Thursday, January 18, 2018


LULE E THARE

    Ia kam dalë të bëhem dikush në jetë. Gjithçka e kam arritur duke u mbështetur vetëm në forcat dhe aftësitë e mia. S’dua të lodhë veten duke sjellë ndër mend sa shumë punë dhe sakrifica më është dashur të bëjë. Madje, sot dua të harrojë edhe numrat. S’ka rëndësi sa vite kam shpenzuar.
    Është koha t’i gëzohem suksesit të arritur. Unë s'dehem prej tij. Jam vetedukuar tashmë me përgjegjshmëri dhe vullnet të hekurt.
    Sot, në zyrën time ishte një zonjë franceze. Para se të nisnim bisedën për çështjet e bisnesit për të cilat kishte ardhur, ajo i hodhi një sy zyrës. Më komplimentoi, veçanërisht pasi i thashë se isha marrë personalisht me mobilimin. U ndjeva mirë. Ia kisha dalë të krijoja një ambjent të përshtatshëm për punë dhe të këndshëm për t’u soditur.  Pas pak, gjithë vëmendja e saj u përqendrua te korniza që kam vendosur në mur, përballë tryezës sime të punës.
  -  Përse vallë kornizë me një lule të tharë dhe jo një pikturë origjinale?
    I shpjegova me anglishten time të saktë, por të varfër në ekspresivitet, se më pëlqenin lulet e thara, asgjë më tepër.
    Ajo më vështroi ngultas në sy dhe ndryshe nga ç’prisja më sugjeroi të nisnim nga çështjet e punës. Ishte një takim i frytshëm për të dyja palët, i cili u finalizua me firmosjen e kontratës dhe një shtërngim duarsh. Isha krenare për çfarë kisha arritur, madje dhe e lumtur. Në aspektin profesional, sigurisht.
    Atëherë kur nuk e prisja, ajo iu rikthye me seriozitet të madh bisedës së mëparshme.
    -Po të isha në vendin tuaj, do ta bëja të thahej nga dhimbja. Jam e sigurt se ka qenë një dashuri e madhe. Është fare e qartë se dhuruesi i asaj luleje ju ka bërë të vuani pafundësisht. Dhe më e keqja nuk është që s'e keni harruar, por që nuk doni ta harroni.
    S’munda t’i ktheja përgjigje, përveçse një buzëqeshje mirësjelljeje të sforcuar, me anë të së cilës e mbylla atë bisedë. Anglishtja e saj ishte shumë më ekspresive nga sa ishte e nevojshme.
    E humba sensin e kohës duke soditur lulen e tharë.  E kisha vendosur prej vitesh në  kornizë, për t'i thënë vetes se nuk duhej të mashtrohesha më nga askush. Por, ka ardhur koha që të jem e sinqertë me veten. Cila është domethënia e saj e vërtetë?
    Ndoshta, ndonjëherë ajo lule më kishte ngushëlluar, duke më  kujtuar se dikur ishte e freskët dhe me aromë...
    Apo ndoshta kam një domosdoshmëri ta shoh? Megjithëse e tharë, ajo më kujtojton të vetmen dashuri në jetën time, një dashuri të madhe që më kishte marrosur krejt.
    Po mashtrimin? Po braktisjen? Nuk i kisha harruar dhe nuk mund t'i harroja kurrë.
    Diçka tjetër, të cilën nuk do ta bëjë kurrë është hakmarrja. Nuk do ia falja vetes,  nëse do bëj dhuruesin e asaj luleje të thahet njësoj si ajo.
    Ai e meriton, ndërsa unë jo. Për asnjë arsye në botë s'do ta kthej zemrën time në një lule të tharë.

No comments:

Post a Comment