Tuesday, January 9, 2018

Te jetosh pergjysme

Paqja       Kapitulli XXIII


    Ishte ende pranverë. Unë kisha fituar një regjim krejt të ri. Nisesha herët për në punë. Kthehesha në kohën e drekës në shtëpi, rreth orës 14, për të qenë pranë fëmijëve që të drekonim së bashku. Mundohesha ta shfrytëzoja sa më mirë këtë kohë pranë tyre. I vija të flinin dhe më pas rikthehesha në zyrë, ku nuk kishte më një orar fiks për t’u larguar në mbrëmje.                 Fundjavave pothuajse nuk punoja, ia kushtoja familjes sime të vogël, por edhe prindërve. Gjatë javës, jeta sikur të merrte përpara me atë vrullin e impenjimeve të saj, përkundrazi, fundjavave shijonim pranverën. Parapëlqenim parkun e liqenit, ku mund të ecnim, të mblidhnim lule, të bënim me to buqetëza e kurora, të luanim. Të gjitha këto e bënin Estrelën të fluturonte. Organizonim edhe ndonjë piknik. Na shoqëronin shpesh edhe prindërit e mi. Isha shkompleksuar krahasuar me periudhën e mëparshme. Nuk e kisha më problem, nëse dikush apo shumëkush do të më shihte në të tilla çaste. Edhe ushtarakët me gradat më të larta zhvishen nga uniformat e tyre në periudhën e pushimit. Nuk kisha përse të mundohesha të qëndroja e rezervuar dhe hijerëndë vetëm e vetëm se isha një person publik. Kjo kishte të bënte me punën time, produktin që sillte ajo dhe aspak me kohën e lirë Unë isha një njeri si gjithë të tjerët. Më pëlqente të shihja fëmijët të lumtur, por edhe prindërit e mi nuk mbeteshin pas në këtë pikë. I shihja dhe nuk reshtja së qeni krenare për atë që kisha arritur. Fëmijët e tim vëllai vinin rrallë me ne,- por kur vinin ishte e dukshme dashuria e tyre e natyrshme dhe afrimiteti i pakushtëzuar. Ata, duke qenë më të rritur kërkonin mënyra të tjera për të kaluar kohën e lirë dhe për t’u argëtuar.
    Zakonisht na shoqëronin fundjavave, të cilat i kalonim në Durrës, buzë detit. E adhuronin të dy detin dhe ishin gati të zhyteshin në të edhe në dimër. Mesi i majit ishte koha për të nisur plazhin. Mamaja, që merakosej gjithë kohës, se mos sëmureshin dhe babai që i përsëriste se ata nuk ishin pensionistë dhe nuk vuanin as nga artriti e as nga tensioni.
    Im vëlla punonte gjatë fundjavës, thoshte se donte t’i përkushtohej punës së tij, por unë e dija se kishte të tjera arsye. Ngushëllohesha duke menduar se të paktën bënte një punë, e cila i pëlqente. E shihja t’i përkushtohej asaj në të njëjtën mënyrë si unë të shkruarit.
    Kisha gjetur qetësinë. Në raport me veten nuk isha më aq e pamëshirshme. Psikologu im, profesor Andoni, ende nuk ishte kthyer, por unë i kisha zbatuar pothuajse të gjitha këshillat e tij. Edhe asistentin e tij e kisha takuar, madje kisha nisur të studioja një pjesë të literaturës që më kishte këshilluar.         Pata një bisedë të gjatë me të. Ai më kishte këshilluar të studioja psikologji. Përderisa isha kaq e interesuar në lëmin e saj, përse jo. Por kishte edhe një tjetër arsye, sipas tij. Kjo do të më shërbente për të krijuar personazhe jo vetëm më interesantë, por edhe më të thellë e të larmishëm. E kisha menduar edhe më parë. Për këtë arsye i parapëlqyeri i tij ishte Dostojevski. Çuditërisht isha bindur menjëherë. Prej kohësh më shqetësonte mosshkollimi im, tanimë mund të përballoja edhe studimet.
    Mendova të regjistrohesha në ndonjë universitet privat. Por ndoqa këshillën e tij. Do të ishte më mirë të konkurroja për të fituar të drejtën e studimit në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Për këtë do të më duhej të studioja për provimet me zgjedhje, psikologji dhe filozofi. Imagjino, që për të dhënë këtë provim do të isha mes maturantëve, të cilët kishin pothuajse gjysmën e viteve të mia. Por, nuk mbaj mend qoftë edhe një herë të vetme të jem trembur prej sfidave. Ky rast nuk do përbënte përjashtim. Isha pranë realizimit të një tjetër ëndrre dhe kjo më mbushte me optimizëm.
    Për sa i përket shtëpisë botuese, është pak të thuash se punët shkonin mirë. Ajo që më çudiste më tepër se gjithçka, ishin idetë e pafund të Gent Luanit, menaxherit dhe konsulentit ligjor, prej të cilave kishin filluar të gjithë ta thërrisnin në mbiemër dhe jo në emër si më parë. Ideja më e fundit e tij kishte të bënte me botimin e plotë të veprës sime. Këtu ishte fjala për një botim mjaft serioz, por edhe luksoz njëkohësisht. Në fillim nuk pranova. Në letërsinë shqipe nga autorët që ishin gjallë një botim të tillë kishte bërë vetëm Kadareja,- të paktën me sa dija unë,- dhe nuk ishte rasti të bëja të njëjtën zgjedhje. As mund të pretendoja t’i afrohesha atij. Luani më ktheu përgjigje duke më futur në kurth po me fjalët e mia: Nuk është nevoja të krahasohemi me askënd, mjaft të tejkalojmë gjithçka kemi bërë deri këtu.
    Mbledhja e së hënës,- e cila ishte një rutinë e përjavshme,- përfundoi pikërisht këtu. Aq sa e kundërshtova në fillim, aq edhe nisi të më grishte më pas kjo ide. Por nuk doja të merrja ndonjë vendim të nxituar.
    Pothuajse një orë më pas u dëgjuan të trokitura në derë. Ishte Luani. Seç i kishte rënë një nur! Kurrë nuk mbaja mend të më kishte bërë përshtypje pamja e tij, ndoshta ngaqë nuk e kisha parë asnjëherë aq të lumtur.
    - Mos ke fituar ndonjë lotari, more Luan?     - Jo, çne, unë as besoj fare tek fati. Mezi iu besoj edhe shpatullave të mia.
    - Si shpjegohet atëherë gjithë kjo lumturi, a mund të ma thuash?
     - Po, por ndoshta në një kohë më të përshtatshme, kjo nuk është koha e duhur. Duhet të keni ca më tepër besim tek unë.
    - Të lutem, e lëmë këtë bisedë, më sjell ndër mend disa kujtime të hidhura, kur flitet për kohën e duhur...
    - Mirë. Erdha t’ju pyes, nëse ndryshuat mendim në lidhje me propozimin që bëra në mbledhje.
    - Për mua, ishte përgjigjja përfundimtare. Nuk kam se ç’të ndryshoj në mendimet e mia.
     - Më falni, por unë jam i sigurt se është thjesht çështje kohe. Në fund e di se do të më jepni të drejtë.
    - Mos më thuaj se ke nisur të lexosh edhe mendjet e njerëzve...
    - Përse jo, a nuk jeni vetë ju që më keni quajtur erudit? Të gjithë këtu më thonë vazhdimisht se nuk kam lënë gjë pa lexuar, madje më kanë quajtur edhe peshkop. -               Dëgjo, ideja nuk është e keqe, por duhet jashtëzakonisht shumë punë për të bërë një përzgjedhje të të gjithë materialit. Jo gjithçka kam botuar është e denjë për t’u përfshirë në një kolanë. Më pas, materialet e përzgjedhura do të duhej të grupoheshin, por në një mënyrë të tillë, që të kishim një baraspeshim vlerash. Kjo kërkon aq shumë punë, sa do të më bënte të lija çfarëdolloj angazhimi tjetër pas dore për javë të tëra. Jo, jo. Lëre më mirë.
     - Por unë kam gati gjithçka. Kam bërë përzgjedhjen, më pas edhe grupimin e tyre. A mund ta vendos usb-ën në kompjuterin tuaj?- As që priti përgjigje. U ul nxitimthi në kompjuter si të ishte puna më e ngutshme në botë.
     -E di çfarë, nga gjithë profesionet këtu, vetëm redaktimi të ka mbetur pa provuar. -       Pikërisht për këtë doja t’ju flisja më vonë. A mund të më jepni diçka për të redaktuar në shtëpi, kam kohë të lirë darkave dhe fundjavave.
     - Mos do t’i lësh të gjithë pa punë? Jo jo. Le të shohim më mirë se ç’ke bërë këtu- isha e sigurt se do kishte thjesht një grupim të kotë të disa titujve dhe asgjë më tepër. Por, respekti ndaj punës së tij të përhershme më detyronte të paktën të hidhja një sy para se ta mbyllja përfundimisht bisedën. Në fillim më paraqiti titujt e veprave të përzgjedhura. Më la pa fjalë. Ishte si t’i kisha përzgjedhur unë. Asnjë titull nuk mund të hiqja a të shtoja. Megjithëse i lexova disa herë, nuk munda të ndryshoj ndonjë gjë.
    Kaloi në faqen tjetër, aty ku ishin titujt e vëllimit të parë. Mahnitëse! Asgjë nuk munda të ndryshoja, jo vetëm grupimin, por as renditjen. Kishte një baraspeshim të përsosur mes titujve më të njohur e më të pëlqyer dhe atyre të rinj. Kaloi në faqen tjetër. Shfletonte materialin, ndërsa unë u bëra memece deri në fund, pa thënë absolutisht asnjë fjalë.
    - Si thua, a ndryshove mendim?
    - Sa kohë ke që merresh me këtë projekt?      - Jo kaq shumë sa po shpenzoj për t’ju bindur. Por më thoni, meritoj të paktën diçka për të redaktuar? A mund të më jepni romanin e fundit?
     - Mund ta nisësh me një tregim, merre këtë që kam printuar. Romanin e fundit e kam këtu, por nuk më bën zemra t’ia jap askujt për ta redaktuar, të paktën tani për tani- arsyeja e vetme është se askënd nuk e shoh në nivelin e Aleksandrit. Nuk mund të mendoj se mund ta zëvendësoj, as në këtë mënyrë.
    Prita një redaktim të shpejtë nga ai, për të parë më mirë se ç’do të katranoste, por ishte vetëm një provë. Ai doli me fletushkat nën sqetull, madje edhe i puthi. Mos kishte marrë ndonjë goditje në kokë? Po të vazhdonte kështu, unë nuk duhej të shtrydhja më trurin për asgjë, më mbetej thjesht të vendosja ndonjë firmë e vulë. Aq më mirë. Më në fund, do kisha kohën e mjaftueshme për t’u marrë vetëm me të shkruarin. Ende nuk kisha pasur kohë t’i përkushtohesha aq sa doja. Kjo kryesisht për çështje kohe dhe jo mungesë impenjimi. Edhe diçka, duhej t’i bëja menjëherë ndonjë rritje page apo t’i jepja thjesht shpërblim. Kjo do ta stimulonte edhe më tej. Forma të vjetra, të cilat funksionojnë edhe në kohë të reja.
    Me Jetmirën nuk isha takuar më, madje as nuk kisha folur. Isha plotësisht e bindur, se do ta hidhte ajo hapin e parë, por me sa duket isha gabuar. Krenaria më kishte bërë ta ulja sërish receptorin e telefonit, megjithëse numrin e kisha formuar me dhjetëra herë. Nuk dua aspak t’i dal vetes në mbrojtje, por ekzistonte edhe një arsye tjetër. Kishte qenë ajo që për një kohë relativisht të gjatë kishte zgjidhur pothuajse të gjitha problemet e mia. Edhe më pas, kur isha rikthyer të jetoja në shtëpinë time, kishte qenë edhe këshilluesja ime kryesore.     Kishin kaluar disa muaj, qëkurse unë kisha marrë në dorë frenat e jetës sime. I kisha treguar vetes dhe të tjerëve se mund t’ia dilja mbanë. Sidomos me të ardhur pranvera kisha ndier vërtet fillimin e një stine të re, madje të një ere të re. Ishte ajo që kisha kërkuar prej kohësh dhe në fakt, pas shumë mundimesh e përpjekjesh, e kisha arritur. Nuk e konsideroja veten të përsosur, nuk kisha arritur të bëhesha krejtësisht ajo që synoja, por të paktën kisha arritur të gjeja një rrugë të mesme. Pjesërisht e kisha pranuar karakterin dhe temperamentin tim ashtu siç isha e pjesërisht isha përpjekur të përmirësohesha. Kjo përfshinte njëherësh shumë gjëra.
    M’u deshën disa ditë për të pranuar propozimin që kishte bërë Luani. Nuk ishte ide e keqe. Ndërsa emri im ishte ende nga më të lakuarit në shtyp. Historia jonë ishte ende e veshur me mister. Një çast, që mund dhe duhej shfrytëzuar. Pothuajse gjithçka do ishte gati për t’u hedhur në treg brenda pak javësh. Duhej menduar për kopertinat, kjo ndoshta do të na merrte shumë kohë.            Edhe këtu Luani pati një tjetër ide. Përderisa ne po botonim në formën e një kolane, jo vetëm formati, pak a shumë numri i faqeve, cilësia e letrës, por edhe kopertinat duhej të kishin të njëjtën fytyrë. Në pjesën e prapme, duhej të bënim një përmbledhje të shkurtër të secilit roman, si dhe mendimet më vlerësuese të kritikës, kohën e botimit dhe ribotimeve dhe ndonjë çmim që veprat kishin marrë përgjatë kohës. Edhe kjo do të donte kohë, si dhe përzgjedhjen e dikujt që do ta merrte përsipër. Nuk më pëlqente të bëja vetë asnjëherë përmbledhjen e librave të mi, do isha subjektive dhe kjo është plotësisht e pashmangshme. Sërish Luani më befasoi, ai kishte gati gjithçka, pjesën më të madhe e kishte marrë nga kritika, e cila kishte shoqëruar në shtypin e kohës botimin e romaneve. Përmbledhjet ishin sa esencë e veprës, aq edhe një thirrje e tërthortë, një ndjellje që i bëhej lexuesit për të shkuar drejt librit. U mundova më kot të bëja ndonjë vërejtje a sugjerim, të shtoja a të hiqja diçka. Gjithçka ishte në vendin e vet.        Sërish një punë e përsosur. Ky djalë ishte vërtet në kulmin e shkëlqimit të vet. Isha kureshtare si do t’i shkonte puna me redaktimin, nëse edhe atje do të shkëlqente, do t’i plotësoja një çek me disa zero. Po punonte sa për një duzinë me njerëz. Dhe çfarë ishte më e rëndësishmja, falë punës së tij, unë kisha mjaft kohë, të cilën do dija ta shfrytëzoja më së miri.
     Do të ndërmerrja një nismë tjetër, letrar sigurisht, por që duhej të ishte krejt ndryshe nga të tjerat. Sado që mendoja, nuk më vinte ndër mend asnjë ide. Kisha kontrolluar disa prej usb-ve që më kishte kthyer hetuesi, Agim Gjoni, por përgjithësisht materialet në to ishin të rëndomta dhe fragmentare. Në një çast të mëvonshëm ndoshta do t’i shihja me tjetër sy. Deri atëherë, le të qëndronin në sirtarin e tryezës sime. Më mbetej edhe njëra prej tyre, sa herë bëhesha gati, do dilte diçka dhe asnjëherë nuk kisha parë se ç’gjendej në të. Nuk besoja se kisha humbur diçka me rëndësi. Padyshim edhe përmbajtja e saj do ishte pak a shumë si gjithë të tjerat. Sidoqoftë, nuk më kushtonte asgjë t’i hidhja një sy. Në atë çast u dëgjua zilja e celularit. E pra, ajo ishte e paracaktuar të qëndronte në fund të sirtarit për kush e di edhe sa kohë.

     Në formularin A2Z plotësova vetëm dy degë nga dhjetë që ishte kapaciteti i tij. Notat e dikurshme që kisha marrë në gjimnaz,- dhjeta në letërsi dhe nënta në matematikë,- me siguri do të më ndihmonin, së bashku me mesataren, e cila ishte afërsisht nëntë. Ditën e provimeve me zgjedhje kisha aq shumë emocione, sa nuk mendoja se do të provoja ndonjëherë përgjatë studimeve të mia. Pyetjet e të dyja lëndëve në  test,- filozofi dhe psikologji,- ishin elementare krahasuar me gjithçka kisha studiuar. Çuditërisht, pikërisht këtu qëndroi edhe vështirësia. Sidoqoftë, nuk mund të them se jam e pakënaqur me të dyja notat teta të marra në Maturën Shtetërore.
     Kisha rreth 5 000 pikë. Sipas llogarive paraprake të bëra, isha fituese e zgjedhjes së parë. Dega psikologji në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Daljen e rezultateve disa javë më vonë e prita jo pa emocione. Në të njëjtën mënyrë prita edhe fillimin e vitit të ri akademik. Kisha tamam dyfishin e moshës së studentëve të tjerë. Isha e sigurt se sapo të gjendesha mes tyre, do ndihesha si të isha mësuesja, megjithatë, përpiqesha të mos i jepja shumë rëndësi këtij fakti. Historia e letërsisë njihte shkrimtarë- studentë ku e ku më të mëdhenj në moshë.         Shtatori na zuri me përgatitjet për Panairin e Librit. Që të gjitha vëllimet e kolanës me veprën time ishin gati, por asnjë prej tyre, nuk kishim hedhur në treg. Këta nuk ishin të vetmit libra të rëndësishëm me të cilët do të përfaqësonim shtëpinë tonë botuese. Kishim gjithashtu përkthime cilësore të kryeveprave botërore të kohëve të ndryshme të përzgjedhura me mjaft kujdes. Edhe veprat më të fundit të disa prej figurave më të shquara të jetës letrare, publicistike, akademike e madje edhe politike shqiptare. Gjithçka e kishim organizuar të ndarë sipas fushave, por edhe sipas grupmoshave të ndryshme të lexuesve. Për herë të parë kishim krijuar një hapësirë të gjerë për parashkollorët. Një vend mjaft të rëndësishëm zinin edhe botimet me rastin e njëqindvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë nën moton: Shqiptarë të pavarur, evropianë me të drejta të plota.
    Im vëlla kishte projektuar stendën, ndërsa për ta realizuar ishte ende herët. Fotot gjithashtu i kishim gati. Kishim përzgjedhur grupin që do ta ndiqte këtë veprimtari, si dhe uniformën e tyre kuqezi, e cila i shkonte për shtat festave më të bukura kombëtare që sillte muaji nëntor. Mund të them se ishte bërë një punë mjaft e mirë prej stafit dhe pothuajse gjithçka ishte gati. Ndieja se po përmbushja me sukses një detyrim që kisha ndaj tim shoqi.
    Në pamje të parë isha mjaft e qetë, por përbrenda diçka po më vriste. A ishte ende pranë meje shpirti i tim shoqi? Prej kohësh, kur gjithçka në jetën time dukej se kishte marrë rrjedhën e duhur,- sepse problemet nuk mbarojnë asnjëherë sido që mund të përpiqesh shumë,- unë nuk e kisha ndier pothuajse asnjëherë praninë e tij fizike, ndërsa praninë shpirtërore e ndieja në çdo çast. Ne nuk kishim më atë komunikimin tonë të dikurshëm.
    Ndoshta shpirti i tij nuk ishte më i trazuar dhe kishte fluturuar në Parajsë. Asgjë të sigurt nuk mund të dija. Nuk e fsheh egoizmin. Më pëlqente koha, kur prania e tij ishte më e dukshme për mua. Doja të dija si mundej Aleksandri të kishte redaktuar jo një, por disa nga romanet e mia? Gjithçka kisha bërë, ishte të vendosja se do t’i botoja dhe të shprehja me zë të lartë vendimin për t’i redaktuar. Brenda një kohe fare të shkurtër, në të njëjtin disk ose usb, gjeja dy variantet, të paredaktuarin dhe të redaktuarin. Askujt nuk i kisha folur për këtë, nuk kisha se si, lidhjen tonë përherë e kisha fshehur prej të tjerëve. Të vetmen shoqe, së cilës mund t’i kisha treguar gjithçka, nuk e kisha takuar prej kohësh. Madje nuk dija a duhej ta quaja të tillë, fatkeqësisht dukej se gjithçka qe lënë pas.          Profesor Andoni kishte pak kohë që ishte kthyer nga Gjermania. Kisha shkuar atje vetëm për një seancë. Ecuria ime ishte e dukshme, por ai më tha se priste edhe më. Kur seanca përfundoi, unë ndihesha shumë më e qetë dhe e lehtësuar. I premtova vetes, që do t’i shkoja deri në fund atyre seancave, derisa të mos kisha më nevojë për to. Fatkeqësisht, ishte një premtim që nuk e mbajta, por jo për shkak të mungesës së dëshirës, por për faj të ngarkesave të shumta. Sikur të mos i kisha braktisur! Kush e di, nëse gjithçka apo së paku diçka do të kishte qenë ndryshe në jetën time.

No comments:

Post a Comment