Rrëmimi kapitulli XV
Kisha kohë që shkruaja. Në këtë mënyrë kisha
shkëputur lidhjet jo vetëm me dhomën, por
edhe me realitetin. Jeta, s’di prej sa kohësh, por
ishte aty. E pashë dhe u ndjeva si e zënë në faj. Me gjuhën
që veç ne e kuptonim, e pyeta: Prej sa kohësh je këtu? Ajo
nisi të më përgjigjej edhe më çlirët se zakonisht. Dukej se
sekretet s’ishin fusha e saj e fortë - veçse kur bëheshin për
të mirë e dashuri - po t’i referoheshe Shekspirit. Çlirimi
prej tyre e kishte lehtësuar mjaft.
- Mendoj se nuk do të kesh edhe për shumë kohë nevojë
për mua. Kështu do të fitoj statusin e të papunit. Them se kjo
ditë është gjithmonë e më e afërt. Nëse nuk do të kemi lidhjen
tonë mjeke-paciente, besoj se s’do të na lidhë më asgjë.
Ishte vërtet vetëm një shaka, por nga ato që të ngrenë
moralin. Buzëqesha, teksa edhe i përgjigjesha me shkrim.
- Si thua për nisjen e procedurave të divorcit? Duhet
menduar sesi do ndajmë pasurinë. Kjo është çështja
kryesore, duhet të konsultohemi me avokatët përkatës.- Ajo
nisi të qeshë me zë. Vuri kompjuterin mbi komodinë dhe
nisi të më masazhonte këmbët, ndërkohë fliste dhe qeshte.
- Kur të ndajmë pasurinë, kompjuterin merre ti. Unë
do të marr karrocën. S’i dihet, mund të më duhet në jetën
time të re, për ndonjë pacient tjetër. Por unë dua të mos
e prishim miqësinë tonë edhe pas divorcit. Kështu kam
vepruar edhe me disa pacientë të tjerë, madje njëri prej tyre
më ka propozuar për martesë. Ai s’pranonte që s’pranonte
të shërohej, vinte për kontroll e rikontoll thuajse çdo ditë,
derisa u vetekzaminua si i sëmurë akut nga zemra. Bëra ekzaminimin e tij, verifikova diagnozën, e cila çuditërisht
rezultoi sëmundje ngjitëse. Vijova atëherë me një
vetekzaminim, po ajo diagnozë. Kurën duhej ta përcaktonim
bashkë, për këtë dhe kalonim shumë kohë të dy, por
vendosëm njëzëri të mos merrnim mjekimet rutinore.
Ishte hera e parë, që Jeta fliste me mua për jetën e saj private.
Fliste me një lirshmëri të madhe, por edhe me një mënyrë aq
të këndshme, shoqëruar me humor të hollë. Isha shndërruar
e tëra në sy e vesh. Ajo vijonte në po atë mënyrë e ritëm, pa
lënë pas dore edhe masazhin. Ndihesha si një fëmijë, të cilit
i tregojnë përralla dhe e përkëdhelin, derisa ta zërë gjumi,
madje qepallat sa vinte e bëheshin më të rënda, por unë nuk
doja të mbyllja sytë, jo pa dëgjuar fundin e lumtur.
- Një ditë, ai më propozon diçka krejt të pazakontë, ta
kalonim së bashku atë jetë, e cila i kishte mbetur secilit
prej nesh, do të ishte deri në vdekje, duke bashkëjetuar me
sëmundjen tonë, e cila rezultonte për të dy e pashërueshme.
I thashë se kisha nevojë të flisja me tim atë, por përgjigjja
ime paraprake ishte pozitive. Ai më rrëmbeu në krahët e
tij të fortë dhe më rrotulloi, më pas më lëshoi ngadalë, u
afruam për të shkëmbyer puthjen e rastit...
Këtu u mbusha me frymë. Më në fund! Duartrokita me entuziazmin
e një fëmije, po afronte çasti më i bukur, ëmbëlsira.
- O Zot! Ç’më bëre? Por si guxoje?
Ajo mori në fytyrë një pamje të tjetërsuar, të egërsuar.
Pothuajse po më trembte ky ndryshim i beftë. Ndodhi aq
shpejt, sa nuk kisha kohë as të mendoja e jo më të ngrija
hipotezat e zakonshme: Çfarë bëra? Thjesht shpreha
një emocion, të cilin nuk munda ta përmbaj. Megjithëse
përpiqesha të vetëkontrollohesha përherë e më shumë,
nuk munda ta fsheh që jam natyrë impulsive. Meqenëse
nuk mund të brohorisja, duartrokita.
- Më zgjove nga ëndrra dhe princi im u largua, pa më
dhënë as puthjen e lamtumirës. Sa herë e ëndërroj, do
ndodhë diçka për të na ndarë. Gjithkush është xheloz për lidhjen tonë, duan të na ndajnë, kjo është shumë e padrejtë.
Më kishte lënë pa fjalë, kisha menduar se për herë të
parë po hapte zemrën me mua. Në të vërtetë, kisha njohur
një anë të saj, që deri atëherë për mua ishte e pazbuluar,
dhuntinë e saj në aktrim. Ishte e mrekullueshme, madje
edhe në krijimin e situatës. Për asnjë çast nuk kisha dyshuar
në vërtetësinë e asaj që po dëgjoja.
Doli nga roli dhe buzëqeshi. Të dyja qeshëm, me zë dhe me
gjithë shpirt. Mund të ishte një terapi e mirë pas një periudhe
të gjatë me zënka e keqkuptime. Në të vërtetë, e qeshura me zë
është një nga rrugët që lançohet si ndër më të shkurtrat për të
arritur te lumturia. Por nuk është aspak e thjeshtë si në dukje
për ta vënë në jetë. Kur ia del mbanë, e sheh se funksionon.
- Si mendon, a mund të shkruaj romane? Nëse vendos të
shkruaj, të propozoj një vend pune, redaktore dhe botuese
ekskluzive për veprën time,- më tha ajo e më pas ra një heshtje
e shkurtër, secilës prej nesh i nevojitej një pauzë e tillë.
- Mos u tremb, nuk do të të rrëmbej lexuesit, më
mungon durimi për t’u marrë me kësi punësh, por të them
të drejtën, më pëlqen të mbyll sytë dhe të sajoj të paqena.
Nuk di në u ndodh edhe të tjerëve dhe deri në çfarë mase,
por ja që mua më pëlqen. Më çlodh e më bën të ndihem
mirë. Kujtoja se do të zhdukej gjatë adoleshencës, por jo
mbeti në po atë masë. Ti je e para, e cila njohu të fshehtën
time. Mos e përdor kurrë këtë informacion kundër meje!
Merre si një sekret profesional, si të thënë nën rrëfim.
.Qeshte! Unë ndjeva se kisha një njeri pranë, dikë me
të cilën mund të bëheshim mikesha të mira. Përfundoi
masazhin dhe rendi për të vijuar me punët e tjera. Ishte e
detyruar të bënte gjithçka vetë, për shkak të fshehtësisë.
Për arsye sigurie, askush nuk mund të hynte aty. Ajo lodhej
nga punët, kurse unë nga ngarkesa e mendimeve, të cilat
mbivendoseshin sfiduesë mbi njëri-tjetrin. Siç thotë edhe
Bodleri: Mendja s’është gjë tjetër veçse një palimpsest. Aty
shtresohen mendime, imazhe, kujtime, të cilat jo vetëm mbivendosen, por edhe ngatërrohen mes tyre.
Papritur, ndjeva të më rëndonte koka aq shumë, sa edhe
jastëku po lodhej prej saj. Shtypa butonin e ziles. Më erdhi
pranë. Kur më pa, kujtoi se edhe unë po bëja lojë, si ajo
më parë, por shpejt kuptoi se kishte vërtet diçka që nuk
shkonte me shëndetin tim.
Urreja faktin që isha në atë gjendje. Më tepër më rëndonte,
kur i kërkoja diçka, të cilën nuk mund ta bëja vetë. Kjo
gamë kërkesash përfshinte pa mëshirë brenda saj cilëndo
fushë. Nuk ishte aspak e lehtë për mua. Gjithçka ajo bënte
karshi meje, sikur bëhej plumb e rëndë në ndërgjegjen
time. Me kalimin e kohës, kuptova se kjo nuk lidhej aq me
situatën në të cilën ndodhesha, sa lidhej me karakterin tim.
Shumë pak bashkëpunuese me të tjerët në gjithçka. Punoj
në grup vetëm se jam e detyruar ta bëjë, por nëse do kisha
mundësi, pa dyshim do bëja gjithçka vetë.
Madje, kishte raste që nguroja gjatë përpara se t’i kërkoja
diçka. Mundohesha që gjithçka ta peshoja mirë, nëse nuk
ishte vërtet e nevojshme, madje e domosdoshme, përpiqesha
ta harroja. Për fat të mirë jo gjithmonë mendohesha kaq
thellë para se t’i kërkoja diçka. Në të kundërt, ndoshta ajo
peshë që ndieja në shpirt, do të ishte edhe më e rëndë. E
rëndë është t’i detyrohesh dikujt, mjaft e rëndë, por edhe
më tepër më rëndonte ta doja vërtet diçka e të mos mund
ta realizoja. Ngushëllohesha me faktin se kjo situatë ishte
thjesht e përkohshme. As që guxoja ndonjëherë të mendoja
të kundërtën. Do të ishte mizorisht e tmerrshme.
Kur bëhej fjalë për shëndetin, nuk e mendoja dy herë
para se ta thërrisja për ndihmë. Të paktën qysh prej kohës
kur mësova se nuk isha vetëm, nuk mund të bëja me
shëndetin lojën e fshehtë të dikurshme. Nuk isha aspak
duke u shtirur. As që po mendoja të tërhiqja vëmendjen
e saj. Diçka po më ndodhte. As atëherë, madje as tani nuk
mund të përshkruhet me fjalë. Fjalët shprehin të gjitha
ndjenjat dhe mendimet tona, por diçka, e cila nuk ka asnjë pikëtakim me to, si mund të materializohet?
Shihja vajzën time, me shtatin e saj të brishtë, sytë e kaltër
e të thellë, flokët e grunjtë, të shprishur dhe me një pamje thuajse
të tejdukshme në fytyrë. Nuk ishte ëndërr. Më shfaqej
para syve me ato bishtalecat e saj, sikurse buzëqeshja e shkujdesur.
Me një shpejtësi të madhe vinte e më zvogëlohej para
syve. Arriti të bëhej foshnjë dhe të qëndronte në krahët e mi.
Pamja dukej reale. Ishte sikur kujtoja gjithçka rreth saj, jo
duke u nisur nga e shkuara drejt së tashmes, por anasjelltas.
Isha në maternitet, sapo isha bërë nënë për herë të parë.
Në dalje të anestezisë nisa të shihja gjithnjë e më qartë. Një
infermiere hyri në dhomë me vajzën e sapolindur në duar.
Ma vendosi në krahë. Ishte një ndjesi e papërshkrueshme me
fjalë. Një fëmijë vërtet i mrekullueshëm, fëmija im. Fytyra
e vogël, doçkat si të një kukulle, ajo aromë e veçantë më
bënte të mos doja të ndahesha kurrë prej saj. Më dukej se u
desh vetëm një grimë, që ajo zemër e vogël të mos rrihte më
jashtë meje, por brenda qenies sime, si edhe më parë. Isha
e sigurt se në po atë mënyrë do ishte edhe më vonë, madje
përgjithmonë. Ngjan pak a shumë me atë fatin e shkruar,
të cilin edhe nëse do, nuk e ndryshon dot, nuk mund të
kesh as forcën dhe as mundësinë e duhur. Nuk bëhet aspak
fjalë për lindjen e një krijese si një proces të natyrshëm fizik.
Këtu është fjala për një proces të tërë shpirtëror. Është pak
a shumë si të rilindësh vetë, si të rinisësh jetën nga e para.
Ai fëmijë i përket vetvetes sa edhe ty,- të paktën kështu ta
ka ënda të mendosh. Këtu nis udhë egoizmi, të cilin besoj se
është çasti ta lëmë krejtësisht mënjanë.
Ajo dhimbje fizike, të cilën dalja e anestezisë i jepte edhe
më tepër forcë, mbytej nga ndjenjat e amësisë. Ishte një ndjesi
e pashpjegueshme. Krenohesha me vetveten, kisha mundur
të falja jetë. Ndihesha e lumtur, sepse kisha tashmë një krijesë,
të cilën e doja sa gjithë krijesat e tjera të botës së bashku. Madje
shumë-shumë më tepër. Do të mbillja në shpirtin e vogël
dashurinë, me shpresën, se një ditë do të më kthehej sërish prej tij. Ndoshta kjo është edhe arsyeja kryesore që njerëzit
vendosin të kenë fëmijë. Nevoja aq e madhe që ka kushdo për
t’u dashur nga të tjerët. Dhe këtu nuk është fjala për ndonjë
dashuri të cekët e kalimtare. Kjo lloj dashurie është e thellë
dhe, për fatin tonë të mirë - ose edhe për fatin tonë të keq -
mund të jetë edhe më jetëgjatë se ne. Këto janë mirësitë që
ndoshta-ndoshta nuk na shkon për shtat t’i pranojmë, por
vetëm lidhjet e gjakut mund t’i mbartin në vetvete.
Herë shihja vetëm vajzën e herë tjetër vajzën së bashku
me mamanë e saj të lumtur. Mund të shihja veten me sytë e
dikujt tjetër. Ishte një tjetër ëndërr, brenda së njëjtës ëndërr
e megjithatë, sërish mund të pohoj me zë të lartë se nuk
ishte aspak e tillë. Arrija ta perceptoja si të ishte tërësisht
reale. Ishte një tablo idilike. Por diçka, më saktë, dikush
mungonte për të qenë e plotë. Aleksandri duhej të ishte
aty, pranë nesh. Vetëm në këtë mënyrë mund të plotësohej
kuadri i familjes tërësisht të lumtur.
Dera u hap lehtë, si me drojë. Ishte Aleksandri. Në duar
kishte dhurata për ne. I qeshur, por edhe i mallëngjyer,
ndoshta që po na shihte së bashku, për herë të parë. Sa të
ëmbël ata hapa mbi dysheme! Por çuditërisht trokisnin në
veshin tim si të ishte hera e parë që i dëgjoja. Ishin shumë
më të rëndë se ata që mbaja mend, mbi dyshemenë e spitalit.
Këta trokisnin në dysheme, ndërsa ata,- megjithëse dikur
kam thënë se trokisnin,- vetëm fëshfërinin, duke lëmuar
lehtë jo dyshemenë, por veshin tim si një fllad pranveror.
Sidoqoftë, ishte po ai. Kjo kishte vërtet rëndësi. Të tjerat
kishin fare pak peshë për të na çuar te lumturia.
- Lule për lulen dhe një lepurush për lepurushen time
të vogël!
U afrua pranë nesh dhe na përqafoi ëmbël dhe butësisht.
Megjithëse përherë e kam kuptuar se isha një grua e fortë,
me një kurajë të madhe për të kaluar çdo situatë, ai përqafim
më bëri të kuptoja sa shumë nevojë kisha për të. Me ata
krahët e tij të fortë e të ngrohtë, na bënte të ndiheshim të mbrojtura dhe të dashura njëkohësisht. Ky ishte burri
i jetës sime, burri i ëndrrave të mia. Ky ishte burri pa të
cilin nuk mundja, por as dija të jetoja. Kjo ishte familja, të
cilën ëndërroja prej kohësh të më kthehej. Do bëja gjithçka
për të. Ishte idealja edhe mes ëndrrash. Më bënte të besoja
se nuk ishte iluzion, veçse kujtesa, e cila po kthehej për të
më bërë thellësisht të lumtur. Mbetej vetëm një hallkë e
vogël e zinxhirit jetësor të lumturisë, ajo që do të lidhte të
shkuarën me të ardhmen. Ky do të ishte çasti, kur familja
ime të bashkohej. U binda se nuk do të ishte shumë larg
dita. Vijoja ta shihja pranë. Po të vazhdonte kështu, do
përfundonte duke na llastuar të dyjave. Aq më mirë për të
tre. Nga kjo s’kishte për të ardhur kurrë asgjë e keqe.
-A mund ta shkëpus vajzën nga nëna e saj për disa minuta?
Sigurisht që mundej. Dashuri aq e madhe s’do të më
bënte vetëm më të mirë,- fundja si çdo grua, kur bëhet
nënë,- por do të më shtonte edhe egoizmin. Do doja të mos
shkëputesha asnjë çast prej sime bije. Në kësi raste mund
të bëja edhe ndonjë përjashtim.
- Sigurisht që mund ta marrësh në duar, por s’ke për t’ia arritur
të më shkëpusësh prej saj, këtë nuk mund ta bëjë askush.
Të dy përkulëm trupat, ajo kalonte nga duart e mia në
duart e tij. Ai e puthi vogëlushen lehtë mbi ballë, sikurse
edhe mua pak më parë. Dukej vërtet i mallëngjyer.
- Të dua dhe të premtoj të të dua përjetësisht!
- Edhe unë do të të dua sa të kem jetë!
- Premtoj, se do të jem si një baba i vërtetë për të. Ajo nuk
do të më njohë kurrë ndryshe, përveçse si të atin, apo jo?
- Sigurisht i dashur, e kemi vendosur këtë tashmë.
Mbylla veshët me duar. I shtrëngova sa munda. Këtë
nuk duhej ta kisha dëgjuar kurrsesi. Aty rrjedha e kujtimeve
duhej të qe ndalur. Patjetër që duhej të kisha arritur ta
ndalja. Fatkeqësisht nuk kisha mundur. Këtu m’u shemb
në shpirt kalaja e ëndrrave të mia. Ai nuk ishte i ati i saj,
ndaj i shmangesha pyetjes se cili ishte babai biologjik. Nuk i përgjigjesha dot derisa të mund të kujtoja, por pyesja veten
se ç’lloj gruaje isha. Mbi ç’baza ta kisha ndërtuar jetën time?
A kisha qenë ndonjëherë vërtet e lumtur? A e kisha bërë të
lumtur njeriun që kisha përkrah? Përse ai kishte qëndruar
pranë meje, ishte martuar me mua ishte bërë baba i vajzës
sime? Ai s’dija të kishte pasur asnjë interes tjetër karshi meje.
Duhej të më kishte dashur vërtet, madje shumë.
Vajza më doli përpara syve sërish, por këtë radhë krejt
ndryshe, e rritur. Me po atë pamje dhe shprehje fytyre si
edhe më parë. Ajo më foli, zëri i saj ishte muzika më e bukur
në botë. Ekzistonte një antidot për shpirtin tim të helmuar.
- Të dua shumë, mami! Më ka marrë malli shumë për ty,
edhe për babin.
- Edhe mua zemër, doja kaq shumë të të shihja.
Në këto fjalë pamja m’u mjegullua. Dëgjoja një zë të më
thërriste në emër. Ishte Jeta, po përpiqej të më zgjonte dhe
ia kishte dalë mbanë. Ç’kontrast drastik mes ëndrrës dhe
realitetit, i njëjtë me kontrastin mes lumturisë dhe brengës.
Me t’u zgjuar, më pushtuan dilemat. Ishte fantazi fund e
krye apo kishte brenda saj edhe kujtime? Instinktivisht
besova se kujtesa po kthehej. Edhe mjeku, i cili ishte
specialist i kësaj fushe, besonte se kjo do të ndodhte shpejt,
por i trembej kthimit të saj të vrullshëm. Mund të ishte
një mbingarkesë për sistemin nervor, tashmë jo vetëm
të lodhur, por edhe të ndjeshëm. Sipas ndjesive të mia,
s’më kishte bërë keq fakti se tashmë kujtoja, por ajo ç’ka
kuptova. Aleksandri nuk ishte babai i vajzës sime, kjo më
bënte të ndihesha jo mirë, madje e keqe.
E kisha perceptuar si njeriun ideal vetëm duke e ndier
pranë, ende pa e parë apo dëgjuar. Ishte në kufijtë e
përsosmërisë në cilindo drejtim që e shihja. Ndërsa unë...
Jeta ishte aty pranë, u përkul dhe më foli.
- Si ndihesh tani? Parametrat jetësorë flasin për një
normalizim të situatës. Megjithatë, dua ta dëgjoj edhe nga ty.
Shqetësimi i saj nuk ishte aspak edhe imi. Me të doja të ndaja të tjera mendime, ndaj i bëra me shenjë të më afronte
kompjuterin. Pamja e saj ndryshoi, sapo e kuptoi.
- Je tepër e lodhur për t’u marrë me të. Tani ke nevojë të
çlodhesh e të flesh.
Nuk mund të hiqja dorë nga ajo që kisha vendosur. Do
ta merrja vetë, mundesha. Kur e kuptoi vendosmërinë time,
më ndihmoi. E pa se nuk i kisha lënë asnjë zgjidhje tjetër.
- Besoj e di se ç’po të ndodh. Ti mendon se është koha e pyetjeve
e pra edhe unë mendoj se jam gati të të jap disa përgjigje.
- Cili është babai biologjik i vajzës sime?- Ishte një pyetje,
të cilën jam e sigurt se nuk e priste. Koha e të menduarit të
saj ishte tepër e gjatë konvertuar në pritje tek unë. Më në
fund vendosi të flasë.
- Ky është një argument, të cilin e kam shmangur gjithmonë,
është ai që do të të bënte të vuaje më tepër. Më mirë të mos
flasim përreth tij. Nuk do t’i lejoja vetes të isha pjesë e çështjeve
kaq delikate e intime njëkohësisht. Për mendimin tim, është
shumë më mirë ta mbyllim me kaq këtë bisedë.
- Të lutem, është tejet e rëndësishme për mua të di.
- Prit pak, nga na doli kjo pyetje? Me siguri nuk është
frut i temperaturës mbi dyzetë e një gradë? Ke nisur të
kujtosh, a s’është kështu? Më thuaj çfarë tjetër ke kujtuar?
- Asgjë tjetër. Vajzën dhe bashkëshortin, i cili po dyshoj mos
ishte vetëm një bashkëshort sa për t’u shfaqur në faqet e para.
Ndoshta edhe unë i shërbeja atij në këtë pikë, sa edhe ai mua.
- Po tani si ndihesh? Si thua është nevoja të thërras
mjekun specialist?
- Të lutem! Ajo për të cilën kam nevojë, nuk është specialisti
dhe aq më pak pyetjet e tua. Kam nevojë për përgjigje. Dhe
më mirë se nevojë, duhet quajtur domosdoshmëri. Përgjigje.
- Të cilat, do të të bënin vetëm të vuaje.
- Të cilat do të më bënin vetëm të kuptoja. Cili është ai?
Ajo më mori dorën në duart e saj. Përse duhej të ishte e
rëndë për të më folur për babain biologjik të fëmijës tim?
Më të rëndën tashmë e dija, por edhe bashkëshorti im e dinte. Këtë e kujtova qartë, mes nesh nuk kishte gënjeshtra.
Të paktën kjo deri diku ishte ngushëlluese.
- Babain biologjik të vajzës tënde. Nuk mund ta di,
cili është babai biologjik i vajzës tënde. Mos harro, as që
njiheshim vite më parë. Dhe është diçka, të cilën nuk besoj se
e ke diskutuar as me familjarët e tu. Publikisht të paktën për
këtë nuk është folur kurrë. Por unë kam një hamendësim,
të cilin ndoshta është shumë më mirë, nëse e mbaj për vete.
- Të lutem, ma thuaj! Nuk është rasti ta mbash për vete,
qoftë ai edhe hamendësimi më i parëndësishëm për ty.
Ndoshta na ndihmon për të na çuar diku.
- Mos është ai shkaktari i fatkeqësive të tua dhe familjes
tënde?
Kishte të drejtë, ishte edhe më e rëndë se ç’kisha menduar.
Duhej të isha e fortë, në radhë të parë i detyrohesha vetes.
Mora frymë thellë. Më duhej pak kohë për të qenë e qetë,
kohë gjatë së cilës nuk mund të mendoja, apo të arsyetoja.
- Ndihesh mirë? Ishte një gabim, nuk duhej të të thosha asgjë.
- Nëse ai është babai biologjik i vajzës sime, nuk do
guxonte kurrë t’i vinte zjarrin shtëpisë pa qenë i sigurt se ajo
nuk ndodhej në të. Në të kundërt, do të ishte një përbindësh.
Mund të pranojë se ai është një zjarrvënës, por jo të jetë një
fëmijëvrasës. Nuk dua ta besoj se kam qenë ndonjëherë kaq
e marrë sa për të futur në jetën time një njeri të tillë.
- Më fal për këtë që sapo thashë. Të lutem, më fal! Të dyja
e dimë fare mirë se nuk ka asnjë bazë për të qenë e vërtetë.
A nuk të thashë se ishte thjesht një supozim? Madje ishe
vetë ti që e quajte absurd.
Nuk kisha përse ta falja. Ajo nuk kishte bërë asgjë për
të kërkuar falje. Por nuk di a do arrija të falja ndonjë ditë
veten time. Atë duhej vetëm ta falënderoja, më kishte bërë
që më në fund të hapja sytë, të shihja, të mendoja. Sado i
ashpër të jetë realiteti, mosnjohja e tij më kishte hidhëruar
për një kohë mjaft të gjatë.
Por ajo kurrë s’më kishte përmendur daljen e vajzës apo të Aleksandrit nga shtëpia ditën kur ajo u dogj. Madje as
i ati i saj, hetuesi profesionist, Agim Gjoni, nuk e kishte
bërë diçka të tillë, megjithëse ishte mjaft e qartë për këdo
se ishte ajo që më interesonte më tepër. Çfarë të më kishin
fshehur tjetër vallë? Po kur do vinte ajo dreq kohe që të
zhdukte gjithë të fshehtat e jetës sime? Megjithatë, dyshoj
se kjo lloj kohe vjen ndonjëherë në jetën e ndokujt.
- Kur doli vajza nga shtëpia?
- Para se asaj t’i vihej zjarri,- tha më në fund, pas një
ngurrimi jo të shkurtër.
Pyetjen që po mendoja, kisha frikë ta bëja. A mundej një
njeri të duronte aq shumë? A do duronte zemra ime emocione
të tjera, po kaq e madje edhe më të forta? Por dukej se
ajo ishte mësuar tashmë, merrte vazhdimisht vetëm goditje
e hidhërime. Ishte si të mos dinte të jetonte pa praninë e tyre.
- Me kë doli Estrela nga shtëpia?
- Me të atin e saj biologjik mendoj, me atë që hamendë-
suam pak më parë. Në këtë pikë, edhe ne kishim bërë disa
supozime, në bazë të të cilave bashkëshorti yt nuk ishte babai
biologjik i saj. Sidoqoftë, më pas i anashkaluam duke menduar
se ishim në rrugë të gabuar. Babai më tha se do të bënte
një test ADN-je, por ende nuk më ka përmendur ndonjë rezultat.
Ajo që më the pak më parë, nuk bën gjë tjetër, veçse më
shtyn të mendoj, se ndoshta ishim në rrugë të drejtë.
- Dhe ku është ajo tani, me cilin?
- Me të atin e saj biologjik, të supozuarin nga ne sigurisht.
- Ai s’e di se ne jemi gjallë, apo jo?
- Ndaj u sajua vdekja jote, në këtë mënyrë ti s’rrezikoje prej tij.
- Po vajza? Po siguria e saj?
- Menduam se ai do të kujdesej për të dhe nuk do t’i bënte
keq. Babai thotë,se tani janë shumë pranë gjurmëve të tij. A
s’të premtoi ai se së shpejti do ta kishe vajzën në krahët e tu?
Im atë i mban përherë premtimet. Ma ka treguar këtë një jetë
të tërë. Kështu do të ndodhë edhe me ty. Gjithçka që duhet
të bësh, është të kesh durim dhe besim. Asgjë më tepër.
- Do të thotë se ajo ka qenë për javë të tëra vetëm me
të dhe babai yt nuk ka bërë gjë tjetër, por vetëm ka gjetur
gjurmët e tij dhe jo atë vetë? Patjetër duhet të flas me babanë
tënd. Ai duhet ta dijë se ne jemi gjallë. Më mirë të them
unë, kjo duhet të jetë një çështje mes ne të dyve. Nëse ai ka
gjithë këtë mllef, do të jetë shkaktuar për fajin tim, duhet ta
zgjidhë me mua. Vajzën duhet ta lërë të qetë. Estrela nuk
ka asnjë faj, ajo është vetëm një fëmijë, një engjëll. Me mua
mund të përfundojë atë që s’mundi ta çonte në fund për faj
të babait tënd. Jam e gatshme të vdes për vajzën time. Nuk
kam as më të voglin ngurrim.
- Pra, je e gatshme të sakrifikosh një fëmijë për një tjetër?
Bën mirë ta mendosh më thellë! Lërja tim eti këtë punë. Ai
është më i zoti në këtë fushë.
- Ndërsa unë jam mamaja.
- Një nënë duhet t’i dojë njëlloj fëmijët e saj, si gishtat e
dorës thuhet apo jo?
Jo vetëm që nuk dija si të veproja, por as ç’të mendoja.
Nuk mund të isha e nevojshme për vajzën time. Gjendja
ime fiziko-mjerane më bënte të ndihesha tërësisht e pavlerë.
Ç’mund të bëja? Asgjë. Vetëm mund të qëndroja e palëvizur
dhe e panevojshme, si një dru. Isha thjesht një mobilie më
tepër në mjedisin ku jetoja. Sikur po i rëndoja edhe vendit,
aq e kotë dhe e panevojshme m’u duk qenia ime aso kohe.
- Arsyet e vërteta të acarimit të tij deri në këtë
fazë i di vetëm ti. Nëse do të kujtoje diçka përreth tij
dhe marrëdhënieve tuaja, kjo do të ishte një ndihmë e
paçmueshme për hetimin.
- Po familjarët e mi, do të thuash se nuk keni folur me ta?
- Ata nuk e njohin e madje s’dinë asgjë për të. Për ta,
babai i fëmijës është bashkëshorti yt.
- Po Aleksandri ç’thotë, a keni folur të paktën me të mbi
këtë temë?
- Fatkeqësisht, nuk mund të flasim me të. - Arrij ta kuptoj sa e vështirë do ishte për të që të fliste për diçka të tillë, aq më tepër me të panjohur, tepër e rëndë.
- Për ne do të ishte tërësisht i pamundur komunikimi me të.
- Ju kuptoj. Por, a nuk do të kishte qenë më mirë të
paktën të kishit bërë një orvatje?
- Do të ishte krejt i pavend edhe vetëm mendimi.
- Dua të kujtoj, por nuk di se çfarë duhet të bëj për t’ia
arritur. Është hera e parë që kam një dëshirë kaq të madhe,
por edhe guximin e duhur për ta bërë këtë. Ndoshta do të
mund t’u thosha se ku duhej të kërkonit. Po të më kthehej
kujtesa, jam plotësisht e sigurt se do ndihmoja për diçka.
- Nëse do të provonim me një fotografi të tij?
Do të thuash se ke një foto të tijën?
- Jo, por mund të kërkoj në internet. Ai është person i
shpallur në kërkim nga policia, padyshim që emri shoqërohet
edhe me foto. Je e sigurt se mund ta përballosh gjithë këtë
emocion? Të them të drejtën, unë i trembem shumë gjithë
kësaj që po kurdisim. Mos jemi duke bërë ndonjë çmenduri?
Si thua, je e sigurt se mund ta përballosh apo jo?
- Jam më se e sigurt. Po.
Ajo shkoi në dhomën tjetër, aty ku me sa duket kishte
kompjuterin të lidhur me internetin. Koha më dukej aq e
gjatë dhe e rëndë, sikur rrinte pezull si edhe unë, por ajo
rëndonte e qetë mbi kokën time. Nuk mund të bëja asgjë për
ta shmangur. Duhej të përpiqesha të kujtoja, për këtë askush
nuk kishte ndonjë formulë të veçantë, por mund të provoja.
Mënyra më e mirë mendova se do të ishte të përqendrohesha
tërësisht aty. Kjo çështje ishte vërtet për jetë a vdekje.
Jetmira hyri në dhomë me një usb në dorë, e vendosi
në kompjuter. Ndjeva zemrën të më rrihte fort, kisha një
ankth të pashpjegueshëm. Ishte si të më mungonte ajri e të
mos mbushesha dot me frymë.
- Ja, ja, ku është fotoja e tij.
Në të mbizotëronte ngjyra e zezë: në tipare, në ngjyrën
e lëkurës, në mjekrën e parruar, në mollëzat e gropëzuara,
në flokët e paqethur, në ligësinë që i buronte ngado. Sapo e pashë, diçka më shtrëngoi kraharorin. Krejt papritur lëvizi
nga fotografia, u bë i gjallë. Zgjati duart drejt meje. I ndjeva
ato duar mbi trupin tim. Ishte prekja më neveritëse në botë.
Në mënyrën më të ndyrë, ato duar më kaluan përgjatë
trupit. I shihja teksa më shtrëngonin fytin, më godisnin
dhe më bënin të ndihesha krejt e fëlliqur. Ishte sikur të mos
isha unë. E mpirë dhe krejt e pafuqishme për të reaguar.
Gjithçka vërdallë më qerthullohej. Pothuajse asnjë imazh
nuk më vinte i qartë. Mbi dysheme kishte qelqe gotash të
thyera dhe aroma e alkoolit më shponte hundën. Ajo nuk
kishte aq forcë, sa për të më kthjelltësuar. Kishte guximin
të ngrinte dorë mbi mua! Qenia më e shëmtuar dhe më e
ndyrë në botë qëndronte para meje, pranë meje, zhgërryhej
turpshëm përgjatë trupit tim. Vijoja ta shihja, por përtej
pështirosjes dhe neverisë, nuk ndieja më asnjë dhimbje
fizike. Ato as që kishin më ndonjë peshë krahasuar me këto
të fundit. Janë më të parëndësishmet dhe të padhembshmet.
Sa për të tjerat jo vetëm që më mungon dëshira për të
treguar, por jam përpjekur gjatë t’i harroj. Kjo shpjegon
diçka mjaft të rëndësishme, humbja e kujtesës ishte në një
farë mase një guaskë mbrojtëse. I kam flakur prej kohësh
ato kujtime të hidhura atje, në bodrumin e gjithçkaje të
padenjë dhe çelësin e kam hedhur pas, për të mos e hapur
kurrë më atë derë. Ia kam premtuar vetes prej kohësh dhe
ky është nga premtimet më të shenjta për mua. Nuk kam
për ta shkelur, për asnjë arsye, për askënd.
Isha si e mpirë nga anestezia. Nuk mund të thosha sa të
vërteta ishin ato që kisha para syve të mendjes, por i përjetoja
si të ishin krejt reale. Po ku e kisha rrëmuar atë krijesë që
vetëm njeri nuk mund ta quaja? Mes një lumi fjalësh të thëna
prej tij, më mbeti në mendje diçka: Ti nuk meriton të jetosh
moj zuskë, ti duhet të copëtohesh në fund të asaj gremine që
e kam parë sa herë kam ikur në këmbë për në Greqi. Ai është
vendi yt! Ta kam bërë gati, është vetëm për ty. Sa i lumtur
mund të shkoj në Athinë, pasi të të kem çuar në vendin tënd! Aty shkruaj romanin për historinë tënde, siç bëre me timen.
Të siguroj se nuk do ta shkruash me bojë, por me gjakun
tënd. Hajde! Çohu tani! Lëviz!
Ç’mund t’i kisha bërë atij njeriu? Përse ai ndiente aq
urrejtje për mua? Ishte krejt i palarë, si të kishte jetuar
në ndonjë kazan plehrash! Por asnjë plehrë nuk ishte e
tillë para tij. Nuk dua të flas më gjatë për të, më bën të
vuaj thellësisht. Dhe askush nuk do përfitonte asnjë lloj
kënaqësie duke dëgjuar për një krijesë kaq të padenjë për
t’iu shtuar krijesave të tjera. Ishte krejt djallëzor, ky është
dhe përcaktimi më i saktë për të.
U dëgjua zilja e derës tek tringëllinte furishëm disa
herë rresht. Dera u hap me forcë. Më pas, zëra, zëra të
ngatërruar, të shara, kërcënime, zhurmë, goditje, përplasje.
Nuk kisha forcë të hapja sytë, të dëgjoja më tepër.
Aroma e alkoolit më bëri të vija në vete, të nisja të krijoja
lidhje me realitetin. Në ato çaste do doja të mos zgjohesha
më kurrë. Mos vallë vetë djalli ishte kujdesur për mua, të
mos vdisja, për ta pësuar sërish prej tij? Rashë sërish në atë
gjendje, së cilës e kisha thuajse të pamundur t’i vendosja
një emër. Ndoshta gjyshja do ta quante kllapi. Thashë me
vete atë shprehje që të gjithëve na ka rënë rasti ta dëgjojmë
shpesh, por që këtë herë e kisha thënë me gjithë forcën e
shpirtit: Hapu dhe të futem! Nuk mundja të duroja më tepër
se aq. Isha thjesht një krijesë njerëzore.
- Era, hapi sytë, Era! Jam unë këtu. Gjithçka mori fund,
mos ki frikë.
Ishte Aleksandri, si një engjëll, e shihja mbi krye. Isha ende
gjallë. Një mrekulli! Jo që isha gjallë, por që ai ishte pranë
meje, ishte ai mrekullia ime e vetme. Më buzëqeshi ëmbël.
Nuk ia ktheva. Mos mendo më kot se nuk kisha dëshirë për
këtë. Ndihesha tepër e ndotur për t’ia kthyer atë buzëqeshje,-
megjithëse ai më kishte larë e ndërruar, siç e kuptova kohë më
vonë, por që asnjëherë nuk mund ta kujtoja. Asnjëherë më nuk
do ta shihja veten të barabartë me të, as të pastër, pavarësisht ujit apo detergjentit të shpenzuar pa kufi. Ai maskara kishte
lënë gjurmë të thella, gati të pashlyeshme në trupin tim, në
shpirtin tim, në jetën time. E shihja tek më buzëqeshte sërish.
Me siguri e bënte që të ndihesha më mirë. Sepse, askush nuk
mund të mohonte një dhimbje të tillë e të qeshte mbi të. Jam e
sigurt se edhe ai vuante, shumë.
Këtu pamja m’u mjegullua dhe nuk mund të shihja a të
kujtoja diçka tjetër. Të ishte e vërtetë ajo që më erdhi si një
vegim? A mund të kujtoja copëza të tjera të së shkuarës?
Jeta më kishte pyetur vazhdimisht si ndihesha. As që kisha
menduar për t’i kthyer përgjigje. Kur munda të marr disi
veten, isha gati të shkruaja, të komunikoja me të. Megjithëse
e lodhur, madje e sfilitur, do gjeja aq forcë, sa për t’i ardhur
në ndihmë sadopak sime bije. Mbi të gjitha isha nënë.
- Mund ta kujtoj këtë njeri. Është më i mbrapshti dhe më
djallëzori që mund të gjendet mbi dhe. Ndoshta di diçka,
që duhet t’ia themi babait tënd.
- Po, por më parë duhet të kujdesem për ty. Ky ishte
një emocion tepër i madh. Nisma që ndërmorëm ishte e
nxituar. Për fat të mirë, e përballove me guxim tepër të
madh. Pas gjithë kësaj je vërtet e dërrmuar.
- Mos i trego që përdorëm fotot për të sjellë ndërmend
ndonjë hollësi. Nuk ka shumë rëndësi rruga, por pikëmbërritja.
Tani që u sigurove se jam mirë, mund të flasësh me të? Mendoj
se babai yt do të jetë i interesuar të dijë se djalli është drejtuar
për në Athinë. Ndoshta nga ajo rrugë, të cilën e ka përshkruar
disa herë më parë në këmbë. Ai më pat thënë se përgjatë saj
është një greminë e frikshme, më tmerron ideja mos vajza ime
rrezikon atje. Mund të ta përshkruaj shumë më mirë me po
ato fjalë që përdori edhe ai i mallkuari.
- Edhe diçka Era, do të të jap më parë një qetësues.
- Të lutem! Ti e di mirë sesa shumë i urrej.
- Kur njeriu bëhet tepër i fortë në një çast të vështirë, përvoja
më thotë se gjithë këtë dobësi mund ta shfaqë më vonë. Askush
nuk mund të dalë mbi veten, të paktën jo për shumë kohë.
Nuk bëra naze, nuk bëhej më fjalë vetëm për mua, por
edhe për fëmijën tim. Si mund të përballonte ai diçka aq
të tmerrshme? Asnjë tekë nuk do t’ia lejoja vetes. I isha aq
shumë borxhlie, sa nuk e dija në do mundja ndonjë ditë të
shlyeja gjithçka. Mendoja se i detyrohesha shumë më tepër
nga sa mund të bëja.
- Mirë, po shkoj.
Jeta doli nga shtëpia. Mbase kishte nevojë të fliste
drejtpërdrejtë me të para se ai të vinte në apartament.
Unë mbeta aty, pa mundur të lëvizja apo të bëja diçka.
Ndihesha tejet e lodhur, po kapitesha nga ajo peshë e
madhe, ndoshta ishte koha të flija. Qetësuesi me sa duket
kishte bërë punën e vet. Por edhe unë kisha vënë në punë
gjithë vullnetin që më kishte mbetur. Tani për tani ishte
më e mira që mund të bëja. Qerpikët ishin puthitur mirë
me njëri-tjetrin dhe ishin bërë thuajse të pandashëm.
Në atë kohë, as derën nuk e ndjeva tek hapej, një fllad i
lehtë kishte hyrë në dhomë. Ishte ai, bashkëshorti im. Ishte
njeriu, të cilin nuk guxoja ta shihja në sy, ç’mund t’i thosha
për vajzën... Të më ndihmonte për të? Ç’ironi fati! Estrela
duhej nxjerrë nga kthetrat e të atit. Po si kisha guxuar të
qëndroja sikur një herë të vetme, qoftë edhe për një çast
të vetëm me atë njeri? Nëse pas incidentit isha kthyer në
memece e s’mund të flisja, mund të thosha se më parë kisha
qenë e verbër, kisha pasur sy, por nuk mund të shihja.
Aleksandri u afrua pranë meje. Për herë të parë u ul mbi
shtratit tim. Më ledhatoi flokët me atë dorën e tij të lehtë, si
një fllad në pranverë. Mundi të më hiqte si me magji të gjitha
shqetësimet, rëndesën e madhe nga mendimet. Ai ishte aty,
mbështetja ime, busulla ime. Do të më ndihmonte, duhej ta
bënte në emër të premtimeve, të cilat më kishte bërë dikur.
Ajo ishte edhe vajza e tij. Megjithëse e kapitur, ia arrita
të ndaja qerpikët nga njëri-tjetri, sado pak, por ishte shumë
për mua, që në atë mjegulli qetësuesish, të shihja të paktën
siluetën e tij. Kishte po atë buzëqeshje si në kujtimet e mia. Sa me fat kisha qenë që kishte hyrë në jetën time! Vetëm se
nuk dua ta shoh këtë çështje nga këndvështrimi i tij. Tek e
fundit, në cilëndo lidhje s’mund të jenë të dy fatlumë.
- Të lutem, mos u shqetëso më. Më premto se do ta
harrosh atë njeri, Maskën,- ishte nofka e tij,- dhe nuk do
përpiqesh kurrë ta kujtosh.- Me sa duket e kishte takuar
Jetën teksa ngjitej dhe ajo i kishte treguar të vërtetën. Nuk
kishte bërë aspak gabim, ai ishte bashkëshorti im.- A e mban
mend paktin tonë për ta harruar përjetësisht? Mos e lodh
më veten. Njerëz të tillë nuk duhet t’i njohim asnjëherë në
jetë, madje nuk duhet as të ekzistojnë. Patëm fatin e keq që
ai hyri në jetën tonë, ne nuk kishim asnjë faj. Nuk mund të
bënim absolutisht asgjë për ta shmangur. Duhet vetëm ta
harrosh. Është mirësia më e madhe që mund të bësh karshi
vetes dhe fëmijëve, madje-madje edhe ndaj meje.
Mos u ndie fajtore, mbi ty nuk duhet të rëndojë asnjë
ndjenjë faji. Ti ishe vetëm një viktimë e fatit tënd të keq.
Vajza është mirë, unë e kam parë, por deri në këtë çast nuk
kam mundur ta shkëpus prej tij. Të premtoj, se brenda pak
ditësh ajo do të jetë në krahët e tu dhe se e gjithë kjo do të
marrë fund. Konsideroje këtë si një mundësi që të bën jeta,
ti do mundësh ta përqafosh sërish. Pothuajse të kam zili.
S’kisha të drejtë të dyshoja në fjalët e tij. Ai do të më
ndihmonte, ishte një njeri i fjalës. Tha gjithçka kishte për të
më thënë. I ulur mbi shtratin tim më ledhatonte flokët që të
mund të flija. Sa herë lëvizte dorën,- megjithëse aq lehtë,-
ndieja një të dridhur në trup. Ndoshta ishte thjesht faji i
kujtimit të hidhur, i lodhjes apo i qetësuesve. Nuk e dija,
nëse më parë kishim arritur ta flaknim atë hije, nëse kishim
arritur ta ruanim të patrazuar lidhjen tonë, nëse jo, jetët tona
nuk na kishin përkitur vetëm ne. Aleksandri ishte aq pranë,
mund ta pyesja për gjithçka, por nuk më nevojitej të dija
asgjë. Ishte aty dhe vetëm prania e tij ishte e mjaftueshme
për mua. Nuk ishte nevoja për fjalë, ne mund ta kuptonim
mjaft mirë njëri-tjetrin edhe vetëm me vështrime. Ishte tejet e dhimbshme situata jonë, por ne ishim të dy atë çast, mund
të ishim herë pas here bashkë. Mund ta ndieja praninë e tij
edhe kur nuk ishte. Në çdo fllad që më lëmonte flokët dhe
më freskonte shpirtin ndieja dorën e tij. Më kishte premtuar,
se nuk do të më braktiste kurrë,- e kujtova këtë, bashku me
premtimin se do ishte një baba i vërtetë për vajzën time,- dhe
unë e besoja nga thellësia e shpirtit, nga thelbi i gjithë qenies
sime. Jeta ime pa të nuk kishte asnjë shije, asnjë kuptim. Për
mua, ai ishte më i rëndësishëm se ajri që thithja.
- Kujdesu për djalin tonë Era, ai është trashëgimtari im
i vetëm, ka vlerë për mua më shumë se drita e diellit, më
shumë se vetë jeta.
Nocioni kohë kishte humbur sërish për mua, nuk di të
them sa gjatë kishte qëndruar aty, pranë meje. Por a s’është
vetë koncepti i kohës relativ? Për shkak të kushteve,- dhe jo
mungesës së dëshirës,- unë nuk mund të shkoja ta takoja,
por ai mundej të vinte, të paktën ndonjëherë. Ishte pranë
meje, kur unë ndihesha tërësisht e vetmuar, kur ndihesha
e pafuqishme për të përballuar situatat, e përhumbur, e
pamotivuar për të ecur përpara. A s’është kjo dashuria e
vërtetë? Pa kushte, pa kërkuar asgjë. Një dashuri, e cila si
këmbim kërkon thjesht dhe vetëm dashuri.
Më pas fjeta, madje thellë. Nuk di të them sa gjatë,
por mjaftueshëm për t’u ndjerë të paktën e çlodhur. Aq e
fuqishme, sa për të hapur sytë plotësisht.
Ndjeva derën e jashtme të bënte atë zhurmën e saj të
lehtë, karakteristike për dyert e sigurisë së lartë, më pas
Jeta hyri në dhomën.
- U mërzite vetëm?
Mohova me anë të lëvizjes së kokës. Mund të komunikoja
fare mirë me të në po të njëjtën mënyrë. Kjo ishte fare
amatoreske krahasuar me të tjera shenja tonat,- të cilat
ende i përdorim mes nesh, kur nuk duam të na kuptojë
askush, por edhe në kujtim të kohëve të vjetra.
- Më fal, që u vonova kaq shumë dhe s’të thashë kur dola, por ti po flije, dukeshe aq e qetë, sa më erdhi keq të të zgjoja.
Po prisja me padurim të dëgjoja ç’lajme kishte sjellë.
Isha bërë tërë sy e veshë.
- Fola me babin. Kishin disa pista, të cilat ishin duke
i ndjekur, por asnjëra prej tyre s’të çonte drejt Athinës.
Më tha se do të fillonte urgjentisht të hetonte edhe në këtë
drejtim. Nuk do të vijë këtu, nuk ka kohë për të humbur.
Nëse ke diçka tjetër, të cilën e ke kujtuar dhe nuk ia kemi
thënë, shumë mirë mund t’ia themi në telefon. Duke ditur
sa merak ka ai për ty, mendova ta sqaroja ballazi këtë herë,
për gjithçka ndodhi këtu. Ishte një peshë tepër e madhe të
vijoja ta mbaja mbi shpinë.
Sikur të bëhesha edhe unë e dobishme, të paktën një
herë! Duhej të dëgjoja ç’kishte për të më thënë tjetër.
- U shqetësua shumë për ty. Sipas mjekut, emocionet e
forta mund të ishin fatale.
U ul në karrigen pranë shtratit dhe po më shihte ngultas
në sy. Dukej qartë se kjo situatë e kishte sfilitur edhe atë.
Si të mos mjaftonte, ngarkonte më kot veten me ndjenjat e
fajit. Pas një farë kohe vendosi të më flasë. Kishte lodhje në
zërin e saj. Gati-gati në të mund të gjeje edhe pendim.
- Ajo që bëra ishte plotësisht e gabuar. Ti as që mund ta
marrësh me mend sesa shumë jam penduar. Më vinte turp
t’ia tregoja tim eti. Por më shumë turp më vjen nga vetja.
Është një veprim, i cili zhduku gjithë profesionalizmin dhe
mënyrën time të të vepruarit. Unë nuk veproj asnjëherë pa
u menduar mirë edhe për pasojat, të cilat mund të sjellë
vendimmarrja ime. Kjo më bën të lodhem për të marrë një
vendim, por pasi e bëj këtë, nuk më ndodh thuajse asnjëherë
të pendohem. Në këtë mënyrë më ka edukuar im atë dhe
unë përherë kam qenë krenare për çka jam. Për herë të parë
e kam zhgënjyer, kjo më bën të ndihem keq. Çfarëdo të më
kishte thënë ai, nuk do të më bënte të ndihesha më keq. Për
mua, jo gjithmonë mjeti e justifikon qëllimin.
Unë s’i isha trembur aspak asaj që kishte ndodhur ose mund të ndodhte. I trembesha vendimeve të marra në të
shkuarën. Nëse ato kishin qenë të gabuara, mund të më bënin
të vuaja mua dhe njerëzit e mi të dashur. Përse ai më kishte
thënë të mos mendoja e të mos ndihesha fajtore? Sipas tij, unë
s’kisha asnjë faj. Mos ndoshta im shoq ishte, veç të tjerash,
edhe njeriu, i cili korrigjonte gabimet e mia? Si duket gaboja
aq shumë dhe nuk isha e aftë të mund t’i shlyeja. Pra, ai nuk
ishte vetëm redaktor i romaneve të mia, por edhe i jetës sime.
Po tani ç’do të bënim? Mund të shkruaja, do të më
ndihmonte si zakonisht të sistemoja mendimet. Ndoshta
kur të provoja sërish të bashkoja pjesëzat dhe të krijoja
mozaikun, do të mund të hamendësoja konfigurimin e
plotë edhe pa pjesët që mungonin.
Ishte e vështirë dhe pothuajse e pamundur të shkruaja
diçka në atë gjendje. Mendimet ishin aq të ngatërruara, sa edhe
filli i një lëmshi të rënë nën pushtetin e kthetrave të maces.
Nëse duhej ta mblidhja, diku duhej këputur më parë, po ku?
Zemra më thoshte, se duhej të shqetësohesha vetëm
për vajzën time. Dy burra më kishin premtuar, se do të ma
sillnin atë. Cili prej tyre do të bëhej heroi? E ç’rëndësi kishte
cili do të mund ta gjente e ta sillte, më e rëndësishmja ishte
që ajo të kthehej shëndoshë e mirë pranë meje. Parafytyroja
vajzën duke vrapuar drejt meje, duke thirrur: Mami, maaami!
Ishte lumturia më e madhe, isha e sigurt, se do ta përjetoja
së shpejti. Parandjenjat e nënës janë të pagabueshme.
Aleksandri më kishte premtuar qysh në lindjen e saj se do të
kujdesej për të, si të ishte vajza e tij. Ç’fat ironik! Personi nga
i cili do ta mbronte dhe shkëpuste ishte pikërisht babai i saj
biologjik. Sa do të më rëndonte, sikur të ishte ai që do të ma
sillte vajzën! Më lidhnin shumë mirënjohje, detyrime, por
edhe ndjenja faji me të, s’doja që kjo radhë e gjatë të shtohej
edhe më shumë. Kaq sa ishte, shërbente si një zinxhir i
trashë, i cili i rëndonte ndërgjegjes sime. I detyrohesha për
gjithçka kisha, madje për gjithçka isha.
E nëse do të ishte ai tjetri që do të ma sillte, profesionisti, i cili kishte marrë përsipër këtë çështje, do të ishte shumë
më e thjeshtë, gjithçka mund të mbyllej vetëm me një
falënderim dhe një çek. Kjo është puna më e mirë që mund
të bëjnë paratë: shlyejnë pothuajse çfarëdolloj detyrimi që
mund të kemi ndaj të tjerëve. Të paktën mund të mendosh,
se veç të tjerash, ato shlyejnë edhe borxhet morale. Rasti
i dytë dukej më i volitshmi, megjithëse për mua, më e
rëndësishmja ishte kthimi i Estrelës.
Kishte diçka, e cila bënte kontrast me të tjerat. Ishte figura
e tim shoqi. Përse asnjëherë nuk më flisnin për të, për jetën e
mëparshme të tij, mënyrën se si kishte dalë nga shtëpia ditën
e incidentit? E çuditshme më dukej edhe që Jeta asnjëherë
nuk më kishte pyetur për vizitat e tij jo të shpeshta në shtëpi.
Një herë të vetme që i kisha folur për të, ajo kishte
ndërruar bisedë, mandej më kishte thënë se isha duke folur
përçart, ndaj dhe i isha shmangur kësaj bisede. Por a kisha
vepruar drejt? Duhej të flisja patjetër me të. Kurrsesi nuk
duhej t’i bëja bisht. I rashë ziles dhe ajo nuk vonoi të vinte.
- A ndihesh mirë? Isha duke bërë diçka.
Pohova me kokë dhe i bëra me shenjë nga kompjuteri,
duhej të lexonte pyetjen që kisha shkruar.
- S’arrij ta kuptoj, përse s’më flet asnjëherë për
bashkëshortin tim?
- Shumë e thjeshtë për t’u kuptuar, sepse nuk është
bashkëshorti im.
Ajo doli nga dhoma duke e mbyllur pas saj derën e
njëkohësisht edhe bisedën. Për mua u hap një dritare e
madhe, nga e cila mund të perceptoja dritën të futej, por
nuk mund të shihja përmes saj. Mjegullohesha mendërisht,
në asnjë mënyrë ata,- ajo së bashku me të atin,- nuk i lejonin
vetes të preknin atë argument. Ky kishte qenë jo vetëm një
reagim i rastit, por i përhershëm. Ç’të kishin me të vallë?
Nga ato materiale që kisha mundur të gjeja në internet, ai
ishte një njeri publik dhe mjaft i suksesshëm, i respektuar
dhe askund i përfolur, as për konflikte personale dhe as profesionale. Kur bëja një krahasim të tij me veten, më
dukej thuajse hyjnor përballë jopërsosmërisë sime. Asnjë
të metë nuk mundja të shihja tek ai. Por, kjo ndoshta
vinte ngase e shihja jo me sy të zakonshëm, por me sytë
e dashurisë. Duhej të mendoja më thellë. Të menduarit e
sipërfaqshëm nuk më kishte shpënë askund.
Nëse të dy na kishin shpallur të vdekur, duke munduar
se donin të na mbronin, dakord e kisha pranuar këtë si
arsye fillestare të vlefshme, por nëse mua më mbronin dhe
isha e sigurt aty, përse atëherë nuk na lejonin të rrinim së
bashku? Unë kisha nevojë për shumë përkujdesje. Ai mund
ta lehtësonte Jetën nga një pjesë e detyrave kundrejt meje,
të cilat për hir të së vërtetës, duhet pranuar se nuk ishin as
të lehta dhe as argëtuese. Kisha kaq shumë përse dhe asnjë
sepse, por sërish nuk dorëzohesha.
Më pëlqen aq shumë ajo shprehje e Heminguejt që thotë:
Njeriun mund ta asgjësosh, por jo ta mposhtësh. Nëse s’ia kishin
arritur të më asgjësonin, nuk do arrinin kurrë, në asnjë
lloj mënyre as të më mposhtnin. Nuk isha aq e fortë sa të
kapërceja kufizimet fizike,- tani për tani,- por mjaftueshëm
e fortë për të mos u ndikuar nga askush. Në mënyrën time
dhe brenda limiteve të mundshme, duhej të luftoja sërish.
Për shumëkënd, betejat e mia mund të ngjajnë
donkishonteske, por janë as më shumë e as më pak se
përpjekje,- hera-herës tejet të dëshpëruara,- të një femre, e
cila është duke kërkuar një arsye, që duhet të jetë aq e fortë
sa për ta mbërthyer paq me jetën. Një femër, e cila përpiqet
vazhdimisht të kujtojë, të njohë personat e familjes së saj.
Nuk më është dashur asnjëherë të përpiqem t’i dua, kjo
ka ardhur fare natyrshëm, ashtu siç vjen cilado dashuri.
Një sfidë tjetër, në dukje absurde, kishte qenë edhe njohja
me veten. Ishte tejet e vështirë ta pranoja lehtë karakterin
tim, ashtu siç qe. Jo rrallë hasja aq shumë papëlqyeshmëri,
sa më bënin të ndieja thuajse neveri. Sa e vështirë të bëja
bilance personale të karakterit dhe shuma të ishte negative! Më i lodhshëm përgjatë gjithë kohës, rezultonte fakti se unë
asnjëherë nuk arrita ta pranoja veten ashtu siç isha, lodhesha
e madje sfilitesha duke u orvatur të bëhesha ajo që ëndërroja,
idealen, por që ndoshta nuk kishte asnjë të përbashkët me
mua. Në këtë mënyrë krijohej xhelati im, i cili ishte as më
shumë e as më pak se përsosmëria, dora vetë. Më e keqja
ishte se nuk kisha asnjë shpresë për t’i shpëtuar nga kthetrat.
Një tejlodhje mendore më shoqëronte dhe as që kishte
ndër mend të më ndahej. Nëse gjithkush nga ne do të kishte
këto probleme të mospranimit në personalitetin e tij, gjithë
marrëdhëniet njerëzore do të ishin në krizë. Nëse nuk
mundesh të pranosh karakterin tënd, nuk do pranoje as të
dikujt tjetër. Përherë kam qenë e vetëdijshme për këtë, por jo
aq e fortë sa për të ndryshuar diçka. Kjo ndoshta është edhe
arsyeja që shkruaj shumë. Heroinat e romaneve të mia mund
të jenë të përsosura, pa komplekse në pranimin e vetvetes,
madje i afrohen edhe lumturisë, të cilën ndonjëherë arrijnë
edhe ta prekin, madje edhe ta shtrojnë nën këmbë. Edhe unë
e arrij këtë, por vetëm në ëndrra. Kur këto personazhe, bija të
mendjes, fryt i fantazisë së harlisur arrijnë majat, më falin një
pjesë të lumturisë së tyre. Kënaqem si ai kali mendjelehtë,
që i pandeh të tijat duartrokitjet që merr kalorësi. Kështu
jam unë, megjithëse kam disa dekada që përpiqem me
gjithë shpirt të ndryshoj, nuk ia dal dot në krye. Jam edhe
kryeneçe, nuk pranoj kurrsesi të heq dorë.
Me kohën nisa ta pranoja veten ashtu siç isha,- por shumë
gjatë mbeta në start. Nëse do të përpiqesha të ndreqja jo diçka,
por gjithçka, të isha plotësisht e përsosur, nuk do isha më
unë. Familja më kishte dashur ashtu siç isha dhe jo si duhej të
isha. Më në fund gjeta një çast të vetëm paqeje, qysh atëherë
mendërisht isha shumë më pak e ngarkuar. Por m’u desh një
kohë tepër e gjatë për të mbërritur deri këtu. Arrita vetëm në
kohën, kur për herë të parë pranova, se në jetë mund të kesh
edhe mbështetjen e të tjerëve, në po atë mënyrë që je duke
iu ofruar mbështetje. Këtu nisa t’i buzëqesh vetes për herë të parë. Kisha aq kohë e zemëruar me të.
Kaluan kështu disa ditë, ku e përditshmja ishte herë e
plogësht, herë e qetë, por nuk kishte vetëm ecje drejtvizore.
Më të shkruarin kisha ecur së tepërmi. Kisha bërë timen
sërish etjen për të shkruar, atë etje të madhe, të cilën përjeton
njeriu në shkretëtirë. Kjo isha unë. E vetmja anë imja që nuk
mund të ndryshonte as me përpjekje shekullore. Por që nuk u
mendova asnjëherë, për asnjë grimë ta shterpëzoja fantazinë,
ta kanalizoja diku tjetër. Nëse shumë lexues pëlqenin ato ç’ka
shkruaja, unë adhuroja procesin si të tillë. Ende nuk e kam
kuptuar kur dhe si më ka lindur kjo dëshirë, por për sa kohë
ajo të gjendet brenda meje, unë do t’i jap jetë. Kjo ishte magjia
që përjetoj, nuk më lodh asnjëherë, as më streson, kurrë. Është
krejt e kundërta. E kam një strehë, një strehëz krejt timen, ku
mund të strukem e qetë në cilindo rast.

No comments:
Post a Comment