Thursday, January 18, 2018
NE PRITJE
Ajo kishte mbështetur bërrylat në parmakun e ballkonit dhe faqet ishin bërë njësh me pëllëmbët e duarve. Vështrimi i saj shtrihej deri atje tej, ku dy radhët me pemë e pallate takoheshin në një pikë të vetme.
Është perspektiva, po po perspektiva është, - pohoi me zë të ulët dhe papritur, shkëputi bërrylat nga parmaku, pëllëmbët e duarve nga faqet dhe drejtoi trupin, si për t’i treguar vetes se ishte mirë. Puhiza mbrëmësore e shtatorit luante ëmbël me kaçurrelat e saj të artë.
Sapo ndjeu që trupin ia përshkoi një e dridhur e beftë, mbylli sytë për të mos parë ç’do të ndodhte pashmangshmërisht me lëkurën e lëmuar të krahëve. Por, mornicat që ia kurseu vetes, nuk ishin asgjë përpara dridhjes që ndjeu thellë në shpirt.
Me një lëvizje mekanike, vendosi të dyja duart mbi tëmtha dhe i shtërngoi fort. Ç’po ndodh vallë me mua!? Përse nuk mundem të kontrolloj mendimet?
Ishte hera e dytë që fliste me vete. Mos po marrosej? Ndjente zemrën t’i rrihte aq shpejt, sa mend po dilte nga kraharori. Mjeku e kishte qetësuar, duke i thënë që s'kishte ndonjë problem fizik. Aritmia e saj ishte thjesht emocionale. Po e folura me vete ç'të ishte vallë?
Hodhi edhe një herë vështrimin larg. Rruga ishte e zbrazët. Edhe ajo ndihej po njësoj. I dashuri i saj kishte dy ditë pa ardhur. E nëse nuk vinte as sonte? Po sikur të mos vinte më asnjëherë?
Ajo qëndronte aty, në pritje të ethshme. Pareshtur mendonte se ç'do ndodhte me ekuilibrin e saj emocional nëse ai s'do vinte më kurrë. Deri kur do të mund të rezistonte në pritje?
Elda Gjini
Subscribe to:
Post Comments (Atom)

No comments:
Post a Comment