Tuesday, January 9, 2018

Te jetosh pergjysme

Dështimi        Kapitulli XI


     Isha duke shkruar, por mendja punonte jo në kahun letrar, por në një tjetër, në të cilin kurrë më parë nuk mbaja mend të qe rrotulluar. Nëse isha e aftë të trilloja historitë e qindra romaneve, truri im ishte i aftë edhe për të hartuar një strategji, e cila do të më shërbente për të marrë një informacion mjaft të nevojshëm, madje në atë masë sa mund të quhej jetik.
     A ishte etike kjo që po kurdisja? E përse duhej të mendoja përherë aq thellë, duke analizuar shkaqet dhe pasojat? Nëse kjo botë do kishte shumë njerëz si unë, atëherë do t’i shihje të bënin vend numëro. Ata që vendosin të ecin përpara, as e hedhin vështrimin pas për të parë çfarë kanë shkaktuar dhe kujt.
     Është kohë e maskarenjve, kjo shprehje e Ali Asllani më vjen ndër mend, kur kujtoj situata të ngjashme, por nuk ke përse të arrish të bëhesh maskara për të arritur qëllimin, mjaft të bëhesh guximtar, gjithë bota është e guximtarëve.
     Jeta hyri me atë buzëqeshjen e saj engjëllore në fytyrë, por unë kisha vendosur të mos mashtrohesha nga fasadat. Isha tepër e rritur për të besuar se gjithçka që shkëlqente, ishte medoemos flori. Duhej të nisja nga sulmi, por aq natyrshëm dhe qetësisht, sa askush të mos kishte bazë për të më quajtur planifikuese, plëngprishëse apo ku di se çfarë. Duhej të isha si ai ujku, i maskuar me lëkurën dhe pafajësinë e qengjit.
     I bëra me shenjë nga kompjuteri dhe ajo me po atë shprehje fytyre u ul në vendin e saj të zakonshëm, duke pohuar me kokë. Kjo shenjë tregonte se ishte e gatshme për të vendosur një urë komunikimi. Me vete mendoja: Mikja ime e dashur, duhet të jesh mjaft e kujdesshme për të mos rënë nga kjo urë!
     Me sa mbaja mend, ishte hera e parë, që dëshiroja dhe po nisja të sfidoja dikë, vetëm mendimi i asaj që do të ndodhte mjaftonte për të më rritur nivelin e adrenalinës. Një ndjesi e pakrahasueshme kjo me asgjë tjetër.
     - Do më pëlqente të dija diçka më tepër për ty. Je njeriu im, jo vetëm më i afërm në gjithë këtë periudhë të jetës, por edhe e vetmja që shoh, që komunikoj dhe që kujdesesh pa asnjë rezervë për mua. Ndonjëherë mendoj se gjithë jeta ime nuk do ishte mjaftueshëm për të të falënderuar,- shkrova unë, duke menduar, se ishte mjaftueshëm si prolog i asaj që do të vinte më pas. Gjithashtu, ishte edhe një fasadë e mirë pas së cilës mund të strukesha plotësisht.
     - Faleminderit, por përveçse si detyrë, këtë periudhë e kam jetuar edhe si kënaqësi, një privilegj të madh të jem kaq pranë teje, që, për mua, ke qenë përherë një idhull i largët e që të kisha menduar krejt të paarritshme. Në jetë mund të ketë mjaft çudira, megjithëse për t’u larguar përgjithësimeve, duhet thënë se kjo është e vetmja, pasi gjithë pjesa tjetër ka qenë drejtvizore,- tha ajo, duke bërë një prolog edhe më të gjatë se imi.
      Sfida sapo ishte hapur. Pyetja e madhe ishte: Kush do ta thoshte apo do ta shkruante epilogun? Diçka ishte e qartë, adrenalina do prodhohej disa herë mbi parametrat normalë. Venat ndoshta do rënkonin nga vërshimi i saj. Gjithçka ishte për t’u parë.
     - Për çfarë ke studiuar ti, Jeta, dhe ku?- shkrova unë, duke e parë drejt e në sy, si ta shihja për herë të parë.
      - Kam studiuar mjekësi për gjashtë vite të gjata, këtu në Tiranë,- foli ajo.
     Ishte sërish radha ime, duhej që patjetër të mos ia shkëpusja sytë nga fytyra.
      - Vetëm kaq? Një vajzë si ti është mjaftuar me të qenurin mjeke e përgjithshme? Jo për ofendim, por të jesh mjeke e përgjithshme sot është si të ishe infermiere me arsim të mesëm dikur,- shkrova unë, duke pritur ndonjë reagim të dajin. Asnjë ngut nga ana ime, absolutisht asnjë. Në dukje e qetë, por me zor prisja përgjigjen e saj. Nëse do ishte specializuar në psikologji, ishte e sigurt se unë mund t’i shërbeja mjaft mirë si një mjet studimor, kavie.
     - Në të vërtetë ke të drejtë. Të jesh sot me një fakultet, është si të kesh kryer arsimin bazë. Realisht unë kam punuar si mjeke sapo u diplomova dhe vetëm pas dy vitesh kam mundur të studioj më tej. Kam kryer një specializim a kurs pasuniversitar, që secili zgjedh ta quajë sipas qejfit. Me siguri, vetëm në Shqipëri mund të ndodhë ky lloj çorientimi,- më tha, duke u bërë aq serioze, sikur të kishte mbi shpinë gjithë problemet e arsimit shqiptar, për të cilat në ato çaste nuk kisha absolutisht asnjë lloj interesi.
    - Dhe përse të kanë shërbyer këto studime? Cilës fushe i përkasin?- e pyeta duke ia mbërthyer sytë.
     Vërejta se u bë nervoze, nisi të djersinte, ndërsa duart i ngjeshi në xhepat e trikos. Me sa duket, kuptoi se po e vëzhgoja. Të ishte se nuk po ndihej rehat ngaqë ishte në qendër të vëmendjes, apo të kishte diçka për të më fshehur? Ato ishin nga çastet më zhbiruese në jetën time. Lexoja një nervozizëm të pashfaqur kurrë më parë tek ajo. Çfarë fshihej pas tij?
     - Nuk më pëlqen të flas shumë gjatë për veten, më bën të ndihem keq. Më duket vetja egoiste dhe egocentrike, kjo nuk më pëlqen aspak,- më tha duke e mbyllur përfundimisht argumentin. Por, nuk ishte në këtë mënyrë që unë doja të mbyllej biseda. Mos ishte disa hapa para meje? Po si ishte e mundur që të ndodhte sërish? Unë e kisha thurur planin me kujdesin maksimal. E kisha menduar dhe rimenduar gjatë. Isha aq e sigurt se ai do të funksiononte.
      - Më mirë të flasim për ty,- më tha, duke dashur siç duket të largonte vëmendjen nga vetja. I duhej të merrte frymë thellë.
     - Po unë për çfarë kam studiuar?- e pyeta, duke pritur një radhë të gjatë me diploma dhe studime pasuniversitare. Kjo ndoshta do ta bënte edhe atë, që më pas të fliste më çiltër.
      - Si të ta them ... hm, ti ke kryer vetëm studimet e mesme,- tha ajo, ndërsa unë prita nga çasti në çast të thoshte se ishte duke bërë shaka. Vëreja fytyrën e saj tek merrte pamjen serioze të kahershme. Nuk ishte shaka, siç kisha menduar.
     U zhgënjeva. Asnjëherë nuk e kisha sjellë ndër mend diçka të tillë. Po ndihesha tmerrësisht keq. Si ishte e mundur, të jetoja në një kohë të tillë dhe të isha aq pak e arsimuar si qëmoti?
      - Çelësi i suksesit tënd ka qenë pikërisht ky, shkollimi, ndaj edhe lexuesit e thjeshtë të duan aq shumë, të konsiderojnë si një prej tyre, si të ta them, mjaft më të afërt se shkrimtarët e tjerë me disa fakultete, mastera dhe tituj shkencorë,- tha ajo, por për të qenë më e saktë dhe realiste, duhej ta kishte quajtur mosshkollim dhe jo shkollim. Mendoja, por nuk arrija të kuptoja sesi mund të rriste simpatinë e lexuesit fakti që isha e pashkolluar. Kjo më kishte bërë të isha më popullore. Sa hipokrite! Kisha menduar si një tregtare, si të shisja sa më shumë libra, si të ishin një objekt i rëndomtë, i çfarëdoshëm. Ndoshta ishte më mirë, që një pjesë imja të mbetej e harruar dhe e syrgjynosur në të shkuarën. Turpërohesha të isha bashkudhëtare e saj. Sapo të bëhesha mirë, do të studioja, kjo ishte më minimalja që i detyroja vetes.                Ç’hipokrizi! Doja të zbuloja me një lloj takti sa më shumë për të dhe kisha zbuluar për veten. Ç’dështim! Si do të vijoja tashmë me planin? Nuk kisha më forcë për plane. Ishte më mirë të tërhiqesha me nder, sesa të sulmoja me turp. Diçka do të më vinte ndër mend më vonë, kisha humbur një betejë, por jo luftën. Si do të vazhdoja më tutje? Gjithçka në kohën e duhur.
     Vijoja të shkruaja paralelisht në të dyja variantet. Nëse ndonjë do të kishte dy sjellje të ndryshme, pa hezituar do ta kisha quajtur dyfytyrësh apo hipokrit, por faktin se isha duke shkruar në dy variante,- njëri prej të cilëve ishte rreptësisht sekret,- e quaja veprimin më të zgjuar të ndërmarrë ndonjëherë. Kisha shpenzuar aq shumë kohë duke u përsiatur e duke u shqetësuar ditët e fundit, sa nuk e kuptova sa shumë bebushi im ishte lënë pas dore. Gjithashtu, mendova për atë që kisha vendosur të shkruaja, për cilëndo ndjesi që do të përjetoja nga lajmi i një shtatzënie dhe në vazhdim. Kisha me se ta mbushja kohën e zbrazët.
     Çasti më çlodhës ishte ta përkëdhelja bebushin lehtë dhe të imagjinoja fytyrën e tij, doçkat e vogla, butësinë e lëkurës, pamjen engjëllore që do kishte kur të vinte në jetë. Aromën e lëkurës së tij, zërin, buzëqeshjen.
      Nëse isha orvatur të gjeja patjetër një strategji, nuk duhej të mendoja se isha e humbur. Kisha pikasur tashmë strategjinë që jo çdokush mund ta përdorte. Ishte frytdhë- nëse në maksimum, me të vetmin kusht, që të përqendrohesha vetëm aty. Prej saj do merrja patjetër doza të mëdha ëmbëlsie dhe lumturie. Mjaft të mendoja për beben time, ta përkëdhelja dhe negativiteti i mbledhur përhumbej, si të mos kishte ekzistuar kurrë. Aty merrnin jetë flatrimet drejt ëndrrave. A nuk ishte kjo një strategji?
      Duke u kotur në ëndrra, nisa të ndieja diçka të më bezdise e të më rëndonte njëkohësisht përmbi këmbë. Ishte një rëndesë e bezdisshme dhe e lodhshme në të njëjtën kohë. Një mpirje sfilitëse në të dyja këmbët. Menjëherë u zgjova nga ëndrra dhe nisa të lumturohesha pa masë. Duhej t’ia thosha dikujt, sigurisht asaj. Nga njëra anë më interesonte, që ajo ta shihte lidhjen tonë si një lidhje, e cila ndërtohej mbi besimin, më pas mund të kryeja një lëvizje tjetër. Një lëvizje, e cila duhej patjetër të funksiononte dhe jo të dëshmonte si strategjia e parë. Por për të qenë realiste, duhej të pranoja se ishte përpjekur me mish e me shpirt që kjo të ndodhte, që dita të ishte sa më e afërt.
     Më lehtësoi mjaft fakti se tashmë ishte më afër dhe më e sigurt se kurrë. Një ditë do të ecja. Nuk e mohoj se kisha frikë, i tmerrohesha vazhdimisht gjendjes sime, ama kisha besuar plotësisht te shërimi. E kisha konsideruar si një periudhë tejet të vështirë, por edhe si një fazë kalimtare në jetën time. Do të vinte dita, mendoja, kur të ishte vetëm një kujtim i largët dhe i hidhur. Por askush nuk mund ta dinte sa e afërt apo e largët do të ishte ajo ditë. Mjaftonte edhe vetëm kjo ndjesi lehtësuese për të më mbushur me optimizëm.
     Derisa fëmija im të vinte në jetë, unë patjetër do isha përmirësuar. Ai nuk do kishte për mama një pemë të palëvizshme, e cila rrinte në karrigen me rrota si të kishte zënë rrënjë. Ndoshta nuk ishte aspak nevoja për të pasur një nënë të famshme, të cilën e përflisnin të gjithë dhe që mbushte fare pa mundim raftet pa fund të librarive. Ama, ishte domosdoshmëria e një mamaje normale, e cila do bënte për fëmijët e saj, as më shumë e as më pak nga se do bënte çdo nënë tjetër.
     Por tmerri më i madh ndër të gjitha përfytyrimet, ishte të mendoja fëmijën ende të vogël të ndihmonte mamanë apo më saktë, të ishte në shërbim të saj. Ishte imazhi më verbues për një sy njerëzor. Ndaj dhe duhej të përpiqesha më tepër. I detyrohesha vetes, i detyrohesha fëmijëve të mi.
     Kur Jeta hyri në dhomë, i tregova me anë të shenjave, por duke mos fshehur edhe padurimin për reagimin e saj, për atë që kishte ndodhur. Është aq bukur të kesh dikë për të ndarë së bashku gjithçka, të keqe, apo të mirë. Ndoshta kështu jemi gatuar ne, për të mos qenë vetëm. Mendojmë ta bëjmë më të lehtë vetminë e tjetrit dhe përfundojmë duke shumëfishuar tonën.
     Ajo mori gjilpërën, siç kishte vepruar dhjetëra e qindra herë të tjera. Nisi të më shponte në këmbë. Kur gjilpëra ngulej në ato vende që ndieja, mbyllja sytë dhe hamendësoja sikur dhimbja ishte e tmerrshme. Jeta buzëqeshte, por ishte shumë më e matur se në fillim për të treguar emocionet e saj. Brenda atyre pak javëve, dukej se kishte kaluar nga adoleshenca në një moshë të rritur dhe të pjekur plotësisht. Nuk ishte më impulsive apo e rrëmbyer. Dukej e ftohtë dhe llogariste gjithçka deri në detaje. Hamendësoja shumë në lidhje me këtë, por me siguri nuk e dija se çfarë kishte ndodhur për ta ndryshuar aq shumë.
     - Përparimi ka qenë dhe vijon të jetë i pritshëm, por kjo nuk do të thotë që ne të ndalim punën tonë, duhet të përpiqemi edhe më shumë se më parë. Ky përmirësim do të thotë edhe diçka tjetër për ty. Mund të qëndrosh më shumë kohë ulur, mund ta përdorim sërish karrocën, të shëtisësh brenda shtëpisë, të cilën ende nuk e ke parë të gjithën. Besoj se kjo të paktën do të thotë diçka për ty.
     Po a kisha qenë vërtet në atë gjendje, ku më këshillohej regjim shtrati absolut apo duhej të izolohesha, derisa pjesa tjetër e shtëpisë të bëhej gati për mua pra, që unë të mos shihja asgjë nga ato që nuk duhej. Sa e lodhshme ishte të zgjidhja përherë këto enigma të vogla, të cilat ndoshta nuk ishin të tilla për askënd. Ndonjëherë,- madje shpeshherë,- mendoj se i krijoja enkas, për të mos e mbajtur trurin të fjetur, por edhe për të thyer përditshmërinë. Ndoshta bëja po atë veprim që bënte personazhi i burgosur në Novela e shahut të Cvajgut. Krijoja sa të mundja me imagjinatën time. Ende nuk kam arritur në një përfundim plotësisht bindës, më kanë shërbyer vërtet apo kanë qenë thjesht nyje, të cilat vetëm më koklavisnin jetën e asgjë më tepër. Por është e lehtë tani për të bërë përcaktime. Nuk mund të gjykosh drejt për veprimet apo vendimet e mia, nëse ato i sheh të shkëputura prej kohës apo situatës së cilës i përkasin. Që të gjitha ishin fryt i një mendjeje të lodhur, madje tepër të lodhur nga gjithçka. Është e vështirë e ndoshta e pamundur të gjesh rrethana, të cilat do ta bënin situatën më të lehtë.
     Sipas ritualit të rastit dhe parashikimeve të mia, Jeta doli nga dhoma për të bërë telefonatën e zakonshme. Copëza të zërit të saj vinin deri tek unë. Ndihej e zënë në faj, që ky përparim kishte qenë kaq i ngadaltë, por ishte fëmija, që sipas saj nuk më lejonte të përparoja më tepër.
     Ishin çaste aq të rralla për mua, ato ku pasqyrohej qartë ecja përpara dhe shkëputja nga ajo gjendje mjerane, sa i vetmi mendim imi ishte të mos i lejoja të shkatërroheshin nga një përgjim telefonate, por kur diçka të troket aq qartë në vesh, nuk mund ta dërgosh mbrapsh. Sikur veshët të mbylleshin, ashtu sikurse sytë, me siguri nuk do kisha dëgjuar asgjë të tillë.
      - Dëgjo me kujdes, të lutem. Parashikimet ishin bërë pa llogaritur atë qurrashin e vogël, është ai që ngadalë- son shërimin dhe përparimin e shpejt të saj,- i thoshte ajo, ndërkohë unë nisa të dridhesha si gjethe vjeshte. Ai që Jeta quante qurrash i vogël, ishte fëmija im, i cili gjallonte e rritej me ritme të ngadalta, por pa ndërprerje brenda trupit tim, ama me ritme mjaft të shpejta brenda shpirtit tim. Vijoja të dridhesha, por nuk ishte diçka thjesht fizike, ishte si një tërmet, i cili e kishte epiqendrën në thelbin i qenies sime, për t’u përhapur mandej në periferitë e saj.
     Më pas u largua më tutje ose uli zërin,- nuk mund të jem e saktë në përcaktimin e kësaj çështjeje. Por munda të kujtoj se nga toni që përdorte, dukej e zënë në faj. Kujt ishte duke i dhënë informacione? Me siguri atij, mirëbërësit tim. Por sikur të ishte vetëm kjo! Ajo duhej të ishte nën një presion të madh e të vazhdueshëm prej tij. Ky ishte shpjegimi dhe shfajësimi i vetëm, që munda të gjeja për fjalët e sapodëgjuara. Po përse duhej patjetër ta shfajësoja? As vetë nuk e di përse.
     Më pas nisi të më masazhonte këmbët. Dukej qartë se ishte tejet e lodhur dhe e shqetësuar. Qe hera e vetme që isha e gatshme ta refuzoja atë masazh. Më dukej sikur duart e saj ishin të papastra. Të ishte e aftë për të bërë diçka kundër fëmijës tim? Lodhesha më kot për të gjetur një përgjigje, që do ishte krejt e vërteta; këtë vetëm ajo mund ta dinte. Mbi të gjitha, kjo varej nga qëllimet që kishin. Ç’plane thurnin për mua, të cilat një krijesë krejt e pafaj dhe plotësisht e brishtë i kthente në të parealizueshme?
     Ndieja tim bir të dridhej brenda meje. E kisha kuptuar tashmë, që çdo ndjesi imja përcillej direkt tek ai. Asnjë filtër mbrojtës nuk ekzistonte për të. Nisa qysh atëherë të ndihesha fajtore. Nëse atij do t’i ndodhte diçka e keqe, ndjenjat e fajit do mund të shkatërronin edhe atë gërmadhë, e cila kishte mbetur ende tek unë nga ajo gruaja e dikurshme.
     Duhej të kishte një zgjidhje e gjithë kjo, patjetër që po. Asnjëherë nuk duhej të thosha fjalën e fundit të parën. Kjo do ishte si të pranoja fundin e tim biri.

No comments:

Post a Comment