Tuesday, January 9, 2018

Te jetosh pergjysme

Telashet         Kapitulli XXI


    Të nesërmen e anulimit të transfertës, isha duke pritur hetuesin Agim Gjoni në zyrën time. Ai kishte diçka për të më dhënë, vetëm se priste çastin e duhur. Sa shumë më kishin munduar dikur këto fjalë. Prisja me padurim që të trokiste çasti i duhur, ndaj edhe unë përpiqesha shpesh ta sforcoja të vinte sa më parë. Por, thellë në pavetëdijen time doja që gjithçka të mbetej atje ku qe. Meqenëse nuk mund ta ndryshoja të shkuarën,- ajo që mund të bëja ishte ta lija atë pas,- mendoja se ishte zgjidhja më e mirë, e duhura për rastin tim.      Mendova se Agim Gjoni nuk kishte asgjë për të më sjellë. Me siguri do të më qortonte për veprimin e nxituar. Do të më thoshte se kisha vepruar në mënyrë të pahijshme me të bijën, se Jetmira nuk e meritonte. Unë e dija se kjo ishte e vërtetë, por atij nuk do t’i jepja kënaqësinë e madhe të më dëgjonte të pranoja gabimin tim. Askujt nuk kisha për t’ia dhënë këtë kënaqësi. Kjo ndoshta ishte pak, por e sigurt. Askush nuk do mundte të më bënte të rrija kokulur, e turpëruar apo e zënë në kurth nga ndjenjat e fajit.
    Isha përhumbur aq shumë në mendime, sa nuk e dëgjova sekretaren tek më lajmëronte se dikush po hynte në zyrë. Madje as trokitjen s’e ndjeva. Hetuesi hyri aty si të ishte në shtëpinë e vet.
   - A ma solle dhuratën? Mezi po prisja,- i fola gjithë ironi dhe ngrita kokën të kapja shprehinë e fytyrës së tij. Të paktën me vështrim mund ta sfidoja.
     - Më vjen keq të të zhgënjej duke të të thënë jo, por është diçka, e cila mund të rregullohet me lehtësi. Për ty do sillja gjithë dhuratat e botës, zemër.
     Por... nuk ishte hetuesi. Ai që sapo kishte hyrë në zyrën time ishte një djalë i ri, gati dy metra i gjatë, me tipare të theksuara brune, me lëkurë të zeshkët dhe sy të gjelbër. Kishte pamjen karakteristike për kopertinat e revistave prestigjioze të modës. Ndoshta edhe për kalendarë do ishte një zgjidhje e zgjuar. Kush nuk do paguante për të pasur imazhin e tij! Ai ishte aty, kjo nuk ishte aspak një ëndërr. Për çudi po më quante edhe zemër.
     - Më falni, por isha duke pritur dikë tjetër.
     - Me sa kuptova, ishit duke pritur diçka dhe jo dikë. Me mua mos kini aspak turp të shfaqeni veten ashtu siç jeni, pra materialiste. Më pëlqejnë femrat që janë vetvetja dhe nuk shtiren,- foli ai, ndërsa unë thuajse nuk isha fare duke e dëgjuar. Tek e shihja ashtu, të qëndronte në këmbë para meje, më dridheshin gjunjët,- megjithëse isha ulur,- si mund t’ia dilja mbanë asaj situate me sa më shumë dinjitet? Kisha nevojë për maksimumin e përqendrimit dhe të gjakftohtësisë.
    - Më falni, kush jeni ju?
    - Doni të thoni se nuk më njihni?
     - Më vjen keq, por kam një humbje të plotë kujtese, nuk mundem të kujtoj as çastet me time bijë, si mund të kujtoj njerëz të tjerë?
     - Nuk më keni parë kurrë, as përmes ekranit të vogël, as në internet?
     - Më vjen keq që po ju zhgënjej, por kam muaj të tërë që i jam përkushtuar fëmijëve të mi, tashmë siç e shihni edhe biznesit tim. I vetmi kontakt me median ka qenë kur kam lexuar artikujt, të cilët flisnin për mua apo shtëpinë botuese. Por edhe ato i kam lexuar, pasi i ka përzgjedhur asistentja ime personale. As që e kam pasur ndër mend të lundroja në faqet e internetit.
    - Ja ku doli në pah edhe egoizmi. E shihni sesa lehtësisht  mund të shfaqni anët e karakterit tuaj me mua? Jam gati të vë bast se kjo nuk ju ndodh me askënd tjetër. As nuk mund të hamendësoni se ç’lloj lidhjeje ka pasur mes nesh?
    - Me siguri nuk jeni ndonjë i afërm imi. -       - A mund ta di përse mendoni kështu? -         - Sepse po të ishit i tillë, patjetër do kishit qenë në shtëpinë time, kur vërshuan gjithë të tjerët. Por edhe për një arsye tjetër: asnjëri prej tyre nuk është kaq i hidhur sa ju, është çështje gjaku, e kuptoni mirë besoj.     - Atëherë?
     - Me siguri ka qenë thjesht një marrëdhënie pune. Megjithëse as si koleg nuk do zgjidhja një njeri me karakter të tillë. Do ishte ca i vështirë bashkëpunimi mes nesh, ndoshta edhe i pamundur.- Ai më shihte ngultas, si të donte të rrëmonte thellë brenda meje. Unë dridhesha, por dridhja nuk kishte mbetur thjesht te gjymtyrët, tashmë kishte mbërritur gjer në palcë. Duhej ta fshihja. Instinktivisht ndieja se duhet të isha shumë e kujdesshme me atë njeri. Ishte aq hyjnor në pamje, sa askush nuk mund të ishte në shpirt.
     - Po sikur unë t’iu kërkoja të isha njeriu juaj më i afërt, si do vepronit?- më foli duke m’u afruar dhe duke më ardhur aq pranë, sa fryma e tij më përplasej në fytyrë. Kishte diçka djallëzore tek ai. Apo isha unë, që e kisha vendosur një herë e përgjithmonë të mos shihja asnjë burrë me atë sy që ai po më shihte mua? Në ato çaste nuk i kisha të gjitha mendimet të qarta. Por të shihja një burrë tek flirtonte nën hundën time, ishte e tepërt. Dhe për më tepër, në zyrën time, në zyrën e tim shoqi, aq pranë fotografisë së tij; fotoja ishte mbi tryezën e punës.
     - Do t’ju thosha se nuk keni asnjë mundësi. Ju lutem, nëse nuk keni gjë tjetër për të shtuar, mund të shkoni,- por ai as luajti vendit. Ngrita receptorin, për të folur me sigurinë. Ai duhej nxjerrë jashtë. Menjëherë!
    - As mos e ço nëpër mend!- m’u drejtua ai, duke më mbajtur dorën pas telefonit. Po më vështronte sërish ngultas në sy, si  të priste të nxirrte diçka prej tyre. Nuk po më drejtohej më në shumës. I kishte dhënë vetes menjëherë familjaritet. Pamja e tij u tjetërsua krejt. Asnjë pikë ëmbëlsie nuk i zinte më vend në fytyrë. Ishte hera e dytë në jetën time që shihja një fytyrë aq të mbrapshtë, kjo ishte vërtet e tepërt. Më dukej sikur para meje ishte djalli, tashmë me trajtë njerëzore. Me frikën që më kishte hyrë deri në palcë, u tregova një manaxhuese e mirë e saj, nuk e lashë aspak të dilte në sipërfaqe. Mblodha të gjitha forcat dhe u ngrita në këmbë. Isha gati ta shtyja fort për ta zhdukur nga zyra, madje nga jeta ime.
     - Kush kujtoni se jeni për të më thënë se çfarë duhet të bëj dhe çfarë jo?- i ngrita zërin, teksa isha gati të kaloja nga pozitat mbrojtëse në ato sulmuese. Ndoshta nuk isha një grua shumë e fuqishme fizikisht, por isha me karakter tejet të fortë. Kisha nevojë t’ia tregoja këtë vetes. Nëse nuk mund të përballoja situatën në të cilën gjendesha, si do mund të kujdesesha për fëmijët?
    Papritur, nisi një erë fillimisht e lehtë, por që më pas sa vinte dhe bëhej më e fortë. Hynte vrullshëm nga dritarja, si të kishte vendosur se aty ishte vendi ideal për të, strehëza e saj. Ai la dorën time për të shkuar, siç duket, të shihte se ç’ishte duke ndodhur krejt papritur. Ndali në anën e majtë të dritares dhe po sodiste. Ishte sërish aty, por aq i heshtur dhe i pafjalë, sa ishte e pabesueshme të mendoje se ishte po i njëjti. Pikërisht në atë kohë, era u bë edhe më e fortë. Perdja valëvitej deri në mes të dhomës. Ajo ishte e bardhë, tërësisht e bardhë. Ngjasonte me ata flamujt, me anë të të cilëve jepnin sinjalin e paqes në kohë lufte. A mund të kishte paqe mes nesh? Unë kisha aq shumë frikë prej tij, sa edhe sot kur e kujtoj, dridhem e tëra. Sërish isha tepër e kujdesshme për ta fshehur këtë, saqë edhe ai që ishte fare pranë meje nuk kishte dyshuar se unë po sforcohesha për të arritur një sjellje sa më të natyrshme. Isha e bindur, se më e mira që mund të bëja ishte, ajo që në fakt isha duke bërë.
    Era sërish ngulmonte të bëhej më e fortë. Korniza e perdes u shkëput plotësisht nga ana e djathtë, në vendin ku ajo duhej të qe e vidhosur mirë pas murit. E lodhur së qendruari në pozicionin horizontal, ndoshta ajo kërkonte të shpihej në një tjetër pozicion, në atë vertikal. E goditi me forcë të madhe në anën e djathtë të kokës, u zhvendos me shpejtësi para fytyrës së tij dhe vijoi rrugën. Ai ishte aty, i trullosur nga goditja e parë, pa e ditur se ishte duke ia prerë rrugën sërish. Por edhe korniza ishte po aty. Dukej e xhindosur, e vendosur për të vijuar përsëri. Ajo nuk mund t’ia lejonte vetes të shtirej si unë. Këtë herë e goditi në anën e majtë të kokës, ai po e humbiste plotësisht ekuilibrin. Unë rrija në vend, e shtangur dhe e mpirë. Në atë çast dera u hap me vrull. Brenda hynë dy burra, por që nuk ngjanin shumë si të tillë. Flokëshkurtër, syzeerrët, pamjengrysur. Sikur të kishin dalë nga Procesi i Kafkës. Kishin lëvizje aq të shpejta! Por sërish nuk mundën ta shmangin goditjen e tretë. Ishte sërish në kokë, por këtë herë në anën e pasme të saj. Goditjen e fundit e mori nga dyshemeja. Njëri prej tyre u afrua pranë dritares, aty ku kishte qëndruar edhe ai në fillim. Tjetri u përkul mbi të. Perdja e shkëputur nga korniza, e kishte mbuluar të gjithin, duke i lënë jashtë vetëm kokën. Ngjante me ata njerëz, të cilët qëndrojnë në morg, në pritje të identifikimit.
    Ato çaste çuditërisht ndjeva trupin tim tek çlironte endorfinë. Isha e lumtur. Unë nuk jam sadiste, asnjëherë nuk jam lumturuar kështu mbi dhimbjen apo plagët e të tjerëve. Por ai njeri më tmerronte aq shumë, saqë frika që më kishte hyrë në palcë, dukej se nuk mund të zhdukej. Dëshirova me gjithë qenien time që ajo perde të ishte qefini i tij! Isha e sigurt se do të kisha telashe, do të duhej të jepja disa herë dëshminë time, por nuk e di nga më buronte një tjetër siguri. Nëse ai vdiste, do më lehtësonte nga shumë telashe të mëvonshme. Isha e bindur se ai njeri nuk do të dilte lehtë nga jeta ime, nuk dukej tip që mund ta hiqje qafe shpejt. U mundova të shkundesha nga ato mendime të errëta. Nuk isha në të vërtetë siç po shfaqesha para vetes ato çaste. Nuk mund të lejoja të bija në të tillë llum.
    Aleksandri nuk më braktiste për asnjë çast. E dija se ishte gjithmonë pranë meje. E ndieja praninë e tij bashkë me ajrin. Nuk ishte e vetmja gjë që pëlqeja tek im shoq. Dinte përherë të respektonte atë që vendosja unë, duke më lënë të lirë për të marrë vendimet. Nëse situata më dilte jashtë kontrollit, nuk kisha aspak frikë se ajo nuk do zgjidhej. Vetëm se unë e kisha për detyrë t’i demonstroja, se isha e aftë për të menaxhuar cilëndo situatë, madje edhe më të koklaviturat.
    Ata vepronin aq shpejt, sa mua po më vinin mendtë vërdallë tek i shihja. Pa shumë ceremoni u ula në karrige. Nuk e perceptova si timen. Më dukej sikur ajo ishte mbuluar me gjemba. Por aty ndihesha e strukur nga gjithçka që po ndodhte. Ai kishte humbur ndjenjat. Dy burrat po e menaxhonin në mënyrë të shkëlqyer situatën. Ishte si të kisha para syve një skenë, për të cilën ata kishin bërë mijëra prova. Në po atë mënyrë që i përbuzje, mund edhe t’i admiroje. Në librat e mi nuk shfaqej ndonjë personazh i tillë, ishte e pamundur të kisha përshkruar ndonjëherë të ngjashëm me ta. Nëse kjo do kishte ndodhur, me siguri do të më kujtohej. Ata ishin të paharrueshëm. Brenda një çasti e nxorën prej aty me barelë. Kurrë nuk e kisha menduar se ndihma e shpejtë mund të ishte aq e shpejtë.
    Në çastin kur dolën nga zyra, njëri pas tjetrit kthyen kokën pas. Ishin pothuajse aq të frikshëm, sa edhe zotëria e tyre. Por nuk ia dolën të më trembnin, ata ishin thjesht pasues. Frikë të përligjur mund të ndiesh vetëm prej djallit. Edhe zoti vetë e pranon forcën e tij. Vështirë, tepër vështirë për ta mposhtur. Ai do të kthehej sërish, isha e sigurt. Ende nuk dija arsyen, por kisha një parandjenjë tepër të fortë e të keqe. Ai njeri ishte xhelati im në jetën tokësore.                        Boshatisja e zyrës do të më jepte të paktën mundësinë të mendoja e rimendoja atë që sapo kishte ndodhur. Do përpiqesha të kujtoja gjithçka. Ndoshta, po të kisha pak fat, mund edhe të kuptoja diçka. Mora frymë thellë, dhoma më në fund ishte mbushur me ajër të freskët. Prania e tyre kishte lënë pas një aromë të veçantë. Ende arrinin të interferonin me njëra-tjetrën.
    Pa e kuptuar fare se ç’po ndodhte, pashë se thuajse të gjithë punonjësit e mi vërshuan aty me potere. Krijonin një zhurmë të tmerrshme tek flisnin njëherësh. Kishte aq forcë ajo turmë e sajuar, sa mund të humbisja plotësisht durimin. E lodhur nga gjithçka, nuk prita më asnjë grimë. Mblodha atë pak forcë që ende më kishte mbetur dhe godita tryezën me grusht. Gjithë ajo dhimbje që i shkaktova vetes, ia vlejti për diçka. Si me magji, aty sundoi heshtja.
     - Nëse keni diçka për të më thënë, le të flasim me radhë. Në të kundërt, ju kujtoj se dalja është po aty ku është edhe hyrja. Atëherë?
    Pati një çast ngurrimi. U shkëmbyen disa vështrime të befta. Derisa njëri, ndoshta më guximtari a më oratori mori fjalën.
     - Ç'indodhi zëvendësministrit?- pyeti i shqetësuar ai. Ishte një nga redaktorët. Ai ishte më i gjati dhe më hollaku. Koka e tij së bashku me qafën qëndronte mbi lartësinë e gjithë të tjerëve. Asnjëherë nuk e kisha vënë re se ishte aq i gjatë, ndoshta ngaqë s’kisha bërë kurrë ndonjë vëzhgim krahasues.
    - Kjo është pyetja më absurde që më është bërë ndonjëherë. A të ka thënë kush se unë jam zëdhënësja për shtyp e ndonjë ministri a zëvendësministri? Nëse doni të kaloni kohën, po ju them se keni zgjedhur vendin, çastin, por edhe personin e gabuar për këtë,- u thashë dhe vijova të vëzhgoja fytyrat e tyre. Çuditërisht ato ishin hijerënda dhe serioze. Asnjëra prej tyre nuk bënte përjashtim. Nuk besoja se kisha punësuar aktorë aq të mirë. Në të vërtetë, diçka duhej të ishte duke ndodhur.
    - Po përse e nxorën me barelë prej këtej? Ishte i gjakosur,- foli sekretarja. Ajo, me gjithë shëndetin e mirë në fytyrë dhe format e rrumbullakosura të trupit, ishte më e zbehta. Siç duket ishte trembur më shumë, pasi ishte më pranë asaj që ndodhi. Ishte ajo që nuk kishte zbatuar urdhrin tim, që askush nuk duhej të hynte aty pa marrë më parë pëlqimin tim dhe unë këtë leje e kisha dhënë vetëm për Agim Gjonin. Pra, duhej të ndihej fajtore për atë që kishte ndodhur.
      - Do të thuash se ai ishte... – Sërish isha e hutuar nga ajo që kisha dëgjuar më parë. Në vend të përgënjeshtrimit të asaj që ishte thënë, erdhi rikonfirmimi. Megjithëse në një mënyrë jo aq të drejtpërdrejtë. Po çfarë kishte ndodhur dhe ishte ende duke ndodhur aty? Disa herë mendova se isha në ëndërr, por kjo nuk mjaftoi aspak për të zbutur situatën në të cilën ndodhesha.
    - Po, pikërisht, ai ishte zëvendësministri,- shtoi ajo. Ishte sërish aq e zbehtë, sa edhe më parë, vetëm se fliste pak më lirshëm, si të kishte bërë përgjatë kësaj kohe ngrohjen e zërit. - Unë as e kisha idenë se kush ishte. A është e vërtetë kjo që po më thoni?- Në ato çaste u ndjeva sikur të gjithë po luanin me mua, dukej tepër e pabesueshme për të qenë e vërtetë. Por, absolutisht asnjë prej tyre nuk po përgënjeshtronte. - Po, sigurisht, po atë e njohin që të gjithë. Të gjithë e admirojnë dhe e duan, madje edhe ata të partisë opozitare. Ai është më i bukuri nga të gjithë anëtarët e cilitdo kabineti qeveritar të deritanishëm. Kur flet ai të gjithë magjepsen. Thonë se ka veti hipnotizuese... Unë vetë jam më se e bindur për këtë,- foli gjithë zjarr, si të fliste me vete në dhomën e saj të gjumit njëra nga redaktoret. Ishte padyshim femra që binte më shumë në sy. Por, ajo shprehje e simpatisë aq hapur para kolegëve dhe eprores ia përskuqi mollëzat e faqeve edhe më shumë se ruzhi i ndezur që kishte përdorur. Flokët biondë bënin që e kuqja të theksohej edhe më. Nuk kishte asnjë detaj tjetër që të tregonte se mund ta humbiste vetëkontrollin në ndonjë çast.
     - Po çfarë i ndodhi atij? Çfarë ndodhi këtu? Unë nuk kam kuptuar absolutisht asgjë,- foli njëri prej recensentëve, me zë aq të ulët, sikur të ishte duke pyetur veten. Me sa dukej, ai ishte më i ndrojturi. Menjëherë pasi shtroi pyetjet, uli kokën, për të mos e ngritur më deri në fund.
     - Ja, ja se çfarë ka ngjarë,- foli një tjetër punonjës, i cili ishte më pranë dritares se të tjerët,- këtu ka shenja gjaku,- tregoi skajin e kornizës që ende kishte njolla të freskëta gjaku. Në ato çaste kishte marrë rolin e një hetuesi. Filmat e shumtë kishin bërë punën e tyre. Të gjithë po shihnin nga cepi i dritares. Gati po i përpinin ato që ishte duke iu thënë. Por, me sa duket, edhe ai e kishte kuptuar mjaft mirë. Ishte duke marrë poza, si të qe para ndonjë aparati fotografik,- korniza është shkëputur dhe e ka goditur në kokë. Ja, pikërisht me këtë pjesën këtu! Shihni se si ky gur,- ishte fjala për një gur dekorativ që kishte korniza e perdes në skajin e saj,- nga i gjelbër ka marrë një ngjyrë thuajse të kuqe,- përfundoi ai, duke shijuar çastet e lavdisë. Vetëm duartrokitjet mungonin për të formësuar kuadrin e plotë.     - Domethënë nuk ishte veçse një aksident fare i vogël,- tha sekretarja dhe më pas mori frymë thellë. Më në fund, ajo mori një pamje disi më të qetë në fytyrë. Dukej se kishte hequr një barrë të madhe prej supeve. Po si mund të kishte guxuar të mendonte se mund të mos kishte qenë aksidentale? Thua se të gjithë më njihnin aq mirë? Në të vërtetë, sikur ajo erë e tërbuar të mos më kishte ardhur në ndihmë, do t’ia kisha dalë mbanë vetë asaj situate. Në një rast të tillë, as që do të bëhej fjalë për diçka aksidentale. Ndoshta ajo mund të kishte të drejtë, frika e saj mund ishte e përligjur. Ajo ç’ka më kishte ndodhur një herë, ishte e tmerrshme dhe e tepërt. Kisha nxjerrë mësimet e nevojshme. Kthetrat i kemi për dy arsye: e para për mbrojtje dhe e dyta për sulm. Nuk kisha për të lejuar as një të njëmijtën e asaj që kisha pësuar prej Maskës.
     - Me siguri, ai do të bëhet mirë, sa u çlirova!- tha redaktorja, e cila kishte folur edhe më parë. Ajo dukej qartë, ushqente një dashuri platonike ndaj tij. Mollëzat e faqeve sikur nuk i kishte më aq të përskuqura.
    - Nuk po e kuptoj, ti je kaq shumë e interesuar për të? Që kur ke nisur të shqetësohesh për politikën a politikanët?- e pyeta jo pa ironi. Doja që me të njëjtin gur të vrisja disa zogj. Doja t’i shpotisja të gjithë, për të shijuar atë pamje aq funebre në fytyrat e tyre. Të gjithë së bashku sikur kishin ardhur për të më vendosur në bankën e të akuzuarit.
    - Unë thjesht shqetësohem për punën time,- foli sërish ajo, këtë radhë gjithë seriozitet.
    - Por, punëdhënësja jote jam unë, ti nuk punon as në administratën shtetërore dhe as në ministri. Ke harruar se punon në një biznes privat?
     - Ne nuk kemi si ta harrojmë këtë,- foli mjeshtri - kështu e quanin, për shkak të kopertinave të përsosura që realizontederi atëherë kishte qëndruar në heshtje të plotë,- por, me sa duket, jeni ju që keni harruar se në ç’vend jetojmë.
     - Në një vend të lirë.
     - Po, në një vend aq të lirë, ku pushtetari ka aq pushtet, sa të shtypë kokën e kujtdo,- përfundoi ai.
    - Po që ti paske aq fantazi, sa për të shkruar romane të tëra! Mirë që në kopertinat që bën, nuk ke shprehur kurrë makthet e tua.
     - A thatë vetë se nuk është çasti për shaka?
     - Atëherë, le të flasim seriozisht. Nuk ka absolutisht asnjë problem, askush nuk do ta humbë vendin e punës. Askush nuk do ketë absolutisht asnjë problem. Ju siguroj për këtë. Dhe tani ju lutem, mund të ktheheni në punë? Gjithmonë, nëse iu dhimbset vendi juaj,- iu drejtova duke nxjerrë një pjesë të vrerit që kisha përbrenda, por e dija se ata nuk kishin absolutisht asnjë faj.         Që të gjithë dolën nga zyra pa shumë ceremoni. Por dukej se nuk kishin as dëshirën më të vogël të për t’iu përveshur punës. Mendova t’iu jepja leje të gjithëve të largoheshin. Më pas ndryshova mendje. Kështu nuk isha duke bërë gjë tjetër, veçse po zmadhoja artificialisht atë që kishte ndodhur. Sërish po reflektoja mbi këtë situatë. Të qëndronin aty do të thoshte të flisnin vetëm mbi këtë temë. Me siguri, po ta kishin ditën pushim, do të shpërqendroheshin duke u marrë me diçka tjetër. Ndaj më pas u bëra një njoftim,- përmes asistentes sime,- se ishin të lirë të largoheshin.
     Pasi punonjësit u larguan, vendosa të qëndroja edhe ca në zyrë. Nuk isha në gjendje për të punuar, por as në shtëpi nuk mund të shkoja. I dhashë vetes kohë për t’u qetësuar. S’arrija të mendoja qartë. Kujtoja deri në detaje atë që kishte ndodhur,- madje nisa edhe të shkruaja,- por, për të kuptuar nuk mund të kuptoja absolutisht asgjë. Ç’lidhje kisha unë me atë njeri? A e kisha njohur më parë? Nëse po, ç’lloj lidhjeje mund të kishte pasur mes nesh? Me siguri jo atë lloj lidhjeje që donte të më demonstronte ai. Unë e kisha dashur tim shoq më shumë se gjithçka,- madje vazhdoja sërish ta doja,- por nuk bëhej fjalë vetëm për dashuri. Unë lidhesha pas tij edhe me ndjenjën e mirënjohjes. A nuk ishte Aleksandri që ishte bërë baba për time bijë? A nuk ishte ai që më kishte shpëtuar nga ndjenja e turpit para familjes sime dhe gjithë të tjerëve? Unë i detyrohesha shumë. I detyrohesha me gjithë qenien time, me gjithë jetën time. Nëse do kisha pasur ndonjë lloj lidhjeje tjetër me të, a do më mbronte im shoq prej tij? Sigurisht që jo. Por as unë në të tillë rast, nuk kisha nevojë për ndihmë. Po atëherë ç’kërkonte prej meje? Asnjë fjalë e tij, madje asnjë detaj nuk më jepte ndonjë të dhënë, nuk më çonte absolutisht askund. Gjendesha thjesht në një rrugë pa krye.
      Ndoshta duhej të kthehesha pas në kohë. Kujtimet mbase shkoklavisnin gjithë këtë situatë. Por nuk isha aq e sigurt, nëse doja vërtet ta bëja. Megjithëse nuk më kujtohej asgjë, e ndieja thellë në shpirt se, nëse e bëja, do vuaja shumë. Pikërisht kjo ishte ana e errët e karakterit tim. Në një çast të tillë nuk i mblidhja forcat të gjitha bashkë. Gatigati e urreja këtë situatë. Si për inat më vinin ndër mend vargjet e Gëtes: Guximin ke humbur, gjithçka ke humbur\ Të jesh i bindur, do ish më mirë të mos kishe lindur.      Dilemat të lodhin. Herë-herë ato pothuajse kthehen në vrastare. E para viktimë e tyre është qetësia. Padyshim, të paktën, do më duheshin disa ditë për ta fituar sërish apo për  ta kthyer në jetë. Do të më duhej sërish të mblidhja të gjitha forcat. E bëja shpesh këtë dhe jo pak herë ndihesha e sfilitur.
    Isha përhumbur në të thella, kur dëgjova hapa në korridor. Për një çast zemra m’u drodh e tëra. Por, arrita ta mblidhja veten shpejt. E gjeta më në fund të paktën një pjesë të vogël të guximit, për të cilin kisha aq shumë nevojë.
     Ishte Agim Gjoni. Pas asaj që kishte ndodhur, thuajse kisha harruar se ai mund të vinte, madje se do të vinte patjetër. Trokiti në derë, megjithëse ajo ishte plotësisht e hapur. S’di përse, por ndonjëherë kultura e tepruar më lodh po aq e ndoshta edhe më shumë se mungesa e saj. Isha e sigurt, se ai s’kishte absolutisht asgjë për të më dhënë, po ashtu, isha gati t’ia nxirrja atij të gjithë energjinë negative që kisha mbledhur rreth vetes. As që kisha ndër mend të dëgjoja ndonjë predikim të tijin; për këtë më mjaftonte ime më dhe im atë. Nuk do pranoja për asnjë çast se kisha gabuar. Ndaj dhe mora pozicionin më formal të mundshëm. Mbi të gjitha, duhej të isha ballëlartë.
     - Mirëdita, zonja Tefi!- përshëndeti ai, ndërsa kuptohej qartë në ato çaste, nisur nga pamja e tij, se nuk kishte ardhur për të folur gjatë. Gjithashtu nga mënyra e të shprehurit, edhe ai do pëlqente një komunikim sa më formal.
    - Mirëdita, zoti hetues! Shpresoj shumë të jetë një ditë e mirë, të paktën për ju, pasi imja nuk mund të jetë më e tillë.
    - Ju kërkoj sërish ndjesë për praninë time, siç ju thashë nuk mund ta shmangia dot këtë takim,- foli ai si i zënë në faj,- por ju premtoj se kjo është hera e fundit që po ju bezdis.
    - Ju lutem, hyni drejt e në temë? Ju lutem! Në atë çast, ai zbërtheu kopsën e xhaketës. Zhyti dorën thellë në xhepin e saj të brendshëm. Për pak sekonda u duk se ishte duke rrëmuar në të. Ç’ishte aq e vogël sa për të qëndruar brenda atij xhepi? Isha bërë vërtet kureshtare, por duhej ta fshihja, madje ta zhdukja fare këtë ndjenjë të sapolindur. Nuk ishte ndonjë dhuratë, pasi nuk ishte paketuar bukur. Por, fundja pas gjithçkaje që i kisha thënë,  nuk do të më sillte unazë fejese. Ishte e mbështjellë thjesht, me letër të bardhë. Atëherë mendova se mund të ishte diçka që më përkiste mua. Po çfarë?
    - Këto janë tuajat,- tha ai, duke shpalosur letrën. Ishin disa usb.- Unë nuk kam parë se ç’ka në to, po mendoj se medoemos duhet të ketë të paktën dhjetëra romane, nisur nga volumi i punës suaj të përhershme. Pothuajse vetëm kompjuterët dhe këto munda të shpëtoja prej zjarrit. Në njërën prej tyre kam vendosur gjithçka që gjendej në kompjuterin tuaj personal dhe në minilaptop. Të jeni e sigurt se nuk kam hapur absolutisht asnjë dokument. E dija që ishin më të vyerat për ju, ndaj dhe zgjodha pikërisht këto për të nxjerrë nga shtëpia. Nuk pata as kohë dhe as mundësi për më tepër. Zjarri ishte i pashmangshëm në atë situatë,- përfundoi ai, duke bërë sërish rolin e heroit. Ndoshta nuk e dinte se këtë e kisha zët.
     - Të them të drejtën, asnjëherë nuk e kam kuptuar atë situatë. E kam fjalën për zjarrvënien tënde me dashje. Por, pavarësisht se ishte një vendim krejt i pavend dhe absurd, së bashku me atë historinë e stisur të arkivoleve, unë sërish të kam falur. Ti dhe jot bijë keni shlyer gjithçka me kujdesin që keni treguar ndaj meje. Vetëm se e kam pak të vështirë për të harruar. Le të themi pra, se askush nuk i detyrohet tjetrit. Për asgjë. Më në fund, jemi barazim.
    Nëse ata më bënë të ktheja transferon e parave, nuk do t’ia dilnin mbanë asnjëherë të më bindnin të ktheja mbrapsht edhe fjalët. Le të ndihej ai fajtor, thellësisht fajtor për atë që bëri. Ndoshta duhej edhe të më falënderonte, që nuk e kisha denoncuar. Zjarrvënia me dashje është një krim ndaj pronës,- nuk e di për ligjin,- që për mua është tejet i rëndë. Njerëzit në pjesën dërrmuese të tyre punojnë një jetë të tërë për të siguruar strehë për vete dhe për familjet e tyre. Papritur, vjen dikush që e sheh si zgjidhjen më të mirë djegien e saj. - Të paktën diçka paska pasur vërtet vlerë për ju,- tha ai, si të ishte i lumtur me aq.
      Të paktën jo gjithçka kishte bërë i ishte shumëzuar me zero.
    - Nuk jam aq mosmirënjohëse, sa mund të mendoni. Në fund të fundit, edhe unë kam anën time njerëzore,- sapo e thashë, u pendova. Isha duke bërë krejt të kundërtën e asaj që kisha planifikuar. Në vend që të tregoja anën e fortë të karakterit tim, po tregoja anët më të dobëta, më të brishta. Ishin ato hijet, të cilat përherë kisha dashur t’i zhdukja, ose të paktën t’i degdisja në bodrumin e të padenjave, por që rrallëherë nuk ia dilja mbanë. Kjo ishte vërtet sfilitëse. Unë ndoshta isha kështu,- siç edhe donte im atë që të isha,- por nuk pajtohesha me këtë. Menjëherë mora pamjen më të denjë të mundshme për atë rast, por edhe për cilindo rast tjetër. Isha mjaftueshëm e fortë për të luftuar kundër hijëzimeve të karakterit tim. Ai,- karakteri im,- duhej të ishte tërësisht i adhurueshëm, të pakën prej meje dhe prej tim shoqi.
    - Unë nuk kam ardhur për të gjykuar në lidhje me formimin e karakterit tuaj zonjë, fundja unë jam një askush për ju,- tha ai, ndërsa unë qesha nën buzë plot ironi. Qysh kur e kisha takuar për herë të parë, kisha pasur përshtypjen se ai lexonte mendimet e mia. Kjo nuk më pëlqente aspak. Veç kësaj, ai seç kishte një pushtet misterioz mbi mua. Më bënte të ndihesha e dobët. Sa mirë që kishte kuptuar se ishte thjesht një askush,- erdha për t’ju sjellë këto,- tha ai, duke treguar usb-të, si të mos ishin para syve të të dyve,- besoj se për ju duhet të kenë një vlerë të paçmueshme.
    - Ndoshta,- thashë pa mundur ta fsheh tërësisht kureshtjen. Mezi po prisja të shihja se ç’gjendej në to. Thuajse plotësisht pa vetëdije vendosa njërën prej tyre në kompjuter. Nuk u pendova aspak për këtë veprim të papeshuar të çastit. Duke qenë i zgjuar, duhet të kuptonte se kishte ardhur koha të largohej.
    Por, nuk po arrija t’u besoja syve. Ai, pa e ftuar askush u ul në karrigen që gjendej në anën tjetër të tryezës sime të punës. Po më shihte në sy, si të ishte duke u menduar për të më thënë fjalët më me vlerë. Për të mos i dhënë rëndësi, hapa një prej dosjeve që ndodhej në usb. As që doja më të dija se ç’kishte në të. Doja vetëm, që ai të largohej. Por, me sa dukej, as që po e çonte nëpër mend. Ishte sërish aty, duke më vështruar ngultas. Nuk mund ta mohoj se vështrimi i tij kishte një farë pushteti mbi mua. Por, unë isha aq e fortë, sa ta minimizoja deri në atë masë, saqë të bëhej i padukshëm për sytë e mi, por edhe për të tijtë. Edhe duke mos e parë në sy, diçka ndryshe ndihej në ajër. Po më bënte të urreja veten.
    - Faleminderit për shërbimin tuaj zoti hetues, mund të shkoni i qetë tani. Fatmirësisht, nuk do keni më arsye për t’u kthyer tek unë. Lamtumirë!
    Atëherë ai bëri një veprim, të cilin nuk mund ta kisha parashikuar, as nëse do ta kisha menduar edhe më me imtësi atë që po ndodhte. Jo, nuk ishte e mundur që të ishte e vërtetë! Jo për të dytën herë brenda së njëjtës ditë! E pashë në sy, duke u munduar ta shpërfillja atë prekje kalimtare të dorës, por nuk ishte kështu për të. Agim Gjoni as që kishte ndër mend ta tërhiqte dorën. Sytë dhe gjithë pamja e fytyrës së tij ishin krejt të ndryshme nga të vipit, që kishte ardhur më parë. Ajo nuk ishte e ndezur, as nga ndonjë epsh shtazarak e as nga ndonjë pasion. Si do të transformohej, kur diçka t’i binte mbi kokë? Pikërisht mbi të qëndronte një ndriçues jo pak i rëndë. Im shoq, i cili nuk e kishte toleruar të njëjtën situatë më parë, padyshim që nuk do ta lejonte as më vonë. Ishin situata identike. Po preknin gruan e tij. Këtë asnjë bashkëshort nuk mund ta toleronte, pavarësisht ndryshimeve të mëdha mes tyre.
     Brenda pak sekondave po prisja që era të niste sërish. Dritarja ishte ende e hapur. Cila pjesë e mozaikut mungonte? Ndjeva zemërim. Mos ndoshta tim shoqi nuk i interesoja më? Nga e gjithë kjo, zemra nisi të më rrihte shumë fort në kraharor. Unë mund të jetoja e privuar nga gjithçka tjetër, përveçse dashurisë së tij, shpërfilljes së tij. Thjesht nuk mundesha. As që e mendoja se mund të kishte edhe një lloj të jetuari tjetër, ndryshe.
    Diçka ndryshonte krahasuar me mëngjesin. Zemërimi. Megjithëse erdhi ca me vonesë, ai nuk ishte i munguar. Isha  tejet e zemëruar. Ku ishte Aleksandri? Përse pra, ndriçuesi nuk po lëvizte? Mos ndoshta mund të shkëputej pa asnjë paralajmërim? Po të ishte kështu, a mos vallë ekzistonte mundësia që hetuesi të vdiste në vend? Një puhizë fare e lehtë hyri sakaq nga dritarja. Jo, nuk kisha për ta toleruar këtë. U ngrita me shpejtësi nga vendi ku isha ulur dhe dola në anën tjetër të tryezës. Edhe ai u ngrit në këmbë. Me fytyrën si meiti po më shihte me habi. Por, nuk kishim kohë për të humbur. Mund të ndodhte nga çasti në çast. E shtyva me të dyja duart, me gjithë forcën që kisha. Karrigia ra poshtë me zhurmë, ai u zhvendos disa hapa pas. Mora frymë thellë. Tashmë ishte jashtë rrezikut. Po ndihesha e sfilitur, u mbajta te tryeza. Nuk kisha aq forcë sa për të qëndruar në këmbë. Mendja po më vinte vërdallë.
     - Zonja Tefi, çfarë keni? Nuk ndiheni mirë? A të njoftoj ambulancën?
    Sa çudi, pas gjithë asaj të shtyre dhe ai ende nuk ndihej i zemëruar me mua. Po prej ç’materiali janë gatuar disa njerëz, që dinë të jenë kaq të duruar? Sikur edhe unë të kisha të paktën për raste të veçanta ndonjë dozë durimi rezervë!
    - Largohu! Nëse jeta jote të dhimbset sadopak, bën mirë të ikësh. Menjëherë!
    - Era, ti nuk je mirë, po të flas me zemër në dorë. Do të të çojë në shtëpi?- më pyeti ai, duke m’u drejtuar për herë të parë në emër dhe me ti.
    Shpërfilli atë që i thashë dhe u afrua sërish. Jo, ishte aty, në pikën ku përqendrimi i rrezikut ishte maksimal. Mblodha edhe grimcat e fundit të forcës që më kishin mbetur dhe e shtyva sërish. Agim Gjoni duhej të jetonte.
    Nuk mund ta lija t’i ndodhte diçka e keqe pas gjithçkaje kishte bërë për mua. Diçka të tillë nuk do t’ia falja vetes, kurrë. Nuk tentoi të më afrohej. Kjo ishte diçka e mirë. Ai po qëndronte pranë derës dhe atje nuk kishte absolutisht asgjë të rrezikshme. Të paktën për syrin tim. Duke u mbajtur pas tryezës, thuajse duke u zvarritur, arrita të ulesha.
    - Ju më keqkuptuat,- ja ku po më fliste sërish me ju.- Unë nuk doja absolutisht, siç menduat, të përfitoja. As t’ju shkaktoja ndonjë bezdi, nuk doja. Kisha për t’ju thënë vetëm se situata nuk është ashtu siç mendonim. Për ju, rreziku ende nuk ka kaluar. Tani ai është ndoshta më i madh se kurrë. Jeta juaj dhe e familjes suaj është në rrezik sërish. Unë jam i gatshëm t’ju ofroj ndihmën time. Nëse nuk më lejoni, gjithçka që kam bërë deri tani, është e kotë.
    - Ti nuk kupton asgjë. Ai që është vërtet në rrezik je ti. Nëse tenton edhe një herë të më afrohesh, me çfarëdolloj arsyeje, je i vdekur. Sikur ta dije, nuk do kesh as mundësinë më të vogël për t’u mbrojtur.- I përfundova këto fjalë duke ngritur gishtin tregues të dorës së djathtë, pa ndonjë qëllim të caktuar. Kishte plotësisht të drejtë të mendonte se rreziku për të cilin i kisha folur do t’i vinte prej meje. Pa dashur kisha përdorur edhe fjalën vdekje.
    - Më vjen keq, që gjërat po shkojnë kështu. Nuk do ta kisha pritur kurrë këtë prej jush. Asnjëherë nuk ju kam fyer, as ofenduar, as ju kam bërë keq. Kam bërë gjithçka për ju, madje më vjen vërtet keq që nuk ka mjaftuar. E sërish jam i gatshëm t’ia nis nga e para. Kam premtuar se do t’ju mbroj përjetë. Pavarësisht se mund t’ju duket ndryshe, unë jam njeri i fjalës. S’ka rëndësi, nëse idhulli im nuk është më,- u shkërmoq dhe u bë mijëra copa,- unë nuk tërhiqem.
     Ai nuk kishte kuptuar asgjë. Ai idhull i shkërmoqur,- siç më kishte quajtur ai,- nuk kishte dashur asgjë tjetër përpos shpëtimit të jetës së tij. Më mirë kështu. Nuk kishte asnjë lloj mundësie, që të më bënte t’i shpjegoja diçka. Madje, as që do përpiqesha. Sa më larg meje të qëndronte, aq më larg rrezikut do të ishte.
    - A mund të keni mirësinë të largoheni?
    - Sigurisht, por jam i bindur,- megjithëse kjo nuk ju pëlqen aspak,- se do të shihemi sërish.
     - As mos guxo të futesh më në jetën time! Nuk kam për të ta lejuar!
     - Nuk ju leverdis të kujdeseni për të mos më parë, mbrohuni sa më mirë! Jeni në rrezik, siç edhe ju thashë.
     - Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ju thjesht jeni duke i dhënë rëndësi vetes. Tani gjërat janë ndryshe.
     - Po, janë vërtet ndryshe, por vetëm në dukje. Tashmë i ngjan më tepër një lufte të ftohtë. Përvoja ime në punë ju detyron të paktën të më ndiqni një këshillë: Ruajuni, njeriu që ju rri më pranë, mund t’ju godasë fare lehtë pas shpine. Për të mirën tuaj, uroj që të gabohem, por nuk besoj.
     - Ju lutem! Bëni të paktën një dalje me dinjitet nga zyra dhe jeta ime.
     - Sikur të mos kishte më rrezik, do kisha dalë prej kohësh. Do shihemi!
     Më në fund u largua. Isha aq e përhumbur në të thella, sa as zhurmën e ndezjes së makinës së tij nuk e dëgjova, megjithëse ishte çasti që mezi prisja prej kohësh. Sa punë më duhej, që të vija rregull në kokën time! Macet ngatërrestare kishin luajtur sërish me fillin e mendimit tim.             Përse kisha reaguar në atë mënyrë? Kaq keq më kishte ardhur për të? Sigurisht që nuk ishte kjo. Nëse një njeri kishte shkuar në spital drejt e nga zyra ime, nuk mund të ishte një tjetër që të shkonte në morg. Shtëpia botuese TEFI do të merrte fund. Ndoshta do të shkonte drejt falimentimit dhe më pas drejt mbylljes. Puna dhe përkushtimi i një jete të tërë do shkonte dëm. Aleksandri nuk do ishte më krenar për mua. Kjo do të më lëndonte.
    Si kisha mundur ta gjeja atë forcë? Ndoshta më kishte dhënë forcë frika e të pasurit një vdekjeje në ndërgjegjen time. Ishte tepër e rëndë për mua. Mund të isha e fortë për të përballuar andrallat e së përditshmes, por jo mjaftueshëm për të përballuar një situatë të tillë.
    Sa më kishte çuditur sjellja e tij! Kishte mundur të ruante qetësinë në një situatë, kur çdokush do ta kishte humbur. A ishte vërtet kaq i ndryshëm nga të tjerët? Sigurisht që ishte. Ishte krejt ndryshe nga kushdo që njihja. E rimendova. Kjo nuk ishte ndonjë meritë e tij. Agim Gjoni ishte marrë për vite me radhë me njerëz aq të krisur,- e ndoshta edhe më tepër se kaq,- sa edhe unë një çast më parë.- Ai nuk di të sillet me njerëz normalë,- siç jam unë zakonisht,- por di të sillet shumë mirë me njerëz me prirje kriminale. Ndoshta ai arrin të kuptojë vetëm këta lloj njerëzish. Kjo duhej të qe arsyeja, që mes nesh nuk ishte vendosur asnjëherë ai lloj dialogu, që mund të cilësohej shoqëror apo miqësor. Sigurisht që kishte ndodhur për faj të tij. Nëse do ishte faji im, atëherë as me të bijën nuk do kisha pasur një lidhje të fortë shoqërore. Vërtet tashmë kjo kishte përfunduar, por me siguri unë nuk isha shkaktarja.
    Kur fajin nuk e merr askush, shumë mirë mund të thuash se është vetë jeta, e cila na servir ndonjëherë disa lloj situatash që mbartin me vete gabime. Por, në fund të fundit, gabimet mbeten njerëzore. Vetë jeta mund të marrë me vete, të tresë disa prej tyre. Të tjerë treten në harresë. Por janë një pjesë, ndoshta fare e vogël, të cilat s’ikin askund. Ato i mbartim gjithmonë me vete. Na trazojnë gjumin, ëndrrat, shpirtin. Janë aq të rëndë sa mund të marrin jetë. Tepër të rëndë, sa nuk të lënë të kesh sërish një jetë.      Unë e kisha bërë një herë një gabim të tillë. Isha ngatërruar me atë njeri të lig, me atë horr, i cili kishte shënuar një herë e përgjithmonë jetën time. Faji ishte imi, vetëm imi. Përse atëherë e kishte paguar im shoq? Përse jo unë? Aleksandri nuk e meritonte, s’kishte asnjë faj. Unë po. Ishte ajo çka kisha mbjellë. Ndoshta diku tjetër do isha e qetë. Nuk do jetoja kështu, me ndjesinë se isha një njeri fare pa vlerë. Një njeri, i cili nuk mund të bëjë vetëm absolutisht asgjë, por që si një bimë kacavjerrëse zgjat lozet e veta ngado.
    Unë urreja gjithçka isha. Ndaj edhe çdo çast përpiqesha të ndryshoja. Ishte e vështirë, tepër e vështirë. Kisha net të tëra pa gjumë. Përhumbesha në mendime, pa mundur të shkoja askund. Isha në një rrugë pa krye. Puna ishte një pretekst, një justifikim një strehë, tek e cila mund të strukesha me shumë lehtësi. Streha e vetme e qetësisë ishin fëmijët. Por edhe aty jo gjithçka shkonte vaj. Në fytyrën e vajzës ndonjëherë shihja atë, Maskën, turpin e jetës sime. Sado që e doja, ishte mishi im, gjaku im, shpirti im, ishte e pamundur të anashkaloja të tjerat. Ajo ishte e tija po aq sa edhe imja. Kjo më merrte frymën. Në ato çaste nuk e doja time bijë pranë, ta përkëdhelja, nuk doja madje as ta shihja. E ç’faj kishte ajo? Asnjë. Mos duhej të paguante për gabimet e mia?
    Im bir. Tek e shihja më dhimbsej. Do rritej pa baba. Nuk kishte arritur ta kishte të paktën për një ditë. Ja se kush isha unë. Një njeri që nuk kishte bërë gjë tjetër veçse kishte shkatërruar jetën e njerëzve që kishte pranë. Si duhej të veproja? Sipas meje, zgjidhja e vetme ishte t’ua dedikoja të gjithë jetën time. Ndoshta kështu do shlyeja të paktën një pjesë të fajit që më rëndonte shumë, tmerrësisht shumë.
    Për pak harrova tim atë. Ai ishte kthyer në hije të vetvetes. Nuk duronte të më shihte si isha katandisur. Nuk kishte si ta dinte, se unë ndieja një neveri aq të madhe për veten, sa nuk doja as të shihesha në pasqyrë. Diçka ishte e sigurt. Ai më kishte kuptuar më mirë se gjithkush tjetër. Më kishte thënë, se ditën që unë do kthehesha si dikur, ai do ishte i lumtur të vdiste. Ai kishte folur me zemër, me zemrën e një prindi. E kishte kuptuar, që nuk mund të isha e lumtur në atë mënyrë, madje as e qetë. Unë nuk jetoja, thjesht bëja një pushim vegjetativ. Ishte si të kishte vdekur me kohë një pjesë imja. Më vinte keq për tim atë. Nuk dija, nëse do t’ia arrinte të më shihte ndonjë ditë ashtu siç donte. Nuk mund të bëja asgjë për të lehtësuar dhimbjen e tij. Por më e dhimbshme ishte se nuk bëja asgjë për të përmirësuar sadopak situatën time. Vijoja të gënjeja veten sistematikisht, se isha mirë, madje mjaft mirë.

No comments:

Post a Comment