Wednesday, January 17, 2018


 PERQAFIMI

   S’kam për ta harruar kurrë atë ditë, kur papritur, shoqja ime më e mirë më trokiti në derë. Taksisti me zor nxori nga bagazhi tre valixhe të stërmëdha. Iu deformua trupi kur i solli deri brenda në shtëpi. Por, nuk bëri asnjë koment. Ndeshim aq rrallë njerëz të tillë, saqë s’mundim t’i fshijmë nga kujtesa. Shpesh njerëzit ankohen dhe vetëm ankohen, sikur të ishte gjëja e fundit në botë që u ka mbetur për të bërë.
   Por, ç’dreqin kisha që s’i hiqja sytë nga taksisti dhe meditoja mbi virtytet e tij të padiskutueshme? Gjithë përqendrimin dhe vëmendjen  duhet t’i projektoja mbi shoqen time. Për herë të parë në jetë ajo po trokiste në derën time për ndihmë. Dhe unë, si një hutaqe e vërtetë as që po e shihja në sy.
     Ndoshta kjo ishte e vetmja mënyrë për t’i ikur situatës dramatike që kisha përpara. Këtë e praktikoja vazhdimisht pas vdekjes së tim shoqi. Ishte mënyra e vetme që kisha gjetur për të mbrojtur trurin nga mendimet e thella që shkaktojnë problemet e pafundme që sjellë jeta. Fokusohesha te detaje çfarëdo, fare të parëndëishme dhe isha gati t’u përgjërohesha që të më shpërqendronin.     
    Arta foli vetëm pasi bëra dy kafe turke dhe i vendosa mbi tavolinën e vogël që kisha në dhomën e ndenjes. Unë e njihja mirë, më mirë se kushdo tjetër. Asaj nuk i pëlqente ta merje në pyetje. I pëlqnte të fliste vetëm atëherë kur vinte çasti më i përshtatshëm. Por, as nuk të vinte në vështirësi me pyetje pa takt. Të bënte të ndiheshe e vlerësuar, e respektuar.  
    Gjithmonë e kishte pasur të vështirë të shprehte ndjenjat e saj. I pëlqente të meditonte për orë e orë të tëra. Pa kaluar në këtë fazë, as që bëhej fjalë të të tregonte diçka.
      -Kam nevojë të qëndrojë te ty për ca kohë, gjithmonë nëse nuk e ke problem,- foli pa i hequr sytë nga kafja. Ndërsa unë, sërish e hutuar, nga njëra anë prisja me padurim të më thoshte çfarë kishte ndodhur, ndërsa nga ana tjetër, ndiqja me sy detaje të parëndësishme. Kafes i kisha hedhur sheqer mjaftueshëm, ndërsa ajo i hodhi edhe dy sheqer të tjerë. Nuk ishte rasti ta qortoja se po helmonte gjakun me sheqer.
   -Mund të rrish sa të duash e dashur. Je në shtëpinë tënde,- i thashë me gjithë zemër.
   Ajo më pa me qortim. Ndjeva se u përskuqa e tëra, deri te veshët.
   -Nuk e kisha në atë kuptim... ti e di mirë që gjthçka imja është edhe e jotja.  Ajo kishte pasur gjithmonë gjithçka, ndërsa unë asgjë. Si mund t’i ofroja gjithҫkanë time, që ishte thjesht asgjë.
    Arta qëndronte e heshtur, me sytë e përhumbur përtokë dhe kafenë, ndryshe nga herë tjetër, e pinte me gllënjka të vogla. Unë, si një guake humbisja si gjithmonë pas detajeve krejt të parëndësishme.
    Në një moment ajo psherëtiu. Kishte aq dhimbje ajo psherëtimë, saqë më përfshiu brenda saj të tërën. Shkunda trurin nga detajet idiote që e kisha ngarkuar prej kush e di sa kohe. Sikur unë të isha në vend të Artës, për ҫfarë do kisha nevojë vallë?  
    U ula pranë shoqes sime dhe e përqafova. Ajo po ngashërehej mbi supin tim. E pra, unë nuk përfaqësoja asgjënë për të. Unë isha streha, perkrahja, mbështetja, besimi. Isha njeriu me të cilin mund të fliste deri në mëngjes dhe të mos pendohej kurrë që kishte hapur zemrën me mua. Dera e shpirtit tim ishte gjithmonë hapur për shoqen time më të mirë. 
    Dhe nuk i thashë asgjë nga këto, nuk ishte nevoja. Thjesht e përqafova. A nuk i ndjejmë të gjitha këto në një përqafim?
     

No comments:

Post a Comment