Pas dy javësh fitova kujdestarinë e plotë të fëmijëve të mi. Isha aq e lumtur, sa nuk doja t’ia dija për asgjë tjetër. As që pyeta veten se si munda të arrija deri këtu dhe falë kujt. Kisha arritur të merrja ç’ka ishte e imja dhe jo e dikujt tjetër. Askush nuk duhej të kishte pasur guximin për të m’i marrë, për të më bërë këtë poshtërsi, këtë pashpirtësi. Si mund t’i thuhet një mamaje se ajo nuk i meriton bijtë e saj? Më saktë më kishin thënë se nuk isha e aftë të kujdesesha për ta, por për sa më përket mua është e njëjta gjë.
Silva nuk erdhi më në shtëpinë time, por edhe unë nuk e pashë me vend të kërkoja ndonjë takim me të, as ndonjë telefonatë falënderimi nuk i bëra. A nuk ishte detyra e saj gjithçka kishte bërë? Në fund të fundit, kishte bërë atë punë për të cilën paguhej. Madje, as që e pashë të nevojshme të interesohesha më për këtë çështje. Hera e fundit që folëm, ishte kur më telefonoi dhe më dha lajmin e mirë. E falënderova, por në fjalët e mia nuk ishte shumë e qartë, nëse e kisha falënderuar për lajmin e mirë që më dha apo për ndihmesën e saj. Për sa më përket mua mbetesha tërësisht tek e para; ajo le të ngushëllohej me të dytën.
Një tjetër fletë ishte kthyer tashmë për jetën time. Më në fund ia arrita asaj që doja. Menjëherë nisa të organizoja gjithçka. Si fillim me shtëpinë. Në periudhën pas lindjes së djalit, ajo që më shqetësonte më shumë ishte se gjatë gjithë ditës në shtëpinë time hynin e dilnin njerëz, të cilët vinin e kundronin gjithçka, si të ishte një ekspozitë. Madje, dukej se veç kësaj kishin si mision të më masnin edhe pulsin, të fusnin hundët në marrëdhëniet tona familjare. Por nuk ishte kjo më e keqja. Ishte mamaja ime që dirigjonte gjithë këtë teatër. Shoqet e saj thuajse u shpërngulën në shtëpinë time, dhoma e ndenjjes u kthye në një makth të vërtetë. Nuk munda të gjej atë për të cilën kisha më shumë nevojë, qetësinë dhe çlodhjen, aty ku supozohej të ishte në të vërtetë shtëpia ime.
Ia nisa me falënderimet drejtuar mamasë sime dhe më pas i thashë se duhej të bënte gati valixhet për të shkuar në shtëpi. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë mënyrën sesi reagoi. Më bëri të ndihesha një vajzë e keqe. Më e keqja në botë. U përlota, por nuk mundi të më thyente. E doja shumë time më, ndoshta edhe më shumë se veten, por jo më tepër se fëmijët e mi. Edhe ata ishin të shpërqendruar nga gjithë kjo. Pas stuhisë së parë të lotëve, mamaja mori një pamje të frikshme, thua se po i kërkoja të dilte nga jeta ime. E quante të tmerrshme, që një grua të jetonte e vetme, pa burrë. Madje, mund të quhej nga të gjithë imorale, sepse sipas saj një femër nuk mund ta përballonte jetën e vetme dhe të ishte ballëlartë.
As që kisha ndër mend të vazhdoja debatin me të. Nëse donte, sigurisht që mund të qëndronte në shtëpinë time, do ishte e mirëpritur, por ama e zonja e shtëpisë isha unë. Shtëpia ime nuk mund të vazhdonte të ishte një han, ku çdokush mund të vinte kur të donte dhe të qëndronte sa të donte. Parë edhe në një këndvështrim tjetër, unë askujt nuk kisha marrë mundimin për muaj të tërë t’i shkoja për vizitë në shtëpi. Pra, nuk është se ndokush po ndihej borxhli e donte të më kthente vizitën. Por kjo as i kishte penguar për të qenë aq të sjellshëm, sa të vinin në shtëpinë time me dhjetëra herë, me edhe pa rast.
Më pas u mora me organizimin e punëve në shtëpi. Kisha zgjedhur një dado për fëmijët e mi. Ishte Jeta ajo që ma kishte sugjeruar. Teuta quhej, ishte një grua e re, me një fëmijë katër muajsh. Shtëpia ime ishte aq e madhe, sa të kishte edhe një hapësirë për atë fëmijë. Do të mund të merrej me të birin dhe me fëmijët e mi njëherësh. Ajo ishte mësuese e ciklit të ulët, por asnjëherë nuk kishte pasur një vend pune të sajin. Kishte punuar vetëm si zëvendësuese në shkolla të ndryshme. Nuk mund të punonte diku tjetër, për shkak të fëmijës. Nuk mund të paguante një dado, sepse nuk do kishte asnjë kuptim, do të shkonte në punë, do rrinte larg fëmijës së saj, kur nuk do t’i ngelte më thuajse asgjë nga paga që do të merrte. Ajo ishte zgjidhja e përsosur për fëmijët e mi. Një grua, e cila do të kujdesej për fëmijën e saj dhe të mitë njëkohësisht. Përderisa s’mund të ishte një nënë e keqe, nuk do ishte as edhe një dado e keqe mendova. Një intelektuale, e cila do të më ndihmonte, jo vetëm në rritjen, por edhe në edukimin e tyre.
Ajo ishte aq me takt, saqë mamaja ime me gjithë dëshirën e madhe që kishte, nuk mundi të grindej asnjëherë me të. Fëmijët iu afruan shpejt. Gjithçka sikur mori një tjetër shkëlqim. Teuta ishte vërtet dhuratë e çmuar. I kishte duart e arta. Jo vetëm kujdesej shkëlqyeshëm për të tre fëmijët, por edhe për shtëpinë.
Aty gjithçka mori rrjedhën e duhur. Vetëm atëherë mund të mendoja për të rregulluar edhe punët jashtë shtëpisë. Fitova qetësinë dhe kthjelltësinë e nevojshme për t’iu rikthyer të shkruarit, por edhe biznesit familjar. Dita e parë e rikthimit në punë ishte emocionuese.
Po atë ditë takova të gjithë stafin e shtëpisë botuese. Ata kishin përgatitur një festë të vogël mirëseardhjeje, e cila krijoi jo pak atmosferë. Jo prej festës, por pas bisedës që bëmë së bashku, pata përshtypjen se ishin njerëz vërtet të përkushtuar. Gjithsecili dinte ta bënte mirë punën e tij, pa ndërhyrë aspak në kompetencat e tjetrit, pa penguar askënd, por vetëm duke ndihmuar. Mes tyre kishte një frymë të vërtetë bashkëpunimi. Ishin njerëz që e bënin me përkushtim punën e tyre. Tek ata shoh çdo ditë të punohet me shpirt dhe është kjo që më pëlqen më shumë dhe më bën krenare.
Më pas fola shtruar me njeriun që dinte gjithçka për biznesin: stafin, porositë, klientët, marketingun, gjendjen financiare e gjithçka. Ai njëkohësisht ishte edhe konsulenti ligjor. Ç’nuk kishte studiuar ky njeri! E kish me hak të quhej erudit, por tek ne pjesa dërrmuese e popullsisë së re i ka sirtarët të mbushur me diploma. Sidoqoftë, ky ishte njeri që bënte punë konkrete dhe nuk mburrej me titujt e shumtë që zotëronte.
Në të vërtetë mbeta pa fjalë nga takimi me të. Biznesi ishte shumë më i suksesshëm nga se e kisha menduar. Ajo që ndodhi me ne - me tim shoq, me mua dhe me time bijë - çuditërisht e kishte bërë edhe më të njohur emrin e shtëpisë botuese. Për dhjetëra romane të mitë kishim kërkesa të shumta për ribotime. Porositë vërshuan lumë, madje isha duke menduar për të punësuar të tjerë njerëz, por për këtë asnjë nga stafi nuk ishte dakord. Secili prej tyre ishte gati të punonte me turne, me orar të zgjatur, madje edhe fundjavave. Kishte edhe nga ata që kërkonin të bënin në shtëpi një pjesë të punës, sidomos ato gra që kishin fëmijë të vegjël, për të cilët duhej të kujdeseshin. E pra, tek ata nuk pasqyrohej vetëm pasioni, por edhe ajo psikologji mbrojtëse, e cila donte me çdo kusht t’i paraprinte asaj që po ndodhte, krizës ekonomike botërore, për të mos e lënë të futej edhe në shtëpitë e tyre.
Mora të drejta të plota morale dhe ligjore mbi gjithçka. Im shoq kishte lënë një testament, ku isha përfituesja e vetme dhe nuk kishte nevojë për burokracira derisa ato të arrinin tek unë. Ishte mjaft i thjeshtë, por edhe i shpejtë përfundimi i të gjitha procedurave. Për testamentin nuk më kishte folur kurrë. As për faktin se kishte bërë edhe një siguracion jete, nga i cili do përfitoja një shumë të konsiderueshme parash. Ishin aq shumë, sa kurrë nuk mund ta mendoja se mund të merreshin në një rast të tillë. Po kur dhe si i kishte bërë të gjitha këto? Megjithëse kishte kaluar aq kohë, ende më suprizonte. Sa me fat kisha qenë që e kisha njohur, që kisha dashurinë dhe përkujdesjen e tij. Mendova se do të më duhej të sorollatesha dyerve të gjykatave derisa të përfundonte gjithçka, por isha gabuar. Nuk dija, nëse ai e kishte parandier atë që do të ndodhte apo kishte aq kulturë juridike, sa të linte një testament në një moshë aq të re. Ishte Gent Luani ai që u mor me gjithçka, avokat im. I vetmi veprim që bëja herë pas here, ishte hedhja e firmës. Më në fund, gjithçka ishte imja me të drejta të plota, jo vetëm morale, por edhe ligjore. Lëvizja e parë monetare që bëra, ishte transferimi i një shume parash në llogarinë bankare të Jetmirës si edhe të babait të saj, Agim Gjonit. Më kishte rënduar prej kohësh borxhi i madh që kisha ndaj tyre. Me të mbaruar transferta, mora frymë thellë. Duhej t’i kisha paguar prej kohësh, megjithatë asnjëherë nuk është vonë për të shlyer diçka të lënë pezull.
Kisha sërish shumë për të bërë, por ndieja se isha në rrugën e duhur. Ende nuk mendoja të thellohesha seriozisht në të shkruar, angazhimet e shumta nuk më linin as kohën e as qetësinë e duhur. Telefoni nuk pushonte së rëni. Kishte pa fund urime, përshëndetje, por edhe shumë premisa për më tepër porosi, tirazhe më të larta.
Shumë revista më kishin ofruar kopertinën dhe faqet e para, por nuk kisha ndër mend të pozoja e as të prononcohesha për to. Aq më tepër të shuaja etjen e publikut me fotot e fëmijëve të mi. Asnjëherë nuk e kisha menduar të arrija suksesin në këtë mënyrë, por vetëm me anë të punës. Shumë e quajnë reklamën shpirtin e tregtisë, unë nuk kisha aspak ndër mend ta përdorja për të përfituar prej saj. Vetëm kur ishte e domosdoshme prania e dikujt në përfaqësimin e shtëpisë botuese TEFI, ishte Genti ai që shkonte. As ai nuk kishte ndonjë dëshirë të madhe për dukje e shfaqje, ishte shumë më i dhënë pas punës. Ajo që ndodhi në të vërtetë ishte mjaft e çuditshme, gati e pabesueshme. Dukej se mosekspozimi im bënte një reklamë edhe më të madhe se kopertinat dhe faqet e para, të cilat i kisha refuzuar. Nëse nuk më pëlqente të aplikoja në asnjë mënyrë, asnjë lloj reklame të tillë, duhet të jem të paktën e sinqertë në diçka: frytet e saj më pëlqyen jo pak.
Po i gëzohesha së tepërmi kësaj periudhe të begatë. E megjithatë, nuk kisha ndër mend aspak të flija mbi dafina. Kur të zhdukej magjia e këtyre çasteve, e dija se çka do të mbeteshin, do të ishin vlerat e vërteta. Ndaj dhe po kujdesesha për element të librave të dalë nga shtëpia botuese të ishte i përkryer dhe kjo në çdo detaj të saj. Jo çfarëdolloj materiali mund të botohej nga ne. Duhet të plotësonte disa kritere për t’u marrë përsipër një punë. Nuk mund të çonim çfarëdolloj botimi në Bibliotekën Kombëtare, por as bibliotekën e shtëpisë sonë botuese nuk mund ta mbushnim me libra pa vlera. Meqenëse kërkesa për të botuar ishte shumë e madhe nga njerëz, që nuk do t’i përmbushnin kriteret tona, kishim gjetur një zgjidhje tjetër. Mund t’ua shtypnim librin në shtypshkronjë, pa kaluar në procedurat e sitës së shtëpisë botuese. Në raste të tilla mund të kujdeseshim për kopertinën, cilësinë maksimale të letrës dhe artin grafik. Për hir të së vërtetës, një pjesë e të interesuarve për shtypshkrime të tilla ishin të gatshëm të paguanin për këta parametra të librit, si një mënyrë e mirë për të kompensuar mungesat e shumta që kishte teksti. Kujdesi më i madh në shtëpitë botuese tregohej në redaktim dhe korrektim. Asnjë libër s’dilte prej aty pa kaluar rigorozisht në këtë ecuri pune. Problematikë ishin autorët e rinj, të cilët botonin për herë të parë. Me ta duhej një kohë më e madhe dhe më shumë takime për të kaluar deri te kontrata. Të gjithë bashkoheshin në një pikë: kishin frikë se mos ua merrnim materialin dhe e botonim nën një emër tjetër. Thua se vetëm javën e fundit kishin lexuar “Iluzionet e humbura” të Balzakut. Mezi prisnin të dëgjonin sa vlera kishte shkrimi i tyre, thua se ishim një rrjet i tërë kritikësh letrarë dhe jo thjesht një shtëpi botuese. Me autorët që kishin botuar të paktën një herë tek ne, gjithç- ka ishte më e thjeshtë dhe më e shpejtë.
Me autorët e njohur ishte një kënaqësi e madhe, si dhe me botimin e kryeveprave botërore. Tirazhi ishte i lartë dhe sigurisht kostoja më e vogël.
Dhe hapi i fundit, shpërndarja, e cila ndërmerrej nga njerëz të specializuar, ndaj dhe bashkëpunonim vetëm me profesionistë. Nuk mund të çonim librin tonë në çfarëdolloj dore. Më trishtonte ideja se libri mund të nxirrej për t’u tregtuar nëpër rrugë, në tezga apo qosheve. Librat tanë shpërndaheshin vetëm në libraritë TEFI. Ne kishim filiale të librarisë qendrore thuajse në cilindo rreth të vendit. Për ne, libri meriton respekt.
Kishin kaluar vetëm pak orë nga transferta që bëra, kur ia behën në shtëpinë botuese Jeta me të atin. Pamja në fytyrën e tyre përshtatej më së miri me një funeral dhe jo me një vizitë të thjeshtë kortezie.
- Ç’keni? Ç’po ndodh me ju?- pyeta duke i vërejtur edhe më me vëmendje fytyrat e tyre. Ato gati-gati po më trembnin.
- Çfarë po ndodh me ne apo çfarë po ndodh me ty, Era?- foli Jeta e zemëruar, do të ishte më mirë të thoja e tërbuar.
- Ne kemi dashur përherë të jemi pjesë e jetës tënde, të të ndihmonim, të të përkrahnim, ti ke qenë idhulli i ne të dyve,- foli Agim Gjoni, po aq i prekur sa edhe e bija.
- Kjo do të thotë se nuk jam më, apo jo?
- Ti vetë zgjodhe të mos jesh, me veprimin që bëre,- ma ktheu sakaq Jeta.
- Gjëja e fundit që kisha ndër mend ishte t’ju lëndoja. Qëllimi im ka qenë nga më të mirët që mund të ekzistojnë. Këtë e them me sinqeritetin më të madh. Ishte thjesht një falënderim apo një mirënjohje për gjithçka keni bërë për mua.
- Unë kam punuar shumë fort gjatë gjithë jetës sime për të pasur sa më shumë para, për vete, por më tepër për time bijë. Kjo nuk ka qenë aq e lehtë, por unë ia kam dalë mbanë dhe jam shumë krenar për këtë. Ndërsa vetë jeta më ka mësuar shumë më tepër se kaq. Paraja ka një vlerë vërtet mjaft të madhe, por ka edhe vlera që mbeten përherë të tilla. Ato nuk konvertohen në para. As shiten e as blihen.- përfundoi i revoltuar Agim Gjoni.
- Ju lutem, uluni! Ju keni nevojë të qetësoheni.
- Nëse ti je duke organizuar jetën tënde dhe na doje jashtë saj, do mjaftonte ta thoshe. Ne nuk kemi nevojë për shpërblim. Ne u përkushtuam me mish e me shpirt ndaj teje, ndaj fëmijëve të tu dhe ndaj gjithçkaje tjetër. Ti mund të paguash punën dhe jo shpirtin. Dije, Era, se asnjëherë, askush nuk më ka fyer kaq rëndë,- tha Jeta dhe fytyra e saj nuk dukej më e zemëruar, as e egërsuar. Ajo pasqyronte thjesht dhimbje, por që ishte aq e thellë, sa nuk mund të mbytej as në blunë e thellë të syve të saj.
- Më thoni, nëse ka diçka që mund të bëj për ju. Nuk jam krenare për këtë që shkaktova,- u thashë si e zënë në faj.
- Anulo transfertën dhe të lëmë të qetë në jetën tënde. Të premtoj se nuk do të të bezdis më, kurrë më,- tha Jeta.
- Ndërsa unë do të vij edhe një herë tjetër, por jam aq i vetëdijshëm për bezdisjen që do t’ju shkaktoj, sa do t’ju kërkoj sërish falje. Kam diçka që ju përket dhe më duhet t’jua kthej. Nuk ju kam folur asnjëherë për këtë. Ishte ende shumë herët. Tani është koha e duhur për ta bërë.
- Lamtumirë, Era! Besomë, nuk e kisha menduar kurrë se do të përfundonte kështu. E dimë mirë, se gjithçka e ka një fillim dhe një mbarim. Vetëm se... ti e nxite që të përfundonte më herët. Kjo është ajo që mbolle, mund të shijosh frytet e saj. Lamtumirë!
- Por, unë...
- Besoj se u thanë të gjitha. Ju lutem, mos e kërkoni më time bijë, do ta bënit të vuante edhe më shumë. Jetmira nuk e meriton këtë. Por edhe për ju, kjo do ishte rruga më e volitshme, ju nuk keni më nevojë për të. Tani jeni në gjendje të kujdeseni vetë për gjithçka. Ja, kjo është bota juaj,- tha ai duke hapur krahët e duke treguar gjithçka përreth,- dhe Jeta, për fat të mirë, nuk i përket kësaj bote.
Kur ata dolën nga zyra, isha aq e pafuqishme, sa mend më ra të fikët. U ula pa e menduar më gjatë. Gjithçka që kishte ndodhur aq shpejt, do të linte gjurmë mjaft të thella në jetën time. Por, më e keqja nuk ishte prishja e miqësisë, ajo që ishte edhe më e ligë, ishte ndjesia e tmerrshme, ajo gërryerja përbrenda, e cila më bënte të ndihesha e zgavruar. Sapo kisha humbur njerëzit më të afërm për muaj me radhë. Nuk ia kisha dalë mbanë,- por as isha përpjekur,- të krijoja qoftë edhe një miqësi të re. Të vetmen miqësi të sinqertë e të madhe që kisha fituar, e prisha brenda një çasti. Përse? Vetëm e vetëm se nuk doja të ndihesha në borxh ndaj dikujt. Po përse nuk e kisha konceptuar si një mirësi, po fundja edhe si një borxh, i cili do të lahej vetëm me mirësi? Ah, ato para të mallkuara! Po përse mendoja se gjithçka mund të këmbehej me to? Ç’vend zinin ato në jetën time? Duhet të mësoja më shumë për jetën time, për fëmijërinë, për raportet e krijuara jo vetëm me paranë, por me gjithçka tjetër.
Duhej të merrja një vendim: të mos rrëmoja më në të shkuarën. Isha plotësisht e sigurt për këtë. Ndoshta gjithë ajo amnezi s’ishte gjë tjetër veçse një strukje, një guaskë, brenda së cilës ndihesha më e sigurt. E dija mirë se kujtimet e hidhura do të kishin mundur të ruanin aq forcë, sa për të më hidhëruar sërish. Nga ana tjetër, as kujtimet e ëmbla nuk do të mundnin aspak të më ëmbëlsonin. Ndoshta, ato do të më bënin të ndieja edhe më shumë dhimbje, të hidhërohesha edhe më. Ishte blasfemuese të pohoja, se për një farë periudhe nuk kisha shkruar asgjë, unë kisha shkruar e redaktuar gjithçka që bënte pjesë në jetën time.
Kjo ishte një nga arsyet pse isha gati të shkëputesha lehtë nga njerëzit, të cilët pashmangshmërisht do të më kujtonin të shkuarën. Atë të shkuar, që isha përpjekur me mish e me shpirt ta harroja. Ndërsa ata, njerëzit më të afërt, rrethi i ngushtë familjar, që të gjithë i kisha instruktuar qartë. Duhej të ndiqnin patjetër udhëzimet e mia,- nëse iu interesonte të kishin një raport të caktuar me mua,- pak a shumë, një protokoll të shkruar, i cili medoemos duhej zbatuar me përpikëri maksimale. Kjo ishte arsyeja kryesore në acarimin e marrëdhënieve me mamanë, si dhe në ftohjen e marrëdhënies me tim atë. Ai nuk mund të më shihte aq të ndryshuar. Një herë më pati thënë: Të shoh e nuk mundem të çmallem dot bija ime. Nuk mund të më zhduket plotësisht ajo zbrazëti e krijuar, kur mendova se Të jetosh përgjysmë të kisha humbur përgjithmonë. Të shoh dhe më dukesh tjetër njeri. Vetëm pamja është e njëjtë. Jo, nuk më është kthyer ime bijë plotësisht. Kur të jesh sërish si dikur,- sepse herët a vonë do lodhesh duke qenë dikush tjetër,- atëherë eja pranë meje. Më përqafo dhe më lër të vdes pa peng në zemër. Dua të vdes po atë ditë, nuk dua asnjë ditë jetë më tepër.
Atëherë gjithçka m’u duk e pakuptimtë. U desh një kohë e gjatë për të kuptuar çfarë shprehte ai. Ishin fjalët më të mençura, që ndokush më kishte thënë. Por jo vetëm kaq. Ato buronin nga shpirti i tij dhe mbartnin me vete gjithë dashurinë prindërore, përzier me dhimbjen më të thellë.
Ime më kishte zgjedhur një rrugë krejt të ndryshme nga babai. Nuk mund të ishte aq e heshtur. Nuk lëvizte nga shtëpia ime. Për asnjë çast nuk kalonte thjesht në pozita qetësie apo mbrojtëse. Mbetej përherë sulmuese. Ende nuk kishte shënuar asnjë rezultat, por ishte e sigurt t’i shkonte deri në fund. As unë nuk kisha ndër mend të lëshoja pe. Nuk do hiqja dorë nga vendimet e mia, për askënd. Mamaja mund të ngujohej përjetësisht aty, por unë nuk do t’i shmangesha rrugës sime. Megjithatë, nëna dhe babai ngulmonin se duhej të ndryshoja në gjithçka. Vetëm se ajo nuk e përmendte asnjëherë vdekjen, përkundrazi i pëlqente aq shumë të fliste për jetën dhe të ardhmen, sa ndonjëherë të shkrinte gazit me atë energjinë prej çupëline.
Më të rinjtë e kishin pranuar me më shumë sportivitet vendimin tim. Im vëlla përkundrazi, dukej se e kishte pranuar jo pa dëshirë. Ndoshta një nga arsyet ishte se raporti ynë në të shkuarën nuk kishte qenë aq i mirë. Një herë, tek kujtonim kohë të vjetra, ai më pati thënë me shaka.
- Sa do doja që edhe unë të prekesha nga amnezia! Por është e pamundur, nuk i harroj kurrsesi zënkat tona,- po e shihja në sy, u çudita, kur kuptova se po fliste seriozisht. Duhej edhe unë t’i thosha diçka mbi këtë argument, jo diçka çfarëdo, por të isha edhe unë të paktën një grimë e sinqertë.
- Mjaft të duash vëllaçko, pa gjithçka harrohet. Në jetë asgjë s’është e pamundur, mjaft të kesh një dozë të mirë vullneti, kjo është motoja jote apo gabohem? E pra, nga teoria në praktikë nuk ka ndonjë distancë dhe aq të madhe.
- Më vjen mirë, që të është kthyer edhe ty humori. Mirë se erdhe, mes nesh! Por që është e pamundur, ti vetë je një shembull i gjallë. A nuk je përpjekur ti aq shumë të kujtosh dhe nuk ia ke dalë mbanë?
- Po nëse të thosha se jam përpjekur vërtet aq shumë sa thua ti, por jo për të kujtuar, për të harruar, çfarë do thoshe atëherë?
- Do thosha se më pëlqen më shumë kjo motra e re, kjo harraqja, sepse ka një sens humori të hollë. Ajo e vjetra ishte serioze për vdekje.
- Nuk jam duke bërë shaka.
- Era, shikomë në sy, të lutem,- më foli Toni, duke u afruar edhe më pranë. Unë ula kokën. Nuk doja që pas atij çasti zbrazjeje të sinqeritetit ndokush të më shihte në sy. As im vëlla. Më preku te mjekra, duke më nxitur të has vështrimin e tij. Nuk mund ta fshihja në atë çast dhimbjen time të thellë, bodrumi i mendimeve të padenja nuk mundi të hapej në kohën e duhur. Toni kishte pikasur mendimet, të cilat duhej të ishin vetëm të miat dhe të askujt tjetër.
- Kaq shumë vuan, motërz?- më foli ai, ndërsa fytyra i mori një pamje të pikëlluar. Nuk i fsheha asgjë. Të paktën një herë në aq shumë muaj, njeriu ka vërtet nevojë të zbrazë zemrën.
- Vuaj shumë herë më tepër nga sa mund të imagjinosh.
- Si mund të të ndihmoj? Të lutem, më thuaj!
- E vetmja mënyrë që mund të më ndihmosh, është duke e mbyllur tani këtë bisedë dhe të mos e kujtomë më. Të bëjmë sikur nuk kemi folur asnjëherë mbi këtë temë.
- Të lutem, lërmë të të ndihmoj! Ta them me gjithë shpirt. Do bëja gjithçka për ty, mjaft të të lehtësohet disi dhimbja.
- Më ndihmo, atëherë! Mos e zgjat këtë bisedë! Vetëm për këtë kam nevojë. Dhe tani, nëse nuk të vjen keq, dua të qëndroj vetëm.
- Mirë. Por, mos harro, sa herë të kesh nevojë për diçka, di se ku të më gjesh,- tha ai dhe më përqafoi. Ndjeva të dridhura në trup. Kuptova se po bëhesha e dobët dhe unë nuk e doja këtë gjendje, madje e urreja.
Isha përhumbur aq shumë në mendime, sa nuk e vura re se Gent Luani,- menaxheri dhe njëkohësisht avokati im,- kishte hyrë në zyrë. Ai ishte gati për të anuluar transfertën e parave. Kishte marrë kontakt me Jetën dhe babain e saj, si edhe konfirmimin nga banka. Gjithçka ishte gati, ai kishte thjesht nevojë për një rikonfirmim nga ana ime. Brenda pak çastesh përfundoi. Nuk ndihesha aq krenare për situatën e krijuar, por jo edhe aq fajtore. Fakti që i dhashë ato shuma të hollash, në fund të fundit, s’tregonte gjë tjetër, përpos mirënjohjes së thellë për punën e tyre të përkushtuar.
Nuk do lodhesha më, koha do tregonte vetë rrjedhën e gjithçkaje. Për të shmangur të menduarit dhe të rimenduarit mbi këtë çështje e ngarkova veten me aq shumë punë, sa për javë të tëra të mos kisha mundësi të mendoja për asgjë. Deri diku funksionoi mirë, jo se puna bëri vërtet ndonjë mrekulli, po sepse në horizontin tim u shfaqën të tjera telashe.

No comments:
Post a Comment