Oferta Kapitulli XXIV
Kisha vendosur ta zhbiroja një herë e mirë atë usb,
e cila për një kohë të gjatë kishte qëndruar në
fund të sirtarit të tryezës. Isha pothuajse e sigurt
se do të ndodhte sërish diçka për të më penguar. Ishte një lloj
parandjenje nga ato të pagabueshmet. Ajo duhej mbajtur me
shumë kujdes, për rastet kur rutina ishte e pashmangshme. Do
të ndodhte patjetër diçka për ta thyer atë, pikërisht atëherë... Dhe ja, zilja e celularit tim. Kush mund të ishte? Sapo
kisha marrë një numër të ri dhe nuk ia kisha dhënë askujt,-
ose të paktën nuk mbaja mend ta kisha bërë diçka të tillë.
Me siguri dikush kishte gabuar numër.
- Më falni, për shqetësimin! Zonja Era Tefi jeni?- ishte
zëri i ëmbël i një vajze të re. Nuk isha duke e parë, por me
ato pak fjalë që sapo kisha dëgjuar prej saj, perceptova se
tek ajo kishte diçka të veçantë. Nuk arrija ta shquaja me
saktësi se ç’qe. Ndoshta pata menjëherë përshtypjen se ajo
rrezatonte diçka të veçantë. Por, çfarë? Në pak sekondat që
mendova nuk më erdhi asgjë tjetër ndër mend. I dhashë
rrugë sakaq, ajo nuk rrezatonte gjë tjetër veçse kulturë.
- Po, Era Tefi jam, ju kush jeni, ju lutem? Njihemi? Kam
përshtypjen se zëri juaj është i huaj për mua.
- Quhem Elisa Mone dhe nuk njihemi, ndaj dhe ju mora
në telefon. Nëse mundeni të gjeni kohë të pimë një kafe së
bashku në një vend të qetë, do t’ju shpjegoja gjithçka, pa ju
marrë shumë kohë. E di se sa e rëndësishme është ajo për ju.
- A mund të më shuani kureshtjen sadopak, për çfarë
bëhet fjalë?
- Kam një propozim për ju, një ofertë pune. A ju mjafton
kaq si fillim?
- Dhe me çfarë lidhet kjo?
- Me të shkruarin, sigurisht. Besoj se do të merremi vesh
shpejt dhe po kaq shpejt do t’ia nisim nga puna. Atëherë
po ju pres pas një ore te Melodia. Me siguri e dini ku është.
Mirëardhshi!
Kurrë nuk kisha marrë ndonjë propozim të atillë, për
më tepër në telefon. Nuk kuptoja përse nuk kishte zgjedhur
zyrën time si vend takimi. Ishte diçka në këtë mes. E kisha
bërë dikur dhe nuk kisha arritur të nxirrja absolutisht asgjë
në dritë. Ishte një propozim që më kishte joshur ende pa e
dëgjuar. Kishte ardhur në çastin më të përshtatshëm. Kisha
kohën, por edhe qetësinë e duhur për t’iu përkushtuar e
gjitha. Ashtu siç doja në të vërtetë dhe ashtu siç dija. Ishte
kjo mënyra ime e vetme në të cilën mund të punoja.
Instinktivisht mbylla usb-në dhe në kohën kur isha duke
e hequr atë, klikova në my compiuter, më pas mbi dosjen ku
ndodhej romani më i ri, ai që nuk më bënte zemra t’ia jepja
askujt për ta redaktuar, rom.com. E pabesueshme! Aty
gjendej edhe një dosje, të cilën nuk mund ta kisha emëruar
unë, rom.com2. U drodha e tëra. Vetëm im shoq emëronte
në këtë mënyrë. Bëra një kalim të shpejtë nga faqja e parë
në të fundit dhe ... vërtet e pabesueshme, ishte redaktuar
i tëri. Nuk gabohesha në atë që mendoja, jo. Ishte dora e
tim shoqi. Shpirti i tij ishte ende pranë meje. Isha gati të
fluturoja. Nuk lidhej aspak me romanin, kjo ishte diçka
krejt e parëndësishme. Ai nuk më kishte braktisur. Prej
kohësh në studion e shtëpisë nuk e kisha ndier praninë
e tij, isha bërë si e marrë, unë nuk e meritoja braktisjen.
Isha gati të bëja gjithçka për të. Mendoja se ishte larguar
përgjithnjë, ndërsa ai kishte qenë aty, aq pranë meje. Ndaj
dhe gjithçka në zyrë kohët e fundit kishte ecur mbarë.
Mendova se nuk më mungonte asgjë për të qenë e lumtur.
Madje, mund të dehesha në lumturinë time. Isha e gatshme
për të ndërmarrë çfarëdolloj sfide.
Nuk e mendova dy herë. Mora çantën dhe dola zyra, e shoqëruar nga habia e gjithë atyre që më panë. Në
zbatimin e orarit isha shembullore, kurrë nuk dilja më
parë. Sikur të druhesha se do më hiqnin ditën e punës.
Më shihnin si të isha duke i braktisur. Nuk e lodha shumë
veten duke kthyer ndonjë përgjigje, a duke u hedhur
ndonjë romuz siç veproja zakonisht në të tilla raste. Prishja
e humorit ishte gjëja e fundit për të cilën kisha nevojë.
Megjithëse shkova para orarit të takimit, ajo ishte duke
më pritur. Një nga kamerierët, i kopsitur deri në mjekër, i
veshur si pinguin, më përshëndeti posa hyra brenda me një
ngazëllim të dukshëm. Më tha se më prisnin dhe më bëri
rrugë me një kryelartësi, që vetëm atij mund t’i shkonte
për shtat. Elisa ishte ulur në një ndarje të barit, një dhomë
e vogël, e cila i bashkëngjitej mjedisit tjetër në trajtën e një
xhepi që me sa dukej i përshtatej rasteve dhe personave
jo të zakonshëm. Nuk arrita të përcaktoja, nëse ishte duke
i dhënë rëndësi vetes, mua apo bisedës. Shumë shpejt ky
mendim u fashit. Ja ku ishim ballazi.
- Faleminderit që erdhët,- më tha ajo duke më zgjatur
dorën,- unë jam Elisa Mone.
- Era Tefi, kënaqësi që ju njoha.
- Uluni, ju lutem! Faleminderit që erdhët. Po dal drejt e
në temë. Asnjëherë nuk më pëlqen t’ju vij çështjeve rrotull.
Nuk do të më pëlqente të shpenzoja kot kohën time apo të
të tjerëve. Kam mësuar prej kohësh se koha është shumë
më e çmuar se floriri, ndoshta për faktin se as mund të
shitet e as të blihet dhe ç’ka është më e dhimbshmja, ajo
nuk mund të kthehet më pas. Me ç’kam lexuar nga veprat
tuaja, pak a shumë, edhe ju keni të njëjtin mendim me mua
mbi këtë çështje.
U mjaftova duke pohuar me kokë. Nuk kisha aspak
dëshirë të flisja për vete. Po digjesha nga kureshtja për ta
dëgjuar se për ç’propozim bëhej fjalë. Dukej se ajo nuk do
luante gjatë me kureshtjen time.
Siç ju thashë, quhem Elisa Mone. Unë vij nga një familje intelektuale tiranase, familje, e cila shquhet për traditat e
saj. Pas viteve nëntëdhjetë, familja ime pati fillimisht një
biznes të vogël, por që me kohën lulëzoi. Sot im atë është
një nga njerëzit më të pasur në vend. Martesa ime e afërt me
një diplomat do t’ia rrisë edhe më tepër prestigjin familjes.
Unë jam shtatzënë, mendoni lumturinë e prindërve të mi,
kur unë t’iu jap atyre jo një, por dy nipa njëherësh. Unë jam
vajza e tyre e vetme, siç thoni ju: Drita e syve të tyre.
Tani, ajo që unë kërkoj nga ju është të shkruani historinë
e familjes sime të vjetër dhe të së resë përkrah bashkëshortit
tim të ardhshëm. Po ju kërkoj diçka të pamundur? - Nuk do ta quaja të pamundur. Vetëm se kurrë më parë
nuk kam shkruar diçka në mënyrë të tillë. Më duket se do
tradhtoja mënyrën time të të punuarit. Mua më pëlqen kur
trilloj, kur bëj analiza të thelluara të personazheve, intrigat,
përballjet, përplasjet mes tyre.
- Me përjashtim të trillimit, të tjerat do të jenë po njësoj.
Mund të bësh analizën time psikologjike apo të njerëzve
të mi më të afërt. Lejet tashmë janë marrë të gjitha. Do të
të siguroj takime me ta, atëherë kur edhe ti ta shohësh më
të arsyeshme e më të nevojshme. Vetëm me të fejuarin tim
nuk do të takohesh asnjëherë. Këtë privilegj e gëzoj vetëm
unë,- përfundoi ajo dhe buzëqeshi në mënyrë rrëzëllitëse.-
Në të vërtetë, dua që të jetë një surprizë për të. Besoj se në
ditën e dasmës sonë do të jetë gati. Atëherë?
- Nuk di ç’të them. Nuk arrij të imagjinoj mënyrën sesi
do punoj.
- Kjo me siguri do t’iu ndihmojë për t’u menduar më
thellë dhe për të më dhënë një përgjigje pozitive.
Ishte një pako e mbështjellë me shumë kujdes, një
paketim i përsosur. Kureshtja ishte e madhe. Ç’të kishte në
të? Ta hapja në atë çast, do bëja figurën e një fëmije.
- Unë arrij gjithmonë atë që dua, nuk ndihem e përulur,
as kur kërkoj ndihmë e as kur lutem. Rëndësi ka rezultati.
Për mua, çfarëdolloj mjeti justifikon qëllimin final. Në këtë rast, shkrimin tuaj. Këtu keni të përmbledhur çastet
kryesore të jetës sime. Ndoshta jam zgjatur shumë, por dua
që të krijoni idenë e plotë mbi atë që do të shkruani. I lexoni
me kujdes! Më pas takohemi për të kaluar në detajet e tjera.
- Po unë ende nuk e kam pranuar ofertën tuaj. Nuk
mund të marr një vendim kaq të rëndësishëm kështu, të
paktën jo menjëherë. Kam nevojë për pak kohë sa të peshoj
gjithçka me shumë kujdes.
- Epo, e vetmja gjë që kam me pakicë tani për tani është
koha. Përndryshe... mendoni pak se sa keq do të dukem në
ditën e dasmës sime. Nuk gjen shumë stilistë, që do të dizenjonin
me kënaqësinë estetike fustanin e bardhë për tre vetë.
Jam e sigurt se do ta bëni. Vetëm kërkoj diçka me ngulm.
Nuk dua të flisni për këtë me askënd. Mos harroni se duhet
të mbetet surprizë për të fejuarin tim. Nëse kjo merret vesh
në mjediset e zyrës suaj, atëherë do duhet të heq dorë nga
planet e mia dhe kjo nuk më pëlqen aspak. Sigurisht që emri
juaj do të jetë mbi kopertinën e librit, por vetëm se nuk do
ta shtyp te ju, por në një shtypshkronjë tjetër. Besoj se kjo
nuk përbën ndonjë problem. Merrni kohën e nevojshme
për t’u menduar e për të më komunikuar vendimin. Se për
mua, unë tashmë e mora përgjigjen time. Ditën e mirë dhe
punë të mbarë, zonja Tefi!- tha ajo duke më dhënë dorën.
As vetë nuk e di, përse nuk e kundërshtova, kur instinkti
im më ulërinte të mos e pranoja ofertën. Por në të njëjtën
kohë diçka më joshte tek e mendoja të realizuar atë libër.
Ai nuk do ishte si gjithë të tjerët. Jo vetëm ngaqë bëhej
fjalë për një jetëshkrim, por edhe për ndonjë arsye tjetër,
të cilën tani për tani nuk e dija, ama isha më se e sigurt se
diku ekzistonte. Ndoshta mund të ishte thjesht një iluzion
imi, por në ato çaste ndodhesha në kulmin e karrierës
sime. Ishte koha ime. I detyrohesha shumë lexuesve,
madje ndihesha në borxh karshi tyre. Ata meritonin diçka
ndryshme, padyshim që ishin të lodhur nga ajo rutina e
përhershme. Fundja edhe ekranet e televizioneve shfaqnin pa fund filma të mbështetur mbi ngjarje reale. Ishin ato që
tërhiqnin më shumë vëmendjen e publikut. Vendosa të rrija aty edhe ca pas largimit të Elisës. Kisha
nevojë të bluaja gjithçka në kokën time. Në fund të fundit,
ajo më kishte kërkuar të bëja ç’ka dija më mirë se gjithçka
tjetër: të shkruaja. Përse të mos pranoja? Më shkuan sytë te pakoja. Ç’të kishte në të? E
ç’mbështolla letrën e shkëlqyeshme si ta kisha me ngut, me
duart që thuajse po më dridheshin. Ç’të shihja! Në të kishte
para, shumë para dhe një pusullë: Kaq janë vetëm për
pranimin, të tjerat më pas. Të gjitha ishin euro, çuditërisht
kartëmonedha të prerjeve të ndryshme,- kjo më ra në
sy menjëherë. Dukej diçka e çuditshme, në të tilla raste
zakonisht përdoret vetëm një lloj prerjeje, mendova.
Nuk e kisha menduar se në këtë mes do të hynin paratë,
të paktën jo në këtë mënyrë e as në këtë sasi. Mos ishin ca si
shumë? Aq më tepër kur bëhej fjalë për një kohë kur unë ende
nuk kisha nisur nga puna. Mos duhej t’i ktheja mbrapsht e
të mos i pranoja? Ah! Tani po që isha duke e tepruar, po
bëhesha si Jetmira me të atin, të cilët më detyruan të merrja
paratë mbrapsht. Përse duhej të më vriste ndërgjegjja? Ajo
vetë më kishte thënë se ishte e kamur. E në fund të fundit,
nëse nuk doja të më vriste ndërgjegjja, mund të bëja diçka të
mirë me to. Si fillim, vendi më i mirë ishte çanta, fatmirësisht
përdor përherë çanta të mëdha.
Dola nga bari duke menduar se ç’duhej të bëja me ato
para. Por, mos po nxitohesha? Ende nuk kisha shkruar
asnjë radhë dhe doja të shfrytëzoja paradhënien. Në radhë
të parë, më duhej të studioja materialin që ajo më kishte
dhënë, përmbledhjen që i kishte bërë jetës së saj. Me të
shkuar në zyrë nisa ta lexoja me një frymë. Lexoja e rilexoja.
Gjithçka më dukej interesante. Por, nuk ishte një lexim i
sistemuar qysh nga fillimi, thjesht shfletoja aty-këtu, sa
për të krijuar të paktën një ide fillestare. Nga mënyra se
si kishte formuluar gjithçka, dukej se kishte një nuhatje të mirë për të bukurën, madje nuk i mungonte as sensi i
humorit. Mënyra delikate dhe e qetë e të rrëfyerit mbetej
e pandryshueshme edhe në paraqitjen e çështjeve më të
mprehta. Pikërisht kjo më pëlqeu më shumë, megjithëse
nuk mund të them se kishte diçka të papëlqyeshme.
Ishte hera e parë pas kaq kohësh që kisha thyer rutinën
e përditshmërisë. Nuk shkova për drekë në shtëpi, oferta e
Elisës tashmë ishte pranuar plotësisht. Kisha nisur punën
për realizimin e librit. Vendosa ta takoja të nesërmen për të
folur më në detaje. Do t’i kërkoja të më mundësonte edhe
takimin me prindërit e saj, me shoqen e fëmijërisë, si edhe me
hallën, me të cilën kishte pasur,- siç thoshte ajo,- një raport
krejt të veçantë. Kjo kishte ardhur si rrjedhojë e diferencës
jo shumë të madhe në moshë apo ndoshta nga përputhja e
karaktereve të tyre. Gjithçka ishte për t’u zbuluar.
E nesërmja dukej larg. Më pëlqente që po i hyja një
angazhimi ashtu siç më pëlqente, kokë e këmbë. Për këtë
më së shumti kishte merita edhe Luani. Vetëm falë punës
së tij të përkushtuar mua më mbetej kohë e lirë. Vendosa
t’i jepja një shpërblim për punën e mirë, madje menjëherë.
Nuk ishte nevoja të prisja më tepër. Mora një zarf, vendosa
në të një shumë jo të vogël parash dhe përmes sekretares
e njoftova që të vinte.
Në fillim nuk e pranoi, por kur dëgjoi motivacionin
dhe falënderimin tim të sinqertë, u përlot. Më tha se kisha
përdorur mënyrën dhe fjalët e tim shoqi për ta bindur.
Edhe unë u përlota pas asaj që ai tha. Nëse i ngjaja sadopak
Aleksandrit, kisha një arsye tepër të fortë për të qenë
krenare për veten. Shtrënguam duart, si të ishim duke
përfunduar ndonjë marrëveshje të rëndësishme. Ishte një
kënaqësi e madhe të punoja në këtë mënyrë dhe me një
njeri të tillë. Jo më kot im shoq e kishte zgjedhur si krahun
e tij të djathtë. Ai përherë kishte bërë zgjedhjet e duhura.
Në mbrëmje u ktheva në shtëpi pak a shumë në orarin
e zakonshëm. Fëmijët ishin më të përmalluar se zakonisht, ashtu si edhe unë. U kushtova më tepër vëmendje, madje
edhe pakëz kohë më tepër. Dukej se kjo ishte e nevojshme për
të pastruar ndërgjegjen nga çdo lloj hijëzimi. Gjëja e fundit
për të cilën kisha nevojë, ishte të ndihesha fajtore. Nuk mund
ta duroja peshën e kësaj ndjesie. Por, së fundmi, përrallëzën
e lexova më me nxitim se zakonisht. Me sa duket, nisma që
sapo kisha marrë, po ndikonte tepër fuqishëm. Dukej qartë
se do të më duhej të mësoja mjaft përralla të reja, madje edhe
lojëra, nëse do t’i futesha angazhimit të nisur, do të më duhej
ta pastroja edhe më dendur ndërgjegjen.
Sapo ata i zuri gjumi shkova në studio. Nuk gjeja asnjë
shpjegim të mundshëm, se si ajo vajzë së bashku me historinë
e saj kishte mundur të më magjepste aq shumë. Nuk kishte
të bënte aspak shuma që mund të më ofronte, nuk ishte
çështje parash. Tek ajo kishte diçka të ëmbël, por jo vetëm
te buzëqeshja, nuk ishte vetëm kjo. Ishte e tëra rrëzëllitëse.
Nuk ngjante aspak me një engjëll, ata asnjëherë nuk kanë si
qëllim të magjepsin njerëzit për t’i vënë në anën e tyre, aq
më tepër duke përdorur paratë. Po përse duhet të kuptoja
menjëherë gjithçka? Nëse kjo magjepsje vazhdonte, do isha
më e dhënë pas shkrimit. Nuk do ishte roman i mirëfilltë,
por as biografi. Nëse Elisa Mone e kërkonte në këtë mënyrë,
po në këtë mënyrë do ta kishte. Ky po që do të ishte një libër
i shkruar në kohë rekord.
Isha aq e përpirë nga gjithçka lexoja, saqë për gati dy orë
nuk kisha parë asgjë, madje as akrepat e orës së madhe të
drunjtë që ndodhej në studio. Vetëm kumbimi i saj në orët
fikse më kishte shpërqendruar për disa sekonda. Sa herë e
shihja sikur ndjeja përkëdheljen e gjyshes. Ishte sendi më i
vyer për të, nga i cili askush nuk kishte mundur ta ndante.
Ofertat kishin qenë aq të shumta nga gjithë pjesëtarët
e fisit, saqë dukej se në një mënyrë të pashpallur ajo qe
hedhur në ankand. Çuditërisht, pas kthimit tim, ajo erdhi
në shtëpi me orën e paketuar. Askush nuk guxoi të bënte
ndonjë koment, fjalët e saj ishin të mjaftueshme: “Vetëm je kthyer nga ajo botë, je ndryshe nga gjithë të tjerët.”
Vijova leximin, këtë herë jo aq gjatë. Ora kumboi plot
dymbëdhjetë herë. Pamja e akrepave që putheshin se ç’më
krijonte përherë një gjendje të çuditshme. Edhe unë renda
të puthja engjëjt e mi. Ata flinin të qetë. Më pëlqente të
nuhasja flokët e tyre. Kur flinin ishte edhe më mirë. Estrela
më kishte pyetur shpesh për arsyen e këtij veprimi. Nuk
kishte shpjegim, ashtu si pjesa më e madhe e veprimeve të
vogla, ndoshta edhe të strukturuara mirë te gjithkush.
Aq shumë më kishte tërhequr gjithçka lexoja, sa mendja
ime fekste herë-herë në mënyrë haluçinante. Përfytyroja
jetën e Elisës, personat për të cilët fliste dhe një fraksion
sekonde më pas librin e përfunduar. Truri bombardohej
sërish nga dritat e fantazisë. Këtë herë nga libër e shihja
teksa xhirohej film. Llogarisja me përafërsi firot që mund
të kishte nga jeta në libër dhe më pas, nga libri në film.
Në fund bëra shumën e dy diferencave. Para se të merrja
rezultatin përfundimtar, hapa sytë. Isha përgjumur mbi
tryezën e punës, me kokën ngjeshur mes formateve A4.
Kisha sërish nevojë për një tjetër pushim. Truri
menjëherë kishte thithur gjithçka dhe kisha ndjesinë se po
bymehej pa u ndalur. Lexoja dhe gjithçka regjistrohej aty
sakaq. Nuk mbaja mend të më kishte ndodhur ndonjëherë
diçka e tillë. Analiza që i bënte Elisa familjes dhe vetvetes
nga njëra anë vinte fare thjesht e natyrshëm, nga ana tjetër
e ngrinte atë në piedestal. Gjeniale! Por nuk duhej të besoja
detyrimisht gjithçka. Menjëherë të nesërmen do nisja
verifikimet. Megjithëse ajo bënte porosinë dhe pagesën,
nuk do të botoja asgjë të paqenë. Asnjë etapë apo episod
nuk duhej besuar pa bërë më parë një konfirmim. Në
përfundim të leximit do ta bëja patjetër këtë listë.
Ndenja gjatë me bërrylat e mbështetur mbi tryezë dhe me
faqet e zhytura mes shuplakave. Kisha një domosdoshmëri
për të menduar thellë, por edhe për të mos menduar aspak.
Bëra disa herë kalime nga njëri ekstrem në tjetrin. Ishte si t’i bëje gjimnastikë trurit. Kur ai ishte gati, plotësisht i
zgjuar dhe i çlodhur, nisa të lexoja sërish, e sigurt se do të
përfundoja brenda një kohe të shkurtër.
Mënyra se si Elisa paraqiste faktet ishte e përsosur. Ajo
ndoshta nuk ishte duke shtrembëruar asgjë, por bënte një
farë kanalizimi të qëllimshëm të mendjeve njerëzore, që
nuk arrija të kuptoja se ku kishte ndër mend t’i shpinte.
Zotëronte një mjeshtëri aq të hollë të të shprehurit, sa
nisa të vetëbindesha se kishte vërtet diçka për të fshehur.
Megjithatë, as që po më shkonte më nëpër mend të hiqja
dorë. Sa më shumë lexoja, aq më tepër më intrigonte
gjithë kjo histori. Isha plotësisht e bindur se do t’i shkoja
deri në fund. Pothuajse gjithë koha dhe energjitë e mia po
kanalizoheshin drejt këtij projekti. Ndieja se botimi i librit
do ta ndryshonte kryekëput rrjedhën e jetës sime. Diçka
më thoshte se do të bënte bujë të madhe.
Ndoshta për këtë arsye më kishte kërkuar pikërisht
mua. Isha në majat e suksesit tim, më njihnin edhe ata që
kurrë nuk kishin hyrë në ndonjë librari, apo bibliotekë. Në
këtë kohë media ka përthithur gjithçka, duke i faturuar
librit simptomat e anemisë. Shkrimtarët shihen ndonjëherë
edhe si tregtarët: Cili sjell mallin më të mirë? Cili shet më
tepër? Cili mbush xhepat më shumë?
Ishte tepër vonë për të vijuar sërish, por qerpikët as që
përpëliteshin për gjumë. Përgjumja e mëparshme dukej
e mjaftueshme. Duhet të mendoja, të lexoja e më pas të
rimendoja e të lexoja sërish. Preka kokën fort me të dyja
duart. Në raste të tilla, kur kisha dhimbje apo lodhje,
shtrëngimi i saj fort me të dyja duart më bënte të ndieja
një lehtësim. Ishte pak si të ngjeshja gjithçka në të, për të
krijuar një vend bosh, sado të vogël, për ta mbushur në çast
me formatet e paktë A4, të cilët kishin mbetur ende pa u
lexuar apo qenë lexuar shkarazi.
Këtu niste e tregohej hollësisht historia e saj e dashurisë,
të cilën nuk jam e sigurt në ishte realisht aq e bukur apo ngjante e tillë sepse pothuajse isha përgjumur gjatë leximit.
Pjesët më të bukura të saj nuk dija më nëse i kisha lexuar
apo i kisha ëndërruar. Nuk më kishte mbetur më kohë për të
fjetur, thuajse po zbardhte, por të paktën duhej të shtrihesha
sa për t’u çlodhur. Pas dy orësh do nisesha për në punë.
Engjëjt e mi flinin të qetë. Sa me fat isha që kisha fëmijë
të tillë! Nuk jam lodhur asnjëherë së thëni këto fjali, sepse i
ndiej në shpirt sapo i shoh. I përkëdhela, u ndjeva aromën
dhe i kundrova për një farë kohe. Kur i shoh tek flenë aq të
qetë, nuk e ndiej aspak se si kalon koha. Do rrija ashtu me
orë të tëra për të përkundur ëndrrat e tyre.

No comments:
Post a Comment