Wednesday, January 17, 2018

SFIDE


   Me duart që të dridhen diç kërkon në xhepat e shumtë të xhaketës. Si pa dashur, dora të shkon në një xhep pranë zemrës. Ti e kupton, se edhe aty duhet të kontrollosh për diçka. Por, për çfarë? Dridhesh sërish, i tëri, por këtë herë e dridhura të shkon deri në palcë.
   Atëherë vendos të bësh një listë me gjërat që ke humbur. E para duhet të jetë patjetër ora, përderisa s’ishte në asnjë xhep.  Po tjetër? Ah, po! Edhe koha. Sepse iku pa u ndjerë.  Vetëm kaq!? Edhe në zemër duhet të të mungojë diçka, ti e ndjen këtë. Ndjen një zbrazëtirë, një vakum të tmerrshën, të frikshëm. E njëkohësisht edhe një peshë të madhe. Xhepat e zemrës janë mbushur me kujtime që rëndojnë, por që të shkaktojnë edhe dhimbje.  


    Po tani, ç’do të bësh vallë? Patjetër nga sytë do të të shkasë ndonjë pikë lot. Je ti vetë fajtori për gjithçka dhe nuk mund të fajësosh fatin tënd “të keq”. E si për çudi  s’ derdh asnjë pikë lot, por fillon të qeshësh me zë.  Kështu edhe nëse zemra do të të flasë, ti s’do ta dëgjosh. Ndoshta kështu, siç ke vepruar gjithmonë, ti mendon “ të sfidosh” fatin tënd “të keq”. Bashkë me të edhe zemrën tënde “llafazane”.

Elda Gjini
2017

No comments:

Post a Comment