isha po kaq e vetëdijshme sa edhe tani. Vetëm se jo e qetë, prania e tij më turbullonte. Ngjaja pak si ai uji që buronte me shkulm.
      Më foli më pas me atë zë, që e kishte vetëm ai e askush tjetër. Më tha fillimisht se s’kishte mundur të vinte dot më parë, por që ishte shumë i shqetësuar për mua. Më kishte porositur të jetoja ashtu siç dija vetëm unë. Po a nuk e dinte ai, se unë kisha harruar gjithçka? As që e kujtoja si kisha jetuar dhe gjithashtu, si duhej të jetoja. Që e doja jetën shumë, këtë e kisha ditur, nga çasti i parë të cilin mund të kujtoja, madje kështu duhej ta kisha përjetuar që nga lindja e ndoshta kështu do të më ndodhte deri në fund të jetës. Pas vdekjes, nuk prisja më asgjë. Mosgjëja më tmerronte pa masë.
      Më tha se nuk duhej të lodhesha duke u marrë me të shkuarën, të mendoja vetëm të ardhmen. Të kujdesesha për djalin tonë, ashtu si Aleksandri për vajzën. Ky ishte një çast i mrekullueshëm i jetës sime, e dija se duhej ta shijoja. Janë aq të rralla çaste e tilla! Iu kthehemi më pas qindra herë dhe sërish munden të na lumturojnë, qoftë edhe fare pak. Kështu, unë po i jepja tim shoqi,- pas vajzës kuptohet,- djalin, trashëgimtarin. Ai do mbante mbiemrin e tij. Kjo ka rëndësi jetike për cilindo mashkull,- pavarësisht se ata që kanë shumë djem, përpiqen ta shohin si diçka normale, ndërsa ata që nuk kanë, vënë në pah cilësitë më të mira të vajzave. Këtë unë nuk jam duke e vënë aspak në pikëpyetje, por, një djalë, është gjithmonë një djalë.
    Shpesh, në plan të parë kishte qenë veprimtaria ime investiguese dhe përpunimi i informacionit të mbledhur. Lumturia para tyre zhdukej në çast, pa lënë pas asnjë gjurmë. Sidoqoftë, përherë kisha menduar, se nuk isha duke bërë gjë tjetër, veçse një investim për lumturinë tonë të ardhshme. Duke bërë të qarta të gjitha situatat, mendoja se isha duke ngritur një themel të sigurt për të.
     Përkëdheli lehtë djalin tonë dhe më tha sesa herë të më mungonte, do të mund ta ndieja praninë tek ai fëmijë. Tek fëmija ynë. U mallëngjeva. Sytë u përlotën. Ata mundën të shkëputnin qepallat e ngjitura dhe unë munda të shoh siluetën e tij të largohej nga dhoma, jo plotësisht e errët. Kishte atë dritë, për të cilën jeta ime kishte aq shumë nevojë. Nuk ishte i zemëruar me mua, por donte t’i përkushtohesha më shumë fëmijës. Do ta bëja. Më kërkonte të mos merresha me të shkuarën. E doja aq shumë, megjithatë, nuk mund ta bëja. Më kishte porositur të jetoja ashtu siç dija vetëm unë. Me sinqeritetin më të thellë mund të them se ishte e vetmja mënyrë që dija të jetoja. Nëse duhej të mendoja për të ardhmen dhe të luftoja për ta ndërtuar sa më mirë atë për familjen time, paralelisht me të do bëja edhe luftën për të shkuarën. Mozaiku i jetës sime nuk mund të ishte gjysmak. Jeta nuk ishte vetëm imja, do t’ia përkushtoja ardhmërisë së familjes, e kisha si një detyrim ndaj saj. E ndieja thellësisht si një detyrë të shenjtë.
     Përse iku aq shpejt? Nuk munda ta pyes për asgjë. Megjithatë më tha se vajza ishte mirë, ai gjithashtu. Përse të shqetësohesha aq shumë? Ai me siguri kujdesej shumë për të. Netët e pagjuma pas kësaj duhej të më iknin, për të mos u kthyer kurrë më. Isha e qetë, si të kisha hequr një peshë të madhe nga kraharori. Arrija të merrja frymë thellë, madje edhe të ndihesha më e lehtë.
     Meqë s’më tha të më merrte me vete, atëherë me siguri mendonte se këtu isha më mirë. Në të vërtetë, Jeta kujdesej shumë për mua, sa dukej si një nënë, e cila i përkushtohet maksimalisht foshnjës së saj,- megjithëse fëmija ishte më e rritur se nëna. Besoj se as unë nuk mund të kujdesesha më tepër se aq për fëmijët e mi. Madje, ajo nuk ishte as pranë të atit, tani që ai kishte nevojë për të. Si një nënë e mirë, i kishte dhënë përparësi foshnjës ndaj prindit. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Ishte vërtet e përkushtuar.
     E dija se duhej të isha mirënjohëse,-i isha në të vërtetë, nga thellësia e shpirtit-, por edhe ajo duhej të më ndihmonte. Për një njeri që do të mësojë më tepër, padyshim që çdo kohë duhet ta konsiderojë të duhurën. Ajo nuk duhej të më bëhej pengesë, por të më dilte krah. Do ta bindja patjetër, jo më duke e nxehur dhe shfrytëzuar dobësitë e saj, por duke i bërë thirrje logjikës. Isha e sigurt, do t’ia dilja mbanë.
      Ajo hyri në dhomë së bashku me tabakanë, ku ishte vendosur darka. Dukej e lodhur, madje e dërrmuar. Po ndihesha thellësisht fajtore. Duhej të mësoja vërtet gjithçka, por nuk po më shijonin të rejat duke e parë të paguante shtrenjtë, madje me dhimbje. Përse të mos gjenim gjuhën e përbashkët? Për sa kohë e pandeha rrëmbim, kisha të drejtë të sillesha në atë mënyrë, por nga çasti, kur im shoq erdhi aty, isha më se e sigurt se ata ishin bashkë, atë e bijë që përpiqeshin për të mirën time, tani mund të isha e qetë. Nëse unë do të isha në rrezik, im shoq me siguri do të më kishte marrë me vete ose të paktën, do të më kishte vënë në dijeni të ndonjë rreziku të mundshëm. Fakti që ai as u përpoq të ndryshonte diçka, për mua do të thoshte se mund të qëndroja e qetë.
     Do t’i kërkoja falje, duhej, por më parë të haja darkë. Ajo urrente të lëvizje orarin e të ngrënit. Më thoshte shpesh, se kjo ishte mjaft e rëndësishme për shëndetin mendor, aq sa edhe për atë fizik. Në gjendjen që isha, kjo merrte rëndësi edhe më të madhe.
     Pasi përfundova darkën, më pastroi duart me një pecetë të lagur, siç veprohet me një fëmijë. Doja të flisja me të, por ajo nuk kishte thënë asnjë fjalë, ishte mbyllur aq shumë në vetvete, sa dukej si të ishte vetëm gjatë gjithë darkës. S’u nguta, me siguri do të vinte sërish. Kishte vepruar përherë në këtë mënyrë. Më vendoste mua në kulmin e piramidës së rëndësisë dhe të kujdesit, jo vetveten,- ajo mbetej baza. Unë isha aty, në pritje.
     Hyri sërish në dhomë. I bëra shenjë të afrohej dhe të lexonte çfarë kisha shkruar. Erdhi, u ul. Pa fjalë dhe me pamje pothuajse të qetë, mora me mend se ishte gati të thoshte diçka.
      - Të lutem, më fal që të bëra të vuash. Qëllimi im i përhershëm ka qenë të mësoja më shumë për veten, kjo ndoshta më shtyu të ndiqja një rrugë të gabuar. Asnjëherë nuk kam pasur si qëllim të të bëj të vuash, ndaj të kërkoj sinqerisht të falur. Të jam thellësisht mirënjohëse për gjithçka ke bërë për mua.
      Duke lexuar e shihja tek mallëngjehej. Kishte aq shumë për të admiruar tek ajo vajzë! E konsiderova veten me fat që e kisha pranë. Ndoshta jeta ishte treguar me mua më tepër bujare nga sa meritoja. Vetë koha e tregoi se kjo ishte më se e vërtetë.
     Më përqafoi. M’u duk përqafimi më i sinqertë në botë. Ajo nuk mund të realizonte asgjë të shtirur. Madje, herë- herë e kisha zili për gjithçka ishte. Si mund të jetë njeriu aq i pastër? Si mundej të qëndronte krejtësisht e patjetërsuar, pavarësisht ambienteve ku punonte e jetonte dhe larmisë së njerëzve me të cilët ishte në kontakt? Këtij po që mund t’i thuash karakter i fortë, i skalitur në mënyrë të tillë, që askush nuk mund ta tjetërsojë.
     - Në radhë të parë, detyra ime është të kujdesem për ty, në çdo drejtim. Ndaj dhe i mendoj e i rimendoj gjatë çështjet e ndryshme para një vendimi, duke mos u ngutur kurrë. Gjendja jote është dyfish e brishtë dhe çdo gabim është i patolerueshëm. Nuk do t’ia falja vetes, nëse do pësoje ndonjë traumë për fajin tim, të shkaktuar nga pakujdesia apo nga mosvëmendja e mjaftueshme. Sërish do ishte për fajin tim,- tha ajo dhe unë vijoja ta vëzhgoja.
     Çuditesha me faktin se brenda një kohe jo të gjatë, ishte kthyer në pamjen e saj të mëparshme. E merrte veten aq shpejt, sa të kujtonte Prometeun. Sikur t’iu ndodhte kështu të gjithë atyre, të cilët vendosnin të tjerët para vetes! Në të vërtetë, e meritojnë të gjithë ata që e kanë zemrën flori dhe ndihmojnë me mish e me shpirt njerëz, të cilët ndoshta zemrën mund ta kenë edhe plotësisht të kalbur.
     - Mjeku specialist ka thënë se kujtesa do të të vijë vetvetiu, për asnjë arsye ajo nuk duhet përshpejtuar, madje as stimuluar, përndryshe mund të pësosh ndonjë traumë. Ti nuk mund të mbash aspak fjalën e dhënë në këtë pikë, kjo nuk do të na sjellë asgjë të mirë. Për mendimin tim, duhet ta shohësh më me gjakftohtësi këtë çështje, është vërtet delikate.
     Jo vetëm pamja e saj mund të ishte si më parë, si të mos kishte ndodhur asgjë, por edhe fjalët. Ajo nuk më mbante aspak mëri, fliste vetëm për mua dhe të mirën time. As zëri i saj s’fshihte ndonjë shtirje, ishte po ai i përhershmi. Sa ndryshe prej saj mund të jetë një engjëll?
     - Ndoshta duhet të flasim. Të flasim më gjatë, më çiltërsisht. Unë jam rritur me librat e tu. Babai i blinte, sapo botoheshin. I vendoste mbi komodinë përgjatë kohës që ishte duke i lexuar, posa i përfundonte i vendoste në bibliotekë. Atëherë ishte radha ime. Jo vetëm i kam lexuar të gjithë, por edhe i kam rilexuar.
    - Vërtet? Nuk po ma thua për të më bërë qejfin, apo për të më ngritur moralin, besoj. Apo jo?
    - A të kam thënë ndonjëherë diçka të pavërtetë?
     Nuk kishte ndodhur asnjëherë, por ama në fshehjen e së vërtetës, ishte po kaq e zonja sa ia vlente ta admiroje.
    - Jo, asnjëherë,- iu përgjigja, duke ndierë një ngërç të pashpjegueshëm në këtë pohim. Mes nesh kujtova se kishte pasur edhe të pavërteta, mos isha unë që i kisha të gjitha mbi supe? Të paktën unë kisha guximin t’i pranoja para vetes! Nuk dija sa e sinqertë mund të ishte ajo.
     - Shpesh, në faqet e romaneve të tua gjeja vetveten. Gjeja përgjigje edhe për pikëpyetjet që kisha. Ishte si të ulesha e të bisedoja me dikë, me ty.
    Dalëngadalë, pa e kuptuar fare, idhulli i babait ishte bërë edhe imi. Kur mësova se do të kujdesesha për ty e konsiderova, si një vlerësim që po më bëhej. Më erdhi keq, që nuk munda të kujdesesha për babin, por edhe ai është në duar të sigurta. Të kujdesesha për ty, ishte si të kujdesesha për tim atë. -      Nuk e kuptoj. Si mund të jetë e njëjta gjë?
     - Babai ka ëndërruar përherë të të takonte, por nuk merrte guximin të vinte.
    - Përse duhet folur për guxim?
    - Ju nuk jeni nga ata njerëz, që dilni për t’u ekspozuar në faqet e para, në intervista të gjata, apo në programe televizive. Ishe mjaft e rezervuar. Mandej ishit edhe një grua e re, e bukur, por edhe beqare. Me kalimin e viteve thuajse gjithçka ndryshoi. Ishit edhe më e njohur si një familjare e përkushtuar,  ndërsa im atë me statusin e një burri në moshë. Ai druhej, se mos qëllimi i tij për t’ju njohur si shkrimtare dhe për të biseduar çiltër do të keqkuptohej. Ai kurrë nuk do të krijojë probleme në familjet e të tjerëve. Për të familja është e shenjtë.
     - E kuptoj.
    - Ndaj, një ditë vendosëm të vinim në shtëpinë tuaj së bashku,- tha ajo.
      Ndërkohë unë po prisja me mjaft interes vazhdimin, si fëmija përrallën e dëshiruar, por ajo çuditërisht e mbylli argumentin. Ky privilegj ishte përherë ekskluzivitet i saj dhe ajo ma kishte treguar me veprime dhe fjalë, se kjo ishte edhe një kënaqësi për të. Kishte në dorë edhe arrën, edhe gurin. Mua shpesh më mbetej të mblidhja thërrimet.
     - Tani të më falësh, por jam aq e lodhur, sa nuk mundem të vazhdoj më tutje. Por edhe sikur të qe ndryshe, tani është koha për të fjetur. Natën e mirë!
      Doli nga dhoma duke marrë tabakanë me vete, por pa denjuar të më shihte në sy. As që i ishte dashur miratimi im apo urimi i natës së mirë.
    Kujtova atë çast se edhe Aleksandri më parë kishte ikur në po atë mënyrë. Ndoshta humbja e kujtesës më kishte bërë të harroja ditën kombëtare të të paedukatëve. Nëse vërtet s’mund të flisja, mund të prisnin të paktën një përshëndetje me dorë. Megjithatë, ata ishin të vetmit njerëz, të cilët më kishin ndenjur pranë në atë jetë,- vajzën as e kisha parë e as e kujtoja, bebushi ishte mjaft i vogël,- pa të cilët as nuk doja të mendoja se çfarë do kishte ndodhur në jetën time. Të dy ishin larguar në po atë mënyrë, duke lënë pas, veç të tjerave, mjaft pikëpyetje, të cilat më torturonin pa mëshirë.
       Pavarësisht pyetjeve të shumta, të cilat kishin lindur prej tyre, ajo ditë më solli me vete edhe mjaft përgjigje. Nuk më nevojiteshin edhe shumë të tilla për ta zgjidhur enigmën. Mjaft mirë do kisha jetuar edhe pa mistere. Le të më kishin treguar gjithçka, kur dola nga koma. Diçka është e sigurt, do isha mjaft më e qetë.
      Mjeku, të cilin ajo e quante specialist, me siguri njihte më mirë librat se njerëzit. Përse ky njeri nuk kishte folur me mua për atë që mendoja dhe shqetësohesha? Sigurisht, mjekësia moderne kishte teknologjinë e pagabueshme: ekzaminimet imazherike CT-skanerin, rezonancën magnetike, elektrocefalografinë (EEG) e ku di se çfarë. Me mendimet e pacientëve nuk merreshin kurrë. Edhe kjo ka diçka pozitive në vetvete, mendova atëherë. Mjekët le të merreshin me teknologjinë e arrirë, shkrimtarët me mendjet dhe shpirtrat njerëzore, që s’mund të ishin kurrë të tilla.
      Vijoja të shkruaja. Mendimet më vinin vrullshëm, saqë gishtat ende jo aq të shkathtësuar, harronin ndonjë prej tyre. Më dukej se do të vazhdoja pa u ndalur deri në agim. Ja, më në fund ajo që e kisha pritur gjatë. Valët e internetit ishin mjaftueshëm për të rrëmuar më tepër për jetën time. Ndoshta kjo nuk ishte mënyra më e mirë, por tani për tani ishte e vetmja. Ndoshta isha gabuar më parë, ajo ishte dita personale e të informuarit. Tashmë nuk ishte nevoja të hamendësoja data, mjaft që të hyja në google dhe të klikoja emrin tim, Era Tefi, apo të tim shoqi, Aleksandër Tefi.
     Ja ku ishte diçka. Kjo ishte vërtet befasuese, tepër e rëndë. Më tridhjetë prill, më kishin bërë një atentat. Makina ime ishte hedhur në erë nga një sasi jo e vogël eksplozivi C3. Për fat, thoshte shkrimi, askush nuk ishte plagosur. Autori ishte ende i paidentifikuar. Atëherë, as në shtëpi nuk kishte qenë incident. Me siguri duhej të kishte qenë zjarrvënie me dashje. Pra, eksplozivi në makinë kishte qenë një paralajmërim për mua, po përse? Dhe me sa dukej e kishte pasur seriozisht. Përse vallë? Cili mund të ishte dhe për më tepër ç’arsye të kishte pasur?
     Në asnjë artikull tjetër nuk flitej për kapjen e autorit, i cili kishte vënë eksplozivin në makinë, ndërsa për zjarrin në shtëpi kisha lexuar, se mendohej të ishte incident, i shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Mos ndoshta edhe makina ishte hedhur në erë për shkaqe natyrale? Kjo ishte vërtet çmenduri. Po, ka a s’ka ekspertë, të cilët bëjnë përcaktime të tilla? Apo ndoshta e bëjnë ekspertizën nga zyra e tyre dhe jo në vendngjarje. Nëse ishte i njëjti person në të dyja rastet, atëherë unë mund të rrezikoja sërish. Të ishte kjo arsyeja e izolimit tim? Pra, ata ishin duke më mbrojtur. Po më vinte turp nga vetja, që kisha besuar në dyshimet e mia. Kisha kuptuar vetëm se diçka më fshihnin, jo pa qëllim, kjo ishte e vërteta. Ata ishin duke më mbrojtur.
     Në mëngjes duhej të kisha një bisedë më të gjatë me të, këtë do e mendoja më vonë. Duhej të kërkoja sërish, të gjeja të dhëna të tjera të domosdoshme. Kishte përshtypje për librat, komente për romane të ndryshme, sugjerime nga më të larmishmet, madje edhe sugjerime, të cilat ishin mjaft të vlefshme për punën time. Më pas lexova për keqardhjen që ndienin nga lajmi i vdekjes sime dhe i familjes gjithashtu. Ishin aq të sinqerta, sa më se një herë u përlota.
     Kuptova përse lajmi i vdekjes sime ende nuk ishte përgënjeshtruar, ndoshta se kjo më garantonte më tepër dhe mund të jetoja e qetë. Po a mund të jetohej kështu, me zemrën plot frikë? Të jetoja kështu, ishte si të jetoja përgjysmë. Përgjysmë jetoja edhe kur familjarët i kisha larg. Përfundimisht, jeta ime, së bashku me mua, në thelb ishin copë-copë. Gjendja ime shëndetësore nuk më lejonte të kryeja mjaft aktivitete të përditshmërisë, por nëse do të isha mirë me shëndet, izolimin do ta vuaja shumë më tepër.
     Mes komenteve të shumta, flitej për një libër ende dorëshkrim, të cilin së shpejti do ta botoja dhe kishte shkaktuar mjaft polemika në media. Por nga ana ime, asgjë nuk ishte konfirmuar. Pjesa më e madhe e fansave nuk u kishin shpëtuar dot komenteve në këtë pikë, pavarësisht se të gjitha ishin hamendësime dhe nuk kishte absolutisht asgjë konkrete, të vërtetuar. Ishte një libër krejt ndryshe nga të tjerët,- të paktën këtë e pranonin të gjithë,- por aspekti mbetej i papërcaktuar. Gjithkush mund të fliste për të si për një kod, por askush nuk e ç’dekodifikonte.
      Gjithashtu, më çudiste numri i madh i dorëshkrimeve, të cilat kisha pasur dhe që thuhej se qenë djegur së bashku me gjithçka tjetër në atë shtëpi. Krejt e pabesueshme, me gjithë ato botime që kisha bërë, të kisha pasur ende po aq shumë dorëshkrime? Në atë faqe thuhej se ishin me dhjetëra të tillë. Përpos të gjithave, shtrohej pyetja: Cili i kishte parë këto dorëshkrime? Nëse thjesht e kisha deklaruar unë, kjo dëshmi tani për tani nuk më vlente, sepse s’kujtoja asgjë. Me orë të tëra u përpoqa të zbuloja ndonjë të dhënë të re, apo thjesht të shuaja kureshtjen. Më habiste vërtet volumi i punës që kisha bërë, kisha shkruar sa për një duzinë me shkrimtarë. Po për ç’arsye kisha punuar aq shumë, thuajse pa u ndalur? Në të vërtetë, kisha verifikuar, se nuk ishte i madh vetëm numri i titujve, por edhe tirazhi. Kush e di sesa mund të fitohet në këtë mënyrë? As që mund ta imagjinoja.
     Mësova se bashkëshorti im kishte një shtypshkronjë dhe një shtëpi botuese, ishte edhe administratori i saj. Ai ishte edhe redaktori i të gjitha romaneve të mia. Ja përse e kisha aq të vështirë dhe bezdisëse redaktimin. Ndoshta unë thjesht shkruaja, ishte Aleksandri, i cili zbulonte në kishte ndonjë kundërthënie, diku tepri apo mangësi. Me siguri, ai punonte me tri ngjyrat e njohura të redaktimit, ku njëra tregonte fjalët e tepërta, të panevojshme në fjali, një tjetër, përsëritjen e shpeshtë të fjalëve në fjali apo brenda paragrafit dhe një ngjyrë e tretë fjalët e shkruara gabim. Nisur nga volumi i shkrimeve, nuk besoj se e shihja ndonjëherë atë miniylber. Ndërkohë e quaja të përfunduar atë roman e ndoshta-ndoshta as e rilexoja më. Mendova se ky ishte një shpjegim mjaft logjik për t’u pranuar. Megjithatë, në vetvete ishte vetëm një hamendësim. Pra, lidhja mes nesh s’ishte një lidhje e zakonshme dhe as thjesht bashkëshortore, ajo ishte një lidhje familjare,- kishim fëmijë,- ishte një lidhje profesionale, por edhe biznesi. Kjo po që mund të quhej lidhje shumëfishe. Më pëlqeu ajo që sapo mendova. Duhej të qe aq e fortë ajo lidhje, sa për të mos u shkëputur e për të  qëndruar e tillë përjetësisht. Isha kureshtare të dija ç’punë kishte bërë para se të njiheshim? Nëse kishte ushtruar të njëjtin profesion, atëherë do thosha se ishte vërtet një zgjedhje e lirë e tij, madje e të dyve. Nëse do të kishte nisur pasi të ishim lidhur bashkë, do të ishte thjesht e ndikuar nga rrethanat. Mes dy hipotezave, mund të zgjidhja cilëndo, sërish të isha e kënaqur në secilin prej tyre. Sido që të ishte, kisha arsye të mjaftueshme për t’u ndier e vlerësuar prej tij. Profesionet tona ishin aq pranë njëri-tjetrit.
    Nëse Aleksandri do ta kishte pasur shtëpinë botuese para se të njiheshim dhe gjithashtu të punonte si redaktor, atëherë për të dy do të mund të thosha se kishim gjetur njeriun e përshtatshëm në shumë drejtime. Nëse vetëm pasi ishte njohur me mua, do të kishte hapur shtëpinë botuese, shtypshkronjën dhe të kishte nisur profesionin e redaktorit, mund ta interpretoja në dy mënyra: e para, i kishte pëlqyer puna ime dhe ishte ndier natyrshëm pjesë e saj; e dyta, i kishin pëlqyer të ardhurat dhe kishte vendosur të punonte me mua.
    Mund ta lodhja veten me këto përsiatje,- në fund të fundit, ishte pikërisht kjo që dija të bëja më mirë,- por ajo që nuk mund të ndryshoja, ishte se ai kishte pasur vërtet rezultate në punën e tij. Nisa të imagjinoja se çfarë çifti të pandarë kishim krijuar ne të dy.
    Kishte aguar. Unë ende isha zgjuar dhe as që më flihej. Ishte nata më e shkurtër që mund të kujtoja. Ndoshta kishte qenë ditë-nata më e lumtur e jetës. Isha siguruar që familja ime ishte mirë dhe ndiente mungesën time. Njëkohësisht kisha kuptuar se njerëzit, të cilët kujdeseshin për mua, meritonin besim e respekt. Dija shumë më tepër pas kësaj nate për atentatet, jetën time, veprën dhe përshtypjet e lexuesve. Kisha nevojë edhe për ndonjë ndihmë të vogël dhe, më në fund, mozaiku do të ishte i plotë. Për këtë të gjitha informacionet e gjetura, i ruajta në my documents. Këtë herë as u shqetësova se ato mund të shiheshin prej Jetës. Më pëlqente që do t’i kisha aty dhe duke i parë sërish, ndoshta  diçka të re do të nxirrja prej tyre. Në leximin e parë njeriu bën thjesht njohjen, por jo analizën e plotë të të dhënave.
     Më ishte kthyer në një mani përpjekja për të ndërtuar tablonë e plotë jetësore. Kjo vinte ndoshta nga ajo në të cilën unë besoja dhe kujtoja se ishte kredoja ime: Nuk mund ta duash diçka apo dikë, nëse më parë nuk arrin ta njohësh e ta kuptosh. Mendoja me të vërtetë se kur të mësoja gjithçka ishte për të mësuar, do të mund të isha përfundimisht e lumtur. Do të jetoja në harmoni me veten dhe të tjerët. Kur mendoja në këtë mënyrë, gjithçka më dukej ndryshe, madje edhe shija e ajrit ishte e tjetërllojtë.
      E mbushur me dëshira dhe ëndrra lumturie isha rrëmbyer nga gjumi. Aq ëmbël kisha fjetur, sa kur më zgjoi Jeta, sërish flatroja mbi retë e bardha. E kuptoi menjëherë, nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe. Më tha se ishte hera e parë, që më shihte aq të lumtur. Duhet thënë se edhe ajo m’u duk mjaft e qetë. Ndoshta atë natë, një zanë kishte ardhur me shkopin e saj magjik në apartamentin tonë. Pluhuri i saj ende po jepte rezultat. Për herë të parë pas aq kohësh, ritualet e zakonshme të mëngjesit nuk m’u dukën të bezdisshme. Më pas, të shkruarit. Ishte i vetmi proces në të cilin ndihesha e pavarur. Vetëm nëse ajo do të afrohej pranë meje do ta pyesja për diçka, në të kundërt s’do ta bezdisja.
     Kur u ul në vendin e zakonshëm, nuk mendova gjatë, nëse ishte apo jo koha e duhur. Përse ta prisja rastin të vinte, kur fare mirë mund ta krijoja?
     - Dua të më flasësh për atë takim që përmende mbrëmë. Atë mes jush,- ajo dhe i ati i saj,- dhe meje. Do të më shërbente për të qenë më e qartë mbi gjithë raportet tona.
     - Dëgjo, sinqerisht të them se është shumë më mirë, nëse nuk flasim për atë përvojë, është tejet e dhimbshme.
     - Të lutem, mos më privo nga të mësuarit e të kuptuarit qartë të kësaj situate, është shumë e rëndësishme për mua. Veç të tjerash, të siguroj se jam në gjendje mjaft të mirë për ta përballua
      - Kur unë dhe babi erdhëm në shtëpinë tënde, dalluam tymin që dilte nga një baxha në katin e sipërm. Dera ishte e mbyllur dhe nuk mund të hapej, me sa dukej ishte e bllokuar. Atëherë, babi theu një nga xhamat e dritares që ndodhej në katin e parë. Unë lajmërova menjëherë zjarrfikësin dhe ambulancën. Kur xhami u thye, ndodhi një shpërthim me zhurmë të madhe, që ndoshta do të ishte shumë më i fortë, nëse nuk do kishte ndodhur në këtë mënyrë. Por, sidoqoftë ishte sërish i fuqishëm. Copërat dhe ciflat e xhamave përfunduan dhjetëra metra tej. Për fat të mirë, ai e kishte parashikuar këtë dhe qe mbrojtur prej tyre. Ndërsa unë isha aq larg, sa për të mos rrezikuar aspak. S’priti shumë, nga dritarja u hodh e hyri brenda në shtëpi.
      U frikësova për vdekje. Kam shpëtuar shumë jetë njerëzish si mjeke, por këtë guxim as e kisha pasur dhe as mendoj se do ta kem ndonjëherë. Nuk do ta rrezikoja jetën time për askënd, për këtë jam mjaft e sigurt. E thirra të kthehej, por ai nuk më dëgjoi. Madje, ne as që ishim të sigurt, nëse kishte njeri në shtëpi. Pastaj, është edhe diçka tjetër, zjarri se ç’më krijon një ndjenjë ankthi. As vetë nuk e kam kuptuar se kur ka nisur, por mund të them se është në atë masë, sa të më sprapsë në cilëndo situatë.
     Para shtëpisë qëndronin dy makina, kjo na bëri të mendonim se të gjithë ishit në shtëpi. Ndaj dhe babai nuk nguroi aspak të futej brenda duke shpërfillur rrezikun. Pritja ishte e ankthshme, kishin kaluar vetëm pak sekonda qyshse ai kishte hyrë brenda dhe ambulanca do të vonohej të paktën edhe për disa minuta të tjera. Shumë pranë kujtova se ishte një spital privat. Mund të shkonim shpejt atje, gjithmonë nëse dikush ishte brenda dhe kishte nevojë për ndihmë. Afrova makinën fare pranë shtëpisë, pavarësisht ankthit, mund të them se isha plotësisht e kthjellët. Shpresoja që askush të mos kishte nevojë për ndihmë, por sërish isha e gatshme të isha në dispozicion të gjithkujt, që do të dilte prej aty. Kur pashë tim atë pranë dritares, renda ta ndihmoj. Mbante dikë në duar.
     - Kë?- pyeta, ndërsa zemra më pulitej në kraharor, gati të dilte.
     - Ishe ti. Kishe humbur ndjenjat. Ai të solli vetëm deri tek dritarja, të dy të futëm në makinë. Babi vendosi të hynte sërish në shtëpi, për të parë në ishte dikush tjetër në katin e sipërm. Në të parin nuk kishe njei. Unë kisha shumë frikë për të. I kërkova të mos futej. Shtëpia ishte në periferi të qytetit, jo shumë larg autostradës, thuajse përballë mobilieri “Komoditet”, por në një rrugicë, e cila kishte formën e një xhepi. Ndaj dhe aty pranë askush nuk ishte afruar për ndihmë. Ti e kishe zgjedhur enkas atë vend, ku njëkohësisht nuk ishe larg qytetit, por edhe për të jetuar në qetësi dhe larg vëmendjes së ndonjë kureshtari.
     U nisa urgjentisht për në spital. Ishte hera e parë dhe e vetme, në të cilën tejkalova dukshëm normat e shpejtësisë së lejuar dhe shkela sa munda rregullat e tjera të qarkullimit. Mendja fluturonte, sa tek babai, i cili ishte mes flakëve, sa tek ti që të shihja të shtrirë në sediljen e prapme dhe nuk dija, nëse jetoje.
     Mendoja se, nëse ti nuk do t’ia hidhje, do isha fajtore që nuk ta dhashë ndihmën e shpejtë menjëherë atje jo të të shpija fill në spital. Por, nëse babai gllabërohej nga flakët, nuk do mund të gjeja kurrë qetësi nga ndjenjat e fajit. Isha unë që nuk e ndala në kohë. Duart që më dridheshin i shtrëngoja pas timonit, duke i puthitur e duke i bërë njësh me të. Këmbën nuk e lehtësova asnjëherë mbi pedalen e gazit. E megjithatë, m’u duk udhëtimi më i gjatë në jetën time.
     - Nuk u ktheva kurrë më pas në atë shtëpi. As që guxoj të kthehem. E di se do përjetoja sërish atë makth dhe nuk jam gati. Asnjëherë s’kam për të qenë gati për diçka të tillë,- tregonte ajo dhe dridhej e tëra, si një gjethe në fundvjeshtë, e cila lyp mëshirën e erës së egërsuar. Nga çasti në çast do të shkëputej e do të rrëzohej. U shkunda nga ky përfytyrim, pulita sytë dhe u mundova ta shihja ashtu siç qe, jashtë dhe larg çfarëdolloj përfytyrimi tjetër. Lotët i rigonin faqeve.
    Unë e dëgjoja me vëmendje, por ishte si të mos kuptoja asgjë. Përjetonte ajo, madje thellësisht, përjetoja edhe unë, por si kushdo që do ta dëgjonte atë histori. Do ta përjetoja po njësoj sikur të dija se i kishte ndodhur dikujt tjetër. Mundohesha të kujtoja, por ishte e pamundur. Në mendjen time kishte vetëm errësirë. Ajo flakë, të cilën e kisha parë në vizionet e mia, me sa dukej ishte thjesht fryt i imagjinatës sime. Unë isha asfiksuar nga tymi dhe derisa isha larguar prej aty, flakët ende nuk kishin marrë jetë plotësisht. Në të kundërt, i ati i Jetës as që do kishte mundur të futej brenda në shtëpi.
      Do doja t’i kujtoja dhe t’i përjetoja ato çaste, nuk mund të them se do isha e lumtur kur t’ia arrija, ama moskujtimi i tyre kishte aftësinë të më mbyste çdo mundësi për të përjetuar ndonjë grimcë lumturie, madje edhe qetësie.
      - A kishte njeri tjetër brenda në shtëpi? Ç’ndodhi me babanë tënd?
     - Shtëpia kishte tavane të varura, dyshemeja ishte e drunjtë, kjo bëri që të digjej e shkrumbohej thuajse plotësisht. Babait iu ndezën rrobat dhe mori plagë përgjatë gjithë trupit.
     - E di se të vjen keq që nuk munde të kujdeseshe për babanë tënd. Besomë, ndihem thellësisht fajtore në këtë rast. A mori kujdesin e duhur mjekësor? Të kam bërë edhe një herë tjetër këtë pyetje, por dua të jem e sigurt, që ai nuk u lëndua pas asaj që ndodhi në shtëpinë time.
      - Po, për të u kujdesën aq mirë, sa edhe unë nuk do kisha mundur të bëja asgjë më tepër.
      - A kishte pasur njeri tjetër në shtëpi?- e pyeta sërish dhe prisja të më kthente përgjigje. E shihja teksa ajo heshtte. Unë kisha nevojë për fjalët e saj. Vetëm tek ajo mund të mbështetesha. Përse babai yt duhej të rrezikonte aq shumë, nëse shtëpia do ishte bosh?- Për vajzën dija që i ati u kujdes më së miri, por nuk dija, nëse vetë im shoq kishte pasur nevojë për ndihmë dhe nëse e kishte marrë atë.- Çfarë mundi të bënte për tim shoq?
     - Për të nuk mundi të bënte thuajse asgjë, rasti yt ishte krejt ndryshe. Por për secilin prej jush, ne u nisëm nga ajo që menduam se ishte më e mira.
      - Cila menduat se ishte më e mira për tim shoq?
      Ajo nuk tha asgjë, por e kuptova se nuk donte të vazhdonte më tej. Kështu ishte ajo, fjalëpakë. Dukej e sfilitur. E lashë të shkonte. Në të vërtetë, ajo kishte aq shumë impenjime, ndërsa unë vetëm një: të xhiroja shiritat e pluhurosur të së shkuarës. Ja që ndonjëherë mendoja se kjo mund të ishte vërtet një zgjidhje, por ishin veçse grimasa çastesh. Rrëfimi i saj më ngjante i sinqertë. Por, ajo fshihte diçka, më saktë, dikë, vajzën time. Përse në fillim më kishte thënë se nuk kisha fëmijë të tjerë, ndërsa tani e anashkalonte praninë e saj? Ndoshta donte të më shmangte vuajtjet. Mendonte, se po ta kisha mendjen tek ajo do të rrija në ankth dhe ndoshta nuk do t’i bënte mirë shëndetit tim dhe foshnjës.
     Me siguri, ajo i ngrinte këto hipoteza, ngaqë s’ishte nënë. Për një nënë, lumturia është të shohë fëmijët e lumtur dhe zemra më thoshte se kudo që të ishte, vajza ime në ato çaste, ajo do të vinte së shpejti pranë meje dhe do të ishte e lumtur. Duhej të kujdesesha edhe për fëmijën e vogël, nuk e kisha përkëdhelur dhe llastuar aspak atë ditë. Duhej të ishte mendimi im i vetëm. Por realisht, për fat të keq, s’mund të ishte. Ma bluanin trurin aq shumë mendimet, si mola drurin. Ama, ai ishte më i rëndësishëm nga gjithçka, ishte drita e syve të mi.
     Nisa të shkruaja një prozë të shkurtër poetike: Drita e syve të mi. Ky ishte edhe lajtmotivi. Çdo nënë, e cila do ta lexonte, me siguri do të mallëngjehej. Do të mallëngjehej, sepse do ta përjetonte si të ishte shkruar posaçërisht për mendimet dhe ndjenjat e saj. Pavarësish ndryshimeve, nënat kanë edhe mjaft të përbashkëta mes tyre. Për shembull, atë lidhjen e natyrshme me fëmijën, të cilën gjithkush e ka zili, por që askush nuk mund ta realizojë si ato. Për lexuesit e tjerë nuk mund të thosha asgjë. Destinacioni i një pjese të veprës sime, me sa dukej do të  ndryshonte, do t’i përkushtohej vetëm nënave. Kjo s’më dukej ide e keqe. Vërtet rrethi i lexueseve në këtë rast nuk do të ishte shumë i gjerë, por kjo mund të balancohej me interesin e madh dhe dëshirën për të lexuar më tepër rreth kësaj teme. Madje, më vonë mund të provoja të shkruaja edhe letërsi për fëmijë. Kjo ishte një ide, madje aspak e keqe. Do ishte diçka e bukur t’ia kushtoja tim biri dhe të gjitha nënat e tjera, kur ta lexonin, bijve të tyre.
     Pavarësisht ideve që i ndërroja herë pas here në lidhje me atë çka do të shkruaja në të ardhmen, diçka nuk ndryshoi asnjëherë: Dëshira dhe planet për të vijuar në po atë rrugë. Ndoshta nuk isha aq krenare për atë ç’ka kisha bërë në të shkuarën, por as mund të bëja diçka ndryshe e as dija. Edhe diçka tjetër, të cilën nuk kam dashur t’ia pranoja me zë të lartë vetvetes. Dukej se profesioni i mëparshëm më kishte hyrë në gjak dhe më shtegtonte heshturazi në trup ngado. Truri im nuk mund të mendonte për diçka ndryshe.
     Mendime të ëmbla, ëndrra të kaltra, ndjenja të dëlira flatronin të gjitha së bashku përmes kësaj proze poetike si re të bardha. Kur nisa ta rilexoja për t’i dhënë dorën e fundit, pothuajse mbeta thjesht tek të lexuarit. Për mua, ajo ishte tamam e përsosur.
     I rashë ziles së urgjencës që kisha pranë dhe Jeta erdhi në çast. Duke menduar se mund të më kishte ndodhur diçka, nuk kishte mundur as të shpëlante duart, kjo pasi i kisha rënë ziles për së dyti. Kur më pa se isha mirë e bukur, më tha se i ishte bërë gjaku ujë nga frika. I kërkova falje për aq sa mund të kërkohej me shenja, u afrua dhe lexoi vetëm titullin, duke u drejtuar për në kuzhinë, më tha, se e merrte me mend se cila ishte drita e syve të mi.
      U kthye pas pak dhe u ul pranë meje, pa asnjë koment, në heshtje lexonte dhe gati i përpinte rreshtat. Kur përfundoi, mori frymë thellë, thua se e kishte mbajtur pezull gjatë gjithë leximit.
     -Sa me fat dhe i bekuar është ky fëmijë, kur ende pa ardhur në jetë i dedikohen fjalë kaq të ëmbla e të bukura. Besoj se do jetë shumë krenar për mamanë e vet.
     Falënderova pa fjalë, por me zemër, ndaj e vendosa dorën mbi të. Mund të kuptoheshim edhe kështu.
     - E di çfarë? Ka një mënyrë të të shprehurit krejt ndryshe nga veprat e tjera të botuara prej teje. Këtë po që mundemi ta botojmë. Janë shfaqur disa revista luksoze kohët e fundit në treg, të cilat më shumë se fëmijëve iu drejtohen prindërve të tyre. Askush, madje as lexuesi yt më i vëmendshëm nuk do ta kuptonte se e ke shkruar ti. Asnjëherë nuk ke lëvruar këtë lloj shkrimi, madje as ke krijuar idile të tilla. Mund ta dërgojmë në redaksi, mendoj me një mbishkrim p.sh: Një nënë e re; por,- nuk kishte se si të mungonte klauzola por,- duhet të marrim më parë mendimi e babait.
     As që doja të hidhëroja veten duke menduar për të. Mund të flija, ndërkohë që ajo merrej me dërgesat e miratimet. Sa pak më mjaftonte për t’u ndierë e lirë, e pavarur, krenare, madje edhe e lumtur. Kjo vetëm e vetëm se frymëzohesha nga muza, im bir. Sikur jeta të ishte më bujare me të tilla çaste!
     Në ëndërr pashë tim bir, por kisha nisur ta përfytyroja ende pa më zënë gjumi. Sa të bukura ishin ato ëndrra! Të tundonin dhe të ndillnin aq larg e lart, sa të mos kishe dëshirë të zgjoheshe më kurrë, por të përkundeshe përjetësisht mes tyre. Më pëlqenin aq shumë ëndrrat, më magjepsnin, por e doja më shumë jetën, saqë pas gjithçkaje që më kishte ndodhur, ende mendoja se mund t’ia dilja të isha e lumtur. Nuk ishte e lehtë, por, as e pamundur jo, do ta arrija një ditë këtë për vete dhe familjen time.         Një zë i ëmbël, po aq sa edhe ëndrrat më thërriste, kishte ardhur koha të ndahesha prej tyre. Mundja të ndërtoja gjithçka në përfytyrimet e mia, ashtu si edhe Liza në botën e saj të çudirave, por ja që herë-herë kishte rikthime në jetën reale. Sinqerisht mund të them, se nuk kisha aspak dëshirë të shkëputesha, por ja që jeta veç të tjerave ka edhe: duhet.
      Ishte Jetmira. Duhej të haja drekë. Asnjëherë dhe për asnjë arsye çfarëdo, orari nuk duhej ndryshuar. Ja përse ajo vinte përherë disa minuta para orarit thuajse zyrtar. Bënim ndonjë bisedë të shkurtër apo shkëmbenim vështrimet, derisa të binte gongu. Më pas mbretëronte një heshtje e plotë, e cila i ngjante një heshtjeje varri. Unë thuajse asnjëherë nuk isha aq e guximshme, sa për ta prishur.
      - Zgjohhuuu! Veç drekës kam sjellë edhe lajme të mira,- tha ajo dhe nuk priti të hapja sytë. Ajo e kuptonte se isha duke e dëgjuar.- Ia dërgova shkrimin babait, ai është entuziazmuar. Sa për botimin e tij ndan po një mendim me mua. Pra... ai shkrim mund të botohet. A je e lumtur?
     Nuk mund të flisja,- kjo dihet mirë tashmë,- në atë çast as nuk mund të shkruaja, isha ende e përgjumur. Megjithëse sytë i kisha hapur, isha aq e lumtur. Ishte edhe më bukur se në ëndërr. A mund ta shprehja gjithë këtë lumturi? Hapa krahët anash, aq sa mundesha. Nisa t’i lëvizja lehtë, si të isha duke fluturuar. Ndjesia e përftuar ishte e mrekullueshme.
      - Me leje! A mund të fluturoj edhe unë?- U sinkronizuam shpejt, por jo në lëvizjen e flatrave, në entuziazmin, i cili na bënte të ndiheshim vërtet në fluturim. Sikur jeta të mund të ishte më bujare me ndjesi të tilla! Atëherë askush nuk do të lakmonte të jetonte aq gjatë, në kërkim të një tufëze çastesh të lumtura. Nuk do luteshim dëshpërimisht për të jetuar më tepër.
      - Babai ka të njëjtin mendim me mua, edhe për sa i përket revistës në të cilën duam ta botojmë. Do ta dërgojë ai vetë në redaksinë e revistës. Ka dalë në treg dy-tre muaj më parë: Fëmija dhe ne, e cila ka hapur edhe një konkurs vjetor për shkrimin më të mirë kushtuar fëmijëve, madje i shkruar për t’u lexuar edhe prej tyre. Si gjithnjë, e kam një vërejtje për këtë shkrim. Mbaje mend, kjo është vërejtja e parë, por jo e fundit që do të marrësh prej meje. Përse je aq e sigurt se fëmija yt është djalë? Herën e fundit, mjeku që bëmë EKGnë, tha se ishte shpejt për ta mësuar seksin e fëmijës.
     Isha duke ngrënë drekë, nuk mund të merrja kompjuterin dhe t’i ktheja përgjigje. Por ishte diçka, e cila as me shenja nuk mund të rrëfehej. Nuk ishte urgjente, mund ta bëja shumë mirë edhe më vonë. Këshilla e saj duhej zbatuar. Për të, të ngrënët ishte një ritual thuajse hyjnor, ndaj dhe duhej respektuar si i tillë. Ajo qëndroi aty pranë, duke bërë disa komente të këndshme për shkrimin. Ajo vajzë mund të ishte vërtet një mjeke flori, por ama, si kritike ishte një xhevahir i rrallë.
     Do t’i propozoja që të punonte me kohë të pjesshme në shtëpinë tonë botuese, por më parë duhej të shërohesha, mandej duhej të konsultohesha edhe me tim shoq. Patjetër, për të, nuk duhej të kishte asnjë problem. Është fat të punosh me njerëz të talentuar, me njerëz që kanë botë. Por, mbi të gjitha, me njerëz, të cilët kanë një nuhatje kaq të mprehtë e me ndaj gjithçkaje që lidhet me botën e letrave.
      - Jeta, përse nuk më ke treguar se kam një vajzë? Nuk është hera e parë që të pyes, por asnjëherë nuk më je përgjigjur e as më ke folur kurrë për të. Përgjigjja jote e vetme ka qenë pohimi. Kur më tregove për incidentin, bëre gjithçka për ta shmangur këtë argument, duke më thënë se nuk ishe kthyer më kurrë në shtëpi. Përse Jeta? Ç’do të thotë e gjithë kjo? Fakti që unë shpesh kam heshtur, nuk do të thotë aspak se nuk jam tejet e interesuar për të mësuar gjithçka. Çfarë jeni duke kurdisur?
     - Absolutisht asgjë. Ne, siç na quan ti, pra unë dhe im atë, kemi bërë gjithçka për të të ndihmuar. Kurrë nuk kemi pasur si qëllim të kurdisim diçka kundër teje. Ti duhet të kesh patjetër besim tek ne. A nuk mendon se ne tashmë e meritojmë një gjë të tillë?
     - E sheh? Sërish as nuk e përmende time bijë. Për ty s’ka asfare rëndësi, nëse ekziston apo jo. Për ty fëmijët e mi janë veçse qurrashë, që të prishin planet?
      - Kjo do të thotë se ti më ke përgjuar?
       - Jo, do të thotë vetëm se të kam dëgjuar krejt rastësisht dhe kam kuptuar. Unë nuk të pyeta për time bijë, kur më rrëfeve incidentin, por jo se nuk di për ekzistencën e saj, por sepse e dija se ajo ishte shumë mirë.
      - Kur të janë futur në kokë gjithë këto ide? - Kjo nuk ka aspak rëndësi. E rëndësishme është që ajo është mirë dhe se i ati kujdeset për të.
      - I ati?
      - Nuk kam mundur ende të gjej një shpjegim logjik për të kuptuar arsyen e vërtetë, përse nuk do të më flasësh asnjëherë për të.
     Mbeti e shtangur, si të kishte parë një fantazmë, prita... por ajo vononte të fliste. Për të thyer akullin duhej të shkruaja diç- ka tjetër. Situata ishte mjaft e rëndë, ndoshta duhej pak humor.
     - Ti më thua përherë të kujdesem për djalin, mos ndoshta ngaqë nuk ke aspak simpati për vajzat.
      - Dëgjo, unë nuk e kam përmendur asnjëherë seksin e fëmijës, ta thashë edhe një herë tjetër, as mjeku nuk mund ta shihte. Unë jam mjeke dhe flas si e tillë, jo në bazë të hamendë- simeve të mia apo të të tjerëve. Këto as që mund t’i tolerojë.
      - Siç i beson ti mjekësisë, ne të pashkollët iu besojmë njerëzve të dashur.
      - Që do të thotë se...
      - Do të thotë se unë i besoj verbërisht të atit të tij. Nëse ai më thotë se është djalë, pa diskutim është kështu. A nuk më the se besimi fitohet? E pra, Aleksandri e ka fituar plotësisht besimin tim. E shihja tek i zmadhohej irisi i syve dhe ndieja, se frymëmarrja e saj ishte duke u shpeshtuar, si atëherë, kur unë kisha hartuar strategjinë time, por edhe më keq. Ndërsa tani nuk kisha pasur asnjë lloj paramendimi për t’ia arritur diçkaje të tillë.
     E shihja sërish me vëmendje. Ishte bërë në fytyrë si meiti, thua se kishte një shpirt të keq përballë dhe jo mua. Pothuajse e panjohur dhe e tjetërsuar në pamjen e saj. Unë, plotësisht e qetë dhe e kthjellët. Më e sigurt se çdo herë tjetër për një përballje.
      - Çfarë di ti për të atin e fëmijës?
      - Di që është im shoq, a mjafton kjo?
      Në këtë pikë, biseda kishte sërish nevojë për thyerje, ndoshta për pak humor, të paktën nga ana ime. Ajo po e përjetonte si situatën më dramatike në botë.
      - Si ke mundur ta shohësh? Si ke mundur të flasësh me të? Kur? - më pyeste ajo, ndërsa unë i prisja me qetësi pyetjet e saj. Në të fundit kishte harruar të përdorte fjalën shoqëruese të dy të parave: mundur. Ndoshta duhej t’ia vija në dukje apo ndoshta do ishte më mirë që jo. Me siguri, kjo do ta acaronte shumë më tepër dhe unë nuk dija nëse e doja këtë. Do ishte më mirë t’i ktheja përgjigje menjëherë.
      - Unë? Po kjo është plotësisht e pamundur. Unë nuk mund të bëja kurrë diçka të tillë. Madje edhe sikur personalisht të doja vërtet.
      - Epo, askush nuk mund të hyjë pa i hapur ti derën. Ti e mbyll atë me çelës fill pasi futesh. Madje e rrotullon çelësin plot tri herë, thua se është duke të të ndjekur njeri.
      - Kur ka ndodhur kjo?
      - Unë nuk po flas marrira. Ka ndodhur vërtet, pikërisht dje.
      - Kur? Dje?
     - Ndoshta kur ti ishe duke psonisur. Mos ndoshta e ke harruar derën hapur? Të gjithë njerëzit mund të gabojnë, nuk duhet të shqetësohesh aq shumë për këtë. Në fund të fundit, nuk duhet të ndihesh keq, përderisa mua nuk m’u kanos ndonjë rrezik.
      - Përse ishte ai këtu? U trembe prej tij? Ç’të tha?
      - Kishim një bisedë tërësisht private dhe më tha të mos ia tregoja askujt, sidomos ty.- Prita të qeshte, por nuk kishte për të ndodhur edhe për disa kohë, nisur kjo nga fytyra e saj. Siç dukej, kishte humbur plotësisht ndjenjën e humorit.
      Lashë mënjanë shakatë dhe i tregova se biseda e tij më kishte bërë të ndihesha mirë, sepse më kishte hequr merakun që kisha për vajzën. Kështu, prej atij çasti, unë isha mjaft më e qetë
      Ajo nuk fliste. Rrinte e ngurosur, si një statujë e mermertë. Si u mendua një hop, erdhi me aparatin tensionit dhe termometrin në dorë. Ndihesha mjaft mirë fizikisht, por ajo pamje seç më dha papritur një peshë mbi kraharor. Nuk arrija të kuptoja, përse i kishte sjellë? Sigurisht për t’i përdorur. Por, përse? S’kundërshtova. Nëse ajo s’ishte duke bërë gjë tjetër veç detyrës së saj, me siguri edhe unë duhej të bëja pjesën time, rolin e pacientes. Kur mbaroi ekzaminimin, rrudhosi ballin dhe mblodhi buzët. Plot tri herë ma kishte vënë e hequr termometrin, e kishte shkundur më pas, si të ishin mbledhur në të gjithë pluhurat e kohës. As që guxova ta pyesja për gjësend. E lashë të kryente sipas mënyrës së vet detyrën që ajo e quante përveçse fisnike, edhe të shenjtë.
     Pa kaluar shumë kohë, në dhomë u përhap një aromë e çuditshme. As që munda ta kuptoja se çfarë ishte. Por mund të vija re fare qartë ndikimin që kishte ajo tek unë. Më bëri të ndihesha më mirë, ishte sikur në dhomë papritur të ishte dendësuar oksigjeni.
     Ky ritual u përsërit disa mbrëmje rresht. Sa herë përsëritej, po aq herë më bënte të ndihesha mirë, sigurisht që kjo u bë mjaft e qartë edhe për të, por nuk më tha asnjëherë se çfarë arome mrekullibërëse ishte. As unë nuk e pyeta. Kishte diçka në atë mes, por atëherë as më shkonte ndër mend se ç’mund të ishte në të vërtetë. Enigma,- përherë nëse mund ta quajmë edhe kështu,- u davarit shumë kohë më vonë. Ishte temjan, të cilin ajo e bënte të shkrihej nga nxehtësia apo e digjte, një zot e di se çfarë.
     Sjellja e saj kishte ndryshuar shumë, siç kishte ndryshuar edhe ajo ato ditët e fundit. Rrinte e heshtur, e menduar dhe kujdesej për mua shumë më tepër se më parë. Kishte shpeshtuar masazhet dhe nisi të më jepte sërish atë tabletën, që jo vetëm më vinte në gjumë, por më izolonte totalisht nga bota. Sillej më ëmbëlsisht, më qëndronte pranë thuajse përherë. Tek këmbët ndieja një përmirësim të ngadalshëm, por ngushëllohesha me faktin se ai ishte i qëndrueshëm. Marrëdhënia jonë, krejt ndryshe dukej se kishte ngrirë apo, më keq akoma, kishte bërë prapa. Diçka ishte thyer mes nesh,  por kjo nuk ishte e para herë që ndodhte, vetëm se këtë herë ftohtësia ishte më e thellë, pothuajse drithëruese. Më e keqja ishte se për të as flitej e as shkruhej. Më vendoste në karrocë dhe më shëtiste në hapësirat e vogla që kishte apartamenti. Interesohej shumë për djalin tim dhe kujdesej për të.
     Në njërën prej këtyre ditëve, tërësisht të ngjashme me njëra-tjetrën, vendosa më në fund ta pyesja për diçka. Sinqerisht, tek unë nuk zinte vend aspak mëria kundrejt saj.
     - Jeta, kur të mos jetë nevoja të kujdesesh për mua si mjeke, a pranon të punosh në shtëpinë botuese të tim shoqi?
     E pashë teksa ngrysej në fytyrë, ndaj shtova: Me kohë të pjesshme, sigurisht. Paga do të jetë e kënaqshme. Për më tepër hollësira, jam unë që do të bie dakord me tim shoq.
      Ajo që kisha menduar se do të rivendoste urat e komunikimit mes nesh, një shaka krejt e pafajshme apo thjesht një ofertë pune, kishte shkaktuar aq shumë keqardhje tek ajo vajzë. U drodh e u zverdh, si ta kisha kërcënuar me jetë. Po ç’kishte, përse gjithçka që nxirrja nga goja,- më saktë që shkruaja,- i dukej e papëlqyeshme? Mos duhej vetëm të buzëqeshja kot, si e marrë dhe të mos hapja asnjë bisedë? Do ta kisha pak të vështirë, sepse nuk jam ndonjë natyrë aq e mbyllur dhe e heshtur, por sërish, nuk mund të thosha se ishte e pamundur.
     -Nëse nuk dëshiron, askush nuk do të të detyrojë, por unë besoj vërtet se ti ke mjaft talent për t’u marrë me këtë punë. Pastaj, nuk do të të hante edhe aq shumë kohë. Ti vetë më ke thënë se i lexon veç për kënaqësi romanet e mia. Pra, kënaqësisë së leximit shtoji edhe një kohë fare të vogël të redaktimit apo shkrimit të artikujve të shkurtër kritikë. Kështu do lehtësoje edhe punën e tim shoqi.
       - Më duket mua apo ti Era po flet përçart, mos po marrosesh?
       - Nëse nuk do që të flasim mbi këtë argument, jam dakord ta lëmë me kaq tani për tani, por do të na duhet t’i kthehemi. Atëherë kur unë të jem shëruar plotësisht dhe të jem plotësisht në gjendje për të punuar. Sidoqoftë, zgjedhja është jotja, por të më quash të marrë, të siguroj se nuk do të zgjidhë as problemet e tua e të askujt tjetër.
     - Nga të lindën gjithë këto ide të lajthitura? Mos ke folur sërish me të? Më shiko në sy, të lutem! - Mos do të më vendosësh sërish termometrin? Nëse ti nuk më informon për asgjë, as atëherë kur ka ardhur me të vërtetë koha e duhur, nuk mendon se mund të ketë edhe mjete informimi alternative?
      - Dhe cilat na qenkan këto mjete informimi alternative?
        Nuk fola, ishte para syve të të dyjave. A nuk i kishte shkuar ndër mend ndonjëherë? E shihja në sy dhe asnjëra prej nesh nuk fliste. Dhe unë që kisha dyshuar më parë se më kishte pikasur!
      - Kompjuteri!- tha më në fund,- mos më thuaj se ka pasur wireless? Dhe unë që u mashtrova se ty të ishte fanitur nga hiçi yt shoq. E di çfarë, thuajse e besova atë rrengun që më tregove. Kjo do të thotë se ose unë kam nisur të budallallepsem, ose që ti po bëhesh dalëngadalë mjeshtre në të mashtruar,- tha ajo, por asnjëra prej të dyjave nuk po më pëlqente.
     Ajo po tregohej sërish e padrejtë me mua,- sikur ta dije sa shumë më është trazuar qetësia dhe gjumi nga ajo që më the! Nuk priti më gjatë aty, iku me buzët e mbledhura, sikur t’i kisha ofruar një pakt me djallin dhe jo një vend pune. Ndoshta, fakti që asnjëra prej nesh nuk kalonte kohë me njerëz të tjerë, na e kishte bërë të rëndë praninë e njëra-tjetrës.
     Jeta më fliste shpesh, duke prekur tema të ndryshme, por asnjëherë nuk kishte përmendur, jo vetëm time bijë, por as tim shoq. Duhej ta pyesja sërish për incidentin. Por kur? Në kohën e përshtatshme. Ndonjëherë më dukej se nuk do të vinte kurrë. Pyetjet më zienin dhe me zor i mbaja përbrenda. E çfarë mund të bëja tjetër?
      Të nesërmen pasdite ishte shumë më e qetë. Kur ajo më erdhi pranë, e pyeta nëse ishte kapur fajtori. Më hodhi një vështrim me sytë që i zmadhoheshin në çast.
     - Për cilin fajtor e ke fjalën?
     - Në mes të ditës, me njerëz zgjuar brenda saj, shtëpia nuk ka se si të marrë flakë vetë dhe banorët të jenë aq të verbër, për të mos kuptuar asgjë. Me çfarëdolloj kushti, unë do bëja gjithçka për të shpëtuar veten, familjarët e mi, por edhe shtëpinë time. Mos më vështro me habi. Jam aq e madhe, sa për të arritur vetë në disa përfundime, apo jo? Pra, duhet të ketë patjetër një fajtor, ai, i cili vuri zjarrin,- përfundova unë. Me vështrim të rreptë më pa nga koka te këmbët.
     - Gjithçka ndodhi si pasojë e një incidenti. Ishte një shkëndijë elektrike, ajo që i vuri zjarrin shtëpisë, ti nuk munde ta vije re, pasi në fillim pati vetëm tym. Ishte ai që bëri asfiksimin tënd,- tha ajo. Po si mund të besoja se nuk kisha ndier erën e tymit në shtëpinë time, kur përherë jam në gjendje të përcaktoj qartë se çfarë është duke gatuar Jeta për drekë?
     - Po, mos do të thuash se edhe në makinën time disa ditë para këtij incidenti kishte pasur një shkëndijë elektrike?
      Ajo mbështeti bërrylat mbi gjunjë dhe kokën mbi duar, sikur të mos mundte më ta duronte peshën e saj.
     - Mos të informoi yt shoq për të gjitha?
      - Sa për eksplozivin në makinë kam lexuar titujt dhe artikujt të gazetave në internet.
      Ajo më pa me habi. Por nuk është se çuditej shumë nga ky fakt, ndoshta më tepër prej lidhjes që kisha bërë.
      - Unë e kuptoj më së miri përsenë e ngujimit tim, kuptoj gjithashtu se kjo situatë do të vazhdojë derisa ai të ndalet. Ndaj edhe për familjen time në gazeta shkruhet se është karbonizuar e gjitha, kur ne jemi shëndoshë e mirë që të tre. Kjo është thjesht një masë sigurie. Ndaj edhe im shoq s’ka ardhur asnjëherë ditën me diell dhe as e ka sjellë ndonjëherë vajzën me vete. Kur më pas situata të jetë ndryshe, ne me siguri mund të rrimë të tre. Në këtë kohë, edhe ti do të jesh e lirë të bësh jetën tënde normale, të mëparshmen.
      Ajo nuk priti të dëgjonte më tej, u çua. Dukej e tejlodhur apo ndoshta ishte në dilemë dhe nuk dinte ç’të bënte.
      Kur e humbasim rutinën e përditshmërisë, ajo nis të na shfaqet e këndshme në kujtesën tonë. Ndoshta. Jeta ishte prekur, kur i kujtova përditshmërinë e saj të humbur. Dhe fundja, nuk isha vetëm unë e ngujuar. Prej kohësh e kisha kuptuar se ishim të dënuara të qëndronim pranë e pranë, të lidhura me zinxhirët e fatit, duhej të prisnim me durim, derisa të mos ishim më një kapriço për të.
     Ajo nuk po mundej të kuptonte si duhej menaxhuar situata, ndaj i telefonoi të atit. Ishte një telefonatë tejet e gjatë dhe me dyer të mbyllura. Patjetër do të vendosnin për të më treguar diçka, madje duhej të më tregonin gjithçka. Isha plotësisht e bindur se kjo do të ndodhte. Është një ndjesi e çuditshme, kur kupton se të tjerët janë duke vendosur për fatin tënd.
     Pasi piva tabletën për gjumë në praninë e saj, u shtira sikur flija. Më erdhi aty pranë dhe më pyeti nëse po flija. Unë nuk u përgjigja, ajo doli sakaq nga dhoma, duke mbyllur derën me çelës nga pas, sipas zakonit të saj, duke e rrotulluar disa herë.
     Hapa sytë. Ishte koha e të shkruarit. Më vinte keq që e kisha gënjyer, por ishte hera e dytë që atë tabletë e vendosja poshtë gjuhës dhe e nxirrja sërish, sapo ajo të dilte nga dhoma. Ishte koha ideale për të shkruar. Vendi i parë mbahej nga hipotezat, për atë që do të ndodhte të nesërmen. Kjo ishte mënyra ime më e mirë për të menduar, por edhe për të reflektuar.
     Pasi i kisha shtruar gjithë alternativat e mundshme, mendova se ishte më mirë ta lija me aq. Kur ajo të vinte, nuk doja të dyshonte për asgjë. Sapo fika laptopin dhe u rehatova, u hap dera. Me siguri ishte ajo! E kush mund të ishte tjetër veç saj? Erdhi pranë. Për çudi, nuk po largohej shpejt, siç e kisha parashikuar. Unë sërish bëja sikur flija.
      - Mos u shtir më Era, nuk të shkon, e di që je zgjuar. Hapi sytë!- Me siguri do të më ishin skuqur faqet dhe pa e kuptuar as vetë ishin bërë tradhtare. Hapa sytë, e turpëruar, shtiresha sikur sapo isha zgjuar dhe drita më verbonte sytë. Në fakt, kjo ishte e vërtetë, sepse edhe kur shkruaja, nuk e kisha ndezur. Ajo më tregoi me gishtin tregues laptopin.
      - Ja spiuni, ky mund të thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
       Kisha ngritur qindra hipoteza atë natë në ato shkrimet e mia, por më kishte shpëtuar e vetmja konkrete: nxehtësia e madhe e kompjuterit, mund të fliste më shumë se fjalët. Atëherë ndjeva të më skuqej vërtet e gjithë fytyra deri te veshët.
      - Nuk është koha për diskutime të kota. Duhet të flesh e të shlodhesh me të vërtetë, pasi nesër do të jetë dita e së vërtetës. Qysh në mëngjes, babai do të jetë këtu nesër. Ndoshta ka ardhur koha e duhur për të mësuar të vërtetën. Nuk duhet të bësh gjë tjetër veçse të vendosësh, nëse do me gjithë mend të përballesh me të.

No comments:

Post a Comment