Wednesday, January 17, 2018



PREMTIMI


   Kur u kthye në shtëpi mamaja, ime bijë po flinte e qetë. Unë e putha lehtë në ballë dhe po kaq lehtë i përkëdhela flokët. Sa herë më kishte thënë se nuk e toleronte këtë veprim timin. Edhe kur e shihja gjatë, apo e fotografoja teksa flinte, sipas saj bëja gabim.
   Më pa me qortim. E kuptova menjëherë që nuk lidhej me veprimin që sapo kreva. Ajo po më shihte me vëmendje. Kisha veshur xhinse të zeza dhe një xhaketë sportive me mëngë të shkurtra. Këpucët e sheshta do t’i vishja te dera e jashtme. Nuk doja të bëja zhurmë, vajza mund të zgjohej. Veshja  s’kishte të bënte aspak me punën time, pastaj edhe orari... 
   Me siguri do të më bënte një mal me pyetje, sikur të mos qe për tim
atë, i cili më tha të ikja pa u shqetësuar për vajzën, do mbetesha aty. Vajza ishte në duar të sigurta.
   Këtë radhë qortimi i mamasë mori një tjetër drejtim. Por, im atë as që u shqetësua për këtë. Ai nuk donte të më shihte me sy të përskuqur, pasi kisha qarë fshehurazi. E dija që ishte i gatshëm të shiste edhe shpirtin për mua. Kjo më shumë se më lumturonte më trishtonte. Unë isha shkaktare e shumë prej brengave të tij. Unë isha fajtore për moslumturinë e tij.
   Kishte kohë që nuk u gëzohej sukseseve të mia profesionale. Për të as që kishte ndonjë farë rëndësie, nëse drejtoja një bisnes të rëndësishëm dhe krahu im  i djathtë ishte im vëlla. As për fondacionin e bamirësisë, të cilin kisha muaj të tërë që po e projektoja me kujdes të jashtëzakonshëm nuk donte t’ia dinte. Sipas tij, deri në moshën dyzet vjeçare, kisha punuar mjaftueshëm sa për një jetë të tërë. Edhe sikur të dilja në pension e meritoja.
   Putha dy prindrit e mi dhe u ndala te dera e jashtme për të mbathur këpucët. Mamaja më solli  çelësin e makinës dhe çantën. Në hutim e sipër i kisha harruar. Meqë nuk po ia arrinte sa duhej qëllimit duke më qortuar me sy, e bëri me fjalë.
   -Çfarë ka plaku më shumë se unë Meri? Përse atë e sheh me aq shumë adhurim?
Unë e adhuroj me gjithë shpirt tim atë. E kam adhuruar gjithmonë. Por, ajo që nuk dija dhe as më kishte rënë ndonjëherë ndër mend  ishte lëndimi që i paskam bërë sime mëje. Nuk e dua më pak se tim atë. Edhe mamanë e dua me gjithë shpirt. Por, e vërteta është se në veprimet dhe fjalët e saj mund të gjej sa e sa arsye për ta qortuar, apo për t’u vetbindur që ajo jo gjithmonë vepron drejt. Me tim atë nuk  ka ndodhur asnjëherë.
   Por, nuk jam e vetme në këtë pikë. Edhe im vëlla e adhuron babain. Ai është kaq i veçantë! Nuk është nevoja që ta qortojë kush. Në ndryshim nga mamaja ai nuk sillet asnjëherë si një njeri pa të meta. Është një burrë, i cili kur mendon se ka gabuar e pranon me zë të lartë. Mamaja s’e ka bërë diçka të tillë asnjëherë përgjatë jetës së vet dhe jam plotësisht e bindur se nuk do ta bëj kurrë.
   Për herë të parë e kuptova se duke adhuruar babain e kisha bërë time më të vuante. Për herë të parë ajo po më shihte drejt e në sy dhe po më pyeste, madje po më kërkonte shpjegime për ndjenjat e mija.
   -Është e vërtetë që unë e adhuroj babain. Ndihem shumë me fat që e kam.- ime më vijonte të më shihte në sy. Isha në gjendje të lexoja në mendjen e saj pyetjen e radhës. Por, nuk i lashë kohë ta bënte.- Sikur babai i sime bije të mos ishte duke u kalbur në burg me dënim të përjetshëm, por të ishte pranë meje nuk do bëhesha kurrë xheloze nëse ime bijë do ta adhuronte. Të betohem për këtë ma. Ti je një grua që ke shumë më tepër arsye se unë për t’u ndjerë e plotësuar dhe e lumtur.
   E përqafova edhe një herë dhe u shkëputa shpejt prej saj. E ndjeva se si nisi të ngashërehej në krahët e mi. Nuk doja ta shihja me sy të përlotur. Ajo ishte mamaja ime. Megjithëse nuk ishim kuptuar kurrë ashtu siç do kisha dashur, unë e adhuroja dhe e kisha ndjerë gjithmonë dashurinë e saj të pamatë.
   Duke ndezur makinën, duke menduar si do ta përballoja nga ana psikologjike takimin me tim shoq në burg, duke menduar se ndodhesha në një situatë të tmerrshme martesore, i premtova solemnisht vetes, se do ta bëja time më të kuptonte sa shumë e doja dhe se sa e rëndësishme kishte qenë dhe do të mbetej për mua. Unë i detyrohesha shumë, gjithë familjes sime, veҫanërisht asaj. Nëse një femër nuk adhuron nënën e vet, a mund të pretendojë se do të adhurohet nga e bija!?


Elda Gjini

No comments:

Post a Comment