Pikat e shiut trokisnin ritmikisht në xhamat e dritares. Dukej sikur ishin duke kërkuar leje për diçka. Eni dëgjonte. Ajo trokitje dukej monotone, por miqësore, si të rrahurat e e zemrës së saj. Mendja i qe bërë lëmsh nga mendimet. E ndjente të domosdoshme të fliste me dikë. Kishte nevojë të ndante brengat, ose së paku të fliste për të vrarë kohën, në të kundërt do të vritej prej saj.
Në dhomë përhapej gërhima e të shoqit. Kishte çerekshekulli që nuk i ndahej ajo gërhimë. Qysh atëherë gjithçka kishte ndryshuar. Vetëm sytë e të shoqit jo. Kishin mbetur po ata. Përherë të hirtë. Përherë trishtimndjellës. Ndërsa sytë e saj të gjelbërt e ndillnin atë trishtim t’i hynte deri në shpirt. Ky trishtim ua kishte rrëmbyer përgjithmonë shkëlqimin syve të saj.
Ngado errësirë e pafund, e kobshme si edhe jeta e saj. Asnjë shpresë se diçka do ndryshonte.
Papritur, një vetëtimë çau qiellin dhe i thërmoi kujtimet. Ato kujtime të mekura, të cilat sikur të mundej do i kishte fshirë të gjitha nga kujtesa.
Mbi komo shqoi paketën e cigareve dhe çakmakun e të shoqit. Të paktën ajo dritë kishte shërbyer për diçka.
Ndezi një cigare. Ndoshta me anë të tymit nxirrte një pjesë të brengës. Do provonte të shpërndante errësirën e dendur që po i i zinte frymën.
Në atë errësirë të kobshme ndizej e fikej një dritëz. Nuk ishte cigarja, por një alarm nga shpirti i Enit.
Një shpirt fillikat njerëzor, i cili kërkon dëshpërimisht ndihmë nga një tjetër shpirt njerëzor.
Pas pak ai zjarrth do të shuhet, duke lënë pas vetëm hi. Ndërsa shpirti i Enit, do të bëhet krejt gri, pasi shpresa të mbytet përgjithmonë.
Dhe ajo do të mbesë aty, në errësirë, mbështjellë me tymin e cigares. Robinë e brengës, trishtimit, e jetës monotone. Robinë e grisë së syve të tij.

No comments:
Post a Comment