BRAKTISJE
Lamtumira s’mjaftoi për të kthyer fletën, për të harruar gjithçka e t’ia rinisja sërish. Një pjesë e shpirtit tim shtegëtoi përgjithmonë, bashkë me ty. Zemra më rëndon nga malli dhe kujtimet, kurse dashuria struket në labirintet më të errëta të saj.
Shpirti klith ethshëm. Loti i nxehtë dhe i hidhur mbart në vetvete kaq shumë zhgënjime. S’është thjesht ndarje, por braktisje. Nëse dikur vetmia më tmerronte, sot më duket shumë më fisnike se braktisja. Sa do doja të mos e kisha provuar kurrë këtë shije!
Brenda meje është krijuar një vakuum i tmerrshëm. Vendi yt ka mbetur bosh. Ai vend s’mund t’i përkasë më askujt. Imazhi yt s’më ndahet për asnjë çast, më vjen pas si një hije.
Nëse të duash është mëkat, unë mëkatova me emrin tënd, por shpagimi qe tepër i rëndë. Kush vallë mund të durojë peshën e braktisjes!?

No comments:
Post a Comment