Humnera kapitulli XVII
Kaloi një farë kohe, nuk mundem ta përcaktoj sa,
por mjaftueshëm për të mbledhur forcat. Mund
t’ia nisja nga e para.
Papritur më sëmboi në kraharor, si të më ishte ngulur
një thikë. S’arrija të kuptoja në ishte një dhimbje fizike a
shpirtërore. Kisha një peshë aq të madhe në kraharor, sa
nuk më lejonte të mbushesha me frymë. Një parandjenjë
e tmerrshme, të cilën aq sa e përjetoja shpirtërisht, po aq
e vuaja fizikisht. Para syve më shfaqej ime bijë, me flokë
të shprishur, me sytë e zmadhuar, me pamje të tmerruar.
Një dorë e madhe dhe e fortë e shtynte dhe ajo binte në një
humnerë, anët e së cilës ishin plotësisht të thepisura. Më e
dhimbshme nga të gjitha ishte se kjo nuk ndodhi vetëm një
herë. Veprimi përsëritej e përsëritej. Isha aq e pafuqishme,
sa nuk mund të bëja asgjë për ta ndalur. Përreth kishte
bredha të dendur e të lartë. Zgjata duart për ta pritur, por
ajo më rrëshqiste përgjatë tyre dhe e shihja tek rrëzohej,
tek copëtohej në fund të humnerës, si të ishte e kristaltë.
Ndieja të gjitha ato copëra kristali njëherësh të më hynin
në shpirt. Ndërsa pulsi, po çmendej duke dalë jashtë çdo
lloj kontrolli. Ai qeshte me mua, qeshte me vajzën, me atë
që sapo kishte bërë. Me gjithë forcën e mbetur e shtyva.
Nuk ia dola as ta zhvendosja sadopak, qoftë edhe ndonjë
milimetër. Vazhdonte të qeshte dhe e qeshura e tij përplasej
ngado dhe vinte në veshin tim më e fortë, shumë më e fortë.
Ai ishte aq i palëvizshëm, sa edhe i urryer.
Hapa sytë, por nuk pranova të ishte ëndërr. Edhe një
herë mblodha gjithë forcën e mbetur, deri në frymën e fundit, më duhej patjetër e gjitha. Nuk ishte koha për të
humbur qoftë edhe një sekondë të vetme.
- Jetaaa, Jetaaa!- Kisha folur për herë të parë pas gjithë
atyre muajve. Më saktë, kisha ulërirë, klithur. Për time bijë
isha e aftë të bëja gjithçka.
Jeta erdhi në çast, mjaft e tronditur. Fytyra e saj qe
tjetërsuar, si të kishte parë një shpirt të keq. Në trupin tim
mblodha grimcat e fundit të forcës dhe thashë: vajza, vaajzaa.
Ajo shpejtoi të sillte kompjuterin dhe unë nisa të shkruaja.
- Duhet të njoftosh menjëherë babanë tënd, ai nuk ka
mundur ta kalojë vajzën në kufi, ajo është kthyer në një
barrë për të. Ndodhet diku aty, pranë një humnere me anë
të thepisura, asaj që të pata folur edhe më parë. Ajo është
e rrethuar me bredha të gjatë e të dendur. Aty është ai. Ju
përgjërohem, ma shpëtoni vajzën! Ju përgjërohem!
Ajo rrëmbeu menjëherë telefonin dhe i komunikoi
gjithçka të atit.
Kur e sjell ndër mend atë situatë, ende nuk arrij ta besoj,
se si askush nuk bëri pyetjen përse? Askush nuk dyshoi në
fjalën time. Ishte koha, ku secili të tregonte forcë dhe guxim,
vendin e parë e kishte im bir. Ai mundi të përballonte të
gjitha emocionet e forta që përjetoja.
Ishte nata më e gjatë dhe më e vështira e jetës sonë. Mund
ta quajmë natë zbulimesh, tronditjesh, përballjesh apo natë
të së vërtetës së shumëpritur. Unë nuk do orvatesha t’i
vendosja etiketa, ajo ishte dhe do të mbetej po ajo, brenda
apo jashtë cilësdo kornizë.
Koha rëndohej dhe si e tillë nuk denjonte të luante
vendit, dukej se qe ndalur mu aty, para syve tanë, brenda
pritjes sonë, në burimin e ankthit.
Fjalët s’fjaloseshin më. Situata i ngjante pritjes së
komunikimit të një vendimi nga gjykatësi për të dënuarin
me vdekje. Dikush do të vdiste atë natë. Kush? Askush nuk e
dinte. Por e sigurt ishte se do të kishte një të vdekur. Vdekja
nuk do të ikte duarbosh. Ajo shfaqej më e dendësuar se kurrë.
- Babai më tha,- kur fola pak më parë me të,- se edhe ata janë
afër asaj zone, duke ndjekur gjurmët e tij, por me sa duket, ai
i kishte pikasur. Për një çast e kishin humbur dhe përpiqeshin
ta rigjenin. Telefoni tani nuk punon, besoj se janë në një zonë
në të cilën s’ka valë. Megjithatë Era, duhet të kemi besim se
gjithçka do të shkojë mirë. Gjithçka do të shkojë mirë, apo jo?
Po im shoq, ku ishte? Më kishte premtuar se do të ma
kthente vajzën. Ai dukej njeri i besës. Ishte aq i besueshëm,
kur fliste me mua për kthimin e saj! Përse nuk bënte një
telefonatë? Çfarë të bëja me gjithë ankthin që më kishte
pushtuar? Ai duhej të ishte në të njëjtën gjendje me mua.
Ndjesitë ishin nga më të çuditshmet, ishim në të njëjtën
varkë dhe ajo po fuste ujë. Nga çasti në çast mund të
fundosej. Më bëhej se dëgjoja jehonën e zërit të sime bije
tek përplasej në zbrazëtinë e frikshme të humnerës. Isha
gati të hiqja dorë nga jeta. Nuk mund të bashkëjetoja asnjë
ditë me peshën e atij kujtimi të tmerrshëm.
- Po sikur të shohin, nëse ndonjë nga kanalet televizive
po jep ndonjë të dhënë?
Më tepër se një ide, ishte një përpjekje e dëshpëruar për
të mbushur kohën e zbrazët. Për disa minuta ajo konkretizoi
përpjekjet e saj. Siç edhe pritej, nuk pati ndonjë rezultat.
- Provojmë të lokalizojmë vendin nga pamjet e satelitit,
të cilat mund të gjenden në internet.
Kjo ishte një ide e vërtetë, por do ishte thellësisht e
dhimbshme të shihje atë vend të zbrazët, duke përfytyruar
se vogëlushja ime ishte aty, e brishtë dhe e pambrojtur. Jeta
më ndihmoi t’i shkoja pranë. U futëm në dhomën tjetër. Të
dyja kundronim në heshtje. Vendi ishte mjaft larg rrugës
kryesore, pranë kufirit ndarës me Greqinë. Sa larg nesh
ishte, pothuajse në skajin më jugor të vendit. Ndjeva të
dridhura tek e shihja. Ishte ashtu siç e kisha parë një çast
më parë. I frikshëm dhe kërcënues, siç më kishte thënë ai, i
urryeri, Maska. Vetëm se këtu e shihja fare të vogël, ndërsa
më parë më ishte shfaqur tmerrësisht i madh. As tani s’e kuptoj ç’qe ajo që m’u fanit para syve. Vizion? Ëndërr? E
çfarë rëndësie do kishte ta etiketoja?
Sa shumë shpresova në heshtje, që ajo humnerë të mos
ekzistonte, të ishte thjesht një produkt i mendjes sime të
sëmurë, të lodhur nga zbrazëtia, në përpjekje të dëshpëruar
për t’u mbushur me diçka interesante. Madje, për herë
të parë e të fundit, dëshirova me shpirt të isha e marrë.
Gjithçka më dukej e vogël dhe e papërfillshme krahasuar
me atë pamje të tmerrshme. Nëse do rezultonte inekzistente,
atëherë ajo që pashë, do të thosha ishte ëndërr, makth, fantazi.
Kur zbulova se ishte e vërtetë, nisa të ndihesha edhe më
keq. Nuk mund të bëja gjë tjetër, veçse të prisja. Nuk besoj
në përsosmërinë e karakterit tim e madje të askujt tjetër, por
durimi s’ishte dhe vijon të mos jetë një nga pikat e mia të
forta. Mendoj shpesh se, nëse do të kisha pasur më shumë
durim, do të kisha ecur më tepër në jetë. Gjendja shëndetë-
sore pas aksidentit ma skaliti durimin, por nuk ishte pjesë e
natyrshme e karakterit tim. Ngjante më tepër me një njollë të
një tjetër ngjyre mbi të, jo si pjesë organike e tij.
Ajo bënte ecejake nga një dhomë në tjetrën, nga një kënd
në tjetrin. Nuk hiqte nga dora telekomandën dhe as telefonin
celular. Në një çast e kuptova se po më stresonte aq shumë,
sa edhe të mos kisha asnjë shqetësim tjetër, do t’ia kishte
dalë të më humbiste gjithë durimin e mbetur. Nuk dëshiroja
t’i komunikoja asgjë. Mbylla sytë. Sa e prita një tjetër imazh
të tillë të më vinte! E ndolla në çdo mënyrë që më erdhi ndër
mend aso kohe. Iu betova vetes sime, se më pas do isha në
gjendje të zgjidhja vetë problemet e mia. Por këtë herë më
duhej një ndihmë, një shenjë, e cila për shumëkënd i shëmbëllente
ireales, por për mua ishte realja, dora vetë.
Prisja të dalloja diçka, por ishte vetëm errësirë, e zbrazur
prej imazhesh, mbushur me ankth. Doja të dëgjoja zërin e
tij. Aleksandri duhej të kishte patjetër diçka për të më thënë.
Prita, pothuajse e qetë, e sigurt për atë që do dëgjoja. Ai do
vinte së bashku me vajzën, do ishte aty pas pak. Ndjeva të hynte në dhomë dhe ta mbushte atë me praninë e tij.
- Era, Era, jam unë. Vajza jonë është mirë, jashtë çdo
lloj rreziku, është po aq mirë sa edhe ti,- më tha ai dhe
këtu qeshi, me zë fare të lehtë, por dhoma u mbush e tëra
me ngazëllimin e tij, që shumë shpejt u bë edhe imi. Ai
ishte i pakrahasueshëm me askënd, në gjithçka.- Pas disa
orësh, do jetë pranë teje. Pasi të rigjeni njëra-tjetrën, mund
të ktheheni në shtëpi. Ka nevojë për disa rregullime, për
shumë të tilla, më pas, të tre së bashku, pa probleme, të qetë
e të lumtur. Do ta shohësh sesa qetësisht mund të jetohet
më pas. Unë do të jem atje, pranë jush, deri në amshim.
Mos pyet më për atë përbindësh. Ai përfundoi siç
duhej të përfundonte, në fund të asaj gremine që gjithë
jetën është përpjekur të gremiste të tjerët. Më premto, se
nuk do mundohesh asnjëherë të mësosh më tepër për të,
përpiqu ta harrosh ekzistencën e tij, ta kërkoj në emër të
dashurisë sonë. Mjaft ta sjellësh ndër mend dhe trazon
shpirtin, humbet qetësinë, harron të jetosh. Njerëz të
tillë në jetë nuk duhen takuar kurrë, nëse po, duhet bërë
gjithçka që ata të dalin sërish prej saj. Unë nuk u ndala,
shkova përtej kufijve të cilët kam pasur gjithmonë në jetë.
E bëra për vajzën, e bëra për ty, për qetësinë e familjes.
Sa për vete, nuk besoj se do më rëndojë më shumë, ai
mori thjesht atë që meritonte. Për familjen time jam gati
të heq dorë nga parajsa.
Kur shtëpia të jetë gati, mund të vini të jetoni aty, do jem
duke ju pritur. Mund të jeni të lumtur në atë shtëpi, shumë
të lumtur, siç kemi qenë përherë. Mos dëgjo asnjëherë të
tjerët, por ndiq zemrën tënde. Unë e di se ku do të të çojë.
Më në fund, edhe unë mund të jem i lumtur, mund të gjej
atë paqe, për të cilën kam aq shumë nevojë.
- Era, Era si je? Ndihesh keq?
E shihja dhe çuditesha se ishte aq shumë e shqetësuar dhe
e alarmuar për shëndetin tim. Më vuri laptopin përpara, pa
pritur madje as të rrija ulur. Donte që të shkruaja për çka po më ndodhte. E çuditshme, sesi njeriu në një situatë të dëshpëruar
kërkon të kapet pas gjithçkaje, pa pyetur se ç’është. I ngjan atij
njeriu, që është duke u mbytur dhe gjen një copë trung për t’u
lidhur më pas thuajse shpirtërisht me të.
- Vajza është jashtë çdo lloj rreziku, ndërsa ai ra në
kurthin e tij, në humnerën që kërkonte. Tani jemi të lirë ta
shohim dritën e diellit dhe botën pa frikë. Mund të përqafohemi,
si çdo nënë e bijë në botë. Më në fund mund të jetojmë
së bashku, të gjithë, si një familje e vërtetë që jemi,- i thashë
Jetës, por ajo çuditërisht nuk pati asnjë lloj reagimi. Më shihte
ngultas, nuk denjoi të më thoshte asnjë fjalë. Ç’të kishte?
E hutuar dhe e përhumbur siç qe, u tremb dhe u
drithërua nga zilja e telefonit. Ishte i ati. Doli të fliste në
korridor, por edhe atje me zë të ulët. Nuk kuptoja përse
ishte e nevojshme gjithë kjo maturi.
U kthye në dhomë, mori karrigen, e afroi edhe më pranë
shtratit tim dhe po më vështronte sërish ngultas. Kështu
vepronte para çdo bisede serioze. Edhe unë isha gati.
- Im atë sapo telefonoi. Janë nisur për në Tiranë, së
bashku me vajzën. Ajo është mirë, mezi pret të të takojë.
Buzëqesha për atë që ajo më tha, mund ta quante si të
donte, konfirmim të asaj që i kisha thënë, rikonfirmim, por
tashmë nuk përbënte lajm dhe pamja e saj aq e rëndë, m’u
duk veçse një pozë e tepruar për rastin. Besoja se duhej të
kishte një sjellje më të natyrshme.
- Ku e dije që vajza ishte pranë humnerës dhe ishte
bashkë me Maskën? Si e dije se ai kriminel kishte vdekur?
Të lutem, Era, më kthe përgjigje!
- Nuk është një marrje në pyetje në hetuesi, që të jesh
kaq e ngrysët Jeta. Mund të jesh më e qetë me mua, nuk po
shihemi sot për herë të parë dhe duhet të përpiqesh të më
bësh përshtypje.
- Të lutem, Era, kam nevojë për përgjigje!
- Edhe unë kam pasur shumë herë dhe ti je shmangur,
megjithëse në mënyrë mjaft elegante.
- Kam thënë se gjithçka duhej të vinte në kohën e duhur.
- Dhe kjo kohë fatkeqësisht nuk vinte asnjëherë.
- Era, nuk është koha për lojëra fjalësh.
- Im shoq ishte këtu. Ai më njoftoi për gjithçka kishte
ndodhur.
- Çfarë po thua?
- Të vërtetën. Aleksandri ishte këtu. I vetmi njeri, i cili më
ndihmon dhe që ti jo vetëm nuk denjon ta takosh, por as të
flasësh për të. Je gati të mbyllësh derën e shtëpisë, madje edhe
të dhomës e të mos i hapësh, vetëm e vetëm që ai të mos vijë.
- Era, dyert ishin të mbyllura mirë, ashtu siç the vetë ti
dhe ai nuk ka qenë këtu, as sot dhe asnjë ditë tjetër, madje
as ka për të ardhur ndonjëherë.
- Mos do të thuash se do të më ndash prej tij dhe do të
më detyrosh të bëhem gruaja e babait tënd? Kaq e mirë jam
për ty, sa për t’u bërë njerka jote?
- Më duket se po flet përçart.
- Jo aspak, jam më mirë dhe më e kthjellët se kurrë.
- Im atë dhe unë të kemi ndihmuar me shpirt, pa të
kërkuar asgjë si këmbim.
- Sipas jush, të më ndani nga im shoq është asgjë. Dhe
kjo është diçka, të cilën e bëni me gjithë shpirt, me gjithë
zemër. Madje-madje ju bën edhe të ndiheni krenarë.
- Nuk ishim ne që të ndamë prej tij, po gabohesh rëndë.
- Atëherë, sipas teje ishte Aleksandri që donte të ndahej
prej meje. Ai më tha, se do të jetë me ne deri në amshim.
- Po, por amshimi nuk i përket kësaj bote, as jetës së
këtushme.
- Ç’po përpiqesh të më thuash?
- Era, nuk jemi ne që të ndamë prej tij, por jeta. Aleksandri
vdiq po atë ditë, që ai Maska i vuri zjarrin shtëpisë. Vdekja
qe e menjëhershme, me një plumb në kraharor.
- Ti po gënjen!
- Jo Era, ky është i vetmi realitet, që të kemi fshehur.
Ne nuk të kemi ndarë kurrë prej tij, por të kemi larguar dhimbjen, që të mos vuaje nga vdekja.
- Mos u mundo më kot të më bësh të vuaj! Unë ndihem
mjaft mirë, madje jam e lumtur,- i fola, por nuk arrita të
mbaja as lotët. Nuk kisha forcë as t’i fshija. Më ishte rikthyer
sërish një çast dobësie. Ishte duke u përpjekur të më prishte
çastin më të shumëpritur e të lumtur të krejt jetës sime.
- Jam përpjekur vetëm të të mbroj.
- Ai ekziston, ti je duke mohuar ekzistencën e tij, kjo
është paturpësi.
- Sado i hidhur të jetë realiteti, duhet ta pranosh.
- Të pranoj se ai ka vdekur, kur është gjallë?
- Ai ka një varr, mund të sigurohesh tani për këtë.
- Ju më keni thënë, se edhe unë, madje edhe ime bijë
kemi varre, do të thotë se edhe unë nuk ekzistoj? Provo të
më presësh, a do të dalë gjak?
- Po ti Era, a ke provuar ta presësh tët shoq? Sigurisht që
jo, madje as e ke prekur e as të ka prekur ndonjëherë.
- Me situatën në të cilën po kalonim, sigurisht që mendimi
ynë i parë,- më vjen keq të të zhgënjej,- por nuk ishte
të prekeshim.
- Ndërsa unë them se mendimi i parë për ty duhet të
jetë të pranosh situatën. Vajza jote është duke ardhur,
është koha e së vërtetës. Kjo është koha e duhur që e kam
përmendur sa jam bërë e bezdisur për ty. Dëgjo, mund të
gënjesh këdo, për një kohë të shkurtër a të gjatë, por është e
pamundur të gënjesh veten në këtë mënyrë dhe më e keqja,
të mos kesh pikën e dëshirës për t’i dhënë fund gjithë kësaj.
- Çfarë fiton me këtë që je duke bërë?
- Vetëm ndërgjegjësimin tënd, asgjë më tepër.
- Ti mund të ndërgjegjësohesh vetë për këtë që po them,
kur ta shohësh e ta takosh.
- Kjo nuk ka për të ndodhur edhe për aq kohë, sa unë të
jem ende gjallë.
- Unë mund të të bëj një pyetje; A e pe edhe vetë se
gjithçka thashë ishte e vërtetë? - Po, ndaj jemi duke e bërë këtë bisedë.
- Ndaj duhej të mos ishim duke e bërë këtë bisedë, por
thjesht të më besoje.
- Dëgjo, Era, duhet të të them një të vërtetë të hidhur.
Ti fizikisht bëhesh çdo ditë e më mirë, me përpjekjet dhe
vullnetin tënd,- që është për t’u pasur zili,- do të mund të
ecësh dhe të flasësh plotësisht brenda pak kohësh dhe unë
nuk do të jem përjetësisht me ty. A nuk ishe ti që fole vetëm
para disa orësh? Nuk ishte aspak belbëzim, ishin fjalë, fjalë
të plota e të qarta. Mjafton që ti të duash vërtet të flasësh
e të ecësh dhe do t’i realizosh brenda një kohe mjaft të
shkurtër. Unë asnjëherë nuk kam dyshuar se kjo ditë nuk
do të vinte, madje isha më se e sigurt se do të ishte e afërt.
Ja pra, je në rrugën e duhur. Por ti nuk do të shohësh atë që
është aq e qartë sa edhe drita e diellit.
- Të them të drejtën, pas kësaj bisede, ndarja prej teje
nuk më duket më një e vërtetë me të vërtetë e hidhur.
- E hidhura është, se në gjendjen mendore që je, asnjë
institucion nuk do të të lejonte të kujdeseshe për fëmijët e
tu. Mendohu, Era! Nuk jam duke të të sulmuar, për asgjë.
Më ke thënë se do luftoje për familjen tënde, për ta mbajtur
të bashkuar. S’ke asgjë për të më treguar mua, por vetes.
Në radhë të parë, duhet të bindësh veten se ti mundesh të
jesh ajo mamaja që ëndërron për fëmijët e tu. Si ato nënat
e përkushtuara, që mbushin mrekullisht tregimet që ke
shkruar kohët e fundit. Duhet të jesh gati, pas pak do të
kesh një udhë të re në jetën tënde. Mbylli, fshiji ato rrugë,
që nuk do të të linin të ecje përpara. Mendohu!
- Nëse mendohem, do të thotë të ndahem nga im shoq.
Nuk kam për ta bërë kurrë!
Ky ishte debati më i ashpër, që mbaja mend të kisha
bërë ndonjëherë. La shumë gjurmë tek unë.
A jetonte im shoq? Këtë pyetje nuk po ma bënte njeri,
por po ia drejtoja vetes. Përse nguroja të përgjigjesha?
Çfarëdolloj qëndrimi të mbajmë ne, nuk ka aq forcë sa për të ndryshuar realitetin. Atëherë, përse nguroja aq shumë?
Kisha mbytur çdo lloj dyshimi për të e kisha krijuar lloj-lloj
alibish për ta mbajtur në jetë? Përse nuk mund të pranoja
në njëfarë mënyre, që jeta mund të vazhdonte edhe pa të?
Për këtë, ende sot nuk kam mundur ta bind veten
plotësisht, më duket se pa tim shoq nuk mund të jetoj asnjë
ditë. Çasti në të cilin do pranoja se ai nuk është më, do ishte
shpallja e vdekjen sime. Nëse kjo është e pamundur për
këdo, atëherë do të ishte e tillë edhe për mua.
Por a nuk ishte vetë Aleksandri, që më kishte thënë se do
arrija ta ndieja pranë sa herë të doja, vetëm të doja vërtet? A
nuk ishte ai, që më kishte thënë të jetoja ashtu siç dija unë?
E pra, unë kështu dija të jetoja, pa menduar aspak për atë
ç’ka thoshin të tjerët. Nuk ndieja si ata dhe si e tillë nuk do
të jetoja në atë mënyrë. Por ajo që më kishte thënë Jeta për
gjendjen time mendore dhe mirëqenien e fëmijëve, ishte e
tmerrshme. A ishte e mundur të mos merrja kujdestarinë e
tyre? A do të bëja unë ndonjëherë diçka që do t’i dëmtonte
ata? Asnjëherë. As im shoq nuk do të bënte kurrë diçka të
tillë. Atëherë, ne mund të jetonim të katërt në shtëpinë tonë
dhe të ishim të lumtur, plotësisht të lumtur.
Nëse Jeta vuri re se me të nuk mund të kisha asnjë lloj
kontakti fizik, nuk kishte absolutisht asnjë problem. Besoja
se do ishte kështu edhe për fëmijët. Për mendimin tim, një
lidhje shpirtërore është shumë më e fortë dhe më e rëndë-
sishme se një lidhje fizike. Ne mund të jetonim të lumtur në
folezën tonë. Nëse kjo nuk do ishte familja ideale, a është
dikush të pohojë me siguri se e tija është e tillë? Idealja
ekziston veç në libra e në ëndrra, por nëse do kishim mjaft
lumturi, a nuk do të ishim shumë pranë saj?
Unë kisha nevojë për të, si edhe ai për mua. Të pranoja
atë që më sugjeronte ajo, ishte si ta tradhtoja tim shoq, duke
e larguar prej meje, ishte si ta kisha tërhequr unë këmbëzën
e armës me të cilën ishte qëlluar. Përse të lija jetimë fëmijët
e mi? Përse ta vrisja? Nuk kisha asnjë motiv për të kryer një krim kaq të shëmtuar. Një herë isha penduar thellësisht
për mallkimin që i bërë. Ai iku për të mos u kthyer më, këtë
ma tha fare qartë në fjalët e tij të lamtumirës. A nuk isha
unë që i ishte lutur me shpirt të mos më braktiste kurrë dhe
të qëndronte pranë meje përjetësisht? Jo vetëm i isha lutur,
por edhe përgjëruar. Aleksandri ishte bindur, ishte kthyer
nga ajo rrugë ku qe nisur. Pa të nuk do t’ia kisha dalë
mbanë të ecja përpara, asnjë hap. Im shoq ishte lajtmotivi
im i përhershëm. Nuk di, nëse ia kisha thënë me qindra
herë më parë, por ai ishte vërtet shpirti im. Pa të nuk mund
të isha veçse një trup pa shpirt, një kufomë.
Mendohesha e rimendohesha, por nuk bëja gjë tjetër veçse
përfshihesha e tëra në vorbullën e mendimeve, e cila ishte
tmerrësisht e etur për marramendje njerëzore. Kisha rënë
sërish në grackën që kisha ngritur vetë. Robinë e koklavitjes
së jetës, e lindjes së problemeve, që me shumë gjasa ishin
pasojë e kohës së lirë me tepri. S’duhej të lodhesha më me
mendime të shterpëzuara, vajza ishte duke ardhur dhe unë
duhej të isha e çlodhur dhe e kthjellët për të.
Sa e kisha pritur e ëndërruar atë çast! Do ta shijoja
tërësisht, nuk do lija të më fluturonin më çastet mes
gishtash. Nuk do t’i lejoja më të më iknin aq lehtë. Kisha
humbur shumë kohë dhe qysh atëherë i premtova vetes se
s’do të ndodhte kurrë më. Do shijoja rritjen e saj, fëmijërinë,
kohën e qëndrimit në prehrin tim. Shpejt, kur ajo të ishte
ca më e rritur, patjetër do të bezdisej nga këto përkujdesje.
Nuk do mund të kthehesha pas, isha tepër me fat që po më
jepej një mundësi e dytë. Por në jetë, megjithëse mendojmë
se kemi mundësi të dyta, asnjë çast i ikur nuk kthehet
më. Ndaj dhe duhej kapur, në të kundërt ai thjesht do të
fluturonte rëndë-rëndë drejt së shkuarës, duke u lodhur
nga zbrazëtia. Dukej se po jetoja në përralla, fundi i lumtur
nisi të dukej në horizont. Do të jetonim të gjithë së bashku
në shtëpinë tonë, në çerdhen tonë të lumturisë.
Po më kthehej vajza, ëndrra, familja, jeta. Ishte pikërisht ajo që më kishte munguar prej kohësh. Jeta
ime ishte duke marrë të tjera ngjyra. Do të më duhej ca
kohë për t’i sfumuar me ato ekzistueset, por isha tejet
entuziaste nga shkëlqimi i ri.

No comments:
Post a Comment