Tuesday, January 9, 2018

Te jetosh pergjysme

Përvjedhja       Kapitulli XXV


    Në punë shkova në orarin e zakonshëm. Ndihesha plot energji, më priste një ditë mjaft e ngjeshur. Orët e para do t’i kaloja me problemet e zakonshme aty në zyrë, kurse më vonë do t’i përkushtohesha nismës së re.
    Në një disk, i cili ndodhej në sirtarin e tryezës kisha një roman, i cili nuk më qe dukur i keq, por thjesht një lexim të shkujdesur i kisha bërë. Kur Luani hyri në zyrë, isha duke i hedhur një sy. Nuk kisha mundësi të merresha me të, do të më duhej një kohë mjaft e madhe. Luanit i thashë se do të merresha me të më vonë, hë për hë, nuk do të ishte pjesë e kolanës, të cilën ai ngulmonte se duhej ta pasuronim në çdo volum me nga një vepër të re, të pabotuar më parë. Gjithashtu thoshte se ajo nuk duhej të kishte një numër të fundmë vëllimesh, në çfarëdolloj kohe që e shihnim të përshtatshme mund të shtonim ndonjë vëllim të ri.
    Punët shkonin më së miri. Më në fund, gjithçka kishte marrë rrjedhën e saj normale. Mund të dilja prej aty, pa lënë asgjë pas dore. Ishe e detyruar që çfarëdolloj verifikimi ta bëja vetë, duhej të veproja siç e kishte merak Elisa, pa e mësuar askush. Verifikova në gjendjen civile të dhënat personale, që më kishte bërë gati. Më pas shkova në të dyja shkollat, ku kishte studiuar.
    Verifikova gjithçka, fotokopjova edhe faqet përkatëse të amzave; verifikova adresën e saj të dikurshme të banimit. Gjithçka përputhej më së miri. Ishte një fillim i mbarë.
    Shkova në shtëpi si zakonisht në orarin e drekës, u kënaqa me fëmijët e mi dhe më pas sërish u ktheva në zyrë. I telefonova Elisës. Duhej të takohesha me të dhe me të afërmit e saj. Të gjitha takimet u bënë në të njëjtin vend dhe në po atë mënyrë. Brenda njëzet e katër orëve kisha marrë propozimin, materialin, madje kisha përcaktuar edhe linjat. Kisha të gjitha arsyet për t’u ndier e realizuar.
    Ditët kalonin njëra pas tjetrës dhe unë thuajse çdo ditë përvidhesha nga puna e zyrës, për t’u marrë me angazhimet e tjera. Jeta ime ishte e mbushur dhe e ngarkuar aq shumë, sa për të më mbetur pak kohë e lirë, duhej të bëheshin dy ditë bashkë.
     Për herë të parë në jetën time po ecte gjithçka në rrjedhën e duhur. Brenda dy javëve kisha përfunduar së mbledhuri të gjitha materialet për të shkruar biografinë artistike të Elisës, isha regjistruar në Fakultetin e Shkencave Sociale për psikologji, puna për botimin e kolanës së veprës sime ecte më së miri,- është fjala për pasurimin e mëtejshëm. Oraret e përcaktuara për të kaluar me fëmijët i kisha respektuar, duke iu përkushtuar me shpirt. Familjes së madhe i përkushtohesha më tepër në fundjavë. Për herë të parë po ndihesha e realizuar në të gjitha drejtimet.        Përkundër fjalëve të Agim Gjonit, gjithçka në jetën time ishte e qetë. Me siguri, strategjia e tij kishte qenë për t’u afruar më shumë, që unë të përjetoja frikë dhe të kërkoja ndihmën e tij. Prej takimit të fundit, atij të lamtumirës nuk isha takuar me asnjërin prej tyre. Nëse më parë doja të qëndroja larg Jetës për t’u ndier e pavarur dhe për të zgjidhur vetë problemet e mia, tashmë ky pretekst nuk kishte më vlerë. Thjesht duhej të merrja guximin. Por kjo nuk ishte aspak e lehtë. Le të themi se ishte më tepër një çështje krenarie. Në emër të miqësisë së madhe, si mund të shpjegoja se ajo nuk kishte bërë asnjë përpjekje për t’u afruar me mua? Seç kisha një ankth që më brente, një ndjesi ndjellakeqe, për të cilën nuk mund të gjeja asnjë shpjegim logjik. Kisha nevojë të flisja me dikë, me të vetmen shoqe të vërtetë që kisha.
    Më në fund, pas disa ditësh vendosa të shkoja ta takoja.  Isha unë në borxh me të dhe jo ajo me mua. Doja t’i jepja rëndësinë e duhur situatës. S’mund të shkoja duarbosh. Nuk isha e vendosur nëse duhej t’i çoja një buqetë me lule për t’i kërkuar ndjesë apo një kuti me çokollata. Nuk doja të lodhesha së menduari se cila ishte e duhura, mora çokollatat. S’i telefonova më parë, sepse nuk do ishte më një surprizë, por edhe nuk doja të më shkonte as rruga kot deri në anën tjetër të qytetit; ajo jetonte në një shtëpi private, në një vilë në rrugën e Elbasanit, jo shumë larg qendrës tregtare më të madhe në vend, TEG-ut. Me numër privat i rashë telefonit të shtëpisë së saj. Ishte aty. Ndalova makinën përpara shtëpisë. Ishte e lehtë për ta gjetur, ajo ma kishte përshkruar mjaft mirë. Më bëri përshtypje, që makina e saj ishte lënë jashtë. Një makinë e tillë duhej mbajtur më me kujdes mendova, meritonte të futej në garazh. Ishte një makinë mjaft e bukur, por që më krijonte ankth tek e shihja. Ishte makina që i ati i kishte premtuar ditën e incidentit, se do t’ia dhuronte për ditëlindjes. Ajo makinë më kujtonte njeriun që më dogji shtëpinë, që më rrëmbeu time bijë dhe më vrau tim shoq. Megjithëse makina e tij nuk u gjet asnjëherë,- ose të paktën unë nuk e dija. Ishte ajo Mini BMV-ja e kuqe prodhim gjerman, që njihej si Mini Rocketman.
     U futa në kopsht. Dritë kishte vetëm në katin e parë, me sa dukej ishte dhoma e ndenjjes, e cila kishte dritaren në pjesën e përparme, në kopsht.
    Pata guximin të shkoja deri aty, por nuk kisha as guximin dhe as dëshirën më të vogël për t’u takuar me të atin e saj. Makina e tij mund të ishte në garazh, sido që ishte ende herët për t’u kthyer në shtëpi. Jeta më kishte thënë se ai shpesh punonte aty. Nuk doja të rrezikoja, ndaj dhe po përvidhesha deri poshtë dritares për të parë, nëse ishte aty apo jo. Kisha gjetur vendin më të gabuar për një veprim të tillë, shtëpinë e një hetuesi, por edhe sikur të më shihte, nuk ishte ndonjë gjë e madhe.
    E madhe ishte ajo që dëgjova posa u struka aty.
    - Çfarë të ka thënë Era për mua?
     - Absolutisht asgjë. Nuk ma ka përmendur asnjëherë emrin tënd.
     - Pra, ajo nuk dyshon për asgjë?
     - Përderisa nuk ka qortuar asnjërin prej nesh, jo.
    - Cili është plani tjetër?
     - Ndjekim të njëjtën linjë, nëse ajo ka ndonjë dyshim të vogël, unë mohoj gjithçka, nuk mund të rrezikoj pozicionin tim, ti e di si është ajo.
     - Këtu hyj në skenë unë. Herët a vonë, ajo duhet ta marrë vesh se kush është në të vërtetë Jetmira Gjoni.
     Me gjithë trupin që më dridhej dhe me lotët që nisën të më pikonin faqeve, ia mbatha drejt makinës. Si mund t’i jepja asaj në gjendjen që ndodhesha? Ku mund të shkoja ashtu? Për diçka isha e bindur, duhej ta kaloja vetë këtë situatë, pa ndihmën e askujt. Eca ngadalë dhe mendova se vendi më i përshtatshëm për të shkuar në atë kohë ishte zyra ime.
    Mora në dorë foton e tim shoqi që mbaja mbi tryezë dhe për herë të parë, në mënyrë të dëshpëruar, fola me të me zë të lartë.
     - A e di se Gent Luani na ka tradhtuar? Krahu ynë i djathtë, njeriu ynë i besuar na ka shitur. Dhe më e keqja është se unë mendoj se nuk ka nisur tani. Mundet të jetë ai pas gjithçkaje na ka ndodhur. Mund të ketë qenë ai që hyri në shtëpinë tonë, që më goditi mua, që shtiu ndaj teje. Estrela nuk e ka identifikuar kurrë kush ishte njeriu që e rrëmbeu, ai mbante përherë maskë thotë ajo, ndërsa kur udhëtonte dhe ishte i detyruar që ta hiqte, i bënte një injeksion dhe e vendoste në gjumë.
    Të gjitha e kanë një shpjegim. Makina e Jetës me siguri nuk u ble më vonë, ai ka qenë me makinën e saj, ndërsa superheronjtë me makinën e Agim Gjonit. Gjithçka ishte kurdisur mirë, me përjashtim të faktit se një makinë të tillë mund ta mbante mend kushdo lehtë, ndaj dhe për të  fshirë dyshimet, më thanë se nga ai çast vendosën për të blerë një të tillë. Djegiet e tij janë bërë sa për të mbuluar gjurmët. Me siguri, mua më dhanë diçka për të pirë, që të kisha halucinacione. Kjo shpjegohet lehtë, që kur nuk isha më nën mbikëqyrjen e saj, nuk të kam parë më. Dhe në fund idealja, një njeri për të hedhur gjithë fajin. Gjithçka përputhej. Madje edhe fakti që Gent Luani ka fobi drejtimin e makinës, kjo pa diskutim bëhet për të fshehur gjurmët. Ai duhet të ketë ditur për atësinë e Estrelës, ishte miku yt më i mirë. Më erdhën ndër mend fjalët e Agim Gjonit: Kujdes nga njerëzit që ke më pranë, ata mund të të godasin më lehtë pas shpine. Po si kam mundur të jem kaq e verbër?
    Të lutem, të përgjërohem! Më jep një shenjë që të kuptoj se nuk jam vetëm, se Ti je këtu, pranë meje.
    Fshiva lotët dhe po qëndroja në heshtje, më mjaftonte të dëgjoja edhe fëshfërimën më të vogël. Braammm. Shenja erdhi. Me bërryl, pa dashje kisha rrëzuar një disk, që ndodhej në një kënd të tryezës. Më mjaftoi kjo shenjë për të marrë frymë thellë. Mos ishte më shumë se kaq? Atë disk e kisha vendosur javë më parë në sirtarin e tryezës dhe po atë ditë e kisha futur për një çast në kompjuter. Mbaja mend mirë se e kisha vendosur sërish në sirtar, nuk kisha asnjë arsye për ta nxjerrë prej aty. Ndeza kompjuterin, ndoshta në të kishte diçka. E vendosa dhe dyshimet e mia u konfirmuan. Romanin që kisha vendosur ta redaktoja, pas disa javësh e pashë të përfunduar.                Aleksandri ishte aty, gjithë qenia e tij ndodhej pranë meje. Mora sërish frymë thellë. Pa dashje shtypa Pg Dn End. Në faqen e fundit të romanit lexova. Mos dysho kurrë në miqësinë e Jetmira Gjonit, ajo është mikja jote më e mirë.
    Edhe nëse kisha dyshuar tek Jeta, tek im shoq nuk mund të dyshoja se ishte duke gënjyer. Po atëherë, biseda që kisha dëgjuar atë mbrëmje ç’kuptim kishte? Mos e kishin detyruar? Ndoshta kujdesi i saj ndaj meje kishte qenë për të një shlyerje e fajit. Isha aq e lodhur, sa nuk mund të zgjidhja gjëegjëzat e përhershme. Por për Luanin nuk thuhej asgjë, asgjë nuk përgënjeshtrohej. Ç’të bëja me të? Ishte bërë vonë dhe duhej të shkoja në shtëpi.
     Aty munda të qetësohesha. Dy engjëjt e mi kishin përherë një ndikim mjaft pozitiv mbi mua. Fjeta thellë. Vendimet do t’i merrja në mëngjes.
    Posa shkova në zyrë, i kërkova sekretares që Luani të vinte urgjentisht. Kërkova prej tij një raport të hollësishëm të të gjithë situatës në shtëpinë botuese dhe në shtypshkronjë,- raporti duhej të ishte me shkrim dhe i detajuar. Nuk u vonua shumë. Gjithë të dhënat i kishte në kompjuterin e tij, mjaft që t’i sistemonte dhe t’i printonte.       -Po Gentian Luani. Askush nuk do ta mohonte se ke bërë një punë të mirë, por edhe je lodhur shumë kohët e fundit, ke pasur një mbingarkesë pothuajse të papërballueshme.
    - Kjo nuk është aspak e vërtetë.
    - Të lutem, më lër të flas.
    - Më falni!
    - Para disa kohësh më kërkove për të redaktuar ndonjë roman.
    - Po dhe ju më thatë ta nisja me një tregim, por ende nuk më keni folur në lidhje me punën që kam bërë, megjithëse prej kohësh ua kam dorëzuar redaktimin tim.
    - Ke bërë një punë vërtet të mirë, mund të them se jeni i prerë, i lindur për të qenë redaktor; as që e kisha lexuar redaktimin e tij, ishte ngjeshur edhe ai në fund të sirtarit të tryezës si shumë të tjerë. Kisha vënë re vetëm se kishte bërë disa shënime me stilolaps të kuq mbi fletë. I kisha kërkuar redaktim in vivo.
     - Vërtet, nuk e thoni për të më bërë qejfin?
    - Vetëm se kjo lloj pune kërkon jo vetëm përkushtim, por edhe qetësi. Ndaj kam menduar se duhet të merreni për ca kohë me të, pa vrarë mendjen për telashet e tjera këtu,- i thashë me ton më se normal. Në këtë kohë nxora bllokun e çeqeve dhe nisa të plotësoja,- si thoni?
     - Mos po më hiqni nga puna? Kush do të më zëvendësojë? Ndaj dhe më kërkuat raportin e hollësishëm. Mos kam gabuar diku pa e kuptuar as vetë?
     - Askush nuk do të të zëvendësojë. Jam unë që do të kujdesem për gjithçka derisa të kthehesh. Përveçse si një periudhë pune, konsiderojini edhe si pushime, besoj se keni nevojë,- i thashë duke i zgjatur çekun,- shifra vërteton se sa shumë e çmoj punën tënde. Urdhëroni! Në këto usb keni disa romane,- i dhashë disa nga ata që edhe sikur tasti i vetëm që do të shtypte në tastierë të ishte delite, nuk do prishte aspak punë.
    - Nëse doni të më pushoni, kjo është e drejta juaj, por nuk është nevoja për të përzgjedhur fjalë të bukura dhe t’i bini rrotull apo të plotësoni çek me disa zero. Konfirmoni dyshimet e mia dhe unë jap dorëheqjen menjëherë. Mjaft të më thoni se nuk më doni më nëpër këmbë.
     - Më duket se më keqkuptuat.
     - Aspak, vetëm se ju kuptova më mirë nga sa prisnit.
    Mori në dorë usb-në dhe e vendosi në xhepin e xhaketës, ndërsa çekun e grisi. Të paktën pati mirësinë të hidhte copërat në kosh. Më zgjati dorën për të më takuar.
     - Ju premtoj se do veproj siç më thatë. Nuk do t’ju shqetësoj asnjëherë. Nëse keni nevojë për mua, numrin tim e keni,- vetëm këtu më lëshoi dorën,- por, po ju them diçka, çfarëdolloj dyshimi të keni ndaj meje provoni të paktën ta vërtetoni, do kuptoni se gaboheni. Mirëmbetshi!
     - Mbaroi dhe kjo punë. Në fund të fundit, asgjë nuk është e pamundur. Grisja e çekut, vetëkontrolli, fjala dyshim e përdorur prej tij që të gjitha vërtetonin dyshimet e mia. Sa më larg të qëndronte prej meje, aq më mirë do të qe. M’u kujtuan sërish fjalët e Agim Gjonit, se duhej të ruhesha nga njerëzit që kisha më pranë. Njeriu që kisha pasur më pranë, ishte Luani.
     Lashë mënjanë të gjitha hamendësimet dhe ia nisa nga puna. Biografia i nevojitej urgjentisht Elisa Mones, por edhe unë duhej të çlirohesha sa më shpejt prej saj. Duhej t’i përkushtohesha studimeve dhe përgatitjeve për panairin e librit.
     Isha më e qetë dhe për pothuajse tri javë punova pa u ndalur. Më vinte keq që isha e detyruar të punoja edhe gjatë fundjavave, por të paktën prindërit e mi më ndihmonin që fëmijët të mos ndjenin të paktën mungesën e shëtitjeve apo të argëtimit. Djali tanimë rrinte ulur dhe fliste përgjatë gjithë kohës me atë fjalorin e vet. I pëlqente të luante dhe të komunikonte me gjithkënd. Me tim vëlla ishim takuar rrallë kohët e fundit, por të dy ishim mjaft të kënaqur me raportin e ri të vendosur mes nesh. Edhe marrëdhënia me prindërit ishte në kulmin e shkëlqimit të saj, me përjashtim të qortimeve se nuk duhej të punoja aq shumë.
     Më në fund, gjithçka ishte gati. Takimin e fundit me Elisën e bëra po në të njëjtin vend, pasi ajo kishte lexuar gjithë materialin tim. Vetëm diçka mungonte në të, emri i bashkëshortit të saj. Por kjo ishte pjesë e marrëveshjes sonë dhe të them të drejtën nuk më bezdiste aspak.
    - Sa është honorari që duhet të të paguaj për këtë libër? Jo vetëm që jam e kënaqur me të, por sidomos me periudhën rekord që munde ta shkruash.
    - Të them të drejtën kisha kohë që nuk merrja përsipër një angazhim kaq të madh e serioz, ishte një kënaqësi.
     - Nuk iu përgjigje pyetjes sime. Përse?
    - Po, sepse nuk është kaq i rëndësishëm për mua. Them se mjafton pagesa që bëre në fillim.
    - Duhet ta vlerësosh veprën tënde, vlen shumë më tepër nga ç’kujton ti. Do t’ju bëja edhe një tjetër vlerësim të madh. Prononcimi yt që regjistruam në lidhje me librin, ishte një perlë. Nuk ke as idenë më të vogël sesa shumë vlen. Për mua, është një thesar i vërtetë.
     - Në rregull. Mjaft më me lëvdata, po më bën të skuqem. Ishte një kënaqësi që punuam bashkë!
    - Imja ishte shumë më e madhe.
    I dhamë dorën njëra-tjetrës. Sa mirë! Kishte qenë një kënaqësi e ndërsjellë. Ndërkohë ajo nga poshtë tavolinës nxori një valixhe të vogël me dorën e majtë dhe ma vendosi në dorën time të djathtë. Nuk tha e as nuk priti që unë të thosha diçka më tepër, doli nga dera e pasme e lokalit, siç vepronte përherë. Hapa valixhen. Kishte aq shumë para në të! Sërish kartëmonedha të prerjeve të ndryshme. Puna ime nuk vlente aq shumë.
    E ndoqa, ishte hera e parë që dilja nga ana e pasme e lokalit. Ajo po hynte në makinë. Si ishte e mundur? Ajo nuk hyri nga ana e shoferit, por e pasagjerit,- një masë sigurie ndoshta ndaj shtatzënisë së saj. Po ajo vajza në timon? Unë e njihja mirë, ishte Silvia, punonjësja sociale, përkushtimi dora vetë. Kur makina u nis, trupi m’u përshkua nga të dridhura të forta. Kisha nevojë të mbahesha diku, vura dorën në parmakët e shkallëve. U ula në njërën prej tyre. Nuk mund të ishte një rastësi, nuk ishte e mundur të kishte aq shumë Mini Rocketman të kuqe në Tiranë. BMV Mini, prodhuar në Gjermani në shkurt të vitit të shkuar.
    Prita sa të qetësohesha plotësisht dhe mora makinën dhe u nisa për në zyrë. Mendimet ishin ngatërruar keqas. Nuk mund të dyshoja në gjithçka dhe tek kushdo. Duhej patjetër ta nisja nga diku. Të vërtetoja diçka. Mund të më ndihmonte ndonjë element i pavlerësuar sa duhej më parë. Aty ku kisha pasur dyshime gjithçka ishte analizuar. M’u kujtuan fjalët e Silvias: Sa më pak të kuptosh, aq më mirë është për të gjithë, sidomos për ty. Dhe mandej sërish: Unë s’jam gjë tjetër, veçse hallka e fundit e zinxhirit.
    Hapa sirtarin e tryezës. Në fund të saj ishte usb-ja, të cilën asnjëherë nuk e kisha parë çfarë kishte. Përherë më kishte ndodhur diçka për të më penguar. Aq shumë material kishte në të, sa do të më duheshin ditë të tëra për të lexuar gjithçka.     Aty kishte shumë e-mail-e, që kisha marrë dhe kisha dërguar. Si ishte e mundur që kisha ruajtur e-mail-e të dërguar nga Maska, e njeriut që më kishte shkatërruar jetën? Jam e sigurt se asnjëherë nuk kisha ndjerë asgjë për të. Nuk kisha përjetuar asgjë të bukur për të ndier nostalgji.
 Era Tefit
Unë nuk di të flas bukur si ju. Po dhe ju nuk dini ato që di unë. Nëse doni të shkruani një roman të vërtetë dhe të madh, unë kam një histori të madhe. Një rrjet të tërë trafikantësh shqiptarë, pushtetarë, deputetë që merren me trafik droge, fëmijësh dhe vajzash të reja. Njerëz këtu në Athinë që janë gati të dëshmojnë. Pres përgjigjen tuaj. To: maska@hotmail.com
    Ja si e kisha njohur, kështu kishte nisur gjithçka pothuajse gjashtë vite të shkuara. Sikur të mos e kisha lexuar asnjëherë! Sikur të mos i isha përgjigjur kurrë!
    Në vazhdim ishin e-mail-et që kishim shkëmbyer, derisa kishim lënë vendin e takimit në Athinë. Sa e papjekur isha treguar, kisha vepruar sikur të isha Agim Gjoni. Por të paktën ai vepronte përherë me skuadrën e vet.
    Aty ishin gjithë dëshmitë që kisha marrë në Athinë. Me emrat dhe mbiemrat e dëshmitarëve.
    Më pas, me gjithë këto materiale kisha shkruar romanin. Por ndër personazhet kryesor ishte ai, ish deputeti, tani zëvendësministri A. ZH. Këtu gjithçka lidhej, ndaj ai kishte ardhur në zyrën time, për të verifikuar se nuk mbaja mend asgjë. Dëshmitë fizike mendonte se i kishte zhdukur me zjarrvënien e shtëpisë. Sa më shumë lexoja, aq më shumë kujtesa më vinte qartë e më qartë, sikur ai të ishte çasti i shumëpritur. Koka më dhembte aq shumë, sa dukej se çfarëdolloj kujtimi që rikthehej aty godiste edhe më fort se të mëparshmit. Mos ai kishte lidhje me...
     Hyra në adresën e internetit të kompanisë gjermane BMV, si dhe në filialin e saj në Tiranë. Konfirmova blerjen e dy makinave: të Elisa Mones dhe të Jetmira Gjonit. Makina e Elisës ishte blerë më dy mars të vitit të shkuar në Gjermani, plot dy javë pas hedhjes në treg. Ndërsa makina e Jetës në gusht. Dyshimet e mëparshme mbi Jetën nisën të zbeheshin, të veniteshin, madje të zhdukeshin, siç kishte ndodhur përherë.
     Im shoq nuk më kishte dhënë më asnjë shenjë. A ishte e mundur që ai të kishte redaktuar romanet? Një nga romanet e redaktuar nga Luani, ishte gati. Ai e kishte dërguar dorazi me një nga redaktorët e tjerë të shtëpisë botuese. Krahasova me romanet e redaktuara më parë dhe më dukej e njëjta dorë. A mund të kishte ndonjë shpjegim logjik në këtë rast? Vetëm ai kishte mundësi të futej në zyrën time. Mos ndoshta... menjëherë m’u kujtua shënimi në fund të romanit që gjeta në disk: Mos dysho kurrë tek Jetmira Gjoni, ajo është shoqja jote më e mirë. Lidhja dukej e qartë. Ata të dy nuk kishin komplotuar kundër meje, ishin thjesht duke punuar përkrah meje, për të më ndihmuar në gjithçka.
    Derisa të konfirmoja lidhjen mes Elisa Mones dhe A.ZH. isha duke bërë supozime. Ai duhej të ishte i fejuari sekret, ndaj nuk ishte parë e as dëgjuar më. Dhe unë naivja që kujtoja se ishte trembur, se ishte larguar një herë e mirë. Si është e mundur që një fytyrë engjëllore si e saj, të kishte aq shumë për të fshehur? Kisha rënë kokë e këmbë në grackën e tyre. Si mund të botoja një roman të tërë të mbushur me dëshmi kundër tij, kur ata në panairin e librit do të sillnin biografinë letrare të Elisa Mones dhe historinë e saj të mrekullueshme të dashurisë. Nuk mjaftonte që unë e kisha shkruar dhe thurur lavde, por fatkeqësisht kisha dhënë edhe një intervistë, ku veç të tjera i uroja çiftit jetë të lumtur.
     Kam pasur mjaft momente të këqija në jetë, por kurrë nuk jam ndier e fundosur. Ajo që më mundonte më shumë ishte se për herë të parë, nuk mund të fajësoja askënd përveç vetvetes. Dyshimeve të lidhura me këtë çështje nuk iu kisha dhënë rëndësi. Atëherë kuptova se kisha qenë vetëm. Për herë të parë, pata guximin të pranoja se isha vetëm, pa askënd përkrah. Boshllëku brenda meje zmadhohej. Çuditërisht nga ky boshllëk diçka ende shkëputej. Nuk isha në gjendje të përcaktoja saktë çfarë, por përjetoja zbrazjen.
     Duhej të gjeja guximin të përballesha, të paktën me Luanin. Mund ta telefonoja me pretekstin e panairit të librit, që ishte së afërmi. Po e mendoja sërish. Në fund të fundit, as i kisha folur për dyshimet e mia, as e kisha pushuar nga puna. Nuk kisha përse t’i kërkoja falje. Nuk lidhej aspak me mungesën e guximit. Prej kohësh isha nisur nga rrethinat e gjithçkaje, duke synuar të arrija në qendër. Në qendër të ngjarjeve, të së vërtetës. E kisha nxjerrë tanimë një mësim. Përherë duhej nisur nga qendra dhe jo nga periferia.

No comments:

Post a Comment