![]() |
Sapo era gjen një objekt të ri më interesant, i flak tutje pa mëshirë gjethet e ngrata. I përplas përtokë dhe qesh me to. Kohë pas kohe bën preh të saj të tjera gjethe mendjelehta, të cilat i pret po i njëjti fund.
Unë i sodit nga përtej xhamit. I sodit dhe i ndiej aq pranë! Ndihem atje, pranë tyre. Dridhem së bashku me to.
E mbaj mend shumë mirë vjeshtën e shkuar, vjeshtën para saj dhe të tjerat më parë. Viti kalon shpejt për të sjellë sërish vjeshtën, dredhitë e erës, mendjelehtësinë e gjetheve.
Edhe sikur gjethet të pendohen, për to s'ka më kthim pas. Rrugëtimi i tyre jetësor tashmë mori fund.
Në po të njëjtën mënyrë jeta luan me ne, duke na marrë vitet. Çdo çast i jetës sonë është një gjethe që fluturon. Megjithëse i bukur, apo i shtrenjtë për ne, jeta na e rrëmben nga e tashmja dhe e fluturon në të shkuarën.
Çdo vjeshtë e humb sensin e kohës, duke qëndruar pas xhamit dhe duke u ndjerë përtej tij. Ndjej keqardhje për gjethet dhe dhimbje për çastet e jetës që fluturuan për të mos u kthyer më kurrë. Gjithë këtij pështjellimi ndjenjash mund t’i vendos një emër. Nostalgji.
Elda Gjini

No comments:
Post a Comment