E shtrirë në krevatin e plazhit, ndjek me sy fëmijët e mi në breg të detit. Ata janë pasuria ime më e ҫmuar, lumturia më e madhe, forca ime.
Në jetë jam përballur me disfata, vështirësi dhe sfida të panumërta. Të gjitha i kam lënë pas krahëve. Dhe ja ku jam, sërish në këmbë. Këtu qesh me vete. Në fakt jo saktësisht në këmbë, por shtrirë në krevatin e plazhit. Dhe ato vështirësitë që përmenda më parë, fatkeqsisht nuk i kam hedhur dot të gjitha pas shpine. Një pjesë e tyre janë bërë tashmë njësh me qenien time dhe unë dashur pa dashur jetoj së bashku me to. Sidoqoftë, kjo është diçka me të cilën jam mësuar, madje deri diku edhe jam pajtuar.
Por, ajo me të cilën nuk do pajtohem kurrë është të humbas nga sytë fëmijët e mi. Nuk mund të jetojë larg tyre, as di dhe as dua të vijë ndonjë ditë që të më duhet të mësohem të jetojë pa ta. Edhe sikur të më quani mamanë më egoiste në botë, sërish nuk do ofendohem.
Ndoshta e teproj ca me fantazi, por kur të vijë ajo ditë, që asnjëri prej tyre të mos dojë të ulet në prehrin tim, mua do të më duket sikur një pjesë e zemrës do të më shkulet një herë e përgjithmonë prej kraharorit. Nuk kanë rëndësi vitet e tyre, madje as përmasat trupore. Për mua do të kenë përherë po atë emër, fëmijë. Askund tjetër përveçse në prehrin e mamasë së tyre s’mund të gjejnë më shumë ngrohtësi e dashuri.
Mendimet m’i shkëputën zërat e dy zonjave në çadrën në të majtë. Zakonisht na shkëputin rrjedhën e mendimeve njerëzit të cilët flasin me zë të lartë. Por, këtë herë ndodhi ndryshe.
Bisedonin nën zë për të mos u dëgjuar prej meje. U bëra menjëherë tërë sy e vesh. Më erdhi të qeshja, madje të qeshja me zë të lartë. Pushimet më në fund po jepnin efekt. Nuk arrija ta besoja që po i lejoja vetes luksin e një kurioziteti të sëmurë.
Zbuloj menjëherë se janë motra dhe flasin për babanë e tyre që posa ka vdekur. E habitshme që në zërat e tyre radarët nuk po më kapin as dhimbje e as keqardhje. Por, ndoshta është një përshtypje e gabuar. Me siguri sytë e tyre duhet të jenë të përlotur, të paktën kështu mendoj. Me shumë kujdes lëviz në krevatin e plazhit dhe kthehem në të majtë. Ato afrohen edhe më me njëra-tjetrën. Ndoshta për shkak të bisedës serioze. U hetoj me kujdes sytë. Nuk janë të zbrazët. Por, brenda tyre nuk shoh as dashuri dhe as dhimbje.
Janë sy hienash. Edhe biseda e mëvonshme konfirmoi përcaktimin që bëra sapo i pashë. Ato planifikojnë të çojnë në një shtëpi të moshuarish mamanë tashmë të mbetur vetëm. Plani vijon në detaje për të ndarë pasurinë.
Nëse është diçka që unë nuk mund ta përtyp në këtë botë fund e krye mosmirënjohëse është mosmirënjohja ndaj prindërve, të cilët na japin jetën dhe na rrisin me sakrifica të panumërta dhe dashuri të pamatë.
E përhumbur në mendime dhe ndjesi që më lindnin të ngacmuara nga situata, madje duke u bërë preh e tyre, u gjenda sakaq shumë pranë dy motrave.
Ato u kthyen drejt meje dhe më pyetën pothuajse njëzëri se ç’kërkoja. Unë ngriva në vend si idiote që isha treguar. E pra, ç’kërkoja në çadrën e tyre? Ajo që më kishte shpënë aty ishte dëshira e mbrapshtë për t’i parë nga afër hienat e dhjamura. Arsyen e vërtetë nuk mund t’ua thosha. Rrjedhimisht, duhej të sajoja ndonjë justifikim për të përligjur praninë time.
Më shkoi syri te çakmaku dhe paketa që ishin vendosur pa kujdes nën çadër. I pyeta nëse kishin ndonjë cigare. Ato më ftuan të ulesha. Një çast më vonë, ne ishim duke tymosur të tria së bashku dhe duke folur nën zë, si të ishim shoqe prej një jete. U habita me lirshmërinë që kishin në komunikim. Ndoshta ngaqë për një kohë të gjatë kishin jetuar jasht Shqipërisë. Të paktën përshtypja ime është që ne shqiptarët zakonisht i strukim mirë ndjenjat dhe mendimet tona. Kur gjendemi përballë të panjohurve, bëhemi edhe më fanatikë.
Mundohem ta thith sa më rrallë cigaren, sepse nikotina nuk më bën mirë. Në fund të fundit ajo ishte vetëm një pretekst për t’u afruar. Por, bisedat e dy motrave kanë edhe më tepër katran se cigarja. Problemi i tyre i madh është të bindin mamanë për ta çuar në një shtëpi të moshuarish. Kërkojnë edhe mendimin tim. I pyes përse duhej ta kryejnë këtë veprim. Më përgjigjen se është për të mirën e saj. Nuk mund ta marrin atje ku jetojnë dhe nga ana tjetër, ajo nuk është në gjendje ta përballojë jetën e vetme.
Menjëherë në mbrojtje të vetvetes sjellin tezën se bëhet fjalë për një shtëpi të moshuarish që funksionon në mënyrë të pavarur nga shteti. Pra një institucion privat. Ato janë të gatshme të ndajnë përgjysmë shpenzimet, ndërsa pensionin mamaja le ta mbajë për dëshirat e saj. Kjo pasi në shtëpinë e të moshuarve që kanë zgjedhur do t’i plotësoheshin të gjitha nevojat.
Kur dëgjoje të flisnin dy motrat të dukej sikur po planifikonin pushime për të ëmën. Lum si ajo!
Mora një cigare të dytë nga paketa e tyre. Tani ajo s’ishte më pretekst, por nevojë. Biseda ishte shumë e rëndë për ta përballuar vetëm. Më në fund bëra pyetjen që më kishte munduar që në fillim. Doja të dija se ku banonte aktualisht mamaja e tyre. Më thanë se jetonte në një apartament 130 metër katror në qendër të qytetit. Në fillim shifra m’u duk e hiperbolizuar. Menjëherë mora sqarimin e nevojshëm. Dikur ato kishin qenë dy hyrje dhe prindrit e tyre i kishin përshtatur si një të vetme. Me siguri qëllimi ishte për të pasur sa më shumë hapësirë. Në këtë pikë nuk mund t’i kuptonte askush më mirë se unë. Të jetuarit në apartament më krijon përshtypjen e të jetuarit në kafaz.
Për apartamentin ishte shpallur shitja, megjithëse s’kishin marrë një konfirmim përfundimtar nga mamaja dhe për të përmbushur qëllimin e tyre u duhej patjetër nënshkrimi i saj. Me sa dukej ky ishte një tjetër problem për to. Sidoqoftë, ishin optimiste. E kishin asin nën mëngë. Një raport mjeko-ligjor për paaftësinë e saj mendore. Uauu...
Sa mirë që fëmijët erdhën dhe më shkëputën prej tyre. Nuk po e duroja më atmosferën mbytëse që gjeta në çadrën fqinje. Për motrat nuk përbënte asnjë problem babai i vdekur, por mamaja që ishte ende gjallë. U kërkova leje dhe u largova.
Pasi mora një breshëri puthjesh dhe përqafimesh nga fëmijët e mi u ndjeva sërish mamaja më me fat në botë. I mora për dore duke i premtuar se do t’i mbaja fare pak kohë nën dush. Ujin e detit dhe të pishinës e preferonin shumë më tepër.

No comments:
Post a Comment