Tuesday, January 9, 2018

Te jetosh pergjysme

Takimi      kapitulli XIV



    Doli vërtet siç e prisja. Ai do të vinte për të më takuar. Për ironi të fatit, takimi nuk mund të ishte siç ai e kishte imagjinuar. Nga ajo shkrimtare e dikurshme, të cilën ai kishte adhuruar, kishin mbetur vetëm kornizat. Ato nuk mund të ishin veçse të shtangëta dhe të ftohta. Asnjëherë nuk e kisha menduar, se edhe unë do të ndihesha e emocionuar para atij takimi. Do të isha përballë njeriut, i cili ishte futur mes flakëve për të më shpëtuar mua dhe familjen time. Duhej dhe do t’i isha përjetë mirënjohëse.
    Mëngjes. Ajo u kujdes në mënyrë të veçantë për pamjen sa më të rregullt e të këndshme të dhomës. Më pas më ndihmoi të vendosesha në karrigen me rrota,- tani ishte shumë më i lehtë ky proces-, më hodhi një velenxë mbi këmbë dhe në fund, lehtësisht më kaloi krehrin mbi flokë. Asgjë nuk ishte jashtë kornizave të përditshmërisë, megjithatë se ç’kishin marrë të gjitha një solemnitet absolut. Ndoshta kjo lidhej me faktin se do të ishte një ditë e ndryshme nga gjithë të tjerat. Më në fund do të prishej rutina e përditshmërisë. Ngjanim të dyja sikur po prisnim një delegacion të ndonjë niveli të lartë diplomatik. Përpiqeshim të ishim në nivelin e duhur.
    Dera trokiti lehtë. Me ngazëllimin e një fëmije, ajo nxitoi ta hapte. U përqafuan, diçka pëshpëritën mes tyre dhe e qeshura e saj e shpenguar mbushi dhomën. Ja se çfarë është në gjendje t’i shkaktojë një familjar një tjetri: lumturi dhe vetëm lumturi. U afruan, ajo e kishte zënë të atin nga krahu. Pasi bëri një pastrim të zërit, si një aktor amator tejet i emocionuar para daljes së tij të parë në skenë, mori një pozë serioze. Ishte bërë gati të fliste.
    - Mirëdita, zonjë! Ju s’na njihni, por ne jemi Agim Gjoni dhe vajza ime, Jetmira, dy adhurues të veprës suaj të mrekullueshme.- tha ai dhe këtu ishte gati të merrte fjalën ajo.
   Po imagjinoja ç’mund të vinte më pas, kur kishte thënë mirëdita në zemër të mëngjesit.
    - E dimë se koha për ju është mjaft e çmuar, por do t’iu ishim mirënjohës, po të na falnit pak prej saj. Ky do ishte një privilegj i vërtetë për ne.
    - Më lejoni, zonjë!- këtu ai më mori dorën e djathtë dhe ma puthi. Nuk po kuptoja se ku kërkonin të dilnin me sjelljen e tyre. Për mendimin tim, çdo veprim duhet të ketë një arsye apo një qëllim. Ishte orvatje e kotë të kërkoja një arsye të vërtetë, ishte krejt jashtë kufijve të arsyetimit tim.
    - Kishim bërë prova me dhjetëra herë për ato që do të të thoshim në takimin tonë, nuk binim lehtë në një mendje. Ky ishte varianti fitues, deri në çastin në të cilin erdhëm të të takonim atë pasdite. Por, ajo ditë nuk na la aspak rastin dhe kënaqësinë të prezantoheshim,- tha ai, ndërsa mbante sërish atë pozën e rëndë si edhe më parë.         S’di të them a më pëlqeu ajo që paraqitën, dukej si e shkëputur nga ndonjë film i vjetër bardhezi, megjithatë më pëlqeu fakti se e kishin marrë seriozisht iniciativën për t’u paraqitur sa më denjësisht. Ishte edhe diçka tjetër që ma përkëdhelte sedrën ëmbëlsisht. Puna ime, vepra ime, kishin bërë që ata ta vlerësonin, madje edhe ta adhuronin, kjo nuk më dukej diçka e vogël. Madje, për situatën në të cilën ndodhesha, mund ta konsideroja sikur krejt papritur më ishin shfaqur flatra. Mund t’i përdorja me mjaft dëshirë për të shkuar shumë më larg se zakonisht. Kjo ishte një ndjesi pothuajse e paprovuar më parë apo ndoshta e fshehur aq bukur në të shkuarën, sa nuk më kishte bërë të shpresoja se do të ndodhte së afërmi.
     Më pas, herë njëri e herë tjetri, nisën të tregonin si ishin lidhur me veprën time, folën për lindjen e idesë për të më takuar. Nuk më pëlqen aspak të ndalem në përshtypjet e mira dhe në vlerësimet për gjithçka kisha shkruar. Më pëlqen të them, se ishin nga lexuesit më të vëmendshëm në botë. Sikur të ishin të tillë të gjithë lexuesit! Kjo besoj se do të ishte patjetër lumturia më e madhe e cilitdo shkrimtar.
    I shihja dhe sa më shumë i dëgjoja me vëmendje, aq më tepër adhuroja raportin e mrekullueshëm mes tyre. Ishte ideali i komunikimit mes dy njerëzve. Ishte një raport, ku mbizotëronte respekti më i thellë dhe mirëkuptimi më i plotë. Gati-gati të linin përshtypjen se ata e adhuronin vërtet njëritjetrin. Në ato çaste përjetova një smirë, të cilën as e kisha vënë re ndonjëherë më parë në lidhje me diçka tjetër, por as që do ta ndieja më vonë. A do mundesha të krijoja me fëmijët e mi një raport të tillë? Kjo ishte një bazë e sigurt për një lumturi të shëndetshme familjare. Çdokush duhej të luftonte për t’ia arritur. Duhet të jetë pikësynimi i kujtdo në jetë.
     Më pas biseda u bë serioze e madje-madje mori një ton solemn. Ai fliste i qetë dhe shumë i sigurt në vetvete, në aftësinë e tij ndikuese dhe bindëse. Gati-gati, kërkonte të ishte ndikues, por ishte para personit të gabuar. Nuk do t’i shkonte aspak siç e priste! Më vinte thellësisht keq për të, por zhgënjimi ishte i pashmangshëm. As që më shkonte ndër mend ta zgjidhja edhe unë si idhullin tim. Minutat në të cilat i kundrova me admirim, kishin marrë fund. Nëse kur hyri kisha perceptuar vetëm siluetën e tij, tashmë ishte koha e portretit, madje deri në detaje. Ishte shtatlartë, i bëshëm, me tipare të errëta, por me plot thinja te tëmthat. Me siguri Jeta kishte marrë tiparet e së ëmës. Dukej një burrë hijerëndë edhe kur nënqeshte. Vetëm në diçka ngjanin të dy: në shkëlqimin e syve. Ata transmetonin një mirësi dhe ëmbëlsi. Dëshirën për t’u afruar, madje për t’u bërë njësh me të tjerët.
    - Çdo veprim imi ndaj jush ka pasur vetëm qëllime të mira, megjithëse mund të ketë lënë vend edhe për interpretime të tjera. Unë nuk bëj pjesë tek ata njerëz, të cilët ndërmarrin veprime të nxituara. Ndoshta dikush e kujton për dobësi faktin, se unë shpenzoj më shumë kohë se të tjerët për të marrë një vendim. Por, në lidhje me rastin tuaj, më është dashur të marr edhe vendime mjaft të shpejta e ndoshta po kaq të diskutueshme. Sidoqoftë, pasi kam analizuar gjithçka, s’më rezultojnë të gabuara, asnjëra prej tyre. Them se kam bërë zgjedhje të vështira brenda situatave të tilla, të cilat na kanë dhënë dorë për të ecur përpara.
    Nuk di në i kishte përgatitur më parë të gjitha fjalët që thoshte. Dukej se e kishte për zemër të më zbulonte si ishte në të vërtetë dhe të arsyetonte vendimet që kishte marrë, por nuk isha duke i kërkuar përse, por vetëm si. Doja të dija çfarë kishte ndodhur në të vërtetë atë ditë, jo arsyet e veprimeve të tij: Si ishte e mundur që shtëpia ishte shkrumbuar e tëra? Si kishin ardhur të gjitha këto? A kishte hetime? Nëse po, çfarë rezultonte prej tyre? A ishte më në rrezik familja ime? Si ishte e mundur që asnjëra prej vdekjeve nuk ishte përgënjeshtruar?
    - Më falni, nëse bëra një parantezë të gjatë, por nuk kisha si qëllim t’iu mërzisja, do të vij aty ku ju intereson më tepër.
    Ndjeva të më përskuqeshin faqet. Me siguri do kishin ndryshuar edhe ngjyrë. Ai arriti të kuptonte çfarë po vërtisja në kokë. Ishte si të kisha menduar me zë të lartë. Përse ishte kaq e lehtë për të tjerët të lexonin mendimet e mia? Kjo vlente të paktën për ata të dy,- të vetmit njerëz që kisha pranë,- mos ishte ndonjë dhunti familjare? Apo mos ndoshta vërtet po i kaloja kufijtë e normales dhe po marrosesha siç më kishte thënë Jeta një ditë më parë? Bëja më mirë të dëgjoja. Do të kisha më pas mjaft kohë për marritë e mia të radhës.
    - Unë drejtoj një biznes, i cili jo vetëm më sjell të ardhura të mira, por edhe më bën të ndihmoj shumë njerëz. Kjo ndodh me një diskrecion mjaft të madh, pothuajse absolut, pa zhurmë dhe bujë, larg reklamave dhe faqeve të para në gazeta. Megjithatë, punojmë shumë për t’ia arritur qëllimeve tona. Kemi ndihmuar me të vërtetë shumë njerëz.
     Kisha menduar më kot se mund të kuptoheshim. Ai ishte duke bërë CV-në e tij dhe mbante një pozë aq të rëndë, sikur kjo të ishte çështja më serioze në botë. Për një çast mendova se kisha para syve një tullumbace të fryrë. Sa do doja që të shpohej e të shfryhej! Një shpim si pa të keq. Në çast. Dhe... paafff. Gjithçka mund të merrte pamje normale.
     - Ju lutem, s’dua kurrsesi t’ju mërzis, dua vetëm të më kuptoni drejt. Po marr gjithçka nga e para për t’ju informuar më mirë. Biznesi për të cilin ju fola, siguron mbrojtje dhe kjo konsiston në jetë njerëzish - truproja, objektesh, roje, eskorta shoqëruese - si dhe hetime për çështje të ndryshme. Megjithëse mund të duket një biznes i pavarur nga instancat shtetërore, ne mund të jemi mjaft të dobishëm për parandalimin dhe zbulimin e krimeve të ndryshme. Jemi një biznes i tatueshëm dhe me një bashkëpunim të ngushtë me strukturat shtetërore.
    Nëse në fillim m’u duk sikur po prezantonte një CV, tani sapo kishte ndërmarrë një fushatë të tërë publicitare. Jeta rrinte e heshtur përkrah tij. Nuk më dukej aspak e lodhur apo të tregonte në fytyrë ndonjë shenjë se po e konsideronte të tepërt atë lumë fjalësh. Ishte një fat i madh për mua, që ajo nuk kishte ngjarë nga i ati, të paktën jo në këtë pikë. Duhet ta pranoj se nuk ma kishte humbur asnjëherë durimin në këtë mënyrë. Ai po më ngjante më tepër me një personazh të stisur librash, se me një njeri të zakonshëm. Të ishte po kaq i mërzitshëm edhe ndonjë prej personazheve të mi? Me siguri jo, mendova vetëm një çast më vonë. Nëse do të kishte ndodhur ndryshe, askush nuk do admironte veprën time.
     - Siç ju ka thënë edhe ime bijë, ne shumë herë kishim planifikuar t’ju takonim. Kishim të dy një dëshirë të madhe për të folur me ju për librat, për familjen, për jetën në përgjithësi. Dëshironim të bënim një krahasim mes shkrimtares dhe gruas, sa të ngjashme dhe të ndryshme ishin. Pra, siç ju thashë, e konsideronim një mundësi të madhe komunikimin me ju.- E lodhur, ngaqë nuk po dëgjoja asgjë që mund të më interesonte vërtet, mendova se ajo kënaqësi të cilën sapo e kishte përmendur Agim Gjoni, ishte vetëm e tija. Jo vetëm nuk po merrja asnjë kënaqësi nga ajo bisedë, por e ndieja se durimit tim po i vinte fundi. Në të vërtetë nuk duhej shumë punë për të arritur deri në këtë pikë. Durimi ishte një nga ato cilësi, me të cilën natyra nuk ishte treguar aq bujare në plotësimin e karakterit tim.
     - Kur lexova në gazeta për eksplozivin, që ju kishin vendosur në makinë, u binda më në fund se kjo ishte koha e duhur për të folur me ju. Mund të flisnim së bashku, jo vetëm për ju, librat, letërsinë, por edhe për sigurinë tuaj.
     Më në fund kishte hyrë në temë. Nëse deri atëherë e kisha menduar si një hero të rastësishëm, po kuptoja se ai ishte një njeri, i cili kishte vendosur të shfaqej në jetën time vetëm atëherë, kur ishin krijuar kushtet për t’u shfaqur si një hero. Vetëm tani më kishte ngjallur interesin për ta dëgjuar. Ai vijonte të fliste me po atë ton dhe ritëm të qetë. Shumë i thjeshtë për ta mbajtur veten rëndë si një hero. Shumë i zgjuar në planifikimin e gjithçkaje, kështu edhe unë mund ta shpërbleja po me adhurim. E kush do donte të gjendej në ato pozita që do ta bënin të quhej inferior?
    - Isha i bindur se mund t’ju ndihmoja për të gjetur fajtorin dhe të parandalonim një ndodhi tjetër të padëshiruar. Sapo ndaluam, para shtëpisë suaj pamë të parkuara dy makina. Menduam se ajo e kuqja ishte juaja. Një makinë që menduam iu përshtatet mjaft mirë femrave, një BMV, Mini Rocketman, e cila sapo ishte prezantuar me mjaft bujë në Tiranë. E pashë sesi po e vështronte Jeta dhe pa nguruar i premtova se do t’ia dhuroja një të tillë për ditëlindje. Ajo, e emocionuar dhe e lumtur, më përqafoi, më mbyti në falënderime. Duke përsëritur fjalët që ju thamë sot, dolëm nga makina.
    Nga parvazet e çatisë dilte tym. Ndërkohë, vumë re se makina e kuqe nuk ishte më aty. Nga ai çast, dyshova se duhej të ishte i njëjti person që kishte vënë eksplozivin në makinë. Nuk kisha ardhur në kohë për të parandaluar, por mund të isha në kohë për të korrigjuar. Nuk ishte rasti ta ndiqja. Nëse në shtëpi kishte njerëz, ndoshta isha në kohë për t’u ardhur në ndihmë. Kjo duhej bërë menjëherë.                     Shpejtova për nga hyrja. Siç e kisha parashikuar, dera ishte e mbyllur. Duhej hyrë nga dritarja, por edhe ajo ishte gjithashtu e mbyllur. Asnjë mjet i fortë nuk gjendej përreth, madje nuk kishte as vazo me lule që mund të ngrihej. Dy vazo, model kinez, të cilat ndodheshin në hyrje, donin të paktën katër si unë për t’i zhvendosur. Vrapova te makina dhe rrëmbeva krikon, e cila ndodhej në bagazh. Sa hap e mbyll sytë, xhami u thye,- tha ai, por unë nuk e kuptova përse Jeta u afrua atë çast më pranë meje. Më hodhi dorën në sup, e kalonte lehtë përgjatë tij, si të ishte duke më ngushëlluar. Unë isha mirë, mezi prisja të endeshin fijet e së shkuarës. Më në fund ato ishin duke u shpështjellë, duke më lejuar të drejtohesha për nga e ardhmja. Sidoqoftë, ajo asnjëherë nuk më bezdiste, prania e saj nuk mund të ishte asnjëherë e tepërt.
    Hyra brenda dhe po kontrolloja dhomat në katin e parë. Ju ishit në studio, por jo e asfiksuar nga tymi. Ishit e lidhur me litar pas një karrigeje. Në kokë kishit marrë goditje me një send të fortë, pasojë e të cilit ishte humbja e ndjenjave, por gjendja ishte më e rëndë nga ç’dukej. Kaluat në gjendje kome dhe kur u zgjuat rezultoi se kishit humbur përkohësisht edhe kujtesën, aftësinë për të folur e për të lëvizur.
     Gjaku ende ju rridhte i nxehtë dhe tëmthat ende rrihnin ritmikisht. Mendova se nuk isha vonë, por sidoqoftë duhej shpejtuar. Tymi sa vinte e bëhej më i dendur, as që kuptohej se cili ishte burimi i tij. Ai buronte dhe shpërndahej ngado.
    Zgjidha me të shpejt litarët, ju mora në krahë. Shkova drejt derës kryesore, por ajo nuk hapej as nga brenda. Jeta po më thërriste e tmerruar nga dritarja. Të dy së bashku mundëm t’ju nxirrnim jashtë, të vendosëm në makinë. Ime bijë të dërgoi në spitalin më të afërm, Spitali Mesdhetar i Tiranës, vetëm pak kilometra larg. Që nga ai çast, ju e dini se ajo s’është ndarë prej jush. Por edhe unë nuk ju kam takuar më. Fillimisht nuk isha në gjendje të vija t’ju shihja, megjithëse isha mjaft në ankth për shëndetin tuaj. Më vonë, nuk m’u duk me vend. Prania ime ndoshta mund të ishte një ngacmim për kujtesën dhe kjo do të ishte mjaft e dhimbshme për ju. Ndoshta... kush e di, prania ime mund t’ju sillte ndër mend diçka, të cilën do donit ta shuanit përgjithmonë nga jeta juaj, për të mos u kthyer më pas.
     Këtu Jeta i bëri një shenjë, të cilën ai e kuptoi menjëherë. Dukej se ata mund të komunikonin mjaft mirë edhe kështu, joverbalisht. Zakonisht këtë metodë e përdorin prindërit për t’i bërë fëmijët të heshtin. Përse kërkonte që ai të mos e zgjaste atë argument? Me siguri, ngaqë po thoshte fjalë pa vend. Po si mund të doja të fshija të shkuarën time? Kjo ishte absurde. E kush e beson se kjo ka gjasa për të qenë e vërtetë?
    Ai kishte folur shumë, por as e kishte përmendur vajzën time. Jeta e dinte se cili ishte shqetësimi im i madh. Ishte pikërisht çasti, kur e kisha pyetur për të, që e bëri t’i kërkonte ndihmë të atit. Dhe ja... ata gjendeshin të dy para meje dhe as e përmendnin. Ajo tashmë mund të më kuptonte edhe pa folur. Çuditërisht, edhe me të atin e saj po ndodhte e njëjta gjë. Kisha përshtypjen se ishim njohur në një tjetër jetë. E shihja aty, përballë meje, e dëgjoja të më fliste dhe ishte sikur çastet që kalonin, por edhe ato që ishin duke ardhur, i kisha jetuar edhe më parë. Tek e shihja pranë, më krijonte përshtypjen e sigurisë, por kjo pa diskutim që kishte të bënte me profesionin e tij mendova. Nuk mbaja mend të më kishte ndodhur ndonjëherë diçka e tillë. Sidoqoftë e perceptova si diçka të mirë.
    - Unë e di se ju keni pyetur Jetën për vajzën tuaj dhe ajo ju është përgjigjur se nuk keni vajzë. Ne nuk kemi dashur asnjëherë që të vuani. Mjeku tha se duhet t’i shmangeni çdo shqetësimi dhe emocioni të fortë, ndaj menduam se vila jonë në veri do të ishte ideale për këtë. Larg smogut, rutinës stresuese të mediave, zhurmës së pandalshme të qytetit të zhurmshëm. Me siguri do të mund të çlodheshit. Me kohën, duke u përmirësuar dhe ne duke ju folur për jetën tuaj. Nëse do t’iu kishim treguar për vajzën, si nënë do kërkonit që ajo të ishte pranë jush. Për shkak të rrethanave, nuk mund të rrini bashkë. Por unë ju premtoj, se sapo të jetë e mundur, vajza juaj do të jetë pranë jush.
     Pas këtyre fjalëve ndihesha më e qetë. Kjo ishte e vetmja nga ç’më kishin thënë, e cila mundi të më ngrohte shpirtin. Mezi prisja çastin, kur do ta takoja vajzën. A do të ishte e afërt, dita kur të bashkoja më në fund familjen time?
    - Me siguri, ju ka shqetësuar fakti, që asnjë familjar nuk ka ardhur t’ju takojë. Ndoshta ju duken indiferentë dhe mizorë, por ajo që bëra unë ndaj tyre, ishte edhe më e rëndë. Iu dhashë arkivole bosh dhe menduan se ishin duke varrosur njerëzit e dashur. Ata nuk mund të verifikonin asgjë. Ju thamë se trupat ishin karbonizuar. Ndoshta kjo nuk është aspak e drejtë kundrejt tyre, por në të kundërt ju do të ishit në rrezik. Mes dy të këqijave, zgjodhëm më të voglën. Apo të paktën atë që unë konsideroja si më të vogël. Ju nuk duhet të shqetësoheni për asgjë. Me gjithçka do të merremi ne. Asnjëri prej nesh s’do guxonte kurrë as të mendonte diçka të keqe ndaj jush, jo më të ndërmerrte ndonjë vendim që mund t’iu dëmtonte. Të jeni e bindur.
     Atëherë kuptova, se dyshimet e mia ishin të vërteta. Ndaj isha kthyer në një të ngujuar. Po të afërmit e mi? Kush e di vallë sa lot do të kenë derdhur më kot për ne të tre, madje për ne të katërt, sepse qysh atëherë kishim qenë katër. Asnjë nuk mbaja mend prej tyre, megjithatë do t’i kisha përqafuar fort që të gjithë.
     - Unë nuk jam psikolog, por kam studiuar si autodidakt mjaftueshëm në fushën e psikologjisë, mbi të gjitha, kam edhe një përvojë të madhe jetësore dhe profesionale. Mos harroni se puna ime më vë në kontakt me lloj-lloj njerëzish. Mendoj se të shkruani dhe të mendoni pozitivisht për fëmijën tuaj, janë ato që do t’ju bënin më mirë. Për këtë arsye, unë ju kërkova përmes vajzës sime të shkruanit një reportazh. Isha i sigurt se ju do të gjenit veten gjatë procesit të të shkruarit. Le të ndiheshit fillimisht e detyruar, më pas natyrshëm do gjenit aty atë kënaqësinë tuaj të përhershme. Fatmirësisht, ndodhi vërtet kështu.
    Fjalët e fundit të frazës i përfundoi në këmbë. E pabesueshme, kishte mundur të fliste aq shumë në aq pak kohë! Si gjithnjë nuk e kisha matur kohën, por si rrallëherë ajo kishte fluturuar. Ishte koha për t’u përshëndetur.
    - Ishte kënaqësi për mua që munda t’ju njoh personalisht, që mundëm të flisnim. Nuk ishte në ato rrethana që do donim të ishte e megjithatë, përpos të gjithave mund t’ju them se ishte vërtet një privilegj që munda të isha me ju,- m’i tha të gjitha këto duke më parë në sy.
    Të ishte kaq i paturp sa ta quante bisedë ligjërimin e tij?
     - Ju premtoj se me çdo kusht do ta mbaj fjalën e dhënë. Nuk do ndalem, derisa fajtori të jetë pas hekurave, atëherë vajza do të jetë në krahët tuaj. Nuk dua t’ju shqetësoj, merremi vesh shumë mirë përmes Jetës. Vetëm, nëse ka diçka me një rëndësi të veçantë do të vij këtu. I vetmi veprim që s’do t’ia falja vetes, është të bëhesha i bezdisur me praninë time. Ditën e mirë! Dhe... mbetshi me shëndet!
     Sapo u përshëndeta me të,- apo më sakë të them pas shtrëngimit të duarve,- më lindën dhjetëra pyetje, të cilat do të doja t’ia drejtoja. Jo se nuk kishin lindur më parë, por nga mënyra si ishte shtruar në rrëfimet e gjata, pandeha se do të rrinte shumë më tepër. Mes nesh nuk kishte pasur asfare komunikim, kishte qenë thjesht një kumtesë, ligjëratë, a nuk di se çfarë.
     Përse nuk kishte denjuar të hynte në një bisedë të vërtetë? Nga se kishte frikë? Cila ishte tema tabu, të cilën e kishte anashkaluar më së miri, duke shmangur dialogun? Përse bashkëshortin tim nuk e kishte përmendur fare? Mos kishte ndonjë ndjenjë xhelozie të fshehtë ndaj tij, që buronte ndoshta nga ndonjë tjetër ndjenjë? Kuptohet, Agim Gjoni as nuk më njihte. Sido që të ishte, unë kapa diçka në vështrimin e tij. Nuk do më pëlqente të ndalesha më gjatë këtu, por kjo me siguri nuk lidhej me adhurimin që kishte ndaj veprës sime. Qysh në fillim mund të kishte qenë një pretekst. Ndoshta ishte vetëm një hamendësim imi dhe asgjë më tepër. Me siguri kështu duhej të ishte, sepse në këtë mënyrë gjithçka do ishte më e lehtë.
     Nga gjithë ai rrëfim, të paktën një element i tij ishte shumë lehtësues për mua. Nëse Agim Gjoni zotëronte një shoqëri sigurie, do të thoshte se paguhej për shërbimet e tij. Mendova se kur të shërohesha dhe të isha me bashkëshortin tim, do ta paguanim për shërbimin e tij dhe kështu do të mund të jetonim të qetë, pa iu detyruar askujt. Madje, mund të fusnim në të njëjtën llogari edhe një shumë të mjaftueshme për Jetën, kështu do të mund të jetonim krejt të qetë. A s’ishte kjo arsyeja që kishte ardhur në shtëpinë time ditën e incidentit? Të them të drejtën, në libra edhe mund të më pëlqenin heronjtë, përkushtimi i gjithë jetës dikujt tjetër, të cilit i detyrohesh shumë, gjithçka. Në jetë nuk më pëlqente aspak të ndieja një detyrim të madh ndaj dikujt. Nëse një pjesë e mirë e këtij borxhi mund të shlyhej në para, kjo po që më lehtësonte, pothuajse më lumturonte.
    Jeta u kthye, pasi përcolli të atin. Kishte qenë edhe një mundësi e mirë për t’u fjalosur me të. Me siguri, kur flisnin së bashku përdornin pa ngurrim dialektin e tyre. E folura pothuajse në mënyrë të përsosur e gjuhës letrare ishte një sfidë e vërtetë, të cilën e realizonin me sukses. Gjithë qenia e saj rrezatonte. Vihej re lehtë, se ndihej e qetë që kishte hequr këtë peshë të madhe. Me siguri që ishte edhe krenare për të atin. Tek e fundit është krejt e natyrshme kjo për cilëndo vajzë. Po unë si ndihesha? S’e di. Nëse kisha kërkuar të dija gjithçka dhe isha e gatshme të luftoja në çfarëdolloj mënyre për këtë, përse atëherë nuk isha aspak e lumtur, madje as e gëzuar? Nisa të mendoja, se ndoshta isha një nënë jo aq e mirë sa ç’duhej. Atë ditë s’i kisha dhënë tim biri asnjë përkëdheli, pothuajse nuk kisha menduar për të. Nëse brerjet e ndërgjegjes peshojnë rëndë, kjo ishte më e rënda nga të gjitha. Të ndihesh një nënë jo e denjë, është pesha më e rëndë për shpirtin e një gruaje. Më e keqja ishte se nuk mund të mendoja vetëm për të. Nëse nuk do t’i analizoja edhe një herë ato që mësova, koka do të më shpërthente nga presioni i madh i mbledhur. Duhej një kohë e gjatë për këtë dhe ishte më mirë ta bëja duke shkruar, kështu mund t’i kthehesha sërish edhe më vonë.
     Nuk arrija ta kuptoja në isha e varur nga të shkruarit si një i alkoolizuar nga alkooli, apo duhej ta konsideroja si një terapi çlodhëse. Edhe sot, kur e mendoj këtë nuk di të them se cila nga këto të vërteta është më e vërtetë. Por, të shkruarit më bën të ndihem mirë, të çlirohem nga çfarëdolloj negativitet i mbledhur. Nëse kjo ende funksionon, përse duhet të orvatem më kot duke menduar e rimenduar përreth saj, kur thjesht mund ta shfrytëzoj?
    Hetuesi Agim Gjoni më tha se kishte vënë re të largohej makina e kuqe dhe s’mund ta ndiqte, pasi e kishte parë më të udhës të na vinte në ndihmë. Dakord, përgëzime për zgjedhjen. Ama, tha edhe se makina ishte një prodhim i ri dhe i veçantë, që sapo kishte hyrë në Tiranë, s’ishte kjo një e dhënë e cila duhej ta kishte çuar qysh disa javë më parë tek ai person? Në firmën që tregtonte, patjetër duhej të ishin emrat e blerësve. Vështirësia do të ishte, vetëm në rast se ajo do të ishte e vjedhur. Po a s’duhej të kishte ajo një sistem të lartë sigurie? Nëse ai ishte profesionist dhe punonte me të tillë njerëz, fajtori duhej të ishte prej kohësh nën pranga. Këtu kishte diçka që s’e kuptoja, një pjesëz mungonte, diçka të cilën ma kishin mbajtur të fshehtë, por çfarë? Ai as e kishte përmendur tim shoq apo nxjerrjen e vajzës sime nga shtëpia. Vendimin që kishte marrë për ta lënë shtëpinë të digjej për të humbur gjurmët tona, ende s’e kisha kuptuar. Kishte gjasa të mos e kuptoja kurrë. Vërtet nuk mbaja mend asgjë, por ndieja keqardhje, kur mendoja se s’do takoja asnjë objekt, i cili do të më lidhte me të shkuarën, të më bënte të kuptoja më shumë rreth vetes. Nëse ne ishim atje, mund të merreshim, të ndihmoheshim, të mbroheshim. A nuk kishte përmendur ai kur foli për punën e tij edhe truprojat? Përse duhej ta bënte situatën më të rëndë se ç’qe? Isha e bindur, se diçka mungonte në ato që dija, diçka më kishin fshehur, por ajo që më shqetësonte s’ishte vetëm çfarë, por përse. Nëse kishte vepruar kështu, patjetër duhej ta kishte pasur një arsye. A s’më kishin treguar me fjalë dhe veprime se duhej të besoja tek ata? Por edhe unë kisha bërë mirë pjesën time. Isha kujdesur mjaft për t’u bërë e fortë dhe për të qenë në lartësinë e situatës. Së fundmi ia kisha dalë mbanë.
    Përhumbesha në mendime dhe shkruaja pa u ndalur, ashtu si një merimangë end pëlhurën e vet. Do të binte dikush në rrjetën time? Prej kohësh ishte dikush që kishte rënë në këtë rrjetë dhe në vend që të mund të dilte, ngatërrohej më keq në të. Isha vetë unë. Prej kohësh mendimet e mia nuk vlenin për asgjë tjetër, veçse për të më lodhur deri në sfilitje. Misteri, i cili kujtoja se më mbështillte fund e krye, do të shpështillej vetvetiu me kohën edhe pa asnjë përpjekje timen. M’u desh realisht njëfarë kohe për ta zbuluar, por përpos të gjithave - megjithëse është pak e hidhur për t’u pranuar - nuk më vlejti kurrë. Nëse isha gatuar me të tillë brumë, as që kisha gjasa të ndryshoja ndonjëherë. Nuk më kishin ndryshuar, as goditjet në kokë, as traumat, madje as humbja e kujtesës. Me siguri, edhe vullneti i mirë nuk do të ishte në gjendje të ndryshonte ndonjë gjë. Nëse diçka tek unë ishte gatuar keq, mundësia për të ndryshuar ishte zero.
     Isha ndërgjegjësuar plotësisht, isha njohëse e situatës sime, jo vetëm asaj fizike, por edhe të karakterit. Ishte e kotë të përpiqesha të ndryshoja, absurde të mos e pranoja, e kotë të orvatesha të kuptoja. Zgjidhja më e volitshme ishte të mund të krijoja një simbiozë me të. Kështu do të bëja. I premtova vetes të mos isha më në kërkim të saj. Tashmë besoja se isha njohur me të, s’kishin qenë të pranishme prezantimet e rastit, ndaj më ishte dashur një periudhë e gjatë për ta njohur edhe pa praninë e tyre. Sigurisht nuk kishte qenë nga ato dashuritë me shikim të parë, por të paktën kishte ca mirëdashje brenda. E shmanga sa munda atë përfytyrim, derisa u bë më i fortë se forca ime shtytëse. Ç’kob! Tre arkivole pranë e  pranë njëri-tjetrit. Të tre ne gjallë, ende larg. Sa dhimbje iu kishim shkaktuar atyre njerëzve me të zeza, atyre që as i kujtoja, as i njihja, as i ndieja dhe sërish bëhesha keq. Ata vuanin thellësisht nga mosprania jonë,- të paktën disa prej tyre-, kurse unë, pa vullnetin tim isha zbrazur plotësisht nga prania e tyre. Askush nuk mund ta dinte me siguri se kush kishte paguar më shtrenjtë në gjithë këtë histori. Diçka ishte e sigurt: haraçi i saj kishte qenë tepër i lartë.
    Për herë të parë mendova se përveç vendit në qenien time për familjen mrekullisht të dashur, bashkëshortin, vajzën, djalin, kishte edhe një hapësirë tjetër, që ndoshta nuk ishte aspak më e madhe, por që ata nuk mund ta mbushnin me praninë e tyre. Kurrë më parë s’e kisha pasur këtë ndjesi, madje as kisha menduar për të. Deri atëherë kisha përfytyruar si të domosdoshme për ekzistencën time vetëm masa të mëdha njerëzish. Por lexuesit e mi idealë, ata që mezi prisnin fjalën time artistike, ishin krejt të imagjinuar nga unë, thjesht fryt i mendjes. Asnjëherë nuk kisha pasur në mendje të vërtetët, të cilët mund ta përjetonin faktin që unë isha në jetë si një mrekulli. Ata, të cilëve nuk u interesonte aspak nëse shkruaja, por shumë nëse ekzistoja. Kuptohet se në të shkuarën time nuk më kishin falur vetëm lumturi, kënaqësi, çaste të bukura, por edhe e kundërta as që më trembte. T’i trembesha asaj, do të thoshte të kisha frikë të jetoja. Megjithëse e palëvizshme, si një pemë e cunguar, diçka kisha kuptuar nga jeta, megjithatë nuk isha sprapsur prej saj. Kishte ardhur koha të shtrija më larg horizontet e mia. Kishte ardhur koha,- fatkeqësisht-, për ta bërë këtë vetëm në letër, megjithatë ishte diçka dhe si e tillë, përherë më e mirë se asgjë.

No comments:

Post a Comment