Tuesday, January 9, 2018

Te jetosh pergjysme

Kthimi   kapitulli XVIII


     Sa e kisha pritur atë çast! E kisha ëndërruar aq shumë, sa shpesh dyshoja në realizimin e tij. Mos ndoshta do të mbetej vetëm një ëndërr dhe asgjë më tepër? Kur u riktheva, me djalin e sapolindur në krahë dhe vajzën për dore, u ndjeva si në shtëpinë time. Ndoshta tingëllon absurde, por nuk besoj se njeriu ndihet tjetërkund aq i sigurt dhe i qetë, sa në shtëpinë e vet.
     Isha ende shumë rrëmujë dhe duhej të vendosja rregull, por si fillim, brenda meje. Me mobilimin ishte marrë im vëlla. Ai punonte si arredues në një ndërmarrje private. Sipas tij, gjithçka ishte si para incidentit. Edhe herën e parë, tim vëllai ia kisha ngarkuar këtë detyrë.
     Askush nuk kishte qenë dakord me mendimin tim, që gjithçka duhej të ishte si më parë. Të gjithë e dinim se asgjë nuk mund të ishte më si dikur. Pavarësisht fakteve, unë kisha nevojë të besoja se kisha forcën për të bërë diçka. Kisha pikësynimin tim: të bëja fëmijët e mi të lumtur. Prej kohësh ia kisha premtuar vetes, ishte premtimi më i shenjtë.
     Nëna ime ishte përgjatë njëzet e katër orëve me ne. Sa të vështirë e kisha pasur në fillim të përshtatesha me familjen e madhe! Ishin gjaku im, isha e detyruar t’u qëndroja pranë, të duroja ndërhyrjet e tyre në gjithçka. Kjo e fundit herë-herë ishte shumë e lodhshme. Me babanë dhe vëllanë kishte qenë pak më e lehtë, por me nënën krejt ndryshe. Më zinte frymën me kujdesin e tepruar. Më kishte stërlodhur me mësimet dhe teoritë e saj. Po si ishte e mundur, që për gjithçka të kishte një teori dhe në çdo fushë duhej të ishte eksperte në sytë e të tjerëve? Ku e gjente atë energji? Nga mund t’i buronte vallë?
    Sa shumë isha lodhur me praninë e saj! Por isha e detyruar të heshtja. Pas kthimit të vajzës m’u desh të kaloja shumë prova të vështira, njëra prej të cilave ishte çështja e kujdestarisë së saj. Psikologu dhe punonjësja sociale nuk më kishin quajtur të denjë për të qenë, përveçse nënë, edhe njeriu që do kishte kujdestarinë e tyre. Ishte shumë më e rëndë nga se mund të imagjinohet. Mezi kisha pritur të takohesha me time bijë, ta kaloja kohën me të, por familja ime e madhe dhe e zhurmshme kishte bërë gjithçka për të më shkëputur nga çastet e qeta e intime, aq gjatë të ëndërruara. Jetmira ishte edhe më e shqetësuar se unë, gjithçka kishte dalë plotësisht jashtë kontrollit. Kur imagjinoj sesa për zemër e kishte ajo orarin fiks në gjithçka, rregullin, organizimin deri në detaje, kuptoj se edhe për të ishte e vështirë përshtatja me situatën e re. Për fat të keq, asgjë nuk mund të ishte siç donte ajo.
     Nëna ime ishte krejt e kundërta e saj. I pëlqente të mos planifikonte, të bënte surpriza, të mos kishte orar në asgjë e për asnjë arsye. I pëlqente të fliste shumë dhe të dëgjonte fare pak. Asnjëherë brenda atyre muajve nuk u përpoq të kuptonte sesi ndihesha unë apo nevojat që kisha në të vërtetë. Koha kalonte duke treguar e ritreguar historitë e dy shtatzënive të saj - me mua dhe me tim vëlla - por kjo ishte pjesa më e mirë. Ajo as që e vinte re sesa keq më bënte të ndihesha me atë historinë e saj të abortit të padëshiruar në muajin e pestë të shtatzënisë. Morali i asaj historie ishte se duhej të kujdesesha më shumë për fëmijën dhe për veten. Për asnjë çast nuk duhej të kaloja ndonjë rrezik. Po çfarë rreziku mund të më kanosej mua? Gjendesha mes një kujdesi aq të madh, sa edhe vezë sikur të isha, nuk do thyhesha kurrë. Por ajo as që e merrte parasysh këtë. Shkurt, më bëri që muajin e pestë të shtatzënisë ta përjetoja si të isha në rrethin e pestë të ferrit dantesk.
    Këtu ndërhyri Jeta, e thirri pa shumë takt, në një nga ato çastet jo të rralla të ritregimit të saj mbi abortin. Kur u kthye, ishte me sy të përlotur. Mundohej të dukej e qetë, por ishte  tejet e lodhur. Ishte ndoshta hera e parë që e ndjeva aq pranë, aq të sinqertë, madje edhe të brishtë. Nuk ishte më në sytë e mi ajo gruaja që fliste e fliste për gjithçka, por një figurë thjesht njerëzore. Megjithëse atëherë ende flisja shumë pak, ndjeva vërtet dëshirën për ta bërë. Veç kësaj, seç kisha edhe një tjetër dëshirë, ta përqafoja dhe t’i thosha diçka. Ajo ishte nëna ime, pavarësisht këndvështrimeve krejt të kundërta që kishim, ne na lidhte fort gjaku, por edhe dashuria nënë-bijë.
     - Mami, mami...
     Lotët i riguan nga sytë ende të përskuqur. Më foli edhe ajo, për herë të parë, aq ndryshe, me zemër në dorë, thua se ishim takuar vetëm atë çast dhe jo disa javë më parë.
      - Bija ime, unë dua vetëm që ti të jesh e lumtur.
      - Të duua!- Nuk ishte shumë e vështirë për t’u thënë, të paktën jo aq sa e kisha menduar. Ndoshta për arsyen e thjeshtë se e ndjeja thellë në shpirt. E megjithatë, do t’i thosha tepër, tepër rrallë këto fjalë, ndonëse dashuria për të afërmit e mi nuk do të më mungonte. Në këtë mënyrë më dukej sikur shfaqja dobësitë e mia para të tjerëve, kjo ishte krejt e kundërta e asaj që doja.
      - Edhe unë, edhe unë të dua. Sikur ta dije se ç’kam hequr gjithë kohës, që të dija të vdekur. Nuk mundja as t’i mbyllja sytë e jo më të flija. Për të mos menduar shumë, pa e kuptuar as vetë, u ktheva në këtë gruan llafazane, që ti ke para syve. Unë nuk kam qenë kështu, jo. Ti mendon se më pëlqen vetja kështu si jam katandisur? Jo vetëm që nuk më pëlqen, por ndiej një neveri aq të madhe, sa nuk e kisha menduar ndonjëherë se dikush mund ta provonte ndaj vetes. Të flisja, më bënte të shpërqendrohesha disi, këtë doja edhe unë të bëja me ty. Duke të të folur gjatë, mendoja se në atë mënyrën time do të të ndihmoja. Më fal, nëse të kam lodhur bija ime,- përfundoi ajo e përlotur dhe me një dhimbje aq të madhe në shpirt, saqë nuk mundi ta fshihte me gjithë përpjekjet e saj. Atëherë më erdhi turp nga vetja, ishte dashur një njeri i tretë që marrëdhënia jonë të merrte  një kthesë pozitive. Por të paktën kishte ndodhur diçka, që na kishte bërë vërtet të afroheshim.
     Zgjata krahët për ta përqafuar. Ajo veproi në po të njëjtën mënyrë. Unë e kuptoja fare mirë. Nëse ajo kishte folur shumë gjatë humbjes sime, po aq shumë kisha shkruar unë gjatë mungesës së sime bije. Nuk ka dhimbje më të madhe në botë sesa ajo për fëmijën. Vetëm kur je nënë mund ta kuptosh këtë. Ne ishim aq të ndryshme njëra nga tjetra! Megjithatë, kishim reaguar në të njëjtën mënyrë. Ishim të paktën të ngjashme në diçka.
     Qysh atëherë marrëdhënia jonë mori një tjetër kthesë. Ishte shumë më e mirë se më parë. Po, për fat të keq, mbeti aty. Mamaja më bënte të ndihesha keq, sepse tek ajo lexoja shpesh po ato vuajtje, që më kishin sfilitur qysh prej zgjimit. Kur shihja time më, kuptoja, se gjithë ato dhimbje nuk do zhdukeshin me shërimin tim, por do të qëndronin përjetësisht tek unë. Tek e shihja, mendoja se ato lloj vuajtjesh nuk i sjell jeta, por karakteri i njeriut, i cili ndoshta për fatin tonë të keq,l është brumosur një herë e përgjithmonë. Edhe me përpjekje, madje edhe kur ato ishin maksimale, qe pothuajse e pamundur të ndryshoje diçka.
     Qysh atëherë isha e sigurt, se sapo të isha mirë dhe të merrja kujdestarinë e fëmijëve të mi, duhej të isha unë në krye. Do punësoja dikë të më ndihmonte me fëmijët dhe me punët e shtëpisë. Nuk duhej të ishte asnjë nga të afërmit e mi, ata nuk do qëndronin pa futur hundët në gjithçka, ndërsa unë kisha nevojë për qetësi.
     Seancat me psikologun, qysh pas kthimit të vajzës kishin mbetur me të njëjtin ritëm; tri herë në javë. Paralelisht me to lexoja dhjetëra libra nga fusha e psikologjisë, të cilët i kisha huajtur nga Jetmira. I kisha thënë se më nevojiteshin për të ndërtuar personazhet e mi. Ajo kuptonte përherë përtej fjalëve të mia, por nuk më vinte aspak keq për këtë. Asnjë ndjenjë faji nuk më shqetësonte për atë çfarë isha duke bërë. Mes nesh ishte vendosur një marrëveshje e heshtur, e panjohur për gjithë të tjerët. Madje, ishte ajo që më kishte shtënë në kokë ato ide, megjithëse tërthorazi. Më kishte thënë qysh në fillim, kur unë i kisha folur për tim shoq, se duhej të pranoja se ai kishte vdekur, ndryshe do rrezikoja seriozisht kujdestarinë e fëmijëve. Në të vërtetë ndodhi ajo për të cilën isha paralajmëruar. Por nuk arrij të kuptoj, në isha naive apo e marrë për të mos kuptuar atë që Jeta donte të më thoshte në të vërtetë. Asnjëherë nuk më kishte thënë se duhej ta shpallja të vdekur në zemrën time, por duhej t’ia tregoja këtë të tjerëve.
     Psikologu kishte të paktën tridhjetë vjet përvojë në këtë profesion, ndërsa punonjësja sociale ishte e sapodiplomuar. Fillimisht kujtova se do kisha punë vetëm me psikologun dhe se ajo vinte aty thjesht si një nga figurantet e shumta, të cilat punojnë në administratën shtetërore. Mendova se këtu do kishte vend ajo shprehja, e cila thuhet gjithandej në adresë të tyre: Ne bëjmë gjoja punojmë, shteti bën gjoja paguan. Por ajo e merrte aq seriozisht punën e saj, sa mend thoshe se për të ishte çështje për jetë a vdekje.
     Sidoqoftë, unë e kisha vendosur se do t’ua hidhja. Përse do ta bëja? Sepse prej kohësh kisha kuptuar, se nuk isha aq normale, por asnjëri prej tyre nuk thoshte asgjë mbi gjendjen time. Ata vetëm kërkonin që unë të flisja e të flisja, pothuajse pa u ndalur. Përshtypja ime ishte se duhet të paguanim për të dëgjuar e për të mësuar diçka dhe jo për të na dëgjuar. Sikur të ishte vërtet kështu dhe ime më të paguhej në varësi të gjithë atyre që thoshte! Me siguri do ishte femra më e paguar në botë.
    Shumë kohë më vonë, kur krejt rastësisht pashë një nga faturat, apo fletë-pagesat e psikologut, shifra ishte e stisur. Kurrë nuk kisha menduar, se një njeri mund të paguhej aq shumë për orë- pune, madje për orë-dëgjimi. Vërtet ndihesha më e qetë, por do ndihesha në të njëjtën mënyrë edhe pa seancat e tij. Kështu besoja. Situata në të cilën ndodhesha ishte përmirësuar mjaft nga ajo e mëparshmja. Duke pasur pranë dy fëmijët e mi, me shëndet të përmirësuar, me familjen e madhe pranë, sigurisht që do ndihesha më mirë, shumë më mirë madje. Më tepër se bashkëpunuese, përgjatë kësaj kohe kisha qenë komplotuese. Me gjithë ato njohuri të marra nga psikologjia, isha gati të jepja provimet në fakultet. Madje isha në përfundim edhe të temës së diplomës. A do t’i shkonte vallë për shtat titulli: Si dhe përse mund t’ia hedhim psikologut? Çuditërisht isha krenare për veten, po ia hidhja për mrekulli atij.
     Më në fund, pas disa muajsh studimi të pandërprerë, kisha gati diagnozën time: amnezi psikologjike. Nuk m’u desh shumë kohë për ta studiuar e kuptuar në thelb se ç’qe. Koha e gjatë ishte e nevojshme për ta pranuar se amnezia tek unë nuk ishte shkaktuar nga asnjë faktor i jashtëm.                  Humbja e kujtesës nuk kishte ndodhur, për shkak të goditjes së pësuar në kokë, siç kisha menduar më parë, por isha unë, që në nënvetëdijen time kisha vendosur të mos kujtoja asgjë, ta izoloja të shkuarën. Për këtë më bindte edhe më shumë fakti, se sa herë kisha vendosur dhe isha përpjekur seriozisht të kujtoja, ia kisha dalë mbanë.
     Kuptova edhe pse Jetmira nuk më tregonte asgjë nga e shkuara ime. Ajo e dinte, se vetë truri im e refuzonte të vërtetën, e mbante larg. Të më kujtonte diçka, do ishte edhe më keq për mua. Mendja ime do ishte edhe më e trazuar. Dikush mund të pyesë: Nëse ishte kështu, përse e akuzoja gjithë kohës për fshehjen e së vërtetës? E thjeshtë, fare e thjeshtë, sepse hedhja e fajit te dikush tjetër, na bën të ndihemi të qetë dhe çuditërisht edhe më të mirë në sytë tanë. Rrit së tepërmi vetëvlerësimin. E kush mund të thotë se nuk ka nevojë për të? Por ajo ishte treguar tepër e duruar me mua, duke vepruar përherë drejt dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.
     Në muajt e fundit të shtatzënisë isha më pak e hallakatur në përsiatje të tjera dhe shumë më e përqendruar te fëmija, madje te të dy fëmijët. Isha duke u marrë me përgatitjen psikologjike të Estrelës, për ardhjen e të vëllait në jetë. Sa më seriozisht e ndërmerrja këtë hap, aq më tepër ime më thoshte se ishte diçka e kotë, fare e pavlerë. Mosmarrëveshjet mes  nesh do të nxirrnin patjetër krye në çdo bisedë, ato nuk linin rast t’u ikte duarsh. Kjo ndoshta më tepër se me gjithçka tjetër lidhej me diferencën e moshës, me ndryshimin mes brezave. Është kaq e çuditshme, se ashtu si kocka e trupit të njeriut humbet lëngjet dhe elasticitetin me kalimin e moshës, ashtu edhe karakteri i tij bëhet aq plastik, sa po të guxosh të provosh përkuljen e tij, mendon se do të bëhet tërësisht i thyeshëm. Ishte e kotë, që këmbëngulja ta ndryshoja. Ndonjëherë përpiqesha shumë, heshtja e heshtja, por ishte e kotë. Në bisedën pasuese do zbrazja patjetër gjithçka të mbledhur qysh më parë. Zgjidhja e vetme ishte të mos dëgjoja çfarë thoshte. Por nuk mund të isha indiferente apo ta injoroja mendimin e saj. Ishte mamaja ime. Sa do doja të ishte edhe shoqja ime!
     Ndoshta po të kisha një motër, nuk do ta ndieja aq shumë nevojën e afrimit të mëtejshëm me mamanë dhe shqetësimet e mia për marrëdhënien me të do të ishin flluska sapuni në bisedat tona. Sa keq që edhe ime bijë nuk do kishte kurrë një motër! Por të paktën unë do përpiqesha të isha shoqe me të. Nëse përpiqesh, gjithmonë ia del mbanë. Po a mund të isha unë një mama më e mirë për time bije, se ç’kishte qenë ime më për mua? Qysh nga fëmijëria më rëndonte në mendje një thënie: Nuk mund të jesh kurrë një nënë më e mirë nga ç’ka qenë nëna jote. Kjo shprehje ishte fund e krye absurde. Po ta pranoje atë, duhej të pranoje edhe faktin se nga brezi në brez nënat bëheshin më pak të përsosura. Nëse do isha një mama më pak e mirë se e imja, ç’mund të prisja nga fëmijët e mi?
      Estrela po e merrte veten ca e nga ca nga trauma e kaluar. Megjithatë, sërish shfaqej e heshtur dhe fliste pak. Për sytë e mi, ardhja e të vëllait në jetë po e bënte të ndihej mirë. Në kopsht nuk shkoi asnjë ditë. Veç arsyeve të tjera, nuk më bënte zemra ta largoja nga vetja. E dija se ishte vetëm një gjendje e përkohshme, ndaj dhe doja ta shijoja deri në fund. Nuk do kisha më rastin t’i kisha fëmijët e mi kaq pranë dhe për një kohë kaq të gjatë. Rritja e fëmijëve ngjan me rritjen e zogjve, të cilëve me t’u dalë puplat, nuk mund të qëndrojnë më të palëvizshëm dhe sapo arrijnë të fluturojnë të sigurt jashtë folesë, nuk rikthehen më aty.
     Estrela i gëzohej çdo ditë ecurisë së shëndetit tim, megjithëse të ngadalshëm. Përplaste doçkat e saj dhe qeshte duke gugatur si një pëllumb. Madje ishte e gatshme të vendoste objektiva ditorë apo javorë. Kështu, edhe motivimi im, por edhe kënaqësia e përftuar ishin më të mëdha. Ajo përsiatej me orë të tëra në gjetje të emrit të të vëllait. Kishte mësuar të shkruante të gjitha germat e mëdha dhe përpiqej që me to të krijonte emra dhe fjalë. Shpesh ata ishin fare të pakuptimtë, por mjaft të shihje entuziazmin në sytë e saj, për t’u dukur tejet të bukur. Asnjëherë nuk ishte përsëritëse e atyre që dëgjonte, përherë do gjeje origjinalitet në emrat e krijuar. Mahnitesha nga zhvillimi i përditshëm i trurit të saj. Bëhej çdo ditë e më tepër si ai sfungjeri, i cili nuk ngopet asnjëherë duke thithur ujë.            Ndihesha mirë tek i mësoja diçka të re. Estrela ishte jo vetëm lumturia, por edhe krenaria ime. E çuditshme, vërtet, sa dashuri mund të mbartë me vete shpirti njerëzor! Jo vetëm mund të mbartë, por edhe të fshehë. Unë e mbaja të fshehur dashurinë ende të gjallë për tim shoq. Asnjeri nuk duhej të dinte të vërtetën për lidhjen tonë. Për këdo ishte e vdekur. Vetëm për syrin e mprehtë të mjekes sime nuk kishte sekrete. Një herë më tha: Sikur edhe unë të mundja të kisha një lidhje të tillë me nënën time! Do kisha mundur të isha tërësisht e lumtur. Mos e shkatërro këtë lidhje Era, për asgjë e për askënd. Nëse kjo të lumturon, le të jetë sekreti i vogël i lumturisë, askush nuk do të të gjykojë, nëse nuk di asgjë rreth tij. Nisa të përshtatesha me shtëpinë më shpejt nga se e kisha menduar. Ndihesha si të kisha lindur sërish. Kthimi në të më bëri mirë.

No comments:

Post a Comment